Kujtesë!..
“As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë
me kohë, se komunistët, janë veç trathtarë!..”
Don Lazër Shantoja
Shkodër, Sheldijë, 26 Janar 1945
Në sistemin komunist,
një rrashtë e shprazun nga armët trofé e, në ballë,
e shkrueme me gjakun e sajë fjala “çlirim”,
ka ma shumë vlerë,
se, një kokë e skalitun
me I d e a l i n:
F é, A t d h é, P ë r p a r i m.
Autori.
Melbourne, 2004.
PJESA I
NUK DUE ME E BESUE!..
Nën rêtë e zymta si futa të shoh vetëm Ty! …Mbajtë me dy pyka që tokën e kanë plasë. Ujt’ e zi rrëkajë shkon n’për të thyemet e gollëve të saja.
Prej majës së malit, atjé në kupë të qiellit rrokullisën gurë e n’tëposhtë, nëpër kalldrame përplasën tue sjellë me vete gjamë, ushtim’ e rrënim, ashtu si lumi i rrëmbyeshëm e i harlisun që përmbytë pa mëshirë të pambrojtunit e shkretë…
As diell, as hanë nuk shoh, veç rrëfé që shkrèp padá e natën ditë ma bân…
… Sa me të pa Ty!..
… N’ dy druj tërthuer që më shndritë …
… Lavdi e thurun në ferra!..
Tèj për tèj ku eshtnat lidhën dy e dhimbja në Shpirt të piskatë
… Aty, të kanë mbërthye …
A THUE EDHE TY…
TË KANË GOZHDUE SHQIPTARËT!?
Padova, Tetor 1995.
Tiranë, 13 Tetor 1943,
Ora 13.13’…
SHTËPIA NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”
Prej skeçes së një bombës, që ra në oborr dhe hyni nga dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e djathtë të ballit të tij, tue përshkue trunin e tue dalë mbas veshit të majtë (si më tregonte nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka.
Nana vërriste me një britëm kushtrimi: “Kuku, Kolë,…shka të gjeti…rrezikziu ti…!” E, nësa rrihte kryet me grushta, tue kja, thërriste: “Kolë…si më lé!”. Unë vetëm vështroja me trishtim e, pa kuptue asgja ma gjatë i strukun për fustan të nanës, isha tue pritë kur po pushonte zhurma, rrëbeshi e po kalonte drama.
Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift me këmishë të bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë nëpër atë breshën bombash, me një gju në gjak, u ul pranë babës, përshpëriti dishka…! Unë mendova se po e çon babën prej atij pellgu gjaku,…por, kishte mbarue gjithshka. Prifti nuk iku për pak kohë derisa nanës i erdhi axha i saj At Mati Prennushi, i cili kishte marrë vesht fatkeqësinë e madhe që e kishte gjetë shtëpinë tonë, e kishte vrapue edhe Ai me kenë pranë nesh. Prifti doli me vazhdue vojimet ndër rrugët e Tiranës, të lame me gjak nga qindra të vramë e të coptuem. Rreth vitit 1962 pata marrë vesh prej nanës se prifti që i bani babës Shartët e Fundit, ishte kenë At Pjetër Meshkalla. Pikërisht atë vit u njoha afër me té mbasi pat dalë prej burgut, mbas 15 vjetëve të para që kishte kalue në burgun e Burrelit.
Natën që baba vdiq u nisëm për Shkodër bashkë me nanën, At Matinë, dajën Paulin dhe disa ushtarë që erdhën për siguri rruge nga plaçkitjet që baheshin tek ura e Zogut, (flitëj nga çeta të vogla partizanësh). Mërritëm vonë, aty nga ora 10.00 e natës. Kujtoj se të nesërmen, baba ishte i veshun ushtarak me tesha ngjyrë gri, në një shtrat të bardhë hekuri i rrëthuem me lule të bardha. Shumë vetë përrreth vajtonin. Vaji e gjamët me kishin topitë. Di se dikush më çoi hopa dhe unë i putha faqën. Ai ishte aq i ftohtë, sa nuk mund ta harroj kurrë atë akullinë që edhe sot ma përqeth trupin.
Babën, nuk e pashë, as nuk e putha dhe, as e pëqafova kurrma…!
Ai u varros në Rrëmaj, me një funeral madhështor, që drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuej gjithë Kleri Katolik me murgesha e xhakoj, përsonalitete civile dhe ushtarake, gjithë qytetaria e Shkodrës dhe mbarë Shiroka, vendlindja e tij.
Ndonse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (datlindja 5 fruer 1903 ), pak ditë para gradimit me gradën nënkolonel, një ushtarak i naltë gjerman i gjendërmarisë, ndër varreza ka thanë këto fjalë: “Sikur Shqipnia, të kishte 10 ushtarakë të përkushtuem dhe atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmit nuk i kishte bijtë as fara tek ju!”. (Dëshmi gojore në vitin 1991, nga Don Ndoc Ndoja).
Nanën e kujtoj pothuej gjithmonë me tesha të zeza.
Kam pas kujtue se koha asht kenë ma e shkurtë por isha gabue, mbasi plot 1 vit mbrapa më 29 nandor 1944, u vesh gjithë Shqipnia me të zeza, pikërisht atë ditë, kur “patën hi këta”
SHKAMBI I LATUEM
“Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit, ishin gjoksët e shkodranëve”
GINO BERRI
“Rrethimi i Shkodrës”
Tetor 1912 – Prill 1913
Thonë kur plasë një shkamb, i ka plasë zemra njenit prej zotave…
Si vizë e hollë sa fija e flokut duket ajo plasë mjedis atyne Alpeve që thirren Bjeshkët e Nêmuna, prej nga buron ai lumë që edhe emnin e ka të fshatit prej kah gurgullon. Asht Kiri, gurra e të cilit mjedis atyne krepave e gërxhave poshtë e përpjetë të kujton hova-hovet e xhubletës që ulën e çohen ndër ato shpate malesh, ku, gjithkund duken se marrin një përrue gjaku me vete. Rrjedha e tij gjarpnushë gjithmonë e trazueme nga shkëmbejtë shekullorë që shpesh e përpijnë në gollet, zgavrrat e gomnat e veta e bajnë me shkumzue si kali në vrap e, të bardhat dallgë përzi me ngjyrë zafiri mëshehën nën trungjet e rrëzueme të pishave, të cilat dalin porsi krye gjarpni nga strofulla tue thye qafën tëposhtë e nëpër zallishta.
Malësorët shalgjatë porsi azgaj ndjekin rrjedhën e tij me ra në qytet. Aty-këtu për me i zbutë lodhjen vetës kalojnë prej shkambit në shkamb mbi një a dy trena çift, të latuem me spatën a këmesën e tyne shekullore. Këtyne trupave u kanë vu emnin ura ku kalohet si mbi një tra ekujlibri, veçse janë mësue se një rrëshqitje kambe të ban mos me u pa ma në këtë jetë… Rrugët mbi gurë bajnë punën e vet. Dikund, nën ndonjë pishë, gështenjë ose ah asht shenja e pushimit: Një Kryq që u përtrinë forcën e, sikur, u thotë: ”Qëndro, se mërritëm!”. Dredhet një cigare, ndërrohën kutitë e duhanit simbas zakonit, dikush ha një kafshate bukë kakini me shka ka falë Zoti i ulun mbi cung apo gurë të lmuet në atë fresk pranë zhumhurit të lumit, që në fund të shpërlanë edhe fytin. Si me komandë çohen e vazhdojnë rrugën. Bukuria e lëvizjes së çakçirve dhe e hedhjes së xhubletës prej flladit të erës, murrlanit ose veriut e bajnë shumë të ambël egërsinë e pejsazhit, ndërsa sfondet e përgjakuna nga ngjyra e shqemës apo errësina e gjelbërimit plak, lidhen me qiellin gri me një brez të bardhë, janë majet e maleve që të largojnë frikën, tue ndejë mbi to bash si të ishin kësulë malësori të vumë nga vetë dora e Zotit.
Janë malet që u përkasin vetëm atyne, sëpse, siç thonte Fan S. Noli: “Mbetnë Katholikë vetëm Malësorët e Veriut me armë në dorë”.
Aqsa të shuejnë etjen e të kënaqin shpirtin me atë ujë të kulluem brilant e të freskët, të gjithë përrojet e lumejtë e atyne zonave të shtijnë mnerën në kohë pranvere e vjeshte me pabesinë e vërshimit tyne. Mbushen e shprazen për pak minuta tue rroposë shka u del përpara si bisha të tërbueme. Mjer ai që e provon zemrimin e këtij lumi që shkrep si rrëfeja kur përplaset për Stom të Golemit e zbret nëpër atë ultësinë në verilindje të Shkodrës, që ka emnin e tij: ZALLI I KIRIT e, që, kur shkapetët për pendë të duket si të kishte dreqnit mbrendë. Gurët e vumë njeni mbi tjetrin, shpesh të rrethuem me rrjeta teli janë vendosë për me i ba ballë rrëbeshit e me i pritë hovin përmbytjes së pamëshirëshme të tij. Penda e Kirit jo vetëm asht mburojë e Fushës së Rrëmajit por e krejt qytetit të Shkodrës, që, si për çudi, rrëthohet prej një patkoni ujnash që asnjëherë nuk e kanë rrënue. Kiri derdhët në Drinazë, Drinazi në dalje të Bunës i shtërnguem nga pesha e randë e Taraboshit që shpërthen Liqenin e Shkodrës. Shpesh, kur shtohen ujnat e Drinazit i zanë grykën liqenit tue përmbytë krejt bregun e Bunës deri në Velipojë prej ku shprazen në det. Pra, qyteti i Shkodrës, prej verilindjes e deri në veriperëndim gjithkah rrethue me ujna, merr pamjen e një luani të shtrimë përtokë me kokë përpjetë, Kështjellën Rozafat, gjithmonë në vështrim. Rreth e rrotull asht me male të çveshuna, ranë e zallishtë e zbritun poshtë prej këtyne lumejve që shinat e shumtë shpesh i kanë mbushë shtretnit e tyne, tue përmbytë përrreth dhe tue u ndrrue drejtim. Nga veriu Cukali e Maranaj deri ku nxjerr synin dielli në lindje, në mal të Sheldisë, venë cakun e Alpeve e poshtë, Taraboshi mburret: “Dielli flenë mbas meje!”.
Ndonjëherë Kiri ka kërcënue qytetin, tue ba pré një pjesë të tij. Vërshimet e befasishme nga kallamat e Kol Xhuxhës, tue zbritë shka merr Arra e Madhe e Perashi bashkë me Pazarin e vjetër, për pak minuta janë gjetë të zhytuna nën ujë, pa harrue me lanë në kopshtije e hajate të shtëpive të kësaj zone nga një pëllambë lym e lagështinë të përhershme ndër thëmele. Dallgët e liqenit përplaseshin për kodrat e Tepës e deri në Luguçesme, tek vorri i Sheh Shamisë. Shtëpijat e dyqanet e vjetra të qytetit të dikurshëm dukeshin si plaçka të mbetuna mbi ujë.
Mjedis Pendes së Kirit dhe murit të vorreve ishin gjurmët e lumit të dikurshëm, një zonë me zall e kaçuba mrinash, murrizash e ferrash, ku nuk ndihej tjetër veç zane fëmijësh, gardalinash, babilash e trumcakësh. Trapola të vendosuna aty-këtu me kapakë të hapun, ndërsa djelmoçat e të gjitha moshave mësheheshin ndër kaçuba, në pritje të përplasjes së kapakëve prej zogjëve fatzez që mbyllin jetën e tyne ndër kafaza. Si duket, zogjët e rijë të kapun e të mbuluem me shamia për me ia largue dëshirën e përplasjes për me dalë prej kafazit, por, njëkohësisht, tue i ndalue lirinë dhe dritën e diellit, ndillshin dishka që nuk ishte fort larg…
Në mbramje binte qetësia. Shihej vetëm ndonjë çoban tue fishkullue mbas dy a tri delesh, ose ndonjë çobaneshë që bante rrugën e përnatëshme të saj e shoqnueme prej furkës tue tjerrë lesh për xhupat e dimnit të egër me akull e borë të pandame. Kalonin kah toka e Zef Sylës e shkonin në drejtim të lagjës “Skenderbeg”, të bame bardh prej pluhunit. Nata i xente ndër ato baraka të ngrata nën dritën e mekun të kandilit me voj-gurit. Kah e vona mbështetnin shpatullat për dyshekët e mbushun me sânë të shtruem përtokë.
Grupe-grupe njerëzish këthenin për të gjatë Zallit tue këndue:” Po vjen prendimi!”, ”Në liqe të Shkodrës”, ”Loredan, Loredan” ose ”Nëpër terr që lëshonte nata”… Ishin të gëzuem prej shëtitjes së asaj ditë në Bardhej, një fshat andej Kirit i mbuluem me pemë frutore, vneshta e ullinjë. Mendohej edhe për pleqtë tek shtëpia. Ushtorët ua mbushnin shportat plot e përplot me fiq e rrush, për me ua lagë gojën edhe të pamujtunve me shkue atje. Flladi i erës e hidhte zanin dikund atje larg por që vinte e ulej në shenj respekti, kur ata i afroheshin murit të vorreve. Në ditët e verës për djelmtë nuk mungonte edhe kënaqësia e ujit të freskët, garat e kërcimit nga stomi, stilet e notimit dhe në fund me gurë rrasikë baheshin “petulla” në ujë. Me të vërtetë një kënaqësi!….
