Kryeministri Kurti kërkon që të shfaqet Ekipi Menaxhues që po e harton draft-Statutin e Asociacionit, i cili përbëhet prej katër serbëve. Përbërjen e këtij ekipi anonim Kurti thotë se nuk e di as ai. Dihet vetëm se Kurti nuk është lejuar ta shkruajë vetë Asociacionin dhe për këtë i janë dhënë kompetencat Ekipit, që kryesohet nga deputetja e partisë së Vuçiçit.
Ekipi Menaxhues, të cilit nuk i dihet përbërja, e shkruan draftin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Prezantimi i këtij drafti pritet të bëhet me 2 maj, në takimin mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Ndonëse, Ekipi formalisht i bie të jetë i palës kosovare, Kryeministri Kurti dhe të tjerët thonë se nuk dinë shumë për këtë ekip. Dhe as nuk kanë pritje se do ta shkruajë një draft-Statut të pranueshëm për Kosovën.
Kurti thotë se i takon Ekipit Menaxhues të shfaqet, derisa tregon se pjesëtarët e tij nuk i kanë pranuar ftesat për takim që ua ka bërë vartësi i Kurtit, ministri Elbert Krasniqi.
“Draft-statute, në të kaluarën, kanë konsideruar se e ka për detyrë ekipi menaxhues, i cili ka një vendim të fundit të ish-zëvendëskryeministrit Rakiq, nga 25 shtatori i viti 2020 për një ndërrim të përbërjes, mirëpo kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues që të shfaqet. Por ministri im, Elbert Krasniqi, që është ministër i Administrimit Lokal, i ka bërë ftesë për takim këtyre, mirëpo ata nuk janë përgjigjur asnjëherë”, tha Kurti të martën.
Ekipit Menaxhues, që do ta hartojë draft-Statutin e parë të Asociacionit, nuk i dihet përmbajtja. Edhe më tutje, askush nuk e tregon profilin e të gjitha hartuesve të atij dokumenti.
Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka zbuluar vetëm kryesuesen e atij ekipi, Danijela Vujiçiç, e cila është deputete në Kuvendin e Serbisë, nga radhët e partisë së Vuçiçit, SNS-së. Ajo është nga Mitrovica e Veriut.
Bislimi dukej i pakënaqur që Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë shkruhet nga ekipi i udhëhequr nga një deputete e Serbisë.
“Janë katër persona. Janë serbë. Daniela Vujiciç është kryesuese. Dy prej tyre janë që nga viti 2013, dy kanë pësu vazhdimisht ndryshime”, ka thënë Bislimi në fillim të prillit, duke shtuar tutje se “Udhëheqësja e Ekipit Menaxhues është një deputete e Serbisë, që në fakt, nga Kuvendi i Serbisë, ajo e bën një draft-statut për Kosovën”.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, javën e kaluar ka thënë se nëse Ekipi Menaxhues ofron një draf-Status që i përshtatet Serbisë, atëherë ai duhet të shkarkohet. Konjufca nuk ka shumë shpresë që Ekipi do të bëjë punë të mirë, duke gjykuar na përbërja e tij.
“Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një ekip i menaxhimit i cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij ekip të menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët e Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë Konjufca.
Sipas Express, më 2 maj pritet të shihet se çfarë do të ndodhë më draftin e hartuar nga Ekipi Menaxhues – gjithmonë nëse takimi nuk dështon. Presidenti serb sot ka dhënë shenja që edhe mund të mos shkojë në takim.
Ndërmjetësuesi evropian i Dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak e ka konfirmuar se në takimine 2 majit, pjesë e agjendës është prezantimi i draftit të Statutit të Asociacionit.
Kurti dhe Vuçiç janë takuar herën e fundit në Ohër, ku është arritur dakordimi për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e raporteve, e cila u pranua më 27 shkurt, në Bruksel.