Regjisorja nga Kosova, Norika Sefa, e ka fituar çmimin për dokumentarin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit të Sarajevës të premten, me filmin e saj “Like a sick yellow” (“Si e verdhë e sëmurë”).
Ky është çmimi i dytë që Sefa e fiton me këtë film brenda këtij muaji, pasi “Like a sick yellow” u zgjodh filmi më i mirë kombëtar në festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar “Dokufest”, më 10 gusht në Prizren.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, e uruan Sefën për çmimin e fituar në festivalin e Sarajevës.
“Urime Norikës dhe gjithë ekipit të prodhimit për këtë çmim kulmor dhe fitore shumë domethënëse”, shkroi Kurti në Facebook.
Çeku e vlerësoi çmimin e fituar nga ajo si “edhe një arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë”.
Ndërkohë, çmimin kryesor në Festivalin e Sarajevës në Bosnje e Hercegovinë e fitoi filmi “Three kilometers to the end of the world”, i regjisorit nga Rumania Emanuel Parvu, pasi e mori çmimin “Zemra e Sarajevës” për filmin më të mirë artistik.
Ky ishte Festivali i 30-të i Filmit në Sarajevë dhe përfundoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve të premten.
Gjatë festivalit u shfaqën më shumë se 250 filma nga e gjithë bota. REL