Në foto: Nuhi Memishi
( si një ngushëllim i vockël për Familjen dhe të afërmit e këtij Djaloshi që na iku duke na e lënë të përjetshme, vetëm këtë buzëqeshje )
Ai e kish trashëguar emrin e gjyshit të tij, Nuhiut, që ish lindur, rritur e burrëruar thellësive malore të Karadakut, n’ato shpatije të rrëpinjta të njërës nga lagjet më martire, Iseukaj.
Kam pas ndejur sa herë me gjyshin e tij, kam pas biseduar gjerë e gjatë edhe për atë masakër që s’harrohet sot e kësaj dite, e që ndodhi më 2 e 3 dhjetor 1944 nga brigatat sllavo – komuniste të kohës…
Nipi i tij, Nuhiu i Ri, të cilit sa ishte i vogël, ia tregoja se si e bën arusha frizurën e flokëve, pak se e mbante mend gjyshin. vetëm tjerët kur i flisnin për të. Qysh si fëmijë, kish mërguar bashkë me Familjen e ngushtë, në Zvicër.
Aty mes Gjenevës, në afërsi të liqenit, kishte lëshuar shtat, pak mustaqe si dhe më pas, kish zënë të krijojë edhe Familjen e tij.
Vajza dhjetëvjeçare, Nora, si dhe djali, Rajani, që tash edhe pak ditë shënon njëvjetorin e ardhjes në jetë, e mbushën edhe më shumë me gaz e jetë, përditshmërinë e tij mërgimtare, aty ku, babai i tij kish derdhë mund e djersë për mbi dyzet vite, derisa një ditë e kish lëshuar fryma.
Pasditën e kësaj të hëneje, ai e nxori djalin, si rëndom, për pak ajr të pastër e këndellje, aty buzë Liqenit, ku dilnin me andje, herë me gruan e vajzën, herë me gjithë Familjen që e kishin atje e, së voni, edhe me dritën e tij të syve, njomakun e vogël që mbushte me buzëqeshje jo vetëm zemrën e tij por, edhe gjithë atë banesë, ku ai po e kalonte moshën e mesme të jetës.
Shetitën e shetitën bashkë me gruan e fëmijët, gati sa u lodhën.
Moti ish i vrenjtur, rrugëtt ende s’ishin tharë prej shiut që kishte rënë, orë më parë. Pritej sërish të binte.
Nuk donte t’i lagej djali. Iu kthye së shoqes:
– Ramize, merre djalin e ec e shko brenda, bëje bukën gati. Është dita e parë e agjërimit e, le ta mbushim erë buke e gëzimi sofrën tonë !
Ajo, nuk tha as po, as jo, vetëm, “mos u vono dhe ti”, e shkoi.
Nuhiu deshi të endej edhe pak me biicikletë. Tash krahët i kish të lirë. “Sa të bëhet buka gati”, mendoi. “edhe koha më ikën më shpejt”. E, iu dha petaleve. hajt e hajt e hajt …. derisa për një moment, si pikla shiu, si miza mbrëmjeve, iua prekën qepallat. Ktheu kokën kah qielli, ashtu në fluturim e sipër dhe …. fluturoi e fluturoi , fillimisht përpjetë… e pastaj si në hark e ra, në Liqe ….
Gruaja tashmë kish shtruar Tryezën. Rreth saj i kish afruar edhe Dy dritat e syve. Vajzën e djalin. priste në çdo moment kur të bie zilja e’ t’ia hapte drenën Nuhiut. Por.. pritja e saj ishte e pa fund dhe e pa shpresë…
Nuhiun nuk e solli as mëngjesi i ditës tjetër ….
tek pas dy dite, trupi i tij u nxor pa shenja jete prej Liqenit dhe tashmë po përgatitet për t’u nisur e për t’u prehur përjetshëm, në vendlinjen e tij, Preshevë, aty ngjitas gjyshit diku, e ngjitas babait.
Se, kështu thonë, deshi i Lumi, Ai që na solli e na merr kur të dojë …
Komentet