-Tërë jetën kam ecur mbi një shtresë të hollë akulli-
(Pasternak)
Boris Pasternak, ky kolos i mendimit të lirë dhe i shkrimtarisë botërore ,refleksion i gjallë i historisë së luftës së popullit rus, do të mbahet mend për këndvështrimin e ri ndaj saj dhe për guximin e mprehtësinë e tij ,me të cilin ai godet hapur e nëpërmjet magjisë së fjalës, thelbin barbar e shkatërrues të filozofisë revolucionare dhe të kolektivizmit egocentrik e konformist stalinist. Është kjo arsyeja, që regjimi i kohës atë e përbuzi dhe e izoloi, e përndoqi dhe e persekutoi tërë jetën, deri sa dha shpirt ,i zhuritur për Atdheun dhe lirinë e tij të vërtetë. Ishte sistemi brutal dhe absurd stalinist, i cili e detyroi atë, siç thekson dhe vetë që ,‘’Tërë jetën të rendë mbi një shtresë të hollë akulli’’. Me vizionin e tij krijues, ai shkëlqeu si poet, romancier, autobiograf, por veçanërisht si romancier dhe përkthyes origjinal.
Por, para se të ndalemi tek vlerat e krijimtarisë së tij artistike, do t’i rikujtojmë lexuesit, me pak fjalë, se kush është Boris Pasternak :
Ai u lind më 10 shkurt të vitit 1890 në Moskë, në një familje intelektualësh me origjinë hebraike. Babai i tij, Leonid-i, ishte piktor dhe mik i Tolstoit, ndërsa e ëma, Rozuli-a, kërcimtare. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, kreu konservatorin për kompozitor e filologji dhe më pas mbaroi për filozofi, në universitetin e Moskës. I apasionuar pas filozofisë, ai, nisi të thellojë njohuritë e tij për filozofinë neokantike të Cohen-it, në Marburg. Pas Revolucionit të Tetorit, ai u bashkua me revolucionarët rusë, si besnik i regjimit të kohës, por nuk i fshehu kurrë mizoritë e atij sistemi. Pas përmbysjeve revolucionare, rikthehet në atdhe, ku me poezitë e tij të para frymëzoi poetët e rinj bashkëkohorë. Ishte koha, kur Pasternaku ëndërronte për një Rusi tjetër, Rusinë e shpirtit të lirë europian. I dëshpëruar thellë nga dramat dhe tmerret e jetës, si dhe kthetrat e kolektivizimit absurd, u përpoq që, nëpërmjet ndërhyrjes tek politikanët e kohës të mënjanonte politikat shkatërrimtare sovjetike ndaj fshatit. Përmes Bukharinit, ai ndërmjetësoi për të shpëtuar nga eliminimi fizik poetin Osip Mendelston, në kohën që ai kishte shkruar një’’ ode’’ kundër Stalinit. Pasternak-u, tërë jetën përkrahu dhe mbajti qëndrim zbutës ndaj të internuarve dhe të dënuarve politikë. Është kjo arsyeja, që ai më vonë do të bëhet kurban i qëndrimeve të tilla humane. Duke parë se, liria e shkrimtarisë sa vinte dhe ngushtohej, ai, që nga viti 1946, vendosi të largohej nga letërsia e politizuar. Ishte koha kur mori vrull sulmi i dhunshëm kundër intelektualëve të ashtuquajtur “deviacionistë dhe borgjezë”, siç i quante regjimi kohës, ku bënte pjesë edhe Boris Pasternak. Nisi të thellohej, kështu, gjuetia staliniste e shtrigave, kundër lirisë së artit dhe letërsisë ruse. Boris Pasternaku u martua dy herë. Në vitin 1922, me Eugjenia Laurë-n, ndërsa