Zalli i Kirit atëherë ishte i bardhë e vezullues gja që tregonte se mbretnonte pastërtia që sillte stina e vjeshtës dhe e dimnit që i lante ata gurë një nga një me kujdesin ma të madh e, që, në atë hapsinë të pafund prej shkëlqimit të rrezeve të diellit dukeshin si badema nusjet.
Mbi stomin e Fushës së Rrëmajit ngrihën dy çinarë shekullorë. Madhështia e tyne frikën e vdekjes e ka kthye shpesh në përjetësi. Ishte i pari Don Gjon Gazulli, që provoi tmerin dhe madhshtinë e vdekjes nën ata dy çinarë në vitin 1927.
Nën degët e tyne, kufizohen vorret e Rrëmajit të popullatës katolike të qytetit, që zunë vend aty nga viti 1895. Pamja e tyne me ato selvi karakteristike ishte pasqyrë e kësaj popullsie që edhe pse e pakët në numër, punoi shumë e shumë me sjellë qytetnimin evropian në Shqipni.
Prof. Sami Repishti shkruen: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë” (Përshëndetje në përurimin e Kishës shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999).
Deri vonë mendohej nga komunistët me i shkatrrue ato vorre, mbasi kenja e Kryqave aty u dukej se i ka zanë rrugën e nisun.
Nga Kisha Katedrale drejt veriut asht rruga e Ballabanës. Kjo rrugë rrahët ma shumë se asnjëherë në fillimin e nandorit, javën e të Shuemëve, kur ajo merr pamjen e pjacave tona por me një ndryshim, se fëtyrat e kalimtarëve janë të vrajtuna dhe ndër duer kanë tuba lulesh ku janë ma të bukrat dhe ma të fresktat e oborreve të shtëpive shkodrane, që nuk u kanë mungue në asnjë stinë të vitit. Ato ditë secili mendon për një kunorë shemshirësh, të gërshetueme me lule korclla e drandofille. Uratët, lutjet e lotët, nuk prajnë pranë atyne që pushojnë në atë paqë të përjetshme, nën tingujt e përmortshëm të kumbonës që rrah në njëanë, tue na grishë: “Eni, eni e lutuni për né se, të gjithë për këtë rrugë jeni!”.
E tham me bindje se shka përfshin syni prej Majës së Zabelit e deri në Kep të Paganës e, ku ka gurë, dhé, zall e ranë të trojeve shqiptare, të tana janë të lame në gjak!
E, pse kështu?
Vetëm që Shkodra të zgjohej nga shprazjet e automatikëve e mitralozëve mbi gjokset e Atdhetarëve dhe ta merrte vesh njëherë e mirë, se, komunizmi nuk asht tjetër gja, veç kob, terror, vëllavrasje e mjerim!
Shpesh, më kujtohet një Nanë e kapun për dru, me faqe mbështetë për kambë të përgjakuna, kah i plaste zemra.
Me duert e Saja lëmonte gozhdën e ftohtë si akulli…
Futa e zezë nuk më lente me ia pa Fëtyrën…
Ajo ishte NANA SHQIPNI, që edhe sot ecë e marrakotun.
Kot kërkon në tokën Arbnore të njomun me lot e tamth të birin, që, dikur, e pat fashue për djep me duert e Saja.
Me atë brez që e shtrëngonte Nana, asht edhe sot i lidhun brryl në brryl me tjerë Fatosa, ndër duer me dryj e vargoj, pa asnjë shenj tek kryet!..
Lotët e Sajë rrjedhin thellë në tokë, e mbushin dy zgavrra pa dritë atë botë. Ajo i fal dritën e syve të Saj nëpër gjurmët e lotëve që derdhen rrëkajë ndër gurë e ferra, pikërisht, aty, ku edhe sot Ajo ndigjon tik-takun e zemrës së shporueme, që vazhdon me rrahë ma fort se zemra e Sajë e thame, e zharitun dhe e plasun.
Kërkon nëpër zhavor e gjen dhé e baltë, kërkon nëpër dhé e baltë e gjen zhavor, ashtu si kërkova edhe unë me duert e mija e gjeta ZALLIN E KIRIT, të mbrujtun,.. të ngjeshun,.. të fortë e të bamë SHKAMB.
AI SHKAMB SOT ASHT: NJË MONUMENT…
Ai asht nën dhé …
Ai, edhe pse sot asht nën dhé, njëditë do të ngrihët nalt!
Po, po, do të ngrihët shumë nalt… madje, edhe ma nalt se vendi prej ku Kiri solli zhavorin e guralecat e tij në këtë Zallë!..
Ai, do të ngrihët fort nalt, se Ai,.. asht i mbrujtun me gjakun e Martirëve të Kombit Shqiptar!
S H K O D R A N Ë 1 9 4 6
“Shprehja ma e egër e dhunës ndaj popujve, asht me i vorfnue!”
Mohandas K. Gandhi
Flas për atë Shkodër që në fillim të vitit 1900 kishte 28 pjanoforta në shtëpitë katolike të qytetit. Ky ishte vetëm njeni prej treguesëve të qytetnimit evropian që kishte fillue me zanë vend në qytetin e lashtë brijë Rozafës. Kanga dhe muzika nuk janë cilësi të vorfnisë, ato u përkasin atyne njerëzve që u këndon zemra. Pra, këta janë shkodranët!
Deri tashti vonë një kuadrat çimentoje në lulishten e kafes rrumbullake përballë Kafës së Madhe ishte dëshmi e qëndrimit të bandës së Bashkisë së qytetit aty, që drejtohej prej Zef Kurtit, dhe shoqnonte shëtitjet e qytetarëve në mbasdrekët e së dielës. Shëtitja në Pjacë fillonte nga Dugajtë e Reja dhe vazhdonte lumi i njerëzve deri tek Foto Marubi, që dukeshin si një grumbull bletësh kur dalin nga zgjoni. Kjo thirrej Fusha e Çelës, sepse, dikur, tek sheshi qendror shtrihej një fushë ku ishte një qelë prifti, pikërisht, aty ku sot asht Xhamija.
Shëtitja vazhdonte deri në orët e vona të mbramjes në të gjitha stinët. As dielli i fortë i zhegut përvlues, as shiu që bie mjaft në stinët e vjeshtës dhe të dimnit, as bora që kur fillon nuk din me pushue, as morlani që pret Pjacën prej rrugës së Re e, as shiroku i fortë që të merr mendët e të shpupurishë flokët nuk e prishnin traditën…xhirot vazhdonin.
Në orën 11.00 paradreke të ditës së dielë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, thohej një meshë solemne që shoqnohej nga kori i xhakojve, ku, dikur, spikati basi Luk Kaçaj, nën drejtimin e At Martin Gjokës dhe ma vonë të At Filip Mazrekut. At Martini, përveç tjerash ka një meritë të madhe se krejt brezi i muzikantëve dhe i kompozitorëve prej Prenkë Jakovës e deri tek ma i riu, janë frut i veprës së tij. Ai ka vue thëmelin e muzikës moderne në Shqipni. Kisha mbushej plot e përplot me popull nga të gjitha moshat. Dikur zgjidhej edhe predikuesi që fliste në këtë meshë. Mbas meshës populli grumbullohej nën çinarin para Kishës. Grumbujt e qytetarëve përshëndeteshin dhe ndaheshin tue marrë drejtimin nga Pjaca. Aty-këtu, ndonjë sy tinzar vështronte për kohën e ardhshme.., sigurisht ndonjë vajzë që binte në sy kjoftë për thjeshtësinë e saj, kjoftë për modelin e flokëve, për buklehat apo bishtalecat e gjatë, ose për bukurinë që Zoti nuk e ka kursye kurrë për vajzat shkodrane. Djelmtë ma në za pushtonin Fushën e Çelës, si Alfred Ashiku, Prenkë Kaçinari e Qemal Draçini, apo Kol Kurti me shokë, të rrethuem nga zonjushat bukuroshe që me profumet e tyne kundërmonin Pjacën e, që me “erën e tyne” sollën ma mirë me thanë një epokë, që për ata që e kujtojnë zor se përsëritet ma në qytetin plak.
Secila rrugë, Kishë apo shtëpi kishte bukurinë e saj artistike. Ndër to ishte dora e piktorit e arkitektit të pavdekshëm Kol Idromeno, të pasuem nga Ndoc Martini, Simon Rrota, Zef Kolombi e Vladimir Jani. Në vitin 1923 në Shkodër, hapet ekspozita e parë e pikturës ku merr pjesë edhe një zonjë e nderueme piktore, Lajde Muzhani. Prej derës së oborrit, fillonte kalldrami e deri tek shkallat e gurit ishte dalta, një mjeshtri e madhe dhe shumë e përhapun ndër të gjitha harqet e strehët e këtyne shtëpive. Pusi i famshëm i gurit të grishte për një gotë ujë të freskët mbas zhurmës së çekerkut që rrotullohej disa metra në thellësi. Aty afër ishte lugu i gurit ku gratë punëtore lanin rrobat e zbardhuna me fi ndër vozgat e drunit që në fund i mbushnin me ujë, për me ujitë lulët e bukra rreth oborrit në të katër anët. Në një anë shermasheku, në anën tjetër lule vilja, se leni karajfilat, lulemustakun e drandofillet, që të kënaqnin shpirtin me erën e kandshme të tyne. Çardaku, një mrekulli me ato trena të latuem nalt e poshtë deri ndër podrume. Rreth e rrotull çardakut rreshtoheshin parmakët e dyert edhe ato me drunin special të çamit, ku kornizat e mjediset e tyne të shtangnin me bukurinë e vizatimeve të daltueme. Dyshemët e verdha nga ngjyra që hidhej mbas lamjes të kënaqnin synin.
“Urdhno, mirëse të ka prue Zoti!”, hapej dera e njeriu asht vështirë me përshkrue bukurinë e dhomës së pritjes. Mjedis atij tavani artistik edhe ky i daltuem, një lampadar i madh i varun me qinda vite, pëshqesh i kumbarës së martesës së stërgjyshit. Për nder të mikut ndizej edhe poçi i fundit i porcelanit të kacavarun ndër vargojt e artë, që shkodranet e vjetra i lanin me farën e pjekun fort të mollatartave ose të pjepnave. Ato shkëlqenin bashkë me enët e bakrit të vëndosuna ndër serxhia. Në ballë të dhomës asht oxhaku i bardhë i derdhun në çimento speciale ose gjeso që përzihej me të bardhin e vezës para derdhjes, për me forcue landën e hollë e të bukur, ku mjeshtri kishte shkri talentin e tij.
Nuk mungonin anash armët e vjetra të varuna në mure me dorëza argjenti. Aty afër shkëlqente tangari i bakrit me prushin e mbuluem me hi e sipër masha në pritje të mikut.
Një dhomë aq madhe rreth 8×7 ml. ishte krejt e shtrueme me qylyma e anash me cerga të sjelluna nga Kosova, mbasi njihej mjeshtria e tyne për punimin e cergës me lesh dhije. Këto kanë pasë ngjyren kafe dhe rrethonin qylymin e kuq e të madh mjedis dhomës, tue formue një kornizë shumë të bukur rreth atij qylymi që dukej si një kuadër pikture i shtruem në dysheme. Në një kand ishte edhe arka e grues ma të vjetër që ruhej për bukurinë e njoftun të ngjyrave të vizatueme jashtë e mbrendë në kapakun që ndrynte pajën, me sofrabeza e mësalla që shtroheshin ndër sofrat e paharrueshme të këtyne shtëpive me raste festash. Të gjitha këto janë kenë të punueme me tezgjah gjatë kohës së vajznisë. Krejt afër murit ishin minderët e mbuluem me qarqafa të kuq dhe me jastekë të bukur të qendisun për mbështetje të trupit, si e si miku me e ndie vedin rahat gjatë vizitës. Nuk do të flas për pritjen e përcjelljen, mbasi atë Shkodra edhe pa bukë, ujë e dritë, nuk e harron,.. janë të sajat.
