Parlamenti aktual do të mbetet në histori jo vetëm si parlamenti më i dobët nga cilësia intelektuale e deputetëve, jo vetëm si parlamenti me më shumë tregtarë e biznesmenë, që nuk dinë të lexojnë as ato që u shkruajnë, por edhe si parlamenti me më shumë deputetë të arrestuar, të kërkuar nga drejtësia, të akuzuar e përfolur publikisht për lidhje me krimin.
Duhet të jemi të qartë se nuk ka qenë mungesa e ligjit fajtore për këtë situatë, por kanë qenë vetë partitë që kanë tërhequr në gjirin e tyre këtë kontingjent njerëzish, si mundësia e garanti i marrjes së votave. Bazuar në këtë realitet, pyetja që mund të bëjmë tashmë, me të drejtë plot dyshime, është nëse do të ketë apo jo vullnet politik për ta zbatuar këtë ligj? A mos vallë do të presim që pas miratimit të tij politikanët e inkriminuar do të ikin me vullnetin e tyre nga parlamenti apo politika? A do të kemi ne një standard të ri politik, ndër të zgjedhurit lokalë e qendrorë, të cilët mund të dorëhiqen nga mandatet e tyre për shkak të përplasjes më ligjin? A do të krijojnë partitë tona një mekanizëm verifikimi për personat që do të tërheqin në të ardhmen për ti futur në listën e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkie? Kemi të gjithë të drejtën të themi se vështirë që kjo të ndodhë, pasi ata e patën tërë mundësinë që të mos e bënin ketë edhe pasi nuk kishte dalë një ligj që e ndalonte këtë. Që një person i kërkuar nga Interpoli nuk mund të behet deputet, për këtë nuk ka nevojë të ketë një ligj të posaçëm.
Për shkak të gjithë këtyre rrethanave, pyetja tjetër, gjithashtu jo optimiste, është nëse do të pastrohet dot politika me ndihmën e këtij ligji apo jo? Para se të tentojmë të japim ndonjë përgjigje, për këtë duhet të përcaktojmë se kush e bën pis politikën, që të mund të shpresojmë në pastrimin e saj. Pra, a janë vetëm personat e kërkuar apo të dënuar më parë për trafik droge, vrasje apo shfrytëzim prostitucioni ata që e sterosin politikën tonë? Padyshim që këta janë shembujt më flagrantë dhe më denigrues. Por në aspektin e pasojës, mund të ketë të tjerë që janë edhe më të këqij, e me kosto shumë më të madhe për shoqërinë dhe demokracinë. Edhe pse kanë një dëshmi penaliteti të pastër, e nuk janë në kërkim, ata janë, kanë qenë e me gjasë do të jenë, barra më e rëndë e shoqërisë. Ministra e deputetë, kryetarë bashkie dhe zyrtarë të niveleve të tjera, që zgjidhen përmes ryshfetit, paguajnë para për të futur emrin në listat e kandidatëve, paguajnë para për të blerë e zhvatur vota. Janë këta që në pushtet shndërrohen në pronarë të pasurisë publike, që ndajnë me klientët e tyre biznesmenë pyje, miniera, plazhe, koncesione e shërbime publike që u sjellin qindra miliona euro përfitime.
Këta vërtet nuk kanë vrarë njeri me armë, por përmes babëzisë dhe korrupsionit, këta kanë vrarë shpresën e të gjallëve për të jetuar në këtë vend. Për përjashtimin e tyre nga politika nuk ka ndonjë ligj të veçantë, por duhet të jetë populli me votë që ti dëbojë, ose drejtësia që ti ndëshkojë.
Vërtet tani do të kemi një ligj që ndalon futjen në politikë të të inkriminuarve, por nuk ka një ligj që ndalon paratë e tyre të ushqejnë makinerinë e politikës. Nuk ka një ligj që të ndalojë trafikantin e drogës të mbështesë fushatën e një deputeti apo partie dhe nesër të lobojë për emërimin e drejtorit të policisë apo shefit të komisariatit, për të pasur liri veprimi në trafiqe.
Ka shumë arsye për të mos qenë aspak optimist se me miratimin e një ligji për dekriminalizimin do të pastrojmë politikën. Më shumë se nga kriminelët, politika është e mbytur nga të korruptuarit dhe paratë e krimit. Dhe druaj se ky realitet do të ndryshojë me një apo disa ligje. Do të duhet ndoshta një revolucion, por pa armë dhe tambure protestash, një revolucion vote për të përzënë nga politika jo vetëm ata që kërkohen nga Interpoli, por në radhë të parë ata që duhet të kërkohen nga drejtësia jonë, e cila deri tani nuk i ka kërkuar kurrë.
Komentet