Juventusi bëri një ndeshje të madhe dje ndaj Atletikos së Madridit, duke fituar me shifrat 3-0, e duke u kualifikuar kështu në raundin çerekfinal të Champions League. Më poshtë, notat për të dyja ekipet.
JUVENTUS
SHEZNI 6 – Pa një ndeshje si spektator pa biletë. Iu desh të ndërhynte vetëm te një gjuajtje e hidhur nga jashtë e Grizmanit.
KANSELO 7 – I ndrojtur në pjesën e parë kur nuk përfitonte nga hapësirat që linin Lemari me Huanfranin. I shkëlqyer në të dytën, sepse jo vetëm që shtyn shumë përpara, por dha edhe asistin e golit të dytë.
BONUÇI 7 – Ishte regjisori i parë i skuadrës së tij, duke lënë pas krahëve atë paraqitje zhgënjyese në Madrid. Tregoi klasin e tij duke luajtur me qetësi dhe me siguri të plotë, ndërsa Grizmani me Moratën as që e gudulisën fare. I përpiktë në leximin e lojës.
KIELINI 7,5 – Gladiatori i zakonshëm dhe vulosi sfidën e 500-të me një paraqitje madhështore. Fshiu nga fusha Moratën dhe shënoi edhe një gol që iu anulua me VAR. Thjesht perfekt.
SPINACOLA 7 – Surpriza e mbrëmjes së djeshme. E nis mirë me disa galopime duke i futur tmerrin Ariasit. Shumë potencë dhe personalitet deri sa i la vendin Dibalës. (Nga min 67′ DIBALA 6 –Hyri me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe ndihmoi ekipin të përmirësonte gjeometrinë në fushë. Kush mendoi se ishte i demoralizuar prej stolit, gabohej rëndë).
ÇAN 7,5 – Provë e madhe e mesfushorit që shpeshherë vepron edhe si sulmues i fshehur, por edhe si qendërmbrojtës. I bëri mirë detyrat dhe kombinoi në mënyrë efikase me Kanselon kur ky i fundit dilte në sulm. I kudondodhur.
PJANIÇ 6 – Nuk ishte edhe aq brilant dhe megjithëse u përpoq të improvizonte në fillim, u kthye shumë shpejt të bënte regjisorin e thjeshtë. Në pjesën e dytë pati probleme në këmbë, por shtrëngoi dhëmbët.
MATUIDI 6,5 – I pari që tentoi golin me një gjuajtje nga jashtë që u përplas në trupin e Godinit. Më pas, kur Juvja hidhet e gjitha në sulm, ai ruan mirë balancat dhe është i vëmendshëm sa herë Atletiko merr topin në zotërim. Lojtar shumë i çmuar.
BERNARDESKI 8 – Pjesa e parë ishte për kornizë: Asist për Ronaldon dhe një goditje dënimi e frikshme. Luftoi si luan në pjesën e dytë deri sa mori edhe penalltinë e golit të tretë. Tani e kuptojmë më mirë pse Alegri i besoi atij vendin e titullarit dhe jo Dibalës.
MANXUKIÇ 5 – Nuk ishte në formën e duhur fizike dhe megjithëse shokët i ofruan disa pasime, ai nuk bindi asnjëherë. Godin dhe Gimenez i paraprijnë gjithnjë dhe asnjëherë nuk u shfaq i rrezikshëm. (Nga min 80 KIN 6 – Hyri dhe pas dy minutash pati rastin e artë për të mbyllur takimin. U përshtat mirë me ritmin dhe mbajti në ankth mbrojtjen rivale).
RONALDO 9 – Deri tani në Champions ishte jashtë parashikimeve, sepse kishte shënuar vetëm një gol. Por në ndeshjen më të rëndësishme dhe më të komplikuar u përgjigj siç di ai. Shkeli me këmbë Huanfranin dhe shënoi golin e parë. Kërceu mbi Gimenezin dhe Godinin dhe shënoi të dytin. Lëshoi një predhë nga penalltia dhe shënoi të tretin. Festimet e tij plot zemërim treguan se sa e ndiente këtë ndeshje. U konfirmua “macja e zezë” e Atletikos me një tripletë të rëndë. Monumental.