Arkitektura e shtëpive të fillimit të Pjacës, Dugajtë e Reja, Gjuhadoli, Serreqi i vjetër e shumë shtëpi të Parrucës e Zdralëjve që edhe sot janë ma të bukrat në qytet, janë vepra të Kol Idromenos. Njerëzit ecnin tue bisedue me za të ultë, me t’u dukë se po flasin vesh në vesh. Çdo bisedë me masë rreth artit, kulturës, muzikës, shkencës, sportit, etj. Flitej për idhujt e shkodranëve, si: At Fishta, Luigj Gurakuqi, At Anton Harapi, Don Ndre Mjedja, Don Lazër Shantoja, për mjekët, Saraqi, Shiroka, Radoja, Pogu, Prela e Dr. farmacistet Pjerin Bushati e Elez Troshani. Për muzikantët Palok Kurti, Kol Mati Tukja, Prenkë Jakova, Tonin Harapi etj. Për figurat e njohtuna Kel Marubi, Gjon Kamsi, Imzot Mjedja, Serreqi, Thaçi, Bumçi etj. Avokatët e njohtun Benussi, Kol Dhimitri, Tedeschini, Pipa, Paulin Pali, etj. Kishin vendin e vet Pjetër Gjini, Zef Hila, Kol Tivari, Filip Daija, që pasunonin pjacën me ndonjë të qeshun të fortë të grupeve rinore që përsërisnin humorin e pavdekshëm të këtyne njerëzve, që qeshnin se nuk kanë mujtë me ndejë tue kja, mbasi e shihnin mirë ku po shkonte puna…
Etnit Françeskanë pa asnjë përjashtim ishin epiqendra e asaj përiudhe historike për trimninë e tyne dhe atdhetarizmin e flaktë, që me plot gojën mund të konsiderohën jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipninë, NJË RILINDJE KOMBËTARE.
Aty, në atë Kuvend shtrohej sofra për bukë e rrinin me bujtë (me fjetë): Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Avni Rrustemi, Mehdi Frashëri, Kristo Floqi, Lef Nosi, dhe nën zhgunin e At Pal Dodës shpëtoi kokën Mbreti Ahmet Zogu. Deri vonë aty asht ruejtë dhoma ku flente miku i posaçëm i Kuvendit, Ded Gjo’ Luli, i vetmi njeri laik që asht varrosë në Kishën e tyne.
Nuk do të zgjatem me intelektualët e profesorët e Shkodrës, mbasi kenja e katër gjimnazëve dhe dy seminarëve teologjike, tregojnë ma së miri nivelin kulturor të këtyne banorëve, që janë edukue pa dallim Feje ndër ato banka të atyne shkollave. Ngjarjet që do të shtjellohën ma vonë do të tregojnë ma shumë se një listë emnore e tyne se kush jetonte, mësonte e punonte këtu.
Kjo ishte Shkodra!
Shteti, jeta, kultura, arti dhe sporti, zanafillën e tyne deri në ditët tona e kanë nga burimet dhe gurrat e pashterrëshme të Shkodrës.
Një Shpirt i pajisun me atë edukatë, kulturë e art, që merrej në gjimnazët fetare dhe laike të Shkodrës, përsonifikonte até që sot bota moderne e thrret vetëm me një emën: NJERI.
E thom me bindje të plotë se natyrën e shkodranit dhe të malësorit trim të Veriut nuk e ka njohtë askush ma mirë se malazezët e serbët. Jo, kot, tash një shekull ata vazhdojnë me gjuejtë me TOP Katedralën e Shkodrës; jo, kot, ata mbyllën çerdhet e edukimit fetar e atdhetar; jo, kot, ata e dëbuen Fishtën nga vorri e bankat e shkollës; jo, kot, ata plaçkitën bibliotekat e muzeumet e tyne; jo, kot, ata të parët pushkatuen Prenkë Calin me shokë; jo, kot, ata dogjën male e shpella ku, strukej ndër shekuj Shqipja; jo, kot, ata vollën vnerë kundër Fishtës, Gjeçovit, Harapit, Shantojës, Prennushit, Palajt, Donat Kurtit, Konicës, Pipës e deri tek Qemal Draçini, që e mbytën në hu, vetëm, pse At Fishta, me gishtin shënues drejtue kah Ai, tha: “Qé, një talent i ri!”.
Pse morën malët Gjelosh Luli me shokë? – Jo, kot, se ishte “Besëlidhja e Veriut, Rranxave dhe Postribës”, kockë në fytin e serbit.
Pse duhej zhdukë inteligjenca? – Jo, kot, por ajo nuk përulej dhe nuk e thente majën e penës para shërbëtorëve të Titos.
Pse u rrënuen Kishat e Xhamitë? – Jo, kot, por duhej shpallë “Shqipnia Socialiste Ateiste”.
Pse thonë “vrau vetën” Prenkë Jakova? – Jo kot, por ishte Prenka i birucës nr. 6, në Sigurimin e Shkodrës të vitit 1946, që jo vetëm ishte i vëllai i Ndocit, por ky ishte atdhetar, ishte artist antikomunist, ishte edhe katolik i mirë. Ai nuk e la asnjë çast Shkodrën; se, tue kalue nëpër Serreq frymëzohej; se, tue u zgjue nën tingujt e kumbonëve të Katedralës i vinte muza; se, tue përshëndetë gratë shkodrane me jepanxhe e degërmia, i kujtohej vuejtja dhe sakrifica e një populli, që deri dje i veshun në çakqirë e xhubletë me Ded Gjo’Lulin, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin e Isa Boletinin, valvitën Shqipën dykrenare në qiellin shqiptar. Ishte pikërisht ai, që i thuri lavdi Gjergj Kastriotit – Skëndrbeut në operën e tij!
Përgjegja asht vetëm një: Kjo qendër antishoveniste sllave që thirret SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue, duhej qitë fare!..dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!…
Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në vorr të qytetnimit evropian!
Djelmtë shkodranë padallim Feje, studentë, intelektualë, artistë, politikanë e jopolitikanë, tregëtarë e zejtarë, puntorë e shegertë e vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin “shkodranë” shumë shpejt mbas vitit 1944, do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë, kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat e Sigurimit të Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë edhe mjaft vajza ku ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane për kah pamja e ndera.
Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes së Popullit, në çdo skutë të krijueme që në qershor të vitit 1943, nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë prej tyne dhe veglave qorre e tradhëtare, kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive të kësaj Ministrie), vëmendjen e kanë pasë gjithmonë në Shkodër. Fillon me Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin), Cuf Lohën, Lilo Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm Troshanin, Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Dedën, Filip Pemën, Pjetër Ballaten, Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen dhe vazhdon me Zoi Themelin, Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun, Rexhep Kollin etj. që, të gjithë së bashku i kanë shërbye një qëllimi: TRATHTARË E ANTISHQIPTARË.
Për këtë arësye këta kriminelë të pashpirtë, terroristë e gjakatarë, kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që, dokumentohet vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh, zhdukje, burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem që kishte qyteti i Shkodrës në vitin 1946:
- Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
- Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
- Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
- Konvikti “Malet tona”.
- Burgu i Madh pranë Prefekturës.
- Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
- Burgu i vjetër i Gestapos, pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
- Shtëpia e Ulqinakut.
- Kuvendi i Motrave Servite.
- Kisha e Motrave Servite.
- Shkolla e Çelës.
- Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
- Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
- Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
- Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
- Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
- Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e Jezuitëve (ku internonin).
- Shtëpia e Dr. Karamitrit.
- Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.
- Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).
- Shtëpia e Guljelm Sumës.
- Shtëpia e Sandër Saraçit.
- Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
- Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
- Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
- Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.
***
Gjyqet janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve, në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj.
Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së Çiurçisë, ku shpesh, vriteshin, hudheshin nga dritarët dhe zhdukeshin kufomat me proces-verbale false të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty.
Qendrat e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve, Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.
Të vetmit dëshmitarë sikur të “flisnin” do të ishin: Pema e blinit në oborrin e Kuvendit të fretënve, ullinjtë e pemët e shtëpisë së Çiurçisë, pemët e konviktit “Malet tona”, etj. që, edhe sot ndër rrajtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat e njerëzve të lidhun dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e Shenjtë e kanë dhanë Shpirtin nën degët e tyne.
Po sa, ishte popullsia e këtij qyteti martir me 26 burgje e ndoshta, ma shumë që nuk i dij unë? – Kurrë, asnjëherë, nuk do të tregohet sa mijë vetë ishin ata që mendoheshin me u zhdukë!..
Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për me dalë në dritë vepra terroriste e kriminale e Partisë Komuniste (së Punës dhe e asaj “Socialiste”) të Shqipnisë, e kryeme nga dora e Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë Komuniste të Jugosllavisë që nga thëmelimi i saj.
Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë e Çiurçisë: Simon Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë të gjatë dhe nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë në torturë me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi.
***
Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa, tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast. Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe kanë shpërnda gjakun e sajë nëpër oborr. Kanë fillue me shtijë me armë, gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din Aranit Çela që i premtoi Muzaferit “gjysmën e lekut”, kur u takuen tek dera e Bar “Impero” (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.
Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën për tavolinë hetuesi kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të flasin. Kishte humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm me krypë, tregonte fatziu Don Mark.
Në konviktin “Malet tona”, At Gjon Shllaku asht lanë deri në bel në ujë të qelbun në dhomën e mjedisit të ndërtesës, pa dritare dhe me zbritje 4-5 kambë shkallë, ku dikur, ruheshin të freskëta ushqimet.
Gjatë proçesit gjyqësor asht lanë aty për me thanë se kam formue Partinë Demokristjane në Shqipni. Asht pushkatue me plagë të hapuna, me mish të dërmishun e varrë që i kullonin qelb.
At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë në torturë Dul Rrjollit e Fadil Kapisyzit, nuk i besonin fjalës së tij se asht i sëmurë me zemër dhe e torturonin me rrymë elektrike, ashtusi Simon Kraja e sa të tjerë.
Pandi Kristo pohon në burg, se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!…”
Kur, në Shkodër Françeskani At Martin Gjoka, u fliste studentëve për muzikën e Bet-hovën, Moxart e Verdi, në Moskë, Lenini thonte:
“Britmat e të burgosunve nuk i ndrroj as me Sinfoninë IX-të Bet-hoven-it”…
O SHQYPE, O ZOGJËT E MALËVET, KALLXONI !
“Kultura asht shpirti i qytetnimit”
Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin çinarët e Zef Zorbës, brij lumit Kir që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë:
“Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rrëmaji?”….
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinjë për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve. Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vëndosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vëndosje të vorreve të reja që janë edhe sot.
Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vëndosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrëmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhët edhe sot në familjën Zojzi.
Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjen e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit. Keli ka përfundue shkollën tregetare dhe ishte një kangëtar i njoftun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali. Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit, deri më 1 tetor 1937. Në dy vitët e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës, që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..”
Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi, në moshën 33-vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore.
Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohtë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989, se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij, asht kenë kërkesa e komunistëve që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue.
PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupëve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”. Kjo dokumentohet nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruen: “…Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë.
Ja si vazhdon artikulli i tyne: “Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerët që ishin organizatorët…”. Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane? Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve!?” Shka i sollën Shqipnisë përveç vorrezave këta kriminelë të drejtuem nga një masu i flligtë, i dalun prej katakombëve të kabareve të Parisit, siç ishte Enver Hoxha? Shka do të mësonin nga Mugosha e Popoviqi vëllavrasësit Fiqrete Shehu, Adil Çarçani, e Mustafa Qilimi me shokë? – Vetëm me vra trathtisht mbas shpine, si vranë edhe njeni-tjetrin!
Atentati i bamë kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës shqiptare që ishte formue në shkollat Perëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!
Kryqat e Vorrëve të Rrëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin “shokë udhëheqësit” e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”… Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmeleve të qytetit!”.
E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret….
E dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve… me mauzerrët ruse…
E dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek kryet, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!
E dogjën një natë, se, mendonin që nën atë çati ruhën vizaret e kulturës kombëtare!
E dogjën një natë, se, mendonin që ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit shqiptar!
E dogjën një natë, se, kujtuen që do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!…
E dogjën një natë, ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!….
E dogjën një natë, ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadêja, Prennushi, Kurti, Nika….
E dogjën një natë, se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!
E dogjën një natë, se shumë larg u dukej që nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në njëanë edhe nën dhé… e do të lajmëronte ringjalljen!
E dogjën një natë, por harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit!
E dogjën një natë, por, harruen fjalët e Meshkallës, që ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!
E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!…
NGA NA ERDHËN KËTA PARTIZANË?
“Të ngjeshuna dhe të papushueshme ndiheshin qitjet e mauzerrëve ruse, me të cilat ishte paisë ushtria malazeze.”
Gino Berri, 1913.
Ma shqip: KUSH DREQI NA I SOLLI?