herën e dytë u martua me Zinajda Neigauz. Si njëri romantik, ai nuk mund të jetonte dot, siç shkruan dhe vetë, pa erën e një gruaje në apartamentin e tij. Pasternak-u ishte dhe mbeti një nga poetët më të mëdhenj rus. Nën ndikimin e së ëmës, në fillim jepet pas muzikës, për t’u kthyer më pas vrullshëm pas poezisë. Përmbledhjet e tij të para poetike ishin “Binjaku në re” (1914) dhe “Mbi çdo pengesë”, të cilat do t’i jepnin atij njohjen e parë, që do të vazhdonte të rritej më tej me vëllimet: “ Motër, jeta ime”(1922),”Tema dhe variacione” ,”Lindja e dytë” (1931) .Më pas ai do të vazhdojë me vëllimin eseik “ Lejëkalimi”(1932),me të cilin do të fiksonte marrëdhëniet e tij me Majakovskin. Pasternaku provoi të shkruajë edhe disa poema të bukura si ‘’Smid’’,’’Spektrale’’, etj. Kur ai nisi të përplasej me poezinë zyrtare ruse të kohës, filloi t’i përkushtohej përkthimit, nëpërmjet të cilit spikati me origjinalitetin e tij. Përmbledhjet e fundit poetike të tij ishin : “Trenat e mëngjesit “ (1943) dhe “ Hapësira tokësore” (1945), të cilat dalloheshin për hermeticitetin e mendimit dhe për gjuhën e thjeshtë. Pas kritikave të Zheleznovit ,ai do të stërmundohej për të thyer akullin për botimet e reja. Në përgjithësi krijimtaria e tij poetike është një eksplozion ndjenjash dhe emocionesh për luftën dhe lirinë, për jetën dhe dashurinë, ku ndërthuren bukur vargu klasik me atë modern, duke qëndruar larg futurizmit majakovskian, i cili mbante brenda thirrjet për luftë, bomba dhe përmbysje revolucionare. Pasternaku u jep përparësi temave intime e shpirtërore, historisë së rishikuar që i afrohet realitetit dhe largimit nga mitet e deformuara të indoktrinuara dhe nga heronjtë e ndrydhur e të margjelizuar. Në poezitë për Revolucionin e vitit 1905 dhe luftërat e mëvonshme, ai mundohet ta vërë veten në distancë, duke i parë me një këndvështrim të ri, për t’u dhënë atyre ngjyrat e luftës bujare të popullit sovjetik. Poezitë e tij të fundit u ngjajnë pentagrameve muzikore, herë me brendi erotike dhe herë social-epike.Për të shijuar nektarin e pentagrameve të tilla poetike, mjafton të citojmë disa nga vargjet e shkëputura nga poezia e tij “ Ëndërr”: “M’u shti vjeshta në qelqet dritëpakë,/Ti me miq në hoka e kuvende,/Dhe si fajkua që qiejsh gjuan gjak,/Zbriti zëmra ime në pëllëmbën tënde./Por iku ajo kohë, u plak. Si akull/Mëndafsh i kolltukëve u brejt anash,/Dhe ty zëri t’u bor, befas heshte/U mek ëndrra ime si jeh kambanash”.
Poezitë e tij u bënë ushqim shpirtëror për miliona lexues, siç pati dhe shumë njerëz të qarqeve zyrtare të kohës, të cilët e konceptonin atë si ‘’egoist e njëri të shitur tek armiqtë e Rusisë’’. Pasternaku ,në të vërtetë ishte adhurues i letërsisë amerikane e perëndimore. Atë, ishte e vështirë ta bëje të fliste për vete. Ishte i entuziazmuar që poezinë e tij, dhe veçanërisht figura e Doktor Zhivagos, konsiderohej si një nga figurat më simpatike të letërsisë ruse.
