Senatori i shtetit të Nju Jorkut, Martin Golden, ushqen respekt të madh për Nënë Terezën dhe ka dalë me një rezolutë me rastin e shenjtërimit të saj.
Ai thotë se Shqipëria i ka sjellë një kontribut të madh botës dhe Nënë Tereza ishte një prej tyre.
Në zyrën e tij në Brooklyn, senatori Golden, është krenar që ka sponsorizuar një rezolutë për të nderuar Nënë Terezën më 4 shtator, ditën e shenjtërimit të saj, duke e quajtur këtë Dita e Nënë Terezës:
“Nënë Tereza solli një ndryshim. Kjo rezolutë ka rëndësi sepse ajo përfaqëson 19 milionë e gjysmë njerëz të shtetit tonë. Kjo rezolutë nderon një grua të madhe që do të jetë një shenjtore e madhe për kontributin jo thjesht për Zotin e saj por për të gjithë.”
“Ju mund të shihni shkëlqimin e syve të saj, të syve me të cilin ajo ndriçoi botën. Ajo bëri shumë për fëmijët dhe për familjet, diçka që India dhe Kalkuta nuk e bënte dot,”– thotë ai.
Senatori Golden është mjaft aktiv në shtetin e Nju Jorkut dhe njihet për lidhjet e tij me shqiptarët. Ndihmës i tij është Marko Kepi, veprimtar i komunitetit:
“Për mua është një nder i madh dhe krenari shumë e madhe të punoj me senatorin Martin Golden, jo thjesht se punoj vetë për të, por sepse që një shqiptar të ketë akses pothuajse direkt me një senator që është numri dy më i fuqishëm i shtetit të Nju Jorkut.”
Nënë Tereza shërben si një lidhje e rëndësishme që senatori ka me shqiptarët e Nju Jorkut. Ai ishte me ta në paradën shqiptare të këtij viti në Manhattan dhe ruan kujtime të bukura:
“Unë flas çdo ditë me familjet shqiptare. Ata punojnë, punojnë shumë, japin kontribut dhe bëjnë donacione. Me këtë ata e ngrejnë lart emrin e shqiptarit në këtë shtet dhe qytet të madh, ashtu si dhe shumë njerëz të tjerë që vijnë këtu nga vende të tjera. Por shqiptarët janë në gjendje të thonë se kanë nxjerrë një shenjtore të madhe si Nënë Tereza,” – thotë senatori.
Një nga këto familje shqiptare që punojnë dhe njihen për kontributin e tyre është ajo e biznesmenit Anton Raja.
Piceria Patsy’s ndodhet në Dean Street të Brooklynit, në një vend mjaft të mirë, sepse është shumë pranë stadiumit “Barclays Center”.
Antoni thotë se për picat e tij shkruajnë gazetat. Mjeshtrat e tij i punojnë ato me pasion:
“E bëjnë picën me zemër, përgatitjen e brumit, të salcës. Ata kanë sekretet e tyre…” thotë zoti Raja.
Anton Raja mban një bluzë të veçantë, ku është qëndisur simboli i piknikut të golfit që biznesi i tij organizon çdo qershor. Është një aktivitet bamirësie për të ndihmuar Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë:
“Gjithë çeqet e parë shkojnë te Kisha Zoja e Shkodrës në Nju Jork dhe ata i dërgojnë të gjitha për Katedralen e Nënë Terezës në Kosovë”.
Vetëm familja e Antonit deri tani ka dhënë gjysmë milioni dollarë gjatë tetë vjetëve të fundit.
Antoni përgatitet të shkojë në Vatikan bashkë me shqiptarë të tjerë për ceremonitë e shenjtërimit të Nënë Terezës. Për të Nënë Tereza përfaqëson diçka të veçantë:
“Një mrekulli e saj për mua është si t’i ndihmosh dikujt, si të bësh mirë. Ajo ditë do të jetë e mrekullueshme kur të shikojmë se populli ynë do të jetë i gjithi i bashkuar, pa kurfarë problemi, pa kurrfarë ndarjeje, si t’i ketë bërë një nënë.”
Komentet