Trajneri ALEGRI 7,5 – Bëri të gjitha lëvizjet e duhura. Rrezikoi shumë me Bernardeskin në vend të Dibalës, por italiani nuk tradhtoi. Vendosi befasisht Spinacolën në krahun e majtë dhe Atletiko nuk kuptonte fare se ç’bëhej aty. Më pas futi edhe Kinin në fund fare duke rrezikuar pa fund. U shpërblye me një përmbysje fantastike. Ishte Juventus magjik dhe për meritë të tij.
ATLETIKO
OBLAK 6 – Shumë i zoti me reflekset, por nuk kishte menduar se Juvja do shënonte dy gola nga pika më e fortë e Atletikos: nga ajri.
ARIAS 5 – E humb që në start duelin me Spinalcolën dhe pastaj trulloset fare. Hallka më e dobët e mbrojtjes së spanjollëve.
GODIN 5,5 – Në dyshim deri në minutat e fundit, sepse kishte probleme fizike. Provoi me të gjitha mënyrat dhe luftoi sa mundi, por ka përgjegjësi te goli i dytë i Ronaldos.
GIMENEZ 5,5 – Bëri një gabim trashanik në golin e dytë të Ronaldos sepse ishte pozicionuar keq.
HUANFRAN 5 – Vendimtar te goli i parë i Juventusit kur i humbi nga shikimi Ronaldo. Pas atij momenti nuk e mori më veten dhe në minutat e fundit u zhduk pothuajse fare, sepse Juvja bëri çfarë deshi në krahun e tij.
SAUL 5 – Mesfushorët e Juves e futën në “morsë” dhe ai ishte gjithnjë në kohë vonesë. Pak i dobishëm për skuadrën në fazën ndërtuese.
RODRI 5 – E njëjta gjë si edhe me Saulin. Ndeshje anonime për të, sepse praktikisht nuk e sheh asnjëherë topin. Ndoshta edhe sepse Atletiko ishte e vendosur keq gjithnjë.
KOKE 5- Dukshëm Siemone i kishte kërkuar që ai të mendonte më shumë për mbrojtjen dhe jo për sulmin. Por, me sa duket, e kishte marrë aq shumë seriozisht, saqë me kalimin e minutave u shndërrua në një mbrojtës i djathtë duke mos bërë asgjë në fazën ndërtuese.
LEMAR 5 – Mesfushor në letër sepse në fushë ishte thjesht një mbrojtës krahu. Gabime pa fund në zotërimin e topit, pak i guximshëm në dalje dhe shpesh i hutuar. Simeone e hoqi me të drejtë nga fusha pas një ore.
KORREA 4,5 – Duhej t’u jepte një shkëndijë miqve, por prej një gabimi naiv vulosi kualifikimin e Juves në çerekfinale. Shkaktoi penalltinë e Bernardeskit në minutën e 85-të. Një çmenduri e vërtetë.
GRIZMAN 5 – Një fantazmë. Mjaftoi gjesti që bëri në fillim të pjesës së parë kur mori topin dhe në vend që të avanconte drejt portës rivale, ngadalësoi për të përfituar sekonda. Ky ishte mentaliteti i gjithë Atletikos: të zvarritemi.
MORATA 5 – Mori pjesë pa dashje tek aksioni i golit të parë të Ronaldos, kur me një pasim gabim ua dha topin juventinëve. Pati një rast të mirë, por nuk e çoi sferën në rrjetë. Në pjesën e dytë pastaj Kielini e “fut në xhep” dhe nuk i lejon asnjë milimetër hapësirë.
Trajneri SIMEONE 5 – U paraqit në Torino me dy gola avantazh dhe vendosi të mbrohej sa më shumë të mundej. Pas 11 minutash, skuadra e tij ishte e gjitha duke vrapuar pas topit sepse Juvja bënte ligjin. Me një lojë të tillë nuk mund të shkosh larg në Champions. Kjo ishte humbja më e rëndë nën drejtimin e tij dhe jo vetëm në planin taktik, por edhe moral.
Komentet