Për Pasternak-un, funksioni i filozofisë së Niçes kishte mbaruar, pasi ajo kishte patur si qëllim të trasmetonte shijen e keqe të kohës së tij. Poezia e Pasternak-ut frynte që nga jashtë, si një piano e ngrohtë. Ndërsa, me figurën e Doktor Zhivagos, ai, siç thotë dhe vetë, dëshironte t’i shlyente një borxh bashkëkohësve të tij dhe të ringjallte vlerat njerëzore, që në atë kohë ishin venitur. Ai i donte të gjitha vlerat e Eseninit, sepse ato i konceptonte si “era e re e botës ruse”, si dhe poetët e rinj si Jeftushenkon ,i cili shquhej për talent të rrallë.
Boris Pasternak-u shkroi disa romane si “Fëmijëria e Ljuversovës” “Doktor Zhivago” dhe librin autobiografik “ Mirënjohja e mbajtur”. Ai kurrë nuk e kishte kuptuar pse e kishin quajtur tradhtar, në një kohë kur, mëkati i tij i vetëm ishte se i donte bukuritë e rralla dhe lirinë e vendit të tij si gjënë më të shtrenjtë. Ishte koha kur Albert Kamy i shkruante Pastërnak-ut: “Unë gjej tek ju Rusinë që më ushqen dhe më jep forcë. Kufijtë mes nesh janë të përkohshëm, sepse ekziston dhe një forcë shpirtërore dhe krijuese që na bashkon të gjithve. Sapo kam lexuar romanin tuaj “Doktor Zhivago’’, për të cilin të shpreh solidaritetin tim”.
Ai shkroi një seri veprash, por ajo që i dha Çmimin e madh ‘’Nobel’’ ishte romani “Doktor Zhivago”, i cili ende dorëshkrim, jo vetëm u ndalua të botohej, por nga kupola shtetërore e partiake staliniste dhe nga nga Unioni i Shkrimtarëve Rusë të kohës, u quajt ‘’pamflet antisovjetik’’. Kjo e detyroi autorin që me guxim e vendosmëri ta dërgojë për ta botuar në disa vende perëndimore të botës. Ishte botuesi Italian, Feltrinelli, i cili e botoi për herë të parë, në vitin 1957, pa marrë parasysh kritikat e shumta që vinin për këtë roman për të ashtuquajturat ‘’refleksione të gabuara dhe shtrembërimet që ai i bënte historisë dhe luftës së popullit rus’’. Lajmi i botimit të romanit, në Rusi u konsiderua si një fyerje ndaj Revolucionit, ndërsa Pasternak-u u akuzua për tradhti ndaj kombit. Ndaj, ai, u kërcënua për t’u dëbuar nga Rusia. Regjimi i kohës, në vitin 1958 , e detyroi atë të mos e pranojë Çmimin “Nobel”, të dhënë nga Akademia Suedeze e Shkencave, sepse ky roman ‘’nxinte nga vula e zezë antisovjetike’’. Kjo bëri që Pasternak-u të izolohej në periferi të Moskës, ku më 30 maj të vitit 1960 vdiq i përndjekur e i vetmuar, i përbuzur dhe i nënvleftësuar nga regjimi absurd stalinist. Vdekja e tij nga kanceri në mushkëri u përshpejtua si rezultat i izolimit dhe përndjekjes që i bëri regjimi i kohës. Kur ai u varros me nderim nga mijëra njerëz që e deshën, KGB -ja Sovjetike ndaloi të merrnin pjesë në funeralin e tij shumë simpantizantë dhe ushtarakë të lartë.Vlerat e vërteta të Pasternak-ut, nisën të zinin vendin e duhur vetëm pas vitit 1987,kur Lidhja e Shkrimtarëve Rus e ripranoi atë si ‘’Antar Nderi’’ pas vdekjes. Fryma e shkrimtarisë së tij të lirë, do të çelte një udhë të re, ku do të ecin të sigurtë brezat e ardhshëm letërsisë moderne ruse.