Në vitin 1951 ishim një grup fëmijësh që ndihmonim meshë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit me Nikolin Lekën, Tonin e Bepin Ljarën, Kolec Ljarën, Karlo Marlekën, Tish Serreqin etj. Me datën 13 Qershor ditën e Shna Ndout, që për atë Kishë ishte ditë e veçantë se besimi në këtë Shenjt në Shkodër asht shumë i madh, At Marjan Prela, që kishte “mbetë” si administrator na mori të gjithëve dhe na hypi në kompanjel. Ngjitja ndër ato shkallë thik ishte pak e frikshme. Kur mërrijtëm tek balkoni u mahnitëm me atë bukuri që të përfshinte syni. Për né ishte hera e parë që shikonim nga nalt krejt Shkodrën në të katër anët, me lumenj, fusha, kodra e male që e rrethojnë. Liqeni dukej i pafund si një tepsi e kallaisun prej rrezeve të diellit. Edhe pullazët e shtëpive karakteristike me tjegulla dukeshin si kuadrate të kuqe si ufulla mjedis gjelbërimit që mizotnonte, sidoemos zonën e banueme nga myslimanët. Aty-këtu ngrihej ndonjë bajonetë e mbrojtjës së fesë së këtij qyteti besimtar; ishin minarët e Xhamive dhe kompanjelat e Kishave të tjera. Secili prej nesh kërkonte me sy rrugën dhe pullazin e shtëpisë së vet. At Marjani me durimin e tij karakteristik na shpjegoi se të gjithë këta gur e parmakë të këtij kompanjeli janë daltue me dorë nga mjeshtrat shqiptarë, madje, edhe kupola e vogël që kishim mbi kokë mbi të cilën ishte vëndosë Kryqi, ishte punue prej mjeshtërve të drunit, mandej e kishin veshë sipër me fletë metalike. Nën balkue ishin katër sahatët me një mekanizëm të thjeshtë, në të cilin varej një kovë shumë e randë e mbushun me hekra që shërbente për kurdisje. Njëherë kishte ra poshtë tue thy krejt shkallën. Mbas asaj herë ishte sigurue mjaft mirë lidhja e saj me mekanizmin. Prej atij balkoni At Fishta kishte lidhë kandilat e dritave të vumë në varg me minarën e Xhamisë së Fushës së Çelës, një minare shumë e bukur edhe ajo me gurë të daltuem dhe, e ngritun me derdhje plumbi. Kjo lidhje me kandila isht kenë ba natën e Festës së Flamurit si shenjë vllaznimi në vitin 1913.
Pika e vëndosjes së këtij kompanjeli tregonte qendrën ku asht vendosë kompasi kur asht vizatue qyteti i Shkodrës. Ai sahat shihej në çdo kand të qytetit mbasi i tillë ishte mendue ndërtimi i tij.
Edhe kompanjeli i Katedralës kishte pamje madhështore kur pata hypë ma vonë, madje, ma i naltë, por zona e Kirit zbehte gjallninë, atë që nuk i mungonte pejsazhit nga kompanjeli i Fretënve.
Në anën perëndimore të balkonit ku ishim na, nën parmakët e gurit lidhej me derdhje plumbi ndër gur një shufër hekuri, në kokën e të cilit kishte një unazë. Në atë unazë Françeskanët vendosnin Flamurin Kombëtar në ditën e Festës së tij. Valëvitja e tij kje kërcnue me topa nga t’ huejtë, po Flamuri ynë vazhdoi me qëndrue prapë atje nalt. Nën za At Mariani këndonte: “Porsi fleta e Engjëllit të Zotit”!…
Partizanët më 29 nandor 1944, pa pritë me dalë drita aty vendosën një flamur të zhgarravitun me yllin e kuq. Shumë prej atyne që e kujtojnë atë ditë morti kanë mendue: “Ma mirë të ishte rrëzue me top flamuri bashkë me kompanjel, se kështu si po e shofim sot!”. Më duket, se nuk e kishin pasë gabim, të paktën marrja u mbetej tjerëve e jo “shqiptarëve”, nëse i thërrasim kështu. Tue mos i njohtë për shqiptarë gjithmonë populli thonte: “Kur kanë hi këta…!”, pra, “këta”, të pa emën dhe të pa atdhe. Pikërisht ishin “këta” që për demagogji në shumë prej këtyne Kishave e Xhamive ngjitën nga një copë teneqe, ku shkruhej: “Monument Kulture, mbrohet nga Shteti” dhe nuk zgjati shumë, fjala “mbrohet”, u zëvendsue me fjalën “shkatërrohet”. E, kush i shkatërroi? Mbas 50 vjetësh këtë e tregon me gojën e vet Ramiz Alia, kur thotë: “Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim…” , po shka jemi, kur nuk jemi as mish, as peshk? Simbas tij na nuk jemi kurrkushi. Ai kur flet për vehte, nuk e ka gabim, por besoj, nuk ka turp ma të madh për një “president” se me mohue identitetin e vet. Këtë e ban një “president” që ka ardhë në pushtet kur kanë hi “këta”.
Shfarosja e atdhetarëve, lufta kundër besimeve dhe zhbimja e intelektualëve në fillimet e vëndosjes kulturës evropiane perëndimore, e pasueme me grabitjet e florinit dhe të pasunive private, futja e frikës, skamit dhe terrorit në popull ishte rruga që i hapej shkatërrimit kombëtar të filluem me aq vështirësi në Shqipni.
Ky shkatërrim kujt i interesonte? Vetëm shovenistëve sllavë dhe fanatikëve aziatikë të mbetun nga regjimi anadollak, me mentalitet antiperëndimor, me përvetësue pasuninë e tjetrit me grykën e pushkës edhe pse ai kishte derdhë shumë djersë me e fitue.
Gjaja e yte asht e jona, me pikësynimin, nesër do të jetë e emja. Fjalët “çlirim, plaçkitje dhe vorfnim” fillojnë në njëditë, ky asht tipari i parë i pushtetit komunist.
Askush nuk llogariti se kujt po i shërbenin!
Më tregonte njëditë në Tiranë Luigj Filipi, shkodran i vjetër, rreth 84 vjeç, komunist ndër të parët me Zef Malën. Kishte shkue në Kishën e Jezuitëve aty nga viti 1938 sa ishte ndërtue Kisha e re. Mbasi kishte predikue At Meshkalla, i ishte drejtue Luigjit, që mbas Meshe me u takue pak për një problem personal. Luigji kishte pranue tue ulë kokën. Kishte shkue në sakristi dhe ishin ulë në dy karriga. At Meshkalla e kishte pyetë, Luigj, ti je komunist? -Luigji kishte pohue se po, mbasi nuk kishte frikë nga At Meshkalla. Ai i ishte drejtue Luigjit me këto fjalë: “A e din ti Luigj se kujt i shërben me këtë ideologji? Komunizmi asht vetëm utopi. Ai nuk ka me u realizue kurrë, por për fat të keq ju, të rinjtë, tue mos e njohtë jeni futë në një rrugë shumë të rrezikëshme për kombin, mbasi nesër keni me e pa vedin ushtarë të Titos dhe të Stalinit. Ti vepro si të duash por me më ndigjue mue largohesh nga ajo rrugë antishqiptare!”.
Pa kërkue përgjegje, i kishte dhanë dorën dhe ishin nda. Biseda kishte mbetë për 60 vjet e pahapun. Në vitin 1998 Luigji ma tregoi, që në rasën e parë që të paraqitej mundësia unë me e botue. Në fund të bisedës, më tha: “Të lutem, ke me shënue edhe këte, se unë jam një ndër ata komunistë që kam dashtë me dalë ma i mendshëm se At Meshkalla!”.
Për komunistët ishte “nderë e lavdi“ me vdekë tue brohoritë “Rroftë Stalini”, “Rroftë Bashkimi Sovjetik”, “Druzhe Tito, rrofsh sa…”
Vëndimet e Jaltës janë kenë dhe janë vëndimet ma fatzeza për popullin shqiptar.
Shumë gjermanë para largimit nga Shqipnia, u treguen miqëve të tyne se do të kishte ndryshim sistemesh në Shqipni, këtu do të vinin në pushtet komunistët dhe se kjo zonë i asht lanë Rusisë stalinjane nën influencë. Shqipnia do të mbetët për 50 vjet nën kontrollin e Rusisë. Ikni, se komunistët do të ju zhdukin nga faqja e dheut!
Po anglezët e amerikanët shka u thanë miqëve të tyne?
“Mos ikni, edhe pse njëherë do të drejtojnë komunistët, na do të vijmë prapë. Këtu do të vëndoset shtet demokratik, do të bahën zgjedhje të lira, pushteti i ardhshëm do të jetë i të gjithëve”.
Pak vetë iu besuen gjermanëve, shumica u tradhëtuen nga Aleatët. Sot ruhen në arkivat e tyne letrat e Muharrem Bajraktarit, Ahmet Zogut dhe të Klerit Katolik Shqiptar, që u kanë dërgue atyne pikërisht, për problemin kombëtar deri në vitin 1946, nëpërmjet të ambasadave dhe misioneve të tyne këtu. Përgjegjën e di edhe populli: “Pritni gjethin!”, me siguri ishte fjala se nuk asht larg koha kur shqiptarët do të mbulohen me gjeth fiku…. Dhe me të vërtetë ajo kohë erdhi!…
Po Atdhetarët Shqiptarë shka banë?
ATA SHKRUEN ME GJAKUN E TYNE HISTORINË E LAVDISHME TË REZISTENCËS ANTIKOMUNISTE NË TROJET SHQIPTARE.
- 24 shtator 1943: “Besëlidhja e Veriut” e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe të Postribës, në pikën e parë të së cilës shkruhet: “Mbrojtja e kufijve të sotçëm të Tokës Shqiptare”.
- 17 nandor 1943: Bahet Program-Veprimi i “Besëlidhjes së Veriut” dhe Betimi. Me “Besëlidhjen e Veriut” asht organizator edhe Muharrem Bajraktari për krahinën e tij shka përfshinë Dibër etj.
- 12-13 janar 1945: Kryengritja e Kelmendit nga Prenk Cali.
- 13-14 janar 1945: Kryengritja e Koplikut nga Llesh Marashi.
Vetëm në këto dy kryengritje u pushkatuen 118 burra të Malësisë së Madhe pa gjyq.
- Shkurt 1945: Lufta e Bërdices dhe Anës së Malit nga Jup Kazazi dhe Abaz Ermenji.
- Maj 1945: Përpjekja e parë për formimin e Partisë Demokristjane Shqiptare, me kryetar Andro Petroviq, në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut, në Rus, Shkodër.
- Maj 1945: Formohet Organizata “Bashkimi Shqiptar” nga Mark Çuni.
- 26 maj 1946: Demostrata e Parë Antikomuniste e Rinisë Shkodrane, me rastin e vorrimit të Imzot Gaspër Thaçit, Argjipeshkëv Metropolitan i Dioçezit të Shkodrës.
- 9 shtator 1946: Kryengritja e Postribës.
1944-1948: Ndër male në Dukagjin janë mbi 400 burra të armatosun ndër shpella dhe të organizuem nga Gjergj Vata, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Gjon Destanisha, Martin Sheldija etj.
- 1944-1954: Në Mirditë, Mark Gjon Marku organizon rezistencën, të cilën mbas vrasjes së tij në vitin 1946, e vazhdoi i vëllai Lleshi, që edhe ky vritët më 10 gusht 1947. Lufta vazhdon në këtë krahinë ma vonë se kudo tjetër, deri në vitin 1954.
- 1944-1950: Në rrethin e Tiranës shquhet për qëndresë “Çeta e Hekurt” e Sul Selimes.
- 1944-1947: Në Shqipninë e Mesme, Prof. Alush Leshanaku organizon çetat e malëve, një tmerr i vërtetë për komunistët dhe brigadat e Ndjekjes. Në vitin 1950, Mark Zef Pali, Alush Leshanaku dhe Gjon Mark Ndoj formojnë “Frontin e Bashkuem të Rezistencës Shqiptare”, që përfshinë edhe malët e Dukagjinit, Mirditës, Pukës, të Matit, rrethit të Tiranës dhe Elbasanit. Kryetari ishte H. Frashëri.
- 1945-1950: Grupet antikomuniste të studentëve të Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, deri në vrasjen e studentit Bardhosh Dani.
- 1944-1950: Nuk pushojnë asnjëherë shkrepjet e armëve nga Atdhetarët e Kosovës që vdesin për liri, si: Prof. Ymer Berisha, Maria Shllaku, At Bernardin Llupi, Prof. Kol Parubi dhe mësuesi Gjergj Martini, të gjithë t’ekzekutuem e të vramë në Prizren, më 15 nandor 1946.
- Korrik 1947: Kryengritja e Myzeqesë me burrin e lindun me “këmishë”, Hamid Matjanin, i kapun trathtisht nga komunistët, të njoftuem për zbritjen e tij me parashutë në Shqipni nga spijuni anglez, kolonel Kim Filbi, në Londër.
***
- “Shumica e tyne ecin zdathë, kështu, që, atij që i sheh nëpër ata shkambij i dukën dhi të egra”, shkruen Mariano Bolica, në vitin 1614, në “Relacione”, fq. 277, Vëllimi I.
Historia e rezistencës antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuan kurrë me komunizmin gjakatar. Volume të tana nuk mund të plotësojnë qëndresën shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij, Maria (Zojzi), të Angjelina Markut, të Ludovik Saraçit, të Jup e Seit Kazazit, të Pashuk e Pal Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Dod Nikollës, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj. Gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve Gjelosh Lulin, që nuk e ban ma nana.
Secili gur mali në tokën shqiptare ka të daltuem një emën Heroji, që kohëve të ardhshme do t’u ngjasojnë me shkronjat e sarkofagëve, por mos harroni kurrë, po e përsëris, kurrë, se atë shka serbët i banë Kosovës në vitët e fundit, 50 vjet ma parë ia kanë ba Shkodrës, tue rrafshue për tokë kulturën, tue zhdukë inteligjencën, tue pushkatue e mbytë me hû mbi 131 meshtarë, tue grabitë bibliotekat e thesaret e tyne, tue plaçkitë e vjedhë shtëpi e magazinë tregtari, tue grumbullue dupa e flori me arka nga gratë shkodrane mbasi i lanë të veja, tue angazhue vllaznit tanë spijuj të Sigurimit, tue i detyrue me paditë vëllan tue i torturue si kafshët dhe, në fund, sot na rrimë tue kërkue eshtnat e këtyne Martirëve e shka asht ma keq, se nuk dimë edhe ku janë!
