Në mars të vitit të kaluar u mbushën 50 vjet qëkurse Fan S. Noli i madh u nda nga jeta. Shqiptarët e Amerikës, me të drejtë, e quajtën “Viti Nolian”, i cili aq sa u pasqyrua në media, nuk rezultoi i tillë. Ai u përkujtua në fillimet e tij, me sa kam dijeni, në New York nga “Vatra” e themeluar prej tij, në Tiranë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në përmbyllje të këtij viti në Boston nga “Biblioteka Noliane”. Këto tri veprimtari shkencore dhe artikujt e paktë që u botuan për këtë figurë madhore të historisë kombëtare, për mendimin tim, nuk arritën ta shndërronin 2015-n plotësisht në Vit Nolian. Edhe vetë ato nuk gjetën jehonën që u takonte në shtyp.
Fan Noli (1882-1965) figurë madhore dhe e gjithanshme e letërsisë, kulturës, fesë, mendimit politik-shoqëror, dhe jo më pak dhe i politikës shqiptare meritonte dhe mundësonte një përkujtim madhështor. Veprat e tij dhe aktiviteti i shumanshëm atdhetar dhe demokratik i shërbejnë fuqishëm të sotmes në përpjekjet e popullit tonë për jetësimin dhe çuarjen përpara të demokracisë në Shqipëri. Kjo vlen aq më tepër sot kur shoqëria jonë ballafaqohet jo vetëm me probleme të reja, por dhe me detyra që mendoheshin të kapërcyera. Mjafton të kujtojmë midis të tjerash kontributin e tij madhor për kishën autoqefale shqiptare si dhe luftën e tij për demokraci jo vetëm në fushën e mendimit, por dhe në udhëheqjen e lëvizjes demokratike.
Në themelet e këtyre përpjekjeve noliane qëndron “Programi i Nacionalistëve” i parashtruar prej F. Nolit në qershor të vitit 1914. Ai paraqiti pikëpamjet politike dhe shoqërore më të plota dhe më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare e Demokratike Shqiptare fill pas Shpalljes së Pavarësisë.
Kur u botua programi i Nolit, ishte njohur nga Fuqitë e Mëdha pavarësia e Shqipërisë, ishin caktuar kufijtë që e përgjysmuan atë, ushtritë e huaja po largoheshin nga territoret e shtetit shqiptar. Greqia kishte pranuar të largonte trupat e rregullta nga i ashtuquajturi “Vorioepir”, pa hequr dorë nga synimet shoviniste. Princi V. Vidi qe vendosur në Durrës dhe kishte krijuar qeverinë. Regjimi i tij po njihej jo vetëm nga fuqitë që e kishin caktuar por edhe nga shtete ballkanike. Dhe ende nuk kishte nisur rebelimi dumbabist esadisto-turkoman kundër princit.
Në këto rrethana, patriotët demokratë, Fan Noli ndër të parët, menduan se kishte ardhur koha për të parashtruar programin e tyre për zhvillimin demokratik të Shqipërisë të përgjysmuar. Në të jepet koncepti i ri i nacionalizmit shqiptar në kushtet, kur detyrat e Revolucionit Kombëtar në rrafsh mbarëshqiptar do të mbeten gjatë pa u realizuar.
Pikëpamjet e parashtruara në Programin e Nolit janë pjekur dhe formuluar, në vija të përgjithshme, që në etapën përmbyllëse të Rilindjes. Tani autori i riformuloi ato në përputhje me ndryshimet që diktonte Shpallja e Pavarësisë.
Besohet se është me interes të bëjmë fjalë për këtë dokument të rrallë dhe fare pak të njohur në këto ditë, kur bie dhe 134 vjetori i lindjes së Nolit.
“Programi i nacionalistëve” shënon një hop të dukshëm midis mendimit politik shoqëror të Pavarësisë dhe atij rilindës. Pikëpamjet e tij qëndrojnë më lart se ato të shumicës së bashkëkohësve, qofshin bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Për t’u bindur për këtë mjafton të kujtojmë Parashtresën që F. Konica, i paraqiti princ V. Vidit, më 9 dhjetor 1913.