Për ta njohur më mirë personalitetin njerëzor të Pasternak-ut, do të na ndihmonte dhe një intervistë interesante që i bën atij gazetarja ruse Korlisli, vajza e njërit prej miqve të tij të hershëm, e cila thekson: “Sapo u afrova pranë shtëpisë së tij , u befasova nga një tabelë, ku shkruhej: “Jam duke punuar. Nuk pres asnjë. Ju lutem largohuni”!, Megjithatë, tregon ajo ,me guxim trokita në portën e tij. U çudita kur përpara m’u shfaq, ai, me një kapele të çuditshme. Ishte tmerrësisht i bukur, me sy të errët, që dukej sikur kishte dalë nga përrallat ruse. Më pushtoi me ngrohtësi, duke më pyetur për prindrit. Kur ecte me kokën anash, i ngjante pengut të një kali me pamjen e një legjende të gjallë…’’.
Vepra artistike, që i dha atij emër të madh, ishte romani “Doktor Zhivago”, i cili, edhe pse në vendin e Sovjetëve, u ndalua që kur ishte dorëshkrim, u botua në 29 vende të botës dhe u shitën miliona kopje. Duke ecur në gjurmët e Tovstoit, Pasternaku, me këtë roman, u bë pasqyrë e gjallë e historisë së luftës së popujve rusë. Shpallja e Çmimit ‘’Nobel’’ për Letërsinë, për vitin 1958 , u bë nga Sekretari Përgjithshëm i Akademisë Suedeze të Shkencave, Andreas Osterling, i cili, mes të tjerash theksoi: ”Këtë herë ky Çmim i jepet shkrimtarit sovjeto-rus Boris Pasternak, për arritjet e tij, si në poezinë bashkëkohore, ashtu dhe në fushën e traditës madhështore të etikës ruse. Është bërë e ditur se Pasternak-u nuk dëshiron ta marrë këtë mirënjohje. Ky refuzim, natyrisht nuk e ndryshon vlerën e shpërblimit. I mbetet Akademisë Suedeze të shpallë me keqardhje se prezantimi i çmimit nuk do të bëhet’’. Ndërsa më 25 tetor të vitit 1958, dy ditë pas shpalljes zyrtare, Boris Pasternaku i dërgoi këtë telegram Akademisë Suedeze: ”Jam mirënjohës përtej mase, i prekur, krenar, i habitur dhe i hutuar. Duke patur parasysh domethënien që i jepet këtij shpërblimi në shoqërinë e së cilës i përkas, më duhet ta refuzoj këtë çmim që më është dhënë, ju lutem të mos e pranoni refuzimin tim, të vullnetshëm dhe me pakënaqësi…”.
Romanin ‘’Doktor Zhivago’’,Pasternaku nisi ta shkruajë në vitet 1810-20 dhe e përfundoi në vitin 1955.Brendiia e tij është pasqyrë e gjallë e ngjarjeve politike të Lutës së Parë Botërore, Revolucionit të Tetorit dhe të Luftës Civile të viteve 1918-20 në Rusi. Pjesë e përmbajtjes së këtij romani bëhen edhe aludimet për përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet e kryera në kampet shfarosëse të bolshevikëve stalinistë. Shpesh brendia e këtij romani merr natyrë autobiografike. Nën lëkurën e protagonistit Doktor Zhivago qëndron vetë Pasternak-u, me historinë e tij të trishtë. Stalini, duke parë kundërshtimin antimaksist dhe kundërrevolucionar të këtij romani, orkestroi një sulm të ashpër kundër Pasternak-ut, edhe pse deri në atë kohë e kishte adhuruar atë për poezitë e tij dhe veçanërisht për gjuhën origjinale të përkthimeve në gjuhën gjeorgjiane, për shkak të origjinës së tyre të përbashkët. Ishte kjo ndoshta arsyeja që Stalini nuk e asgjësoi fizikisht, siç bëri me shumë të tjerë. Ky roman në vendin e sovjetëve mbeti i ndaluar dhe, ashtu si dhe vetë autori i tij.
