– Pesëdhjetë vjet më parë….
Një histori nga Shqipëria e para Pleniumit të Katërt, Qershor 1973, e cila ka lidhje me filmin serial grek ” O paraksenos taksidhjotis”( Udhëtari i çuditshëm “, i regjisorit të shquar grek Kostas Kucomitis, romani ” To koqino tango” për Zahariadhin, pjesa shqiptare e romanit, i cili nuk u bë kurrë film, të tjerë personazhe, ne të Skoresë dhe…. një post scriptum nga një dëshmitar i kohës së filmit në Skore.
KOSTAS KUCOMITIS: Grevena, 1938 -Athinë, 2016–
Në shkrim: njohja ime me regjisorin, Skoreja e Pogonit, filmi serial ” O paraksenos raksidhjotis ” ( Udhëtari i çuditshëm) me regji të Kucomitit, film të cilin na e la në mes atmosfera politike e viteve 1972 – 1973 në Shqipëri, ( ΕΡΤ ) dhe romani “Tangoja e kuqe ” i cili nuk u bë dot film, pjesa shqiptare në këtë roman.
Kostas Kucomitis e njihte mirë historinë e së majtës në Greqi. Ai, gjatë kohës që shkruante romanin dhe skenarin e filmit ” Tangoja e kuqe” njohu me hollësi marrëdhëniet midis P.K. Greke dhe Partisë Komuniste Shqiptare, njihte divergjencat që lindën midis tyre të shprehura këto nga udhëheqja e KKE- së dhe Enver Hoxhës. Më të mprehta u bënë këto divergjenca gjatë dhe pas luftës civile në Greqi. Kjo detyroi Stalinin që t’ i ballafaqojë të dy krerët në Kremlin.
Kemi sjellë në mënyrë integrale nga romani i Kucomitit me bashkautor mjekun dhe shkrimtarin Evangjellos Mavrudhis, pjesët që kanë të bëjnë me Shqipërinë.
— Miku im Kostas Kucomitis.
Shkak që të njihemi u bë puna që bëj si shitës ambulant llotosh ( llahia ). Në një emision të kanalit televiziv ERT, një emision për vllehët e Greqisë, gjatë debatit të ndezur, siç ndodh rëndom në biseda të tilla, ku kundërtia e mendimeve diametralisht të kundërta e bëjnë bisedën të marrë zjarr, flitej për vllehët e Greqisë. Kur kamera ishte përqendruar tek gazetari, ndërhyn dikush dhe nga zëri e njoha që ishte regjisori i njohur grek Kostas Kucomitis . -Po ky , thashë me vete për një çast, ç’lidhje ka me këtë temën e vllehëve ?! Dhe kureshtjen time e daraviti vëtë Kucomiti.-Edhe unë jam vllahos, nga një fshat i Grevenasë ( Grebeneja, e dëgjuar dhe në Shqipëri, në jug, për kurbetin dhe sidomos për këngën e njohur Qiraxhi i Grebenesë) Kur gazetari filloi të rreshtojë filmat kryesorë të regjisorit, mua më tërhoqi vëmendjen filmi serial, prodhim i ERT, O paraksenos taksidhjotis ( Udhëtari i çuditshëm). -A, ja stasu file Kosta, thashë me vete ( pa dale pak, zoti Kosta). Dhe vendosa që, kur të takoheshim, banonte në Rafinë, do t’i rrëfeja një histori Shqipërie për këtë serial, regjisor i të cilit ishte vëtë ai. E dija se ku bujtëte më shpesh. Tek taverna pranë manave. Natyrisht do ta lija të më thëriste vetë për të blerë llahia. Nuk i pëlqente as t’i shtrija llahiot përpara syve dhe as t’i lutesha. Po të donte, më thërriste vetë. Me që në tavernë s’kishte shumë klientë, mendova se është rasti më i mirë.-Pardje u pashë në një emision, iu drejtova. -Çfarë të pëlqeu, ngaqë thashë se jam vllahos dhe njoh gjuhën?! -Edhe për këtë, i përgjigjem, se dhe vetë jam vllahos. U çel në fytyrë dhe filloi të më flasë në vllahisht. Unë u befasova, nuk e prisja këtë gjë. -Unë, vazhdova, doja t’ju tregoja një histori të ndodhur në pranverën e vitit 1973 , në fshatin tim, në Pogon, një krahinë minoritare greke në Shqipëri për serialin tuaj “O paraksenos taksidhjotis”. Sapo mbarova këto fjalë, në tavernë ra qetësi absolute. U kthyen të gjithë nga unë, ndërprenë dhe bisedën dhe të ngrënit.