Le të kujtojmë, se deri më atëherë Faiku kishte qenë, për disa muaj, në shërbim të politikës së mbrapshtë separatiste të Esad Toptanit. Duke qëndruar në pozita esadiste F. Konica nuk arriti të shpaloste një vështrim tërësor për problemet që qëndronin para principatës së re. Nisur nga interesa të ngushta personale dhe klanore, me frazeologji pseudoatdhetare e këshillonte princin që të mos qaste në administratën e tij intrigantët, e trashëguar nga regjimi osman, të paaftë t’u futeshin detyrave shtetërore. Disa prej tyre, kundërshtarë të ashpër të mëmëdheut shqiptar. Këta analfabetë, hajdutë, vrasës dhe tradhtarë gjendeshin vetëm në mesin e funksionarëve dhe xhandarëve të qeverisë provizore nën të cilën, sipas Faikut, vuante Shqipëria.
Kështu ia prezanton Faiku princit shqiptarët, që kishin mbështetur besnikërisht Shpalljen e Pavarësisë dhe Qeverinë e Vlorës, bartës të sovranitetit shtetëror të Shqipërisë së re.
Me gjithë përpjekjet për ta bindur princin për meritat personale Faik beu nuk arriti më lart se sekretar ministrie në dikasterin e drejtuar nga shefi i tij i deridjeshëm, Esad Pasha.
Konica i bën moral princit, se Shqipëria kishte “nevojë për drejtësi dhe vendosmëri në qeverisje dhe jo për despotizëm.” Kështu shprehej Faiku, i cili do të ngulte këmbë pas pak vitesh, se Shqipëria kishte nevojë për një dorë të fortë, për një diktator. Këtë dorë ai shprehet i sigurt se e kishte gjetur te Esad Pasha.
Në kundërshtim të hapur me parimet që i predikonte sovranit ai paralajmëronte, se thirrja e një asambleje kombëtare për të miratuar përzgjedhjen e tij prej Fuqive të Mëdha, do të na “ishte e rrezikshme për shkak të karakterit antikatolik që fatkeqësisht, shtypi dhe agjentët italianë, misionarët protestantë shqiptarë dhe vetë Esat Pasha, i kanë veshur kandidaturës së Princ Wied-it”. Pra, kandidatura e princit protestant nuk rrezikohej nga fanatizmi mysliman.
Me gjithë liberalizmin e pretenduar të F. Konicës, përmes sofizmash lidhur me vështirësitë e princit për të gjetur një person të përshtatshëm për kryeministër, edhe ky pa portofol, ngre kokën përpjekja e Faikut për t’i mbushur mendjen sovranit se ai ishte njeriu më i përshtatshëm për ta ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të tilla.
Krejt ndryshe nga parashtresa me synime të ngushta e Faikut për sigurimin e pushtetit nga esadistët, Programi i nacionalistëve i hartuar nga Noli ndalet në detyrat më të rëndësishme të shtetit të ri shqiptar në fushat kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të tij. Ato qenë ruajtja e pavarësisë politike dhe ekonomike të vendit, zhvillimi i tij në rrugë demokratike në luftë me ndërhyrjen e huaj. Nga ky këndvështrim ai parashtron mendimet e tij për çështje madhore si forma e regjimit, rimëkëmbja ekonomike e vendit, zgjidhja e çështjes agrare, ngritja e shkollës kombëtare, shkëputja e institucioneve fetare nga qendrat e huaja.
Në fushën e politikës së jashtme Fan S. Noli kërkonte shkëputjen e vendit nga ndërhyrjet e qeverive të huaja në shtetin e ri, hedhjen poshtë të kapitulacioneve që fuqitë imperialiste kërkonin t’ia impononin vendit tonë edhe pas shkëputjes nga Perandoria Osmane; vendosjen e të gjitha marrëdhënieve me shtetet ballkanike pa ndërmjetësinë e të tjerëve. Ndërsa midis përfaqësuesve të çifligarëve dhe të reshperëve (tregtarëve të mëdhenj) vlonin diskutimet rreth orientimit të shtetit shqiptar kah njëra apo tjetra fuqi e madhe, Noli ngulte këmbë për një qëndrim të njëjtë ndaj secilës prej Fuqive të Mëdha.
Edhe në politikën e brendshme autori i Programit këmbëngulte për shporrjen e çdo ndikimi të huaj. Organizimi i administratës, për kushtet e vendit tonë nuk mendohej të bëhej pa ndihmën e specialistëve të huaj, të siguruar, sipas tij, nga shtete të painteresuara drejtpërsëdrejti në Ballkan. Ai propozonte gjithashtu zgjedhjen e një këshilli pranë princ V. Vidit.