Pasternak-u, shkruan Faik Konica, mbetet një shkrimtar me famë të madhe ndërkombëtare, romani i të cilit u bë qendër e një skandali që përfshiu shumë Shërbime Sekrete Perëndimore të kohës. Ai, jo vetëm u përkthye në shumë gjuhë të botës, por dhe u lexua nga miliona njerëz. Ajo që e shqetëson Pasternak-un në këtë roman, është liria e njeriut dhe raporti i tij me shoqërinë. Populli rus luftoi për përmbysjen e një sistemi të vjetër, në emër të një lirie të vërtetë, por për fat të keq, njerëzia kishte rënë në një kllapi më të errët, mbi një realitet akoma më absurd. Edhe vetë Pasternaku kishte luftuar për çmontimin e regjimit carist, por e ndjente veten akoma më të skllavëruar. Prandaj këto pranga, që po e mbërthenin popullin rus si Sizifin pas shkëmbinjve, kërkon t’i çmontojë përmes mendimit universal dhe protagonizmit të Doktor Zhivagos. Ky libër nuk është vetëm një roman politiko-filozofik ,por dhe një roman dashurie, ku Doktor Zhivago vihet në mesin e dy të dashurave të tij. Nga njëra anë Tanja, me të cilën është rritur dhe martuar, ndërsa nda ana tjetër Laura,e cila i kishte rrëmbyer zemrën dhe e kishte verbuar shpirtërisht. Kjo dashuri, e përshkruar me penelatat romantike të Tovstojit, u bë e njohur botërisht. Ajo nuk u zbeh nga mentalitetet e kohës. Protagonisti nisi t’u besonte pasioneve dhe arsyes së tij të shëndoshë dhe jo dogmave morale që ndrydhin shpirtin e lirë.
Romani nis me brengën që përjeton Juri Zhivago i mitur, ditën që përcjell për në banesën e fundit nënën e tij, duke e lënë jetim. Ai tronditet aq shumë, sa që e kishte vështirë ta pranonte vdekjen e saj. Dramat e Jurit të vogël kishin filluar që herët. Edhe babai i tij, pasi kish qenë i pasur, kishte vrarë veten, mbasi kishte humbur pasurinë. I mbetur fillikat, ai u rrit nga dajua i tij, derisa merret në kujdestarinë e familjes Gromiko. Mbasi mbaroi për mjekësi, do të bëhej mjek i famshëm, me një shpirt të bukur dhe forca të pathyeshme. Ai ndeshet me plagët e luftës për t’i mposhtur ato. Këto plagë i shëronte jo vetëm me ilaçe dhe bisturi, por dhe me fjalën e tij të ngrohtë. Tërë jetën kishte qenë një fëmijë i pikëlluar.
Interesante është lidhja e dyfishtë e tij me Tanjën dhe Laurën .Laura ishte martuar që në moshën 16 -vjeçare me inxhinierin Kovarovski, i cili e keqtrajtonte atë. Nga që ai ishte një pasanik dhe në moshë të madhe, ajo e trajtonte më shumë si baba se sa bashkëshort. Pasi ai e braktis ,Laura lidhet me mendjengushtin Pasha Antipovi. Por dhe kjo lidhje nuk funksionoi. Laura ishte një grua e bukur që tërhiqte si magnet burrat e kohës. Ndërsa Pasha e kishte kokën të ngjeshur me dogma.K ur Laura vjen për të kërkuar bashkëshortin e saj, Pashën, që kishte braktisur familjen, njihet me Doktor Zhivagun. Pas kësaj romantike fshihet dashuria e vërtetë e Pastrnak-utme Olgën 34-vjeçare, kur ai ishte 54 vjeç, në një spital ushtarak, pas Revolucionit të Tetorit. Është koha kur ai ndan mendime të kundërta me të tjerët për luftën. Ai tashmë prek me sytë e mendjes absurditetin e tragjizmit njerëzor të kësaj lufte