Në fund të muajit shkurt, Ivani, i cili jeton në Volçika të rajonit siberian Altai, e ka pranuar një thirrje telefonike nga shoku i tij i ngushtë, Andrei.
Ky i fundit është thirrur nga autoritetet ruse për të luftuar në Ukrainë.
Ndonëse të dy kanë komunikuar vazhdimisht – edhe pas angazhimit të Andreit në luftë – atë kohë kishte kaluar një javë prej kur kishin folur dy miqtë.
“Nuk do ta harroj kurrë atë bisedë telefonike”, ka thënë Ivani për Radion Evropa e Lirë.
“Ka qenë hera e parë që e kam dëgjuar duke folur me zë të dridhur: ‘Nuk e di si mbijetova. Jam i vetmi në grup që kam mbetur gjallë’. Burri ka qarë për 10 minuta derisa më ka treguar se si ushtarët tjerë janë vrarë para syve të tij, duke përfshirë disa vetëm 20-vjeçarë”.
Tash e sa muaj Rusia dhe Ukraina janë duke zhvilluar luftime të ashpra në rajonin e Donbasit, duke përfshirë betejat në qytetet që tani i njeh gjithë bota: Bahmut, Avdivka dhe Marinka. Luftimet, në të cilat janë përfshirë mercenarët e grupit privat ushtarak rus, Wagner, janë krahasuar me përleshjet më brutale në frontin perëndimor përgjatë Luftë së Parë Botërore.
Edhe themeluesi i Wagnerit, biznesmeni i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin, e ka përshkruar ofensivën në Bahmut si “makinë grirëse të mishit”.
“Ai i ka parë duke vdekur dhe nuk ka mundur të bëjë asgjë për t’iu ndihmuar”, ka thënë Ivani për shokun e tij, Andrei.
“Ka qenë mrekulli që ai i ka mbijetuar ofensivës. Në fakt, atij i është thënë se do të shpërblehet me medalje, mirëpo ai ka qenë duke menduar vetëm për një gjë – si të largohet prej aty”.
Qeveria ruse e ka kufizuar raportimin dhe informacionet nga kjo zonë lufte.
Megjithatë, muhabetet kanë nisur të përhapen nga rusët e mobilizuar dhe miqtë e tyre, të cilët kanë treguar shumëçka për situatën e rëndë të ushtarëve, mungesën e trajnimeve dhe armëve, çka ka rezultuar më pas me numër të madh të viktimave.
Për shkak se Qeveria ruse i ka ndëshkuar ata që kanë folur hapur për luftën, Radio Evropa e Lirë e ka fshehur identitetin e personazheve në këtë artikull.
“Të vdekur apo të braktisur”
Një grua nga qyteti i Siberisë, Angarsk, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se burri i saj që është thirrur për të luftuar, e ka telefonuar një ditë prej spitalit dhe i ka treguar se është duke trajtuar plagët e marra në betejë.
“Ai më ka thënë se në orët e para të 1 marsit, grupi i tij, prej 25 burrave, është nxjerrë me forcë nga separatistët e mbështetur prej Moskës në rajonin e Donjeckut dhe janë lënë në fushë të hapur. Më pas, ushtarët separatistë kanë ikur. Ata kanë mbetur aty pa mbështetje, në dy tanke të armatosura. Në çast kanë nisur të sulmohen. Si përfundim, ata janë përballur me bombardime për orë të tëra”.
“Ai e di edhe për dy burra të plagosur”, ka thënë gruaja.
“Të gjithë të tjerët ose janë vrarë, ose janë braktisur”.
Deri më tani, Moska ka raportuar për 6.000 persona të vrarë, prej kur e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, mirëpo shifra zyrtare besohet se është shumë më e madhe.
Analistët perëndimorë besojnë Rusisë i janë vrarë ose plagosur 200.000 njerëz në luftë.
Ivani ka thënë se i është dashur kohë derisa ka vendosur të flasë publikisht për bisedat që ka pasur me Andrein.
Megjithatë, në fund, ai ka thënë se “nuk ka pasur kuptim që të qëndroj o heshtur dhe të pres nëse do të rregullohet gjithçka”.
“Asgjë përveçse copë mishi”
Andreit, 32-vjeçar, i është dërguar thirrja për luftë në vjeshtën e vitit 2022, pak pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka shpallur mobilizim të pjesshëm ushtarak.
AI e ka marrë këtë vendim pas kundërofensivës së suksesshme të ushtrisë ukrainase në verilindje, e cila ka rezultuar me zmbrapsjen e ushtrisë ruse dhe çlirimin e rreth 12.000 kilometrave katrorë.
Andrei ka qenë pjesëtar i bankës rezervë të ushtrisë ruse rreth një dekadë më parë.
Ai i ka kaluar tre muajt e parë, pas mobilizimit, në një bazë në qytetin siberian, Omsk, ka thënë Ivani.
“Gjatë gjithë kohës, ai ka shtënë me një karikator plumbash”, ka rikujtuar Ivani.
“Ata kanë qëndruar në formacione dhe kanë marshuar përreth”.