Në fushën e zhvillimit ekonomik në program parashikohej ndalimi i vendosjes së kolonive tregtare të huaja në vendin tonë. Parashtrohej gjithashtu ndalimi i dhënies së privilegjeve tregtare shteteve të veçanta. Përkundrejt kësaj, kërkohej liri e plotë për formimin e shoqërive me kapitale të përbashkëta vendase. Ky ishte një mendim shumë i përparuar për kohën, shumë më i përparuar se mendimi mbizotërues që ekzistonte për këtë çështje. Atë nuk arriti ta bënte të vetin as Qeveria e Vlorës edhe pse në gjirin e saj ekzistonte shqetësimi që koncesionet ekonomike të mos i shërbenin forcimit të ndikimit politik të shteteve të interesuara, të ndërhynin në jetën e brendshme të vendit.
Më 1921 Luigj Gurakuqi do të kujtonte në Kuvendin Kombëtar, se në Qeverinë e Ismail Qemalit diskutohej, që ato shtete që kishin interesa, kuptohet politike, në Shqipërinë e Sipërme t’u epeshin koncesione ekonomike në Shqipninë e Poshtme dhe ata që kishin interesa politike në Shqipërinë e Poshtme t’u epeshin në të Sipërmen.
Për sa i takonte formës së regjimit, pasi pranon pa diskutim vendosjen e principatës së caktuar nga fuqitë evropiane, Fan S. Noli ndalet në rrugët e vendosjes së regjimit parlamentar. Ai, fillimisht, ishte për formimin e një senati të caktuar nga princi në përpjesëtim me klasat shoqërore të vendit, duke preferuar midis tyre atdhetarët e sprovuar. Në fillim ky senat do të kishte vetëm fuqi këshilluese dhe më pas do të merrte edhe fuqi ligjvënëse. Më vonë do të formohej, krahas senatit, edhe parlamenti, anëtarët e të cilit do të zgjidheshin nga populli pa kufizime.
Siç shihet, Fan S. Noli e mendonte jo të lehtë e të shpejtë vendosjen e regjimit parlamentar asokohe. Ky qëndrim lidhej jo vetëm me rrethanat e jashtme, por edhe me pozitën e brishtë ekonomike dhe politike të borgjezisë së re shqiptare. Në parashikimet e matura të Nolit duket qartë, se prapa tij qëndronte krahu më i përparuar i saj, i cili nuk ishte në gjendje t’i imponohej klasës që përfaqësonte.
Këta hapa të kujdesshëm të krijimit në vend të regjimit parlamentar sa më demokratik diktoheshin nga frika se mos pushteti me këtë rrugë do të mbetej dhe pas Pavarësisë plotësisht në duart e reaksionit çifligar dhe bajraktar. Gjithsesi, ky qëndrim ishte edhe shprehje e mosbesimit ndaj masave popullore. Jo pak i përhapur ishte mendimi, se turmat katundare qenë ende tërësisht rezervë e bejlerëve.
Siç shihet jo vetëm Fan S. Noli, por mbarë qarqet patriotike e demokratike shqiptare, duke përfshirë këtu edhe elementët me prirje të shpallura republikane, si Nikolla Ivanaj e ndonjë tjetër, të shfaqura aty këtu në shtyp, përpjekjet e tyre i përqendruan në sigurimin e një principate kushtetuese parlamentare. Gjatë kohës që po diskutohej statusi organik i Shqipërisë, synohej t’i pritej rruga vendosjes së diktaturës së çifligarëve në formën e një oligarkie të aristokracisë së tyre. Këtë mendim e shprehu qartë gazetari atdhetar Haki Glina: “Shqipëria s’u bë për të qenë oligarki e njerëzve që s’njohin veten në ç’shekull jetojnë”.
Pra, deri më atëherë dhe më vonë, nuk bëhej fjalë për mënjanimin e çifligarëve nga pushteti, siç pretendohet ende edhe pse në raste të rralla, por vetëm për t’u hequr atyre monopolin që kishin trashëguar nga Perandoria Osmane.
Ndërkaq reaksioni çifligar, nga ana e tij, në përpjekjet për përqendrimin e pushtetit në duart e veta, ngulte këmbë, se populli shqiptar nuk ishte pjekur ende politikisht për një jetë shtetërore kushtetuese, parlamentare dhe nuk mund të administrohej nga një qeveri liberale. Dhe nuk ishte i rastit fakti që shprehës i këtyre pikëpamjeve më reaksionare u bë kreu i këtij reaksioni, Esat Pasha. Ai do të deklaronte në një intervistë të botuar edhe në gazetën “Dielli”, se “një parlament do të ishte prishje për Shqipërinë”.
