Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka publikuar ditën e sotme një mesazh ku është kërcënuar me jetë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kamberi bëri me dije se prej muajsh tashmë Serbia po mundohet për të ndërtuar një realitet virtual ku të krijohet perceptimi se rrezikohet jeta e serbëve në Kosovë.
Ndërkohë tha se e vërteta është se ajo që është e rrezikuar është liria dhe jeta e shqiptarëve në Serbi.
Postimi i plotë:
Për muaj me radhë, Serbia po mundohet për të ndërtuar një realitet virtual të gjoja rrezikimit të jetës së Serbëve në Kosovë.
Ndërkohë, sa është e rrezikuar liria dhe jeta e shqiptarëve në Serbi flasin rastet e shumta të diskriminimit.
Dënimi i para disa ditëve i kryetarit të Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi, për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar me 28 nëntor të vitit të kaluar, paraqet vetëm një nga rastet e këtilla .
Ndërkohë, sot, përmes rrjetit social Facebook, nga një person i panjohur kam pranuar kërcënime të drejtpërdrejta për jetën time.
“Mjaft me rrëmbime, ndërsa sa të përket ty personalisht, ruaje gjithmonë shpinën kur të shkosh dikund. Nuk do të kuptosh asnjëherë kur do të vij për kokën tënde”, është teksti i mesazhit që kam marrë, përmes mesengerit, nga personi Danijell Millkoviç.
Kjo është atmosfera në të cilën punojnë, veprojnë dhe jetojnë shqiptarët, në Serbinë autoritare të Aleksandar Vuçiçit.
Kjo klimë antishqiptare, për vite me radhë po stimulohet nga mediat pro-qeveritare dhe deklaratat e shpeshta fyese të qeveritarëve serb.
Kjo atmosferë diskriminuese e kërcënuese është arsyeja kryesore e kërkesës tonë për zgjidhje simetrike të të drejtave të komuniteteve.
Puna jonë vazhdon, ajo nuk do të ndalet, as për shkak të kërcënimeve abstrakte e as atyre konkrete që mund të vijnë.
Të vërtetën do ta themi, pavarësisht se të tjerëve nuk i pëlqen.bw