Dy vëllezërit, Arbion dhe Alban Aliko, që janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e ofi cerit të RENEA-s Ibrahim Basha, janë 18 dhe 20 vjeç. Ndërsa ata që u arrestuan nga një ushtri e tërë policësh, shumica janë nga 15 deri në 20 vjeç. Prokuroria, në një njoftim zyrtar, tha se ata kishin kohë që po organizoheshin dhe kishin në plan të dëbonin shtetin nga Lazarati, në mënyrë që fshati t’i kthehej sërish industrisë së kanabisit. Pra, një “skuadrilje” adoleshentësh dhe të rinjsh, kishin vendosur, sipas prokurorisë, t’i shpallnin luftë shtetit. Vrasja e një oficeri të RENEA-s, reparti-elitë i policisë shqiptare, ishte tronditëse. Por se kush e ka vrarë dhe për çfarë e kanë vrarë, është edhe më tronditëse. Në të njëjtën ditë, Instituti i Shëndetit Publik deklaroi disa të dhëna të një studimi, gjithashtu tronditëse, lidhur me përdorimin e drogës në vend.
Sot në Shqipëri ka nga 6-10 mijë persona të varur nga drogat e forta. Kjo shifër është vetëm 15% e atyre që paraqiten në spital dhe shifra reale llogaritet të jetë disa herë më e lartë. Përdoruesit e drogave të forta, kryesisht kokainë, nga 6% para dy vitesh janë rritur në 15% të përdoruesve të drogës në total. Rreth 200 mijë njerëz kanë përdorur ose janë përdorues të hashashit. 250 persona kalojnë në overdozë dhe mesatarisht 10 vdesin. Përdorimi i drogës nuk është më sëmundje e të pasurve, por ka prekur sa qendrat urbane aq edhe ato rurale dhe mosha e përdoruesve po ulet nga viti në vit. Edhe këta janë gjithashtu të së njëjtës moshë me ata të Lazaratit që kërkojnë të rikthejnë kultivimin legal të kanabisit. Por këta nuk janë kultivues, këta janë përdorues dhe këta kontribuojnë që kultivuesit dhe trafikantët të kenë më shumë para në dorë. Këto fakte mjaftojnë për t’u rënë kambanave të alarmit cep më cep Shqipërisë.
E ndoqa fushatën elektorale të kandidatëve për kryetarë bashkie nga afër në disa bashki, pasi më duhej të dokumentoja se ku “rrahin” premtimet e tyre. Pa dyshim që premtimet e para dhe më të përsëriturat ishin ato klasiket për rrugë dhe ujë. Kjo, pasi ne mendojmë se po s’patëm rrugë ku të ecin dhe ujë për të pirë, është e kotë të pretendojmë “salltanete” të tjera. Pastaj u premtuan edhe kanalet, meqë kësaj radhe kryetarët do të drejtojnë edhe fshatrat, ndërtimi i kanaleve të reja e pastrimi i atyre ekzistuese. U premtuan ura, ulje taksash, ulje çmimi energjie, falje kamatëvonesash, transport falas, magazina për prodhimet bujqësore, shkolla të reja, pista për gara me biçikleta për qytetarët në fshat dhe tregje për fshatarët në qytet etj., etj.
Është bërë e famshme shprehja e Bill Klintonit në fushatë “Është ekonomia, o budalla”, për të treguar prioritetin e tij. Por një shoqëri nuk ka nevojë vetëm për rrugë të asfaltuara dhe ujë e drita. Në fakt, nuk dëgjova askënd t’u referohet problemeve që kanë prekur e prej të cilave lëngon sot shoqëria jonë. Dhe janë probleme edhe më të mëdha se ato ekonomike, ndonëse janë të ndërlidhura mes tyre. Askush nuk iu drejtua prindërve të 6 apo 10 mijë të rinjve që jetojnë nën varësinë e drogës (vetëm ata e dinë ç’do të thotë të kesh fëmijën vartës droge). Shumëkush mund të thotë se ç’punë ka kryetari i bashkisë me drogën, pasi me të merret policia, sepse shpërndarja e drogës është një krim. Por nuk është tamam kështu. Droga nuk është vetëm një krim, por një plagë e madhe sociale, me të cilën duhet të merren policia, shkolla, pushteti qendror e vendor, OJF-të dhe kushdo tjetër. Shoqëria jonë është në krizë jo vetëm ekonomike, por në një krisë të thellë sociale, krizë besimi e identiteti. Qytetet janë bërë stresante, fëmijët rriten problematikë kur detyrohen të luajnë në mjedise me dendësi 3 fëmijë për një metër katror oborr me beton. Askund nuk ka teatro, kinema, klube argëtimi dhe shkolla ka hequr dorë tërësisht nga misioni edukues, duke i dhënë prioritet ngritjes së organizatave rinore të partive. Pallatet kanë rregullisht në katet e para një dyqan ushqimor, një bilardo, një videogame dhe një loto sporti. Një biznes që ka lulëzuar në mënyrën më të shfrenuar se kudo tjetër. Askush nuk kontrollon kush hyn e luan në lojërat e fatit, në janë të mitur apo të rritur. Në kushtet e pamundësisë për të vënë pak rregull në këtë xhungël, ku plagët po gërryejnë shoqërinë njëra pas tjetrës, qeveria gjeti si zgjidhje që paratë e ndihmës ekonomike të mos i marrin burrat, pasi i lënë në bilardo, loto apo pijetore, por t’i marrin gratë, që t’i blejnë ushqime. Ky është tregues i një degradimi të frikshëm.
Megjithatë, këto probleme nuk u cekën askund nga kandidatët. Partitë ua besuan, në pjesën më të madhe, bashkitë tregtarëve e biznesmenëve të cilët mund të jenë edhe vetë pronarë të kazinove, lotove apo bilardove. Ndonjë syresh edhe shitës droge ndoshta. Duke bërë që kësaj fushate t’i mungonte tërësisht dimensioni social. Të dhënë pas ekonomisë (edhe atë e kanë dreqosur më keq), politikëbërësit kanë harruar se njerëzit nuk kanë nevojë vetëm të mbushin barkun. Por kur të kujtohemi ne për t’u marrë me këto plagë, atëherë sëmundja do na ketë shkuar deri në palcë dhe s’do ketë shkencë të prodhojnë ilaçin e duhur.
Komentet