Lëshova çantën mes këmbëve dhe mbështeta brylin mbi banakun portativ prej dërrase. Qoftexhiu bëri sikur nuk më pa dhe vazhdoi të kthejë përmbys qoftet e kërnacet në tiganin që cërrinte mbi prush.
-Eja mbas perëndimit të diellit dhe do të t’i fal të gjitha qoftet që do të mbeten, – erdhi zëri i qoftexhiut nga përtej tymnajës.
-Hej, unë nuk jam lypsar, – e ngrita zërin dhe, enkas, shpalosa njërën anë të xhaketës. Tregova tufën e lekëve në xhepin e brendshëm. Qoftexhiu përdrodhi vetullat kaleshe, pastroi duart pas përparëses dhe më vuri përpara pjatën me dy qofte, një panine dhe gotën, pa më pyetur mua, e mbushi rrafsh me raki. Goditi me grusht mbi banak dhe thirri:
-Botë kapitaliste e mbushur me çudira!
Kullufita qoftet avullushka dhe paninen e mbarova me dy të kafshuara. I bëra shenjë qoftexhiut t’m’a mbushte pjatën dhe t’më sillte një panine tjetër.
-Vë bast me njëqind qofte e kërnace se je nga fisi i Nofullgjërëve, – tha qoftexhiu.
-Bastin e humbe. Nuk kam të bëj me fisin e Nofullgjërëve. Jam i Fundmi i Shalëgjatëve, – por unë e dija se Nofullgjërët ishin sharrëxhinj, druvarë dhe muratorë të dëgjuar, ama, u kishte dalë nami i keq se nuk ngopeshin me të ngrënë. Njëri nga Nofullgjërët, sharrëxhi, moshatar me mua, kishte fituar bastin kur përlau një kosh me patate të pjekura. Një tjetër, moshatar me tim atë, që i kishin ngjeshur nofkën Ujku, mori nuse nga fshati im. Ujku i çuditi dasmorët. I vunë përpara një shqerë të pjekur dhe ai e përlau shqerën me gjithë kocka e brirë. Një tjetër Nofullgjërë, me të cilin ima xhaxha kishte bërë ushtrinë, qe trupmesatar dhe nuk ta mbushte syrin, ama, ditën e paradës e shtrinte hapin në Bulevardin e Tiranës duke mbajtur mbi sup jo pushkë, por grykën e topit. Njihja edhe një tjetër Nofullgjërë, mullixhi. Ç’kisha dëgjuar për të, e vërtetuan sytë e mia. Shkova për të bluar kërma sepse nëneja do të bënte trahananë e dimrit. Në mulli mbrrita kur Nofullgjëri sapo e kishte mbaruar skalitjen. I shkoi krahun gurit të mullirit në brimën ku binte drithi dhe e ngriti sikur të qe rodhan luledielli.
Nofullgjërët u vinin gjoksin punëve më të rënda në kooperativë. Tokën e oborreve të tyre e punonin qilizmë çdo vit. E plehëronin vënçe me pleh organik dhe mbillnin nga të gjitha llojet e perimeve. Ata kishin shpikur mënyrën e mbjelljes së patateve me kate nëpër arka e koshe dhe shfrytëzonin hapësirat ngjitur me gjerdhet e nënstrehët e shtëpive.Nofullgjërët mburreshin se nuk ngopeshin me punë, por mburreshin pa patur turp: “të ngrënën e ndalojmë jo se nginjemi, por sepse na lodhen nofullat.” Mirëpo mbas tufëzimit të bagëtive, u shkurtuan edhe kopshtet familjare. Atëherë Nofullgjërët filluan të ankohen se po u binte fuqia, u përthyheshin gjunjët dhe nuk ngjitnin dot të përpjetat e malit. Në fshatin tim erdhi lajmi kur fisi i Nofullgjërëve, burra, gra e fëmijë, mbushi sheshin para zyrave të kooperativës. Kryenofullgjëri, me peliçen hedhur krahëve, duke tymuar çibukun, i dorëzoi letrën kryetarit të kooperativës. Shkruanin se ata nuk do të çanin më kondurë me sharra dore, nuk do të shkulnin gurë në shpatet e malit, nuk do të ngrinin çakëlle përgjatë lumit, nuk do të ndërtonin shtëpira e stalla dhe as do të prisnin më dru në pyll, gjersa qeveria dhe Ramizi t’ua kthente tokën që ua mori Enveri dhe t’i lejonin të rritnin bagëti njëlloj si më parë. Kryetari i kooperativës kishte flakur kapelen, krojti kokën si i çmendur duke thirrur nga kreu i shkallëve të zyrave:
-Dëgjoni o, Nofullgjërë! Ju jeni fisi më i nderuar në anët tona. Shtojini akoma më shumë prodhimet e zarzavateve në oborrret tuaja”, mirëpo fjalën ia preu një zë piskamë femre:
-Domaten, kungullin, kastravecin dhe fasulen i mbështesim në hunj. sepse ato nuk mbajnë dot veten e tyre dhe jo më të na mbajnë neve.
-Nuk kam më fuqi të ngre gurin qosheli, – sokëlliu njëri nga muratorët.
-S’mund të tërheq sharrën zhakë, – kishte pasuar e thirrura një sharrëxhiu.
-Eshtrat na kërcasin sikur i kemi prej shtogu, – kishte thënë Kryenofullgjëri dhe shkundi çibukun në pëllëmbë të dorës.
-Na gërgërijnë zorrët ditë e natë.
-Mua më vjen të ha hunjtë e gardhit e trarët e shtëpisë, – kishte klithur më së fundi njëri nga fëmijët Nofullgjërë, mirëpo, pas kësaj klithme fëmijërore, në sheshin para zyrave mbrriti makina e Degës së Brendshme. Arestuan Kryenofullgjërin dhe dy të tjerë. Gjyqi i dënoi me nga tetë vjet burg për agjitacion e propagandë kundër qeverisë e partisë. Nofullgjërët kyçën gojat, ulën kokat dhe shtrënguan rripat.
Ndërkohë që kujtoja këto, qoftexhiu m’a mbushi pjatën me qofte, shtoi edhe dy bërxolla derri, më vuri përpara një panine tjetër dhe përgjoi ziliqar oreksin e tim.
-Sidoqoftë,- tha nëpër dhëmbë e më vëzhgoi kurioz, – shumica e fshatarëve janë nofullgjërë…
Mirëpo edhe unë dallova se qoftexhiu syrin e majtë e kishte të larushitur si vezë laraske. Me siguri, për shkak të syrit të prishur, i kishin ngjeshur nofkën Çakërr dhe ai nuk kishte droje që të varte tabelën me germa të mëdha QOFTORJA ÇAKËRRI.
Komentet