Më vonë, njësiti i tij është dërguar në Gadishullin ukrainas të Krimesë – të cilin e ka pushtuar Rusia më 2014 – për “mbrojtje territoriale”.
Mirëpo një muaj më vonë, ata kanë kthyer në rajonin pjesërisht të pushtuar, Zaporizhja, i cili gjendet në jug të Ukrainës.
“Aty, ata kanë kaluar një javë dhe më pas janë nisur në drejtim të Vuhledarit”, ka thënë Ivani, duke iu referuar një qyteze në Ukrainë, e cila gjendet në rajonin e Donjeckut.
“Në Vuhledar ka qenë një rrëmujë e madhe – fortifikime dhe llogore. Secili e ka ditur që ajo zonë është si humnerë, Brigada Detare e 155-të është shkatërruar thuajse tërësisht aty. Grupi i mikut tim është dërguar më pas aty për riorganizim”.
Andrei e ka kaluar një javë afër Vuhledarit, duke u përballur me luftime të ashpra, ka thënë Ivani.
“Nuk ka pasur mbrojtje të mirëfilltë”, ka thënë ai.
“Mbulesa e artilerisë ka qenë sporadike, dhe shpesh nuk është ditur se cila anë është duke gjuajtur. Ata me raste kanë shtënë me armë edhe kundër trupave të tyre”.
Pas atyre luftimeve, Ivanin e ka telefonuar miku i tij dhe atëherë ai është shokuar.
“E kam kuptuar nga ajo çfarë ka thënë se komandantët i konsiderojnë burrat si copë mishi dhe asgjë tjetër”, ka thënë Ivani.
“Atyre u kanë thënë ‘Bravo’, ose ‘Ju po e mposhtni armikun’, mirëpo në realitet ata i kanë shfrytëzuar për t’u mbrojtur nga vetë ushtarët e tyre dhe secilën herë që dikush ka bërë pyetje ose është ankuar, ata janë dërguar sërish në sulm”.
“Brigada ime nuk ekziston më”
Pas bisedës telefonike, njësiti i Andreit është dërguar në disa luftime edhe më intensive afër qytetit të Avdivkas.
“Më 3 mars, ata janë shtyrë që të luftojnë kundër fortifikimeve afër Avdivkas”, ka thënë Ivani.
“Më pas nuk kam pranuar asnjë thirrje nga Andrei për 10 ditë”.
“Më ka telefonuar më 13 mars, direkt prej frontit”, ka thënë Ivani.
“Thirrja ka zgjatur shtatë minuta. Kurrë në jetë nuk kam dëgjuar më shumë trishtim në zërin e dikujt – ‘Brigada ime nuk ekziston më’”.
“Burrat janë dërguar në luftë vetëm me pushkët e tyre”, ka thënë ai.
“Nuk ka pasur mbrojtje ajrore. As ndihmë mjekësore. Shumë prej tyre kanë vdekur në mungesë të ofrimit të ndihmës. Ushtarët e plagosur kanë mbetur në fushëbetejë. Vetëm ata që janë plagosur lehtësisht janë ndihmuar. Komandantët kanë frikësuar nga humbja e armëve të rënda. Ushtarët janë detyruar të luftojnë. Zyrtarët u kanë thënë hapur ‘ju për ne jeni vetëm copë mishi dhe asgjë më shumë. Harrojini medaljet dhe bonuset që u kemi premtuar. Ju thjesht nuk ekzistoni’”.
Andrei është ankuar se forcat ruse shpesh janë bombarduar nga artileria e tyre.
”Vijat e frontit janë shumë afër, 100 deri në 150 metra”, ka thënë Ivani.
“Mund të supozoj se burrat e angazhuar në artileri, ose sapo janë mobilizuar dhe nuk kanë ditur si t’i përdorin armët, ose kanë pasur pak përvojë. Mirëpo diçka vërtet nuk shkon aty”.
Në mesin e muajit mars, Ivanin e ka telefonuar sërish Andrei.
Ai ka thënë se prej 300 burrave me të cilët ka udhëtuar në Omsk, ai beson se vetëm tre kanë mbijetuar.
Ivani i ka cituar fjalët e Andreit, siç i janë kujtuar: “Kam ardhur këtu për të mbrojtur tokën armë. Mirëpo më duket se vetëm do të vdes në tokë të huaj. Edhe burrat që kanë ardhur me mua, me siguri kanë vdekur në tokë të huaj dhe Zoti e di përse”.
Andrei i ka treguar Ivanit se situata ka qenë “katastrofë totale” dhe se synon të refuzojë ndonjë pjesëmarrje në beteja tjera.
“Ai ka thënë se nuk e di çfarë ndodh të ndodhë me të pas refuzimit”, ka thënë Ivani për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, në Volçika, gruaja e Andreit dhe fëmija i vogël janë duke e pritur, ashtu sikurse edhe nëna e tij.
Gruaja e tij i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vazhdimisht i shkruan komisionit ushtarak lokal për të marrë informacione për njësitin e burrit të tij.
Asaj i është thënë disa herë se burri i saj është i ngarkuar në “mbrojtje territoriale” në zonat e kontrolluara nga ushtria ruse.
Përgatiti: Krenare Cubolli