-Në Skore, pranvera e vitit 1973.
Dhe ja ç’kishte ngjarë në Skorenë e largët ato ditë pranvere me shira thuajse çdo mbasdite dhe me shumë gjelbërim: Televizioni grek ERT ndiqej fshehurazi në anët tona pranë kufirit me Greqinë. Njerëzit, duke përfituar dhe nga klima liberale që ishte në Shqipëri para Pleniumit të Katërt Qershor 1973 , ashtu si gjithë shqiptarët , ndiqnin pa patur shumë frikë për pasojat, kanalin e vetëm grek. Në atë kohë, me sa mbaj mënd, në fshat kishte vetëm një televizor, ai i vatrës së kulturës. Dhe, për këtë arsye, mbushej çdo darkë me shikues. Antenën, të fshehur midis gjelbërimit të gjethnajës së ndonjë mani ose të pemës së dëndur të blinit, ditën e drejtonim nga Çajupi, ndërsa si të fillonte të errej, nga greku , siç i thoshnim në ato kohë. Seriali i Kucomitit jepej një herë në javë, përsëritej në mes të javës në orët e drekës. Kjo mblodhi gati gjithë fshatin në sallë. Kjo për dy arsye: e para, gjuha dhe, e dyta, karakteri melodramatik i serialit, i cili nga seria në seri, bëhej më interesant dhe më prekës.
Aq i vertetë ishte liberalizmi i asaj kohe, sa që u dha guxim dhe shokëve komunistë që të ndiqnin serialin. Mbaj mend se tekevizori ishte në sallën e leximit, nga krahu i dritareve të shkollës. Nisur nga nazet e antenës, ndonjë seri e kemi parë dhe tek shkolla, në klasën me dritaret nga kthina e vogël e Qirkajve. Por kur panë se një çikë me vonesë vinte dhe vetë sekretari i organizatës bazë, të tjerëve u iku dhe ajo frikë dhe mëdyshje që u kishte mbetur. Por nuk zgjati shumë. Pas disa episodeve, më duket se numri i tyre ishte i madh, filmi dhe gëzimi ynë mbaruan. Vetë ata shokët komunistë, me sekretarin në krye, që shikonin serialin me ne, pasi kishin lexuar një fjalim sekret të Enverit, e ndrruan pllakën . -Kush drejton antenën nga greku, kush dëgjon radion te greku, do të konsiderohet si shkelës i vijës së Partisë, do të tregohet me gisht si i ndikuar nga ideologjia e huaj borgjezo -revizioniste.
Natyrisht, atyre ua rrëfeva më shkurt. Kucomitit i pëlqeu shumë. Kjo dukej dhe në sytë e tij. Dikush i tha: -Kosta, për një krijues është gjë e mirë që vepra e tij të shikohet dhe jashtë kufijve. Kjo mund t’i ndodhë çdo krijuesi, por kjo mesele që na tregoi zotëria, nuk i dodh kujtdo. Ajo i shton biografisë tuaj krijuese në fakt të ri, një notë të re. Dhe ka lidhje me vëllezërit tanë grekë të Shqipërisë. Nuk e besoj se ka vepër tjetër greke, që të ketë këtë histori. Midis atyre që e dëgjuan këtë histori, kishte dhe nga ata që nuk u pëlqeu fakti që kjo histori, kjo censurë, ky izolim vinin nga një vend që ata, si të majtë, përpara pak vjetësh e sillnin si shembull dhe argument politik dhe idelogjik në tubimet e tyre. Kjo ngjarje bëri që me Kucomitin të bisedojmë me shpesh për vllehët dhe artin. Edhe për atë shqiptar.
-Romani “Tangoja e kuqe”, një vështrim mbi pjesën shqiptare të tij.
Më vonë mësova se po shkruante një roman, së bashku me mjekun shkrimtar të Rafinës, Evangjellos Mavrudhis, me titullin ” To koqino tango” me motive nga jeta dhe veprimtaria politike e udhëheqësit legjendar dhe aq i kundërthënë dhe po me aq antiteza dhe dritëhije, Nikos Zahariadhis, Sekretar i Përgjithëshëm i PK Greke ( KKΕ). Është një roman që, kur e lexon, të duket se po shikon sekuencat e një filmi, pasi ata e kishin e ndërmend që ta xhironin si film. Por vdekja e Kucomitit bëri që kjo të mbetet një dëshirë.
