nga libri: ”Në kujtesën e pemëve”
ME DY LOPATA PREJ MJEGULLE
Qenka boshatisur sonte kjo dhomë,
Sa që do të çmenden yjet.
Nga mungesa jote e përditshme,
Nëpër vazot e kristalta po thahen lulet.
Ti ishe frymëmarrja e gjetheve,
Dega mbi të cilën
Zbresin zogjtë e vetmuar
Dhe presin të zbardhet agullima, zgjuar.
Në hapin e parë gabuam.
Mes hundoreve mbetëm pa fjalë,
U hutuam.
Asnjë parathënie e mirëfilltë s’mundi të na dalë.
Sa herë që shtroja pyetje
Për prejardhjen e dashurisë,
Ti në heshtje
Shikoje fluturimet e zogjve mes stuhisë.
Pa ty netët ishin të gjata.
Sterra me dy lopata prej mjegulle
Llamburiste tej hapësirës,
Që mendja ime t’ia dilte errësirës.
VETËM NJË FLUTUR E KALTËR
Në netët pa gjumë, kur më zë uria,
Mbush shpirtin me një kafshatë të shpifur
Dhe nga trishtimi
Në heshtje meditoj për pëllumbat e ikur.
Në këtë kotësi, mëkoj kotësinë time.
S’ka të trokitura sonte.
Asnjë korb i zi
Një çast nuk ndalet në dritaren time.
Me ditë të tëra pres,
Pres të hapen portat e kyçura.
Vetëm një flutur e kaltër
Ndalet te xhamat e palara të natës.
Ndalet dhe troket në shpirtin e sterrës.
Asnjë zë nga Brenda,
As nga jashtë.
Nuk di kush trokiste atë mbrëmje të lashtë.
ECIN PËR ASKURRKUND
Fytyrat që më dalin parasysh
Duken pak si të lodhura.
Ngarkuar me një dozë dhembjeje,
Ecin për askurrkund.
U ngjajnë trenave të shfrenuar të netëve.
Hijet me vragë e buzëqeshje të humbura
Me siguri e kanë lënë diku peng gëzimin.
Orë e çast nga sytë e tyre pikon nostalgjia.
Fytyra të zbrazëta rrjedhë zbrazëtia,
Ngarkuar me pikëllimin.
Çfarë s’shoh nëpër shëtitoret
E qytetit të lumëbardhit…
Njerëz me fytyra prej plastike,
Me maska të huazuara hipokrizisë.
Dhe era mbi një degë dëllinje
I përcjellë lëvizjet monotone të njerëzisë.
NË KUJTESËN E PEMËV
Tok me gjethet e shkundura
Në kujtesën e pemëve,
Paska rënë edhe një mbrëmje tjetër.
Që larg, nga fundi i lagjes, vijnë zërat
Dhe tingujt e një kënge të vjetër.
Nga sytë e sëmurë të pemëve
Bien gjethet e kalbura.
Ofshan si Drini i bardhë vjeshta e vonuar.
Nën çardakët e mëhallës
Serenatat s’paskan të mbaruar.
Çezma i lau sytë e heshtjes.
Mbrëmje si kjo
Kurrkund, prej kohësh s’kam gjetur.
Në oborrin tonë
Një puhizë po ledhaton çarçafët e nderur.
Muzgu i vonshëm
Trokiti nëpër dyert e lashta.
Të lehurat e qenve janë aq miqësore
Sa e bëjnë njeriun
T’i ndryshoj mendimet e mbrapshta.
U NGJAJMË TË BURGOSURVE
Ecim mes fjalëve të mundshme
E të pamundshme
I përtypim gjurmët lidhur me erë
Dhe ua kthejmë shpinën drurëve të prerë
Në mëngjes me lotin e vesës i lajmë sytë
Kurse mbrëmjeve të vona
Dehemi me kujtimet e përditshmërisë
Me të pamundshmen e fjalëve tona.
Nga përtacia jonë, çdo menatë
U ngjajmë të burgosurve me pizhama
Vija të bardha, të kaltra
Kafeja e parë e mëngjesit sikur na jep flatra.
E dikur vonë, fjalët e të gjitha llojeve
I hedhim pas shpine nga dashuria
Dhe me një delikatesë të paparë
Zgjedhim ato fjalë që meriton poezia.
Ma i forte se shkambi! Ju uroj shndet e jete te gjate. Me respekt.