Faiku që pretendonte para botuesve të Diellit se sa ishte përpjekur për pajisjen e Shqipërisë me një kushtetutë liberale, nuk kishte mundur të ndikonte sado pak pranë pashait, shefit të tij të deridjeshëm, gjatë aleancës së tyre të ngushtë në luftën e tyre të përbashkët disamujore kundër qeverisë së Vlorës dhe kryetarit të saj Ismail Qemali.
Midis pikave të programit të Nolit bie në sy, se ai, fill pas shpalljes së Pavarësisë, kërkon të fillohet lufta kundër mbeturinave të theksuara të feudalizmit në vendin tonë edhe në fushën ekonomike. Kjo duket qartë nga mënyra se si e shtron ai çështjen agrare, qoftë dhe përmbledhtas. Ai mendonte ta zgjidhte problemin agrar me anën e përkrahjes që do t’u jepej fshatarëve në fushën e bujqësisë, në radhë të parë, duke i çliruar bujqit çifçinj nga çifligarët, pa përcaktuar rrugët e realizimit të saj.
Siç shihet, Fan. S. Noli, pas Ismail Qemalit, Terenc Toçit, Stefan Curanit, është nga përfaqësuesit shumë të rrallë të rretheve politike shqiptare që ngriti problemin e zbatimit të një reforme agrare në vendin tonë. Kërkesa e tij për kryerjen e kësaj reforme është shprehur me fjalët “të liruarit (e bujkut) nga çdo beg e spahi”. Ata nuk lënë shteg për ndonjë dyshim sa të mendohet se pikëpamjet e Nolit drejtohen vetëm “kundër tiranisë së bejlerëve dhe spahinjve”. Me to autori i tyre nuk paska parasysh realizimin e reformës agrare, ndoshta edhe të një reforme të kufizuar, siç pretendohet edhe në botime serioze kushtuar Nolit.
Në çështjet fetare peshkop Fan Noli kërkonte liri të plotë për secilin prej besimeve që ushtroheshin në vend dhe hedhjen poshtë të çdo protektorati të huaj mbi besimet fetare dhe ndjekësit e tyre, të trashëguar nga sistemi i kapitulacioneve që ekzistonin në Perandorinë Osmane, i mishëruar në sistemin e mileteve.
Së fundi, duke bërë fjalë për çështjen e arsimit, pasi kërkon në mënyrë kategorike mbylljen e të gjitha shkollave të huaja, në të cilat që nga klasa e parë fillore mësimi zhvillohej, përgjithësisht, në gjuhë të huaj. Në vijim Fan S. Noli shtron shprehimisht nevojën dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të arsimit mbi parime kombëtare dhe laike.
Programi i mësipërm karakterizohet, pa dyshim demokratik me një qëndrim i cili mund të quhet, pa ekzagjerim, antiimperialist dhe antifeudal, mjaft i shquar. Në të preken të gjitha çështjet kryesore politike dhe ekonomike, të brendshme dhe të jashtme të vendit, të cilat kishin të bënin me zhvillimin e tij të pavarur e demokratik në të ardhmen. Bie në sy, menjëherë shqetësimi i përfaqësuesve të krahut me të përparuar të borgjezisë shqiptare, shprehës i aspiratave të cilit u bë Fan S. Noli, për sigurimin e pavarësisë sa më të plotë dhe reale, politike të vendit si dhe zhvillimin e tij të lirë ekonomik. Prandaj, në të gjitha pikat ngulej këmbë në kërkesat për t’i bërë ballë dhe për të ndaluar ndërhyrjen dhe ndikimin e huaj në punët e brendshme të shtetit tonë në fushën politike, ekonomike, në marrëdhëniet e jashtme dhe në fushën fetare dhe atë arsimore.
Ky program prej 15 pikash ishte programi më i plotë dhe më i përparuar i elementëve demokratë borgjezë dhe mikroborgjezë shqiptarë të kohës. Në mendimet e shfaqura mbi formën e regjimit nuk pasqyrohen, siç mëtohej, kufizimet e Nolit, porse faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që i kushtëzonin qëndrimet e tij.
Në luftën për sigurimin e një regjimi monarkik kushtetues, edhe elementët më të përparuar, u treguan, siç del nga programi i mësipërm, mjaft të matur. Ky qëndrim shpjegohet me preokupimin e tyre kryesor për sigurimin e pavarësisë dhe të kufijve të shtetit shqiptar. Patjetër që në të kanë ndikuar jo pak dhe mendimet e gabuara që ekzistonin në këtë kohë midis tyre mbi papjekurinë politike të popullit tonë dhe ndikimin gjoja të madh të çifligarëve mbi të. Kësaj gjendjeje ata mendonin t’i bënin ballë, siç edhe shprehet ndonjëri, me anë të princit të huaj, duke i lënë atij kompetenca sa më të gjera.