Sot, na dimë vetëm një fakt se pothuej, të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur dhe tradhëti.
Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për këtë!”(Dosja 1623)
Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë, se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu për operacionin e Veriut, “…që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit….” (po aty, Dosja 1623)
- Asht e shkrueme e nuk e lot topi:
“Më 23 prill 1913, mbaroi lufta. – Shkodra ra!”…
KUSH KISHTE MA SHUMË VLERË PER LIRINË E ATDHEUN, “BESË–LIDHJA E MALËSISË…”
APO “LUFTA NACIONAL –ÇLIRRIMTARE” ?!
Kur “historianët” do të shkruejnë të vërtetën, që Rinia Shqiptare me e mësue “até”?! Sa do të më pelqente sikur “prof. dr. e akademikët” me e dijtë këte emen, kush ishte kjo “Besë – Lidhja e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, kush e krijoi dhe pse u krijue, apo cili ishte qellimi i Saj Atdhetar?!
Nuk dij a e kanë lexue ndonjëherë Programin e Saj!!
Prej vitit 1941 krahinat Veri – Perëndimore të Shkodres, tue fillue prej Ulqinit, Tivarit, Hotit dhe Grudës, ishin të lira nga jugosllavët dhe malazezët, mbas sa luftave per Lirinë e Tyne, dhe shpejt ishte e lirë edhe Kosova e Maqedonia, deri poshtë ku kishin hy forcat gjermane që kërkonin shkëputjen e Trojeve Shqiptare nga zgjedha sllave. Menjëherë ndër ato krahina u hapen 120 shkollat shqipe me 250 mësues nga ministri Ernest Koliqi dhe qeverisjet lokale të tyne ishin nga Shqiptarët, të cilët, filluen edhe organizimin e policisë dhe administrimin e vendit.
Kur ushtria gjermane filloi terheqjen nga Ballkani me humbjen e luftës, ndihej nevoja e organizimit ushtarak ndër ato krahina për me mujtë me sigurue “Lirinë” e Tyne, e cila, jo vetem, do të rrezikohej, por pritej edhe përdhosja e Tyne nga forcat komuniste jugosllave të Titos, i cili kërkonte edhe njëherë aneksimin e tyne në vathen e vjetër sllave, por këte herë i ndihmuem nga forcat ushtarake sovjetike dhe nga komunistët shqiptarë, që ndihmoheshin materialisht nga forcat ushtarake të Aleatëve. Nga fundi i vitit 1943 forcat nacionaliste shqiptare “Balli Kombëtar”, “Legaliteti” dhe Indipendentët, luftoheshin haptas nga forcat komuniste “partizane” të drejtueme prej agjentëve jugosllavë, që kryesoheshin gjoja nga anadollaku Enver Hoxha, që tashti kishte shpalosë haptas flamurin e tradhëtisë, me luften civile në Shqipninë e Jugut…dhe pritej që Shqipnia Europjane t’ ishte tansisht nën pushtimin bolshevik komunist të Titos. Me këte vepër tradhëtije pajtohej edhe blloku i Aleatëve, nen parullen e “Konfederatës Jugosllave”; i cili ndihmonte me të gjitha mjetet financiare dhe materiale “nacional – çlirimtarët” e bllokut komunist të Stalinit.
Me daten 23 Shtator 1943, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, të mbledhun per me shpëtue Atdheun, nga një robni e ré që po kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, që po administroheshin nga Shqiptarët, kur gjermanët ishin në terheqje, Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë edhe me krenët e vendit, të gjithë bashkë, formuene “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, e cila, kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar…2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare…dhe një Program të plotë, që perputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë dhe të zhvillimit e përparimit të Tyne, me kahun e pikpamjet Europjane – Perëndimore.
Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Lulit në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem per nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit, nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i mandejshem i Saj.
Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe) , Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri…i cili “premton po, nuk mban asnjë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
Të parët që iu përgjegjen Lidhjes ishin grupi i ushtarakëve ndër shpellat e Shllakut, që kryesohej nga kapiten Gjergj Vata (Cukali), Martin Sheldija, Zef Agostini, Kolë Ashiku, Zef Jakoviq, Loro Vata dhe ma vonë, organizatori i Rinisë Katolike Shkodrane, Ndoc Jakova.
U gjet perkrahja e grupit ushtarak të shpellave të Dukagjinit, ku ishin oficerat Gjon Destanisha, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Zef Kol Prela etj. Në Postribë ishte Jup Kazazi, Abdullah e Nuh Kazazi, që mbeshteteshin tek Parija aty. Pa kalue as pak muej në perkrahje të “Besë – Lidhjes së Veriut” vihet edhe Puka me të ushtarakët e njohun e trima, Mirakajt, Mirdita me major Markun dhe Lleshin e Zi Markagjoni…
Me kenë se Gjelosh Luli ishte edhe mik i At Mati Prennushit, provinçialit Françeskan të Shqipnisë, i cili kishte lëshue një urdhen të premë mbas vrasjes së At Lekë Lulit, kur bashkpunoi me Legalitetin dhe u vra tradhëtisht, Ai urdhnoi që “asnjë Klerik Katolik nuk duhet të perzihet në politikë”, në këte “Besë – Lidhje të Veriut” nuk u angazhue asnjë nga Klerikët e këtyne zonave. Por edhe pse Kleri Katolik nuk u perzi fare, Ai u godit ma keq se kushdo, tue fillue nga data 25 Mars 1945 që u pushkatue Don Ndre Zadeja, dhe mbas tij, me rradhë dijetarë e Atdhetarë për 47 vjet rresht panderpremje deri tek Don Lazer Sheldija në vitin 1988, që u vra nga sigurimi komunist i yni në Amerikë, vetëm, se ishte Bir besnik i Atyne trojeve të Besë – Lidhjes së Veriut.
Kur forcat komuniste të Mehmet Shehut e Koçi Xoxës, e sa e sa “gjeneralëve” halabakë, sulmuen mbas shpine Atdhetarin Prekë Cali, bashkë me forcat jugosllave që kishin pushtue Gruden, me “Besë – Lidhjen e Veriut” u bashkuen edhe çetat e Shqipnisë së mesme me Alush Lushanakun, Mark Zef Palin dhe Gjon Mark Ndojin, të cilët ruenin lidhjet e veta me “Çeten e Hekurt” të Sul Selimes në rrethinat e Tiranës. Rezistenca antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuen kurrë me komunizmin gjakatar. Në Shkoder asht i pari në Europë Mark Çuni, që formon organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me anen e së ciles, kerkoi pluralizmin politik dhe zgjedhje demokratike. Askush nuk mund të harrojë qëndresën heroike shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij Maria (Zojzi), të Ludovik Saraçit, të Pashuk e Palë Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj., po gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve të qendresës heroike Shqiptarin Gjelosh Lulin e Hotit dhe të Maleve të Veriut, që nuk e bân kurrmâ Nana.
Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena (Lena) Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi, do të merrte malet, u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: “Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij!”
Mbasi e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ. Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste! Pothuej të gjithë Emnat e Atyne Burrave që kam përmendë ma siper janë vra e zhdukë edhe trupat e tyne, kush pa krye, kush pa kambë, kush pa sy e kush pa krahë, perfundimisht gati të gjithë janë “pa Varr”!
Po monument per Këta Atdhetarë, viktima të komunizmit a ka sot kund!?..
– Jo, “monumentet” janë per vrasësit e tyne, per kriminelët e dekoruem atëherë e sot!
“Monumentet” janë e do të jenë per “nacional – çlirimtarët” tradhëtarë e kolaboracionistë me bolshevikët sllavo – komunistë të Jugosllavisë së Titos, Rusisë terroriste staliniste dhe Kinës së Mao Ce Dunit…shfarosës e barbar, me etiketen e “Revolucionit”…të cilëve, u kanë sherbye dhe vazhdojnë me u sherbye me perkushtim, se i lidhë të gjithë bashkë “ideali antiatdhetar”…
Po “ideali i antarëve të parë të partisë komuniste” cili ishte?
– Sot, dimë vetëm një fakt, se pothuej të gjitha përpjekjet e Shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur, torturë, vrasje dhe tradhëti. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant.”(Dosja 1623). Torturuesit dhe kriminelët Haxhi Lleshi, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani, Mestan Ujaniku, Nesti Kopali, etj., tregojnë se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha për operacionin e Veriut, ku pasonin ushtarakët Sheuqet Peçi, Gjin Marku, Rahman Perllaku, Ramiz Alia etj. “…që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit….” Ata partizanë që u vranë në Luften Nacional – Çlirimtare, të gjithë pa perjashtim, vrritën per një “ideal”, per “idealin” komunist: “Bijtë e Stalinit jemi né, rroftë Stalini i math, babai ynë!”…
E dij se e kanë të veshtirë me arsyetue me trunin e tyne marksist-leninist të mykun nga “historia e PPSh” e parimet komuniste “prof. dr. e akademikët” e Tiranës anadollake, por duhet të tregojnë haptas se cilat ishin programet e tradhëtisë prej 8 nandorit 1941, të komunistëve të Tiranës, Permetit, Beratit, e deri tek Ramiz Alia, në 1991, në sherbim të komunizmit gjakatar?
Në 1991 Ramiz Alia thotë: “Edhe gjak do bëjmë..!”, ja “ideali” i kriminelit të 1943…!
E verteta historike asht vetem një: Komunistët anadollakë të Shqipnisë për me sigurue një kolltuk, até të Enver Hoxhës, shiten Atdheun, shiten Trojet Shqiptare, vranë e masakruen të gjithë Atdhetarët dhe inteligjencen Europjano Perëndimore, kthyen një Popull në bujkrob per me punue terroristët e tradhëtarët, vodhen e vorfnuen vendin dhe pushtetin ua dorzuen veglave të tyne besnike, per me ua sigurue edhe mbasardhësëve pushtetin e perjetshëm… antiatdhetar!
Mundohen “disa” me gjetë krraba me varë “programet” e Mukjes apo te Bujanit tash nga pleqnia…e aty, nga fundi kujtojnë se u ka ardhë prap koha edhe “këtyne” me u thirrë “pashallarë” …dhe askush nuk thotë të verteten historike! Mashtrojnë dhe gënjejnë edhe pse janë në gryken e vorrit…E nuk kujtohen se mbi rrasen e “mermerit” të tyne Populli Shqiptar, ka me i daltue se:
“Këtu asht edhe një tradhëtar i Shqipnisë Europjane të Gjergj Kastriotit!”.
“PO SHPELLAT A M’I PRET KUSH?”
DED GJO’ LULI
Nuk kishte përfundue së kënduemi kanga e Gjeto Basho Mujit:
“A p’e marrim malin për me tretë?
A po biem ma mirë në lum me u mytë?
A po hypim n’curr teposhtë me u rrxue?
A po him n’ at kullë për me u ngujue ?”
E, jemi në vitin 1945! Nuk kanë kalue as njëzet vjet që edhe njëherë po ndihen gjamët e paharrueshme, kur ndër ata male të egra si bishat që jetojnë ndër to e, kur, ende nuk ishin rritë ato lule të freskëta të Alpeve, ku mendja, ndalon për një çast mendimin; kah sheh vigajë të rreshtuem përreth asaj kunore që s’njihte marre.
Janë dukagjinasit po, rreshtue përbrij atyne currave, përrojeve, gurrave e lumit që zbret rrëmbyeshëm, harrlisë tue marrë me vete ma shumë njerëz se cingla, cokla e trungje pishe, për me ushqye ushujzat e Velipojës, të pangopuna me gjak shqiptarësh të Kosovës, për të gjatë atyne brigjeve, në Ulqin e deri në Tivar.
Janë po, djelmët e Lokes, që shputat sëpari zdathë, shkelën mbi shqeme, e therë në murriz e kujza pishe, e ça ndër tehe gurësh, nën të cilët ende gurgullon në rrjedhje rrëkajë nëpër vizatje të ballit të Shqipes: GJAKU I GEGËVE.
Janë po, djelmët e Lekës, që para se me u mbathë në opinga janë regjë ndër shekë e vozga të mëdha me shëllinë, për mos me i ça e shkye shpata e bajoneta e hasmit.
Janë po, ata, që mbas nanës e babës nuk njohin tjetër fëtyrë veç atë të dhisë e brinat e saj gëdhenë në lahutë… me i këndue perjetë të Madhit Gjergj.
Shpatullat, e vetmja shpnesë e kallximit, tregojnë cuba me shenjë gjaku në ballë.
Huta e martina janë strukë ndër golle e shpella se veglat e serbit i kanë ba batall.
Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë postavë e sermt, për me i grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të malit ngarkue me hebe e buljera për me u çue bukë e duhan trimave ndër shpella.
Sigurimi i Shtetit ka marrë përsipër me shburrnue Bjeshkët e Nêmuna, si për qejfë të serbit.