të gjatë shkatërrimtare. Ai sheh se pas asaj sakrifice të madhe për lirinë e vërtetë ,vjen shtypja e re sovjete-staliniste. Në vend të shpresës së zhvillimit , sheh vendosjen e dogmave morale dhe politike të një shtypjeje më të egër. Ata që nuk i pranojnë këto dogma dhe mashtrime, mbyten me shtrëngata gjaku, ose mbyllen në burgje të përjetshme politike. Shumë shokë të tij, detyruan të bëhen vegla të shtypjes absurde. Individi po tjetërsohej në dele kopeje. Prona e përbashkët po bëhej prona e askujt. Në qendër të bolshevikëve qëndronte gjysmalliu Evgraf. Caristët ishin zëvendësuar me bolshevikët. Antipovi ishte tjetërsuar në gjakpirës i Armatës së Kuqe. ’’Armiqtë’’ e dogmës absurde i priste “Gulogu Rus”. Këtë kishte dashur të kundërshtonte edhe Zhivago (Pasternaku), kur kish kërkuar nga titanët e kohës të bëheshin reforma të reja. Ndaj u vu në gijotinën e seleksionit. Kështu nisi kalvari i përndjekjes së Zhivagos, i cili tashmë ishte i detyruar të merrte rrugën e vështirë të maleve të Uranit, për të shpëtuar kokën. Ishte koha kur Pasha Antipovi e akuzonte atë për përkrahës të politikës cariste. Tek dashuria e dyfishtë, Juri Xhivago, sheh lirinë e tij të vërtetë. Tanja rrit me dashuri vajzën e Doktor Zhivagos që e lindi me Laurën, ndërsa Pasha Antipovi përfundon me vetëvrasje. Doktor Zhivago kupton se njeriu, nëse donte të ishte gjallë, duhet të hiqte dorë nga mendimi i lirë dhe jeta e tij personale.
Në vitin 1922 Zhivago kthehet në Moskë me mendimin për të krijuar familje, por fatkeqësisht zhduket në një kamp përqëndrimi. Kur miqtë e Zhivagos shohin një vajzë të bukur, që kishte buzëqeshjen e ngrohtë të Doktorit, dëshpërohen thellë për fatin e keq të këtij mjeku që sakrifikoi gjithçka për vendin dhe njerzit. Ishte koha kur Zhivago e sheh qartë zhgënjimin e tij ndaj sakrificave që kishte bërë ai dhe miqtë e tij, tërë jetën. Tanja i shkruante nga Moska, plot mall e dhimbje, këto fjalë:“Nuk ju fajësoj për asgjë’’. Ndërsa Juri Zhivago, përmes trillit krijues të Pasternakut, shkruan: ”Në dashuri dhe në luftë gjithçka është e justifikuar’’. Protagonistin e bren më shumë fakti se është zhdukur mendimi i lirë. Vendin e tij e ka zënë absurdi dhe çmenduria kolektive.
Shpresën për një të ardhme më të mirë për vendin e tij, Boris Pasternaku do ta shprehte nëpërmjet përshkrimit të bukur metaforik, të cilin e vendos mjeshtërisht në gojën e protagonistit të këtij romani me të njëjtin emër, Doktor Zhivago:’’Po lëviz nëna Rusi. S’i rrihet në një vend, ecën dhe s’lodhet, flet dhe s’ngopet. Nuk është puna se flasin vetëm njerëzit. Mblidhen e bisedojnë yjet e pemët, filozofojnë lulet e natës e bëjnë mitingje ndërtesat e gurta…’’(161)
Kur Pasternak-ut i kërkuan të largohej nga Atdheu, tha:”Për mua, largimi nga Atdheu është i barabartë me vdekjen”. Shkëlqimi dhe liria që kishte pritur Boris Pasternaku, pas tre dekadash luftërash, nuk erdhi kurrë. Rusia po zbehej në sytë e tij gjatë atyre trazirave të ashpra politike dhe, ai ,tërë jetën shkroi se madhështia e saj do të shkëlqente një ditë…
Komentet