Në kopertinën e romanit thuhet: ” Në dritëhijet e historisë shpaloset një triller politik. Një roman për jetën plot dallgë e peripeci të Nikos Zahariadhis.”
Megjithëse, që kur nisi të shkruhet nga të dy bashkautorët, regjisorin e njohur grek Kostas Kucomitis dhe pathologun shkrimtar të Rafinës, Evangjellos Mavrudhis, autor i një trilogjie të suksesshme me subjekt nga jeta, dëbimi dhe vendosja në Greqi e refugjatëve grekë të Mikras Asias ( Azisë së Vogël) të njohur më shumë me emërtimin ” mikrasiates” , pra ky roman, që në kompozicionin e të cilit bie në sy fragmentarizmi, pasi autorët kanë ndjekur logjikën letrare dhe kompozicionale, që kërkon një skenar letrar për film artistik, ai nuk u xhirua kurrë, për shkak të ikjes nga kjo jetë të regjisorit Kucomitis.
Romani tregon të letrarizuar jetën dhe aktivitetin politik të Sekretarit të Përgjithëshëm të PK Greke (ΚΚΕ) Nikos Zahariadhis(Νικος Ζαχαριαδης) .
Ai fillon shtjellimin e subjektit me zbritjen në Athinë dhe pritjen me metoda klandestine ( në Greqi situata politike ishte shumë e turbullt), nga shokë të partisë të Zahariadhit, nga një aeroplan ushtarak anglez, fakt ky enigmatik, fakt dyshues dhe që e ndoqi Zahariadhin deri në vdekjen e tij.
Këtë moment, së pari, ne lexuesit shqiptarë të Enver Hoxhës, e kemi ndeshur në librin ” Me Stalinin”. Në një takim me Stalinin në Kremlin të dy delekacioneve të partive simotra PKSH dhe ΚΚΕ, takim që u thir për të sheshuar para Stalinit divergjencat midis Enver Hoxhës dhe Nikos Zahariadhit, divergjenca të cilat u bënë më të mprehta pas deklaratave të Zahariadhit për Vorio Epirin dhe taktikave të tij gjatë luftës civile, pakënaqësive të komunistëve grekë për ndihmën dhe mbështetjen e PKSH-së dhe Enver Hoxhës në këtë luftë.
Në një moment Stalini thëret mënjanë Enver Hoxhën dhe Zahariadhin. Enveri i thotë Stalinit se Zahariadhi u kthye në Greqi nga kampi shfarosës i Mathauzenit, me një aeroplan anglez. Natyrisht që Stalini e njihte këtë zhvillim në jetën e Zahariadhit. Fakti që Zahariadhi doli i gjallë nga ai kamp shfarosësh, ku u mbytën në dhomat e gazit njerëz të thjeshtë dhe doli i gjallë një nga komunistët më të njohur të kohës, është një tjetër enigmë e jetës plot të papritura dhe tallaze të Zahariadhit.
Zahariadhi, thotë Enver Hoxha ( Me Stalinin ) , dha sqarimet e duhura përpara Stalinit dhe çështja u quajt e ezauruar.
Enver Hoxha ka patur në kohën e luftës civile greke shumë shkëmbime mendimesh. Librat thonë se ata të dy nuk janë takuar asnjëherë në vitet e luftës civile, as në rastet kur Zahariadhi ndodhej në Shqipëri. Me të është takuar Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu.
Mendimi i Enver Hoxhës për Zahariadhin ka qënë: -” Njeri shumë i zgjuar, por jo komunist sa duhet.”
Qefmbetja e Enver Hoxhës ndaj Zahariadhit filloi që në vitin 1945 kur ai, si komunist, u bashkua me partitë e tjera, sidomos ato të spektrit të djathtë, të cilat ranë dakort për të filluar veprime luftarake për të kthyer Vorio Epirin si pjesë integrale te shtetit grek. Më vonë Zahariadhi do të bënte autokritikë për këtë qëndrim dhe e justifikoi me njohjen e mangët që kishte për situatën politike në Ballkanin e kohës, për shkak të mungesës së tij të gjatë në Mathauzen. Por këto veprime mbetën në letër, për faktin se Anglia dhe Amerika nuk ishin dakort.
Në roman Shqipëria dhe fryma shqiptare bëhen më të dëndura nga kalimi i veprimeve të ΔΣΤ.( Δημοκρατικος Στρατος) Ushtria Demokratike në Epir, Maqedoni dhe Greqinë kontinentale.
Do të ishte me intetes të shikonim në se sekuencat e fimit që kishin lidhje me Shqipërinë do të xhiroheshin në tokën shqiptare.