Thirrja e Fan Nolit për t’i çliruar bujqit nga bejlerët, deklarata e Ismail Qemalit që të mos mbeten shqiptarët pa tokë dhe e ndonjë tjetri për zgjidhjen e çështjes agrare, problem kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, mbetën zëra të izoluar dhe të pa detajuar.
Programi i nacionalistëve hartuar prej Fan S. Nolit, siç shihet nuk u mbështet nga borgjezia shqiptare në tërësi. Kjo rrethanë dobësonte jo vetëm përpjekjet për të çuar deri në fund revolucionin kombëtar, por edhe luftën për mbrojtjen e fitoreve të arritura, siç qe ruajtja e pavarësisë dhe sigurimi i tërësisë tokësore të shtetit shqiptar.
Në këto kushte lufta për mbrojtjen e atdheut nuk arriti të bashkërendohej me luftën kundër forcave antikombëtare. Ndërsa fshatarësia, me gjithë karakterin sporadik të kërkesave, si ato që parashtroi Fan S. Noli, luftoi ashtu si diti dhe aq sa mundi kundër tradhtisë esadiste.
Pas largimit të princ Vidit, gjatë Kryengritjes Antiesadiste (nëntor 1914-qershor 1915) notat antifeudale në të u bënë më të dukshme. Megjithatë, dhe ata intelektualë atdhetarë që u bashkuan me kryengritësit si Ahmet Bejtaga, Baki Gjebrea, Ismail Klosi, Hajredin Fratari e të tjerë, nuk arritën të bashkërendonin forcat dhe të mbizotëronin në të jo për fajin e tyre, por për vetë kufizimet e antiesadizmit të tyre në tërësi.
Se deri ku arrinte antifeudalizmi i të gjithë shtresës së tyre e dëshmon një trakt i shkruar me dorë i ngjitur nëpër mure në disa prej qyteteve të Shqipërisë së Jugut, në fund të vitit 1913. Ai ishte një letër e hapur drejtuar çifligarëve e nënshkruar nga “Komiteti nacionalist”. Autorët e tyre u kujtonin bejlerëve dhe pashallarëve se bashkë me Turqinë në Shqipërinë e pavarur kishte ikur edhe sistemi i saj. Bashkë me Perandorinë Osmane “shkoi pashallëku dhe bejllëku”. Ata theksonin shkurt dhe qartë “Shqipëria nuk u bë vetëm për ta, por për të gjithë shqiptarët”.
Siç shihet edhe në këtë demonstrim ta quajmë mjaft revolucionar e modern për Shqipërinë e asaj kohe, prej aristokracisë çifligare nuk kërkohej shumë, por vetëm që të hiqte dorë nga despotizmi që ushtronte mbi popullin si dhe nga intrigat që kurdiste në dëm të Atdheut. Autorët e këtyre letrave të hapura i këshillonin çifligarët që të kujdeseshin për pronat e veta, duke i paralajmëruar që të hiqnin dorë nga plotësimi i dëshirave të tyre të ngushta, se përndryshe do të pendoheshin.
Ndërsa Faik Konica do të vijojë edhe në vitet ’20 të shekullit të kaluar, me këmbëngulje të justifikojë dhe përligjë esadizmin si rrugën më të mirë për sigurimin e pushtetit të forcave reaksionare të vendit dhe në kuadër të tyre dhe të forcave antikombëtare.
Në këtë sfond mund të vlerësohet Programi Nacionalist i Fan S. Nolit. Në të vërtetë ai qe Programi i atdhetarëve demokratë, i cili mbeti pa u jetësuar edhe për disa vjet. Me rritjen e lëvizjes demokratike në vitet ’20 të shekullit të kaluar peshkop F. Noli konsekuent në rrugën e tij të vendosjes së demokracisë, qëndroi në radhët e para të saj, ndërsa pas fitores së Revolucionit të Qershorit, ai si kryeministër, i një vendi me popullsi në shumicë myslimane, e riformuloi atë program në vartësi të rritjes së lëvizjes dhe të raportit të forcave politike.
Luftën për vendosjen e demokracisë në Shqipëri Noli i madh e vijoi dhe në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Kurse pas pushtimit fashist të vendit këtë luftë ai e pa të lidhur ngushtë me luftën për rifitimin e Pavarësisë të gërshetuar me përpjekjet për vënien në jetë të programit të tij të hershëm demokratik.
Komentet