Janë mbi 400 burra dukagjinas ndër male shka merr në Qafë të Agrit tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as shpellat. Janë lidhë njëbesë me u vra dhe në dorë komunistëve mos me u ra. Kërcnohen me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash e kësollash, zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia, pa gjyqe, shfarosje fisi, grabitje bereqeti e buke, therje bagtishë, me skam e vorfni, e prapë se prapë nuk shtrohen.
Asht fakt që shumë krahina kanë qendrue me armë në dorë për mos me u shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër skutat ma jugore, por krahina e Dukagjinit do të zajë vend të veçantë në fletët e asaj historie të lavdishme. Rezistenca e popullit aty ishte shumë aktive, e gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë e papajtueshme me pushtetin komunist, sidoemos deri në vitin 1948. Çdo pëllambë e asaj tokë asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë ma në za për kah ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue me shekuj mburojë.
Nuk përjashtohet ndikimi e roli i madh i Klerit Katolik kryesisht atij Françeskan, në formimin e shpirtit atdhetar. Ata e kishin ba të padiskutueshme e të palëkundshme ndaj çdo fortune formulën Fé-Atdhé, me të cilën lindte dhe vdiste malësori. Kjo dhe vetëm kjo ishte arësyeja që ai malsuer nuk mund të pajtohej me komunizmin. Kjo dihej edhe nga komunistët. Disa herë Enver Hoxha ka folë e shkrue, madje, edhe ndër “vepra” ai vé theksin në qëndrimin antikomunist të katolikëve. Në të vërtetë asht e vetmja gja ku nuk ka rrejtë asnjë rresht, mbasi aty bahet fjalë pikërisht për këto malësi që e kanë faktue qëndrimin kundër tij, përderisa për 40 vjet ai udhëheqësi “i dashtun dhe i shtrenjtë”, që rrinte “gju më gju me popullin”, nuk e ka shkelë asnjëherë me kambët e tij tokën e Dukagjinit, madje, edhe ai “trimi legjendar i luftës” krimineli Mehmet Shehu, që ishte komandant i Operacionit të Veriut, nuk pati as burrni as trimni me shkue me luftue kundër anmiqëve shaljanë, pra, megjithëse kishte pushtetin dhe armët me të cilat krenohej, por gjithmonë të përdoruna mbas shpine si me Prenkë Calin, ose kur Atdhetarët ishin të lidhun duersh e kambësh të çarmatosun, ose rob, e gjithmonë të kapun trathtisht si Llesh Marashi r Hamid Matjani me shokë.
Për këto arësye duhej fillue me njerëzit që kishin influencë në ato krahina. Vëprimet komunistët i filluen kundër Parisë së Malësisë dhe Klerit Katolik (ndonëse i pakët në numër, por shumë i fuqishëm), veprime të shpejta, të doemosdoshme dhe shumë kriminale për me u ba shembull për gjithë Shqipninë kundërshtare, si në kohën e luftës aty ku i shkeli kamba tue vra e plaçkitë, kryesisht në krahinat jugore, mbasi largohej gjermani. Instruktorët ishin agjentat shovenistë jugosllavë, anmiqtë shekullorë të atyne Alpeve aq shumë të lakmueme prej tyne. Mbas rezistencës së Prenkë Calit e Llesh Marashit filloi terrori ndër male.
Qé, pra, i erdhi dita! Më 17 janar 1945 të parët arrestohen At Gegë Luma dhe At Dioniz Maka, të dy klerikë atdhetarë. Ata në malësi zakonisht mbanin armë të lejueme, mbasi në kohën e turqve ata luftonin përkrah malësorëve, ashtusi kundër malazezve dhe serbëve. Armët i kishin edhe për vetmbrojtje nga plaçkitësit. Asht i njoftun rasti i Don Nikoll Kaçorrit, kur një natë për fat nuk u ndodh në qelë kur i pat shkue krimineli Haxhi Qamili me bandën e tij anadollake, i plaçkiti të hollat, i vrau shërbëtorin, tue i pre kokën dhe i dogji qelën bashkë me bibliotekën e pasun të tij. Ndoshta kjo asht edhe arësyeja që Enver Hoxha këtë shok të tij kriminel e cub malesh, e pat ba “hero”….Një arsye tjetër ishte edhe qarkullimi ndër zona të rrezikueme nga kafshët e egra kohë pa kohë për shërbime fetare. Asht e kuptueshme se atëherë nuk njiheshin bishat komuniste, tue i kujtue si “shqiptarë” prej shumëkujt. Këta klerikë shpëtuen vetëm se nuk kishte dalë ende ligji i dorëzimit të armëve. Dënimet nuk u dhanë të randa mbasi ndikoi shumë fjala e fundit në gjyq e At Gegës, siç më ka tregue At Dioniz Maka, i lidhun përdorë me tè.
Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para Kishës në Kodër Shën Gjergj mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i njohun për burrni ndër kuvende malësoësh. Ai u tha para pushkatimit: “Shka i duhet jeta shqiptarit maleve pa armë? Nuk ua jap!”. Pra, filluan vrasjet!
Në Palç të Nikaj-Merturit porsa At Mëhillë Miraj mbaron meshën, tue dalë njerëzit prej Kishe, partizanët e Ndjekjes kërkojnë prej Fet Sadikut, burrë afër të 70-tave me dorëzue armët. Feta nuk i dorëzon, atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi mbas një kodrës. Partizanët i thonë Fetës, se, me që ti nuk pranon me na i dhanë armët na të kemi pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain Ademin, (kjo nuk ishte e vërtetë, por kishin shkrepë armët për me ligshtue Fetën që ai me tregue armët), atëherë Feta iu përgjegjet: “Mo’ brè, ju kishe dhanë edhe djalin tjetër, por vllain jo!”, e prapë armët nuk i dorëzoi. Tue pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi trupin e tij dhe ashtu të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé e lanë aty me e pa katundi.
Kështu fshati u njoh me ata që thirreshin “çlirimtarë”.
Gjatë kësaj kohe nga mesi i 1945, në Pult kërkohej At Anton Harapi, mbasi ishin sigurue se nuk ishte me Cafo Beg Ulqinin ndër krahinat e tij, ku Cafi u ruajt me besnikëri nga bashkëfshatarët e vet derisa u shpall amnistia. Siç më ka tregue vetë i ndjeri Cafo Beg, me të vërtetë e kishte ftue me shkue bashkë me Lef Nosin, por këta të dy nuk kishin pranue për mos me rrezikue farë e fisin e Cafo Begut, mandej, thonte, Cafo Begu, u dukej, se po dalin jashtë kufijve e po vriten nga malazezët a serbët. E pranonin vdekjen me kënaqësi prej shqiptarëve. Cafo Begu e vërtetonte këtë me takimin e At Antonit në Podgoricë me gjermanët që po largoheshin nga Shqipnia. Edhe atje At Antoni, nuk kishte pranue me shkue me ta në Gjermani, ose në ndonjë vend tjetër ku të dishronte Ai i mbrojtun nga forcat gjermane. Cafo Begu ishte shumë i sigurt se At Antonin e ka tregue në Sigurim një shirokas, kushrini i tij (L.B.), mbasi ai ishte thirrë nga ndjekja e mbajtë 2-3 ditë tue u torturue, se mos i kishte kalue me lundër nëpër liqenin e Shkodrës dhe mos e kishte dorëzue At Antonin bashkë me Lefin, ndër miqtë e Cafo Begut. Tue u nisë nga siguria e kenjes së At Antonit në Dukagjin, Ndjekja fillon masakrat. Marrin 10 djelmoça të rijë, gjoja me i angazhue me brigadën, por meqë ata kundërshtojnë me iu kundërvue bashkëfshatarëve të vet, në fshatin Xhan i pushkatojnë pa gjyq.
Fillojnë edhe arrestimet. Në Shalë arrestohet bajraktari Kol Ndou, pak ditë mbasi në Breg-Lumi sekretari i frontit të Qarkut të Shkodrës, komunisti terrorist Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshefej Partia Komuniste), atje organizon një mbledhje ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun, i shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi Ndok Pëllumbi vritet po aty prej Bal Markut, kështu fillon pushka… Për me ndalue gjakmarrjen dhe përçamjen e krahinës bajraktari Kol Ndou, hyp mbi një shkamb dhe thërret: “Në emën të Zotit burra, me prâ pushka!”, dhe pushkët pushuan. Sigurisht një burrë me kaq influencë që ndalon vëllavrasjen, nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij Prel Marku ikë ndër shpella dhe një ditë bashkë me familje arratiset dhe nuk këthehët ma në atdhé, si shumë të tjerë ndër ato krahina.
E njajta gja kërkohet me u ba me bajraktarin e Shoshit, Lulash Gjeloshin, por ndodhë shka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët lidhin besën mos me pranue thirrjen e frontit (ose të partisë). Kur forcat e Ndjekjes shkuan atje krisi pushka dhe vriten tre vetë të Ndjekjes.
Bajraktari del në mal. Bashkë me té janë edhe gjashtë djelm sokola mali që syni s’u ban vék. Koha e gjatë bani që shpesh këta trima me u përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë përpjekjeve u vranë pesë djelmë nga çeta e bajraktarit. Në Shkodër pushkatohet edhe prof. Gjelosh Lulashi me Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, kështu bahën gjashtë vetë të një oxhaku. Me Lulashin mbeti vetëm një djalë që për mos me dalë faret fisi, e detyron Lulashin me u dorëzue. I shtymë në moshë dhe i vramë në shpirt nga fatkeqësitë nuk e pushkatojnë, por e lanë me plasë në burg tue e dënue 101 vjet. Gjatë kohës së burgut tregojnë se rrinte i vetmuem, nuk fliste, veç kalonte kohën tue dredhë duhan ose tue mbushë llullën. I vinin miqë në takim dhe nuk e lenin me vuajtë nga ana materiale, po shpirtit të brengosun nuk kishte kurrkush shka me i ba. Ai nuk shërohej.
Rreziku i daljes farët të fisit asht kenë ba shkak që shumë burra janë detyrue me u dorëzue. Kështu si Lulash Gjeloshit i ka ngja edhe Llesh Marashit e Prenkë Calit që dij unë, po kushedi sa të tjerë që jo vetëm janë dorëzue por, edhe ua kanë pushkatue djelmoçat e fundit ashtu si Prenkë Calit. Ashtu i pat ndodhë edhe një burri tek ura e Breg-Lumit që i çuan fjalë në shpellë: “Eja, se, për një orë po nuk u dorëzove të pushkatojmë djalin 14 vjeç!”. Ai erdhi ma shpejtë. Aty ishte krimineli katil Xhemal Selimi tue thye arra me revolver mbi kokën e një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit Xhemali ma parë i vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në Lumin e Shalës.
Kur në Tiranë mendohej se rezistenca e malëve po dobësohej, ndër male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani, shpellat sa vinin e u mbushnin me djelmë të tjerë. Ma siguri kishin ndër shpella se tek shtëpia. Forcat e Ndjekjes vazhdonin me lanë të vramë nga mosnjohja e krahinës, shkonin e binin si miza në qumësht ndër shtigje ku u fluturonte koka bashkë me “yllin e kuq” në ballë. Me u largue nga brigada prap pushkatohej si dezertor kështu, vazhdonte sa të shkojë kjo punë. Për këtë arësye në muejn prill-maj të vitit 1946, Mehmet Shehu, dërgon një brigadë të drejtueme nga një terrorist tjetër i njohun, major Ndreko Rino. Dokumentacioni i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që ruhet edhe sot tregon ma së miri masakrat, pushkatimet pa gjyq, djegëjet e shtëpive dhe arësyet pse këta kriminelë dekoroheshin e thirreshin “heronjë të popullit” e, për fat të keq vazhdojnë t’i kenë edhe sot! (Lexoni vetëm radiogramet që vinin në Ministri dhe “komandantit” nga këto zona!).
Majori i porsaardhun filloi detyrën në Kuvendin e Bashkimit të Shalës e të Shoshit tek Ura e re e Dukagjinit. Aty pushkatohen katër vetë pa gjyq pse nuk kishin dorëzue armët. Në Vuksanaj vritën dy të tjerë, ndërsa në përpjekje me forcat e ndjekjes plagoset randë Zef Kol Prela, i cili mbasi mjekohet, torturohet në qeli nga Xhemal Selimi e Sabri Shema, dhe i përcillet Aranit Çelës në Shkodër me i dhanë plumbin ballit. Edhe Araniti si terrorist i njohun e kreu porosinë më 11 mars 1948 tue e vue në rresht me Atdhetarë të tjerë, në Zallin e Kirit.
Kur Nik Sokoli formon Komitetin për çlirimin e Dukagjinit fillon një fazë e re. E rrethonin Nikën por nuk ua kapte plumbi, tregonte Ejëlli… Fillon marrëveshja për organizimin e një Kryengritje të përgjithshme në Veri. Lidhja e malësorëve me Muharrem Bajraktarin, forconte besimin në fitore. Puka me Mirakaj, Mirdita me Markagjonët e i pavdekshmi Alush Leshanaku në Shqipninë e mesme, tronditën pushtetin qendror, i cili në këtë kohë forcoi edhe ma shumë lidhjet me druzhe Titon, për me realizue interesat e përbashkëta antishqiptare.