A iku Zahariadhi për në Evropë nga Shqipëria? Fredi Jermanos në romanin e tij ” To andiqimeno” (Objekti), një roman i lënë përgjysëm nga vdekja e parakohshme e Jermanoit, lë të kuptohet që ai iku nëpërmjet Shqipërisë. Në botime të tjera kam ndeshur mendinin se Zahariadhi e la Greqinë të shkatëruar nga lufta civile, një luftë e filluar dhe nga gabimet e tij, nëpërmjet kufirit bullgar, pasi kufiri jugosllav ishte i mbyllur me kohë, që në grindjen e Stalinit me Titon. Çastet e fundit të tij në Greqi u dramatizuan në Nausa.
Zahariadhi ka paguar nga të parët destalinizimin të nisur nga Hrushovi.
Në një Plenium të KKE në Bukuresht, u shkarkua dhe u internua në afërsi të Tashkentit, ku një mëngjes u gjet i varur.
Megjithë përpjekjet që bëri për t’u lejuar që të kthehej si qytetar i thjeshtë në Greqi, u fut në ambasadën e Greqisë në Moskë, gjë që bëri shumë zhurmë në atë kohë.
Si e pa që ishte e pamundur kthimi në Greqi, la amanet tek njeri nga djemtë Josifi ( për nder të Josif Stalinit) që t’i sillte nga Greqia një grusht dhe.
Por Zahariadhi dhe mijërat e komunistëve dhe familjet e tyre, erdhën në Greqi me ardhjen në pushtet të Papandreut. Ky riatdhesim kishte nisur që herët, por në mënyrë selektive. Papandreu dha amnisti të përgjithshme.
Zahariadhi u kthye i mbuluar me flamurin grek. U përcoll në banesën e përherëshmë tashmë nga mijëra njerëz. KKE tregoi me këtë ceremoni forcën e vet politike në Metapolitefsi.
Kjo ndodhi para më se 30 vjetësh.
Kisha vënë re se nuk vinte shpesh tek taverna e tij e dashur me pak dritë, me orendi të vjetra, me orë të vjetra dhe ndonjë zile të varura në mur, me fotografi të Rafinës të viteve pesëdhjetë, plazhi, barkat, ranishtja dhe vetë njerëzit, nuk ngjanin me të sotmet , sidomos ajo kopeja me dhen që ecte dhe kulloste gati pranë ujërave të Egjeut. Më ngjante i lodhur. Tani më shpesh e shoqëronin herë një zonjë, e shoqja, dhe herë i biri, dhe ai njeri i artit .
–Dhen ton ehome kalla ton Kosta, ( Nuk e kemi mirë Kostën ) më tha një ditë pak si mënjanë miku i tij më i mirë. Nga mënyra se si ma tha, e kuptova, gjendja ishte serioze. Një nga bisedat më të fundit ishte për filmin e ardhëshëm, sipas romanit për Zahariadhin. Unë i përsërita ato që kisha lexuar në Veprat e Enver Hoxhës, atij i interesonin këto, dhe hollësitë më të vogla. Gjendjen e pashpresë të Kucomitit e lexova dhe në fytyrën e doktorit, Mavrdhudhiut, bashkautor në romanin “Tangoja e kuqe” . Kur shkoja në jatrion e doktorit, kur qëllonte që nuk kishte njerëz, bisedonim për romanin, ai e dinte se e kisha blerë dhe e lexoja.
Kucomiti iku dhe skenari mbeti skenar.
Nga një dëshmitar i kohës së para Pleniumit.
Rreth shkrimit qe postove për Kucomitin: Nga që ngjarjet e asaj kohe i kam jetuar nga afër, shikimi masiv i ” Paraksenios taksidhiotis” mori përmasa të mëdha. Informatorët kishin informuar me çdo hollësi organet e partisë në rreth për çka po ndodhte në Skore. Të deleguarit nga lart shkonin e vinin. Sekretari i partisë dhe të tjerët shpetuan me vërejtje për liberalizëm dhe mungesë vigjilence.
Ne aktakuzën e gjyqit të vitit 1978 kundër sekretarit ndërmjet të tjerave thuhej: ” Me qëllim armiqësor dëmtimin e opinionit të shendoshë ndaj vijës së partisë, me vetëdije të plotë, ka nxitur depërtimin e propagandës së huaj borgjezokapitaliste, duke lejuar dhe nxitur shikimin masiv të programeve të televizionit grek.” edhe shume të tjera.