Me plasjen e “parakohshme” (po i themi) të Lëvizjes së Postribës, planet dështuen. Edhe pse dështoi papritmas plani malësorët vazhdonin rezistencën e tyne. Lufta sa vinte e bahej ma e rrebtë. Arrestimet e pushkatimet nuk pushonin asnjë çast. Arratisjet vazhdonin pa pushim. Shkak u ba ma vonë edhe prishja me Jugosllavi. Forcat e Ndjekjes u trefishuan. Mjaft malësorë dëzertojnë nga mobilizimi ushtarak. Shumë bashkohen me shokë ndër male. Disa arratisën. Atëherë u ikë përduersh komunistëve At Danjel Gjeçaj i njoftuem nga një malësuer për arrestim.
Me shkuemjen në Dukagjin të Idriz Çobës si kryetar dege, kriminelat Xhemal Selimi dhe Sabri Shema kryejnë aq shumë krime atje sa pak shtëpi mund të kenë mbetë pa të pushkatuem, të arrestuem ose pa u djegë e plaçkitë. Edhe jugosllavët u kanë dhanë ndihmesën e tyne edhe pse në dukje ishin të prishun me ne. Ata dërguan prej Jugosllavisë njëfarë Prel Nika, i arratisun, që ishte vue në shërbim të komunistëve (të këndejshëm e të andejshëm) dhe mbasi bashkohet me të arratisunit që ishin ndër malët ë Veriut, një natë tradhëtisht vret komandantin trim të shpellave Gjergj Vatën, i njohtun me pseudonimin “CUKALI”, një emën tmer për komunistët dhe brigadat e Ndjekjës
Një ndër betejat e paharrueshme asht edhe ajo që asht ba në Palaj të Shoshit, ku edhe pse u plagos komandanti i 87 burrave të armatosun Mark Mala, lufta vazhdoi e përgjakëshme dhe me ikjen e turpëshme të forcave të Ndjekjes që lane disa të vramë në atë betejë.
Perpjekjet dhe qendresat e Oficerëve trima Martin Sheldija, Gjon Destanisha, Kol Mark Toma, Ded Mirash Zefit (vra në gusht 1946), Mëhill Ndoja etj. janë një epope në vedi në lavdinë e atyne malëve.
Këtë epope jo vetëm, nuk e njohim por as nuk e gjejmë kurrkund të shkrueme …prej kurrkujt…Vazhdon heshtja!
Aq shumë e urrenin malësorët tanë komunizmin sa asnjeni nuk pranonte me marrë ndihmat e UNRRA-s, sëpse thonin se janë dërgue nga ata që na sollën komunizmin këtu (nuk janë gabue aspak), gjithmonë nën arësyen “se nuk dimë me përdorë kutijat e mishit dhe kemi frikë se mielli asht i prishun e po na helmatisë!”…
E vetmja gja që u dhanë me dhunë ishte DDT-ja, si ilaç, mbasi gjithkah ishin mbulue me morra. Fshatarët thonin se edhe këta na i kanë sjellë partizanët, e vetmja gja që na ka sjellë Partia Komuniste e “shoku” komandant në malësi janë morrat!
Pat edhe ndonjë malësuer të kërcnuem që punoi me Sigurimin si Martin Shllaku (ish sekretar i komitetit të partisë), por edhe ky u arratis ma vonë se ndiqej nga vetë Sigurimi. Ndërsa Pëllumb Ndoka nuk zbatoi urdhnin me vra një malësuer dhe u vra ai vetë nga shokët e tij “besnikë” të Sigurimit. Të gjithë bashkëpuntorët e tyne e mbyllën jetën si këlkazat.
“Nuk shihnim ma larg se majën e hundës, atëherë..”, më pat thanë në vitin 1992, Mark Uli, kur pata bisedue çështjen e Ndue Palit me tè, mbasi Marku, ishte kenë atje kur u pat kapë trathtisht Ndou dhe ka pasë ba një deklaratë të turpëshme në gjyqin e tij.
Vetë fakti që në vitin 1947 në krahinën e Dukagjinit nuk kishte asnjë komunist të luftës dhe asnjë të ri komunist asht prova ma e saktë, që tregon ma së miri së kush ishin DUKAGJINASIT E LEKËS, burrat besnikë të Kanunit ku kryet e vendit e xen pushka dhe jo furka!
Oooooooo jepni brè kushtrimin … ku jeni, BURRA!?..
K U L L A P A R R U G Ë
“Shqiptari asht mbreti i malëve!”
Prof. Dr. G. STRAD
Njëditë gushti në vitin 1975, tue ecë në një rrugë pylli në anën lindore të fshatit Razëm, më dukej se po fluturojshe mbi pyje mbasi rruga kishte trajtën e një shkalle krejt afër majave të pemve të nalta pranë meje. Kjo shkallë nuk ishte aq thik sa ajo e Thethit por gurët ishin edhe këtu të lëmuet, ku nga patkojt e kalit, ku nga thundrat e tufave të bagëtive e ku nga opingat e malësorëve. Rruga midis atyne pemëve po më joshte aq shumë sa pa e kuptue më dukej sikur në atë tëposhte nuk po ecësha unë, por ngjitej rruga përpjetë dhe unë qëndroja në vend.
Unë veç kundërmojsha natyrën e stolisun të asaj zone që sa ma shumë tue vrojtue, aq ma shumë kambët më shtyjshin nga e panjohtuna. Dikund, aty mbas rreth një orë e gjysëm kur po afrohej mesdita takova të parin dhe të vetmin kalimtar, që mbasi më përshëndeti si zakonisht përshëndesin të gjithë malësorët njohtë e panjohtë më pyeti: “Shok, po të shoh se nuk je i këtij vendi dhe se nuk e njeh këtë krah mbasi nuk paske asnjë mjet mbrojtjeje me vedi, po due me të kallxue se këndej ka ujqë!”. Ashtu si isha në këmishë e pak i djersitun mbasi rruga kishte fillue me e ba të vetën, m’u duk se nga frika, u freskova dhe në vend mora kthesën me gishta nga thembrat, tue falënderue fort e fort udhëtarin e panjohun. Pra, u kthyem bashkë. Biseda lidhej me rastët e shumta të fatkeqsive të çobajve që edhe pse e njihnin mirë atë vend, në ato kullota ishin gjetë copa e grima e shpesh ishin njohtë vetëm prej zheleve ose opingave të shkyeme nga kopetë e ujqve.
Malësori më printe, vetëm ai fliste mbasi unë pak nga lodhja pak nga frymëmarrja e sëpërpjetës dhe pak nga habia e bukurisë vendit që në ecje e kisha lanë mbas shpinës, ndigjojshe me vëmendje malësorin mbasi për mue ishte gjithshka interesante. Pak përpara se me ardhë në Razëm ai më tregoi se banonte në Vrith, një fshat aty afër. Emnin e kishte Zef. Kur po ndaheshim më tha: ”Po erdhe ndonjë ditë andej më kërko se aty ku të ndalon makina më njohin dhe shihemi, të pres me qejfë te shtëpia!”.
Dukej rreth 45 vjeç afërsisht, mbasi jeta e vështirë ua ka shtue moshën atyne njerëzve për kah pamja.
Mbas 5-6 ditësh rastisi një makinë që shkonte ndër baxhat e Vrithit. Takova Zefin dhe i kërkova me pa ndonjë pejsazh ku të mund të vizatojsha dishka tërheqëse. Atje sa ishte hapë një rrugë e re. Ajo të zbriste në Vuçë, edhe ky një fshat piktoresk si të gjitha fshatrat e atyne krahinave. Midis malëve pyjet e gështenjave e pishat shekullore dukeshin si me kenë në një gropë. Shihej aty-këtu ndonjë pullaz që tregonte se ka njerëz që jetojnë aty. Ajo që më bani përshtypje në atë rrugë ishte vendosja e disa gurve të mëdhej mbi gur ma të vogjël. Gurët e mëdhej me format e tyne të sheshta më jepnin përshtypjen e tepsive të vendosuna mbi kokat e grave, që ecin aq në ekuilibër sa çdo çast pret kur po i bie tepsia në tokë. Kushdo mund të mendojë për ata gurë se i ka vu dora e njeriut me krijue imazhin e skulpturave moderne, po kur afrohesh e sheh madhësinë e tyne rreth 5-6 metër katrorë sipërfaqja e një guri e vendosun mbi gurët 2-3 metër të naltë dhe pa një shenjë dalte në ta, aty nuk gjen asgja me mend si janë vu, mbasi edhe malët prej nga mund të jenë zbritë janë mjaft larg. Mandej, me shka janë sjellë aty? Zefi më shpjegoi se këta gurë janë kenë aty edhe kur kishte le ai para 40 e sa vitësh, por pleqtë tregojnë se ata kanë ardhë në rrokullisje me ortiqet dhe kanë zanë vend këtu, të penguem nga trungjet e mëdha të pemëve të pyllit që ishin kenë aty para rrugës së re.Mbasi ecëm rreth 20 minuta në krahun e majtë, në zbritje jo ma larg se 10-15 metër prej rrugës së re, mbi një koder të ultë 6-7 metër mbi nivelin e rrugës ishin muret anësore të një kullës së vogël pa pullaz. Nga dritarët e hapuna shiheshin ndarje të mbrendshme gjysëm të rrënueme. Nuk shihej asnjë shenjë se ajo shtëpi ka pasë lëvizje njerëzish mbasi nuk kishte asnjë rrugë sado të vogël që lidhte shtëpinë me rrugën kryesore. Dera ishte përballë meje me një hajat të vogël që zbriste me 4-5 kambë shkallë ndër ferra. Disa gurë të shkallës kishin rrëshqitë e ra. Edhe ndër vendet boshe të atyne gurve kishin bijtë ferra. Nuk afrohesha se gjithkah ishin kaçuba ferrash, madje, edhe mbrenda shtëpisë, që shiheshin nga jashtë. Nuk kishte shenjë jete as jashtë asaj kulle. As aty afër nuk kishte shtëpi tjetër. Ajo që më mbeti në krye e nuk më lente me u largue ishte dera kryesore e kryqëzueme me ferrkuqe, të vëndosuna për mos me hy asgja, ashtu ishin edhe dritarët me ferra si dera kryqetërthuer. Pa e kuptue unë kisha mbetë i shtangun. Qëndrimi im aty i tërhoq vëmendjen Zefit, i cili më pyeti: “Pse po qëndron aty?”
– Unë iu përgjegja: -“Nuk kam pa ndonjë shtëpi kështu si kjo!” Zefi më tha: -“As mos të raftë me pa shtëpi si kjo!…”
Atëherë, Zefi më shpjegoi: -“Një natë, këtu në këtë shtëpi rreth vitit 1946, ia kishin mësye tre vetë njerëz të malit krejt të panjohtun tue i thirrë të zotit të shtëpisë: “A pret miqë sontë?” Simbas zakonit, ai ju asht përgjegjë: “Hajdeni, mirëse ju ka prue Zoti!” dhe u ka hapë derën. Nata kishte qëllue e ftohtë si netët e dimnit në këto ana. Binte borë që kur fillon nuk din me pushue një minut. Edhe kur kanë hy mbrendë udhëtarët i zoti i shtëpisë prap nuk ka njohtë asnjenin, megjithatë, si mbas zakonit tonë i ka shtue dru zjarmit, u ka shtrue me hangër me shka i kishte dhanë Zoti dhe i ka vue me fjetë. Kah drita kanë fillue me lehë qentë. Forcat e Ndjekjes u kishin ra në gjurmë mbasi gjatë natës kishin kontrollue disa shtëpi të largëta po, edhe pse nuk kishin gjetë njeri ndër ato shtëpi kah drita kishin pushkatue katër vetë prej tyne që i kishin marrë me vedi gjatë kontrollit, tue u thanë: “Ju e dini nga kanë kalue të arratisunit por nuk na tregoni né!” Ata në të vërtetë nuk kanë dijtë gja por këta i kanë vra me frigue fshatarët për me diftue. Kur kanë mërrijtë këtu i zoti i shtëpisë nuk i ka lanë Forcat e Ndjekjes me hy në shtëpinë e tij për me kontrollue. Ata kanë ngulë kambë me hy por ky u asht përgjegjë: -“Nën Zotin, kjo punë nuk bahet! Njëherë kam lé, njëherë kam me vdekë!” Dy drejtuesit e Ndjekjes, kriminelët Asllan Lici e Xhemal Selimi tue pasë frikë me hy mbrendë, kërkuan dorëzimin e të arratisunve. Ai, prap ju asht përgjegjë: -“Nuk e ha bukën me marre me dorëzue mikun, mos e thashtë Zoti me u ba kjo punë në shtëpinë teme!” Forcat e Ndjekjes kishin rrëthue anë e kand kullën dhe kanë kërkue me dalë robtë e shtëpisë jashtë, pleqtë me gra e fëmijë. Kanë dalë vetëm gratë me fëmijë, ndër to edhe një nuse me foshnje ngrykë. Burrat kanë ndejë mbrendë me vazhdue qëndresën.
Porsa gratë me fëmijë kanë zbritë nga shkalla u janë afrue Forcat e Ndjekjes, dhe Asllani e Xhemali me dorën e vet ua kanë vra fëmijët, mandej nanat e tyne. Aty asht ndezë lufta. Mbas disa orësh i fundit ndër burra ka djegë shtëpinë dhe në prak të derës kur këta mendonin se ai po dorëzohet, ka vra një ushtar që i kishte kenë afrue e mbas tij edhe vedin.
Kështu, kjo shtëpi asht shue përgjithmonë!..
Prej asaj kohe kësaj kullë i asht vue ferra!..
Vazhduem rrugën. Zefi fliste me mue e unë i zhytun në mendime flitshe me vete: Po sa shtëpive si kjo u kanë vue ferrën komunistët?!..
Ato ferra janë simboli i komunizmit që shuen fise të tana për me zhdukë bujarinë, me prishë besën dhe me turpnue burrninë.
Ajo kullë edhe sot tregon se si vdes malësori!
“KUSH MË NDALON MUE ME DERDHË GJAKUN, PËR TOKËN TEME?”
DEDË GJO’ LULI
“Vetmia asht martirizimi shpirtnuer, që kalon çdo dhimbje e varrë trupi. Dhimbja e Shpirtit nuk përshkruhet!”
Ndër këta pak rreshta do të kujtoj Ata shqiptarë, që kujtojmë se njëditë vdiqën!
Këta janë pikërisht Ata Atdhetarë që e kishin kuptue me kohë e thanë me gojë se pa shqipe s’ka burra dhe pa burra s’ka Atdhé!
Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuen.
Ata u kalbën në qelitë e Sigurimit përsëgjalli. Varrët e Tyne kulluan vetëm gjak, gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e gjuhë të përbashkët. Për né, asht e vështirë me e kuptue martirizimin shpirtnuer të Tyne, mbasi na nuk kemi provue vetminë e Tyne, dhimbjet e plagët e trupit Tyne, zanin e mekun drejtë fikjes së Tyne që përshpëriste thanjen e Mustafa Krujës: “Shqipni e andrrueme prej poetve, e dishrueme prej atdhetarëve e këndueme prej rinisë”, por realiteti në fakt kje vetëm mjerim, vuejtje e sakrificë!
Me kohë Don Palë Shantoja paralajmëronte: “Mbasi Fuqitë e Mëdha kanë hjekë dorë nga drejtësia, Shqiptarët do të derdhin gjakun e vet shumë të Shenjtë!”
-E, ashtu u ba!
KOL NURI SHELDIJA, vjeç 45, nga Sheldija e Shkodrës, deklaron: “Jam arrestue kur asht kapë Don Lazër Shantoja, kam strehue Don Lazrin për 26-27 ditë, nuk e ka dijtë kush se Don Lazri asht tek unë, vetëm Lush Hila. Kam kenë 17 vjeç shërbëtor në shtëpi të Don Lazrit. Në ditën e vjetit të ri më ka ardhë në shtëpinë teme Don Lazër Shantoja, dhe e kam mbajtë në shtëpi deri atë ditë që erdhën dhe e zunë partizanët në shtëpi, dhe i kam dhanë bukë gjatë qëndrimit. Ai ato ditë ka pritë me u dorzue.” (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945.)
Gjyqi zhvillohet me dt. 29-31 janar 1945, pra, dy ditë mbas arrestimit dhe trupi gjykues i përbamë prej: Kryetar, Esat Ndreu, antarë, Mustafa Iljazi dhe Hysni Lame, prokuror Sotir Dodona, japin vendimin me datën 31 janar 1945: “Me vdekje, me pushkatim.”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Usht. në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “…I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”.
Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë në shkresën nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës se, mori në shqyrtim aktet e të paditurit Kol Sheldija, i cili është dënuar me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë 28 shkurt 1945, Kryetari Gaqo Floqi d.v., antarë, F. Nosi d.v. dhe V. Zejneli d.v., prokuror Myftar Tare d.v.
26 ditë mbas pushkatimit të Kol Sheldisë, gjykata aprovon ekzekutimin e tij…
Kol Nuri Sheldija u pushkatue vetëm pse i dha bukë Don Lazër Shantojës.
DON NDRÉ ZADÊJA: Kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi, u thirr bashkë me popull edhe prifti Don Ndre Zadeja, i cili, menjëherë mbas pushkatimit të Kolës, iu afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjes.
Don Mikel Koliqi atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin,… ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne : “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?”
Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit (prej Lisnet), të tre të fundit “dëzertor” nga ushtria. Njëkohësisht ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe përcjellë ndër shpella “kriminela” të luftës. Don Ndreu mohon akuzën që i bahet por burrnisht pranon:
“Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si doktrine e urrej edhe unë.” (Dosja 667, deklarue më 7 shkurt 1945, Don Ndre Zadeja d.v.).
Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim”.
“I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.”
Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën.
Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër.
Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!”. Ndër pushkatimet e ditëve të para lejohej prifti. Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë varrosë mbrenda vorreve të Rrëmajit, aty ku asht edhe sot. Kur Don Toma shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të kambëve, dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas tregimit të Don Mikel Koliqit, në vitin 1993).
Atë ditë, një afishe e madhe u vue ndër murët e Shkodrës:
“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS
DHE ARMIQTË E POPULLIT:
1.Prenkë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik Bardhoku 5. Ndrekë Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli 8. Gjok Nikaj 9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami 13. Gjok Nikoll Voci 14. Pjetër Dedë Gjedashi.”
Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”
NDUE MIRASH PALI: vjeç 23, nga Shkodra, i biri i Mirashit dhe i Mrikës Gjelosh Vatës.
Per fat Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme ruen dosjen e Tij.
Dosja nr.1108 hapet kështu:
“ V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,
Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
“Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.
Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve!
Të fala familjes.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
Në proçes-verbalin e mbajtun në seksionin e mbrendshëm të Shkodrës nga komisioni hetues, i përbamë prej: Hetues, Koço Dilo, Nestan Ujaniku, Shefqet Dibra, Arif Gjyli dhe Haki Llazani, i arrestuemi Ndue Pali thotë: “…Kam agjitue për Ballin Kombëtar. Me gjermanë kam kenë oficer i ndërlidhjes në batalionin “Vërmoshi”. Kam punue me krenët e Malësisë së Madhe (“Besë-Lidhja”), kam kenë mandej në dispozicion të Komandës Shkodër. Kam marrë pjesë në operacionin e Llesh Marashit e Hasan Isufit, nga Shllaku e deri në Vrakë. Në këtë operacion u arrestuen: Faik Dibra, Rifat Muja, Nedime Baku dhe një partizan Halil. Gjoni i Markagjonit më tha me shkue në Dukagjin por unë nuk shkova, e din Riza Dani e Kol Prela…Faik Dibra ka kenë shoferi i makinës së Ndrec Prengës kur asht vra. Atëherë ishe i arratisun…Në listat e internimëve në Prishtinë nuk kam ba pjesë, ato i ka ba policia me Hasan Isufin...”
Në gjyq deponojnë kundër Ndue Palit: Vasil Kavaja, Selim Rama, Sadik Bekteshi, Beqir Ndou, Mark Prela, Arif Gjyli, Mark Uli etj.
Trupi Gjykues përbahej prej: Kryetar, Mustafa Iljazi, antarë, Orest Papadhimitri dhe Pjetër Daragjati, prokuror Aranit Çela. Vendimi u dha më 14 korrik 1945.
Arkivi ruen edhe një letër që Ndue Pali i dërgon Riza Danit, me anë të së cilës Ndou kërkon prej Rizasë mundësinë e ndërmjetsimit për me u dorzue.
Në dosje ruhët edhe mbrojtja që avokat Paulin Pali i ka ba Ndout, tue kërkue: “…ju lutëm ndryshoni vëndimin e caktuem, në burgim të përjetshëm, i sigurt në ndjenjat e drejtësisë njerzore të Gjykatës së Lartë. (më dt. 14 korrik 1945).
Mbrojtja e Paulinit ka titullin “Liri, Nderë e Burrni”, ku, ndër pesë faqe të daktilografueme, avokat Paulin Pali i len jurisprudencës shqiptare një thesar të vërtetë nga mendja e tij e ndritun.
Me datën 15 gusht, aty nga ora 3.30 e mëngjezit, kur rojet e burgut të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët me marrë të dënuemit me vdekje për me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të papritune që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët gjetën aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare.
Heroizmi i Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e popullit të Shkodrës!
Akti heroik i vdekjës së tyne u kthye në një legjendë. Ata trandën hekrat dhe murët e burgjeve komuniste në gjithë Shqipninë.
Më 2 nandor të atij viti, si gjithmonë, kujtonim të vdekunit. Ishim ndër vorret e Rrëmajit që atë ditë marrin një pamja madhështore dhe papritmas u hap fjala, se mbas murit të vorreve janë rregullue disa vorre të njerëzve të pushkatuem. Si fëmijë kaluem mbas Pendës së Kirit kur shka me pa?!… Një kortë i vërtetë. Drejt me çinarin e dytë ishin pesë vorre të bame me gurtë e Zallit të Kirit, të mbuluem me guraleca të vegjël, të bardhë si biluri. Tre prej tyne me kokë nga Penda ishin me Kryqa, ndërsa dy që hynin ndërmjet me fëtyra përballë atyne të treve, kishin shenjën e Myslimanëve. Ndër të gjithë shenjat varëshin fotografi të mëdha (rreth 35×50 cm.). Ishin fëtyrat e Atyne djelmëve të pushkatuem në lule të rinisë. Te koka e secilit vorr ishte e ulun kacuk nana ose një i afërm i të vramit. Mbi gurët anësor të vorrit ishin të rreshtueme cigare, të cilat dy a tre nga të afërmit ose miqë ua shpërndanin burrave që vinin aty.
Kujtoj, se mbi vorrin e Ndue Palit e Kol Sokolit kishte edhe fruta tek fundi i vorrit. Ishte zakon i malëve. Në mes të Ndout e Kolës, me fëtyrë përballë, ishte Caf Meti. Emnat tjerë nuk i kujtoj. Nën fotografi kishte lule të bardha dhe të freskëta që na kujtonim se lagëshin nga lotët e atyne nanava me futa të zeza e degërmia të bardha, ato vetem u merrnin erë atyne luleve, por jo, jo tue kja loçkat e zemrës së tyne që ua kanë tha shpirtin për gjithë jetën. Asnjenës nuk i pashë pikë loti.
Aty kuptova se Herojtë Nanat Shqiptare nuk i vajtojnë!…
Për pak minuta erdhën disa makina me ushtarë të mbrojtjës, filluan me vrritë si bishat e tërbueme. Kur filluen krizmat e automatikëve na ikëm me vrap prej frikës.
Mbas asaj ngjarje nuk bahej fjalë ma për vorre të pushkatumëve. Aty ai vend u mbush me pleh e mbeturina, me kafshë të ngordhuna, me pisllëkun e pusave të zezë të qytetit, që karrocat hillnin sipër me zhdukë çdo gjurmë. Aty-këtu filloi ndërtimi i ndonjë shtëpisë ku Sigurimi solli të besuemit e vet me qëndrue gjithënjë në roje. Megjithatë, kishte ndër kaçuba e ferra ndonjë qiri të ndezun e të futun mbrenda në një kuti teneqeje që mos të fikej. Ai qiri derdhte lotët e tij në atë vend të bekuem.
Po, sot, pse asht ashtu ai vend ?!….
Mos harroni, historia përsëritet!
PJETËR GEGË GURAKUQI: “Kriminel lufte dhe armik i popullit”. Pse asht i këtillë?
-Pse ka lé në Shkodër… më 2 janar 1912. Mbas mësimeve të para në vendlindje, gjimnazin e ka krye në Beograd. Akademinë Ushtarake e ka përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, e në vitin 1932 këthehet në Shqipni. Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve. Me ardhjen e Mahmut Golemit si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat e shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri me shkue prap në Berat.
I përgjigjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan. Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty.Në janar të vitit 1945, arrestohët si “kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit… Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje…”
Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap. I Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare.”
Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh fare. Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar”. (Dosja nr. 318). Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit, ku shënohet: “…Si paraqitet Pjertri ? – Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për té…Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e k j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është shumë i kënaqur.
Mejtimi ynë: Pjetrit t’i këthehet në burgim të përjetëshem. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën që mund të japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.
I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun.Ceno (Hysen) Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të betuar.
Misto Bllaci d.v.
Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës.
Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi.
Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e komandantit”….
Cila ishte përgjigja?
“Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë Ushtarake
Tiranë 3 shtator 1945
Nr. 08-134/I-Prot.
GJYKATËS USHTARAKE – Berat
Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:
Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
- Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
- Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashniku,
- Skënder Sadik Çaushaj nga Plashniku.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të përjetëshëm.
V.F.L.P.
Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”
Përgjigje me datën 1 tetor 1945:
“Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e sipërm.
Vullneti i tyre i fundit qé: “RROFTË SHQIPËRIA”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake:
Kap. I Bexhet Mema d.v.”
“Komandanti” për të gjithe donte me dijtë vullnetin e fundit!!
*Nga libri “Një monument nën dhé” i Fritz Radovanit
Komentet