Vargut të dëshmorëve t’Atdheut i u shtue dhe nji verigë. Më 2 të Marsit, ndën cipën e zezë të mesnatës, nji anije italjane shkarkoi në skelen e Durrsit trupin e nji të dekuni në mërgim. Trupin e nji burri bujar qi, para shtatëmbdhetë vjeç kish lânë plâng e shpí, gjâ e pasuní e tânë kujtimet e jetës, ato mâ të dashunat e mâ të shênjtat, u kish kthye shpinën të gjithave, edhe Mitrovicës e Kosovës së vet për me shkue me jetue e me punue në Shqipnín e lirë, bashkë me shokët mâ të ngushtë t’idealit, me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e sa zotní tjerë dhe me djelmnín kosovare. Ç’ vlerë kishin për tê çifliqet e pallatet qi lênte në dorë t’anmikut mbas Kosovës e Mitrovicës së dashun qi, për të dytën herë, po hyjshin nën zgjedhë të huej ?
Dervish Mitrovicën e gjêjmë në 1912 në Vlonë, bashkë me shumicën e parís kosovare, me lulen e intelektualvet e të nacionalistëvet të Kosovës. Vêndin, trojet u a kishte pushtue anmiku. Po shpresa rronte e gjallë në zêmrat e tyne. Nji shtet shqiptar po formohej, sado i vogël, sado i qethun e i cunguem gjithkah. Ky shtet duhej organizue, duhej forcue. Do të vinte dita me mêndue e me punue edhe për Kosovën kreshnike, për Dibër e Çamërí. Për këtë qëllim e me këtë shpresë vrapuen kosovarët mâ parë në Vlonë, ndën hijen e flàmurit të shênjtë të Skanderbegut, t’asaj shêmbëlltyre të pamvarsís e t’idealit kombtar mâ të plotë. U vunë në shërbim të Ismail Kemalit të pavdekshëm e mbasandêj të Mbretit Wilhelm Wied në Durrës. Luftuen, u vranë ndër kodrat, zajet e kënetat e Durrsit mjerisht me …. shqiptarë qi nuk dojshin Shqipní, qi nuk dijshin se ç’âsht Atdheu e lirija ! Luftuen Kosovarët për krahas me Mirditas e me gjithë atdhedashësit e Shqipnís. E kur së ligës i u dha me e mundun të mirën, së mbrapshtës me e vue përpara të mbarën, tradhtís me e poshtnue idealin ; kur gjithë patriotët u shpërndanë, kryeultë e të dëshpruem kush në nji ânë e kush në nji tjetër, atëhere edhe Kosovarët, me krenë e djelmní u shtrënguen me kërkue strehë e me u gatue për luftat e ardhshme në shërbim t’Atdheut. Disa në Mirditë, do në Lumë e në Malsí të Gjakovës e nji tubë e mirë në Shkodër.
Nuk ngjat shumë e i a mbërrîn lufta botnore. Sikur të gjithë atdhetarët e tjerë edhe krenët e intelektualët kosovarë janë të bindun se fati i kombit t’onë, sidomos bashkimi i gjithë tokës shqiptare në një Shtet varej nga fitimi i armvet austro – hungare qi ishin sjellë kundra anmiqve t’Atdheut t’onë. Prandêj të shkelmen ushtrít e asaj mbretnije në fushat e Kosovës të tânë patriotët e këtij vêndi bashkohen me to, jo si mercenarë por si ushtarë të vërtetë t’Atdheut e me premtime të qarta të Fuqís pushtuese. Dervish Mitrovica âsht ndër ta, në krye të nji batalioni e me gradë majori. Mbas pushtimit të plotë batalioni i tij shërben për qetín e vêndit në nënprefekturën e Mitrovicës. Komanda austro – hungare i ngarkon Dervishit, bashkë me detyrën e gradën ushtarake, edhe kryesín e administratës civile të Mitrovicës me krahinat e veta. Të dyja këto detyra i kryen mâ së miri gjatë gjithë luftës tue forcue edhe mâ tepër dashunín e popullit ndaj tij. Por…. qe ! Lufta mbaroi si mbaroi e Kosova e shkretë veshi prap petkun e zís e të mjerimit. Dervish Mitrovica, me të gjithë patriotët e tjerë kosovarë, muer përsëri rrugën e mërgimit. Iku në Vjenë e pak mâ vonë ktheu në Shkodër. Mërgim ? jo! Këtu tash ai nuk e quente vetin të mërguem. Gjindej n’Atdhé të vet, n’Atdhé të lirë e mund të punonte për tê e për Kosovë.
Krenët kosovarë, qi të munden me punue me sistem e me fryt për idealin e tyne, themeluen Komitetin e Kosovës. Dervish Mitrovica qe mis i këtij komiteti. Në Gushtin e vjetit 1921 nji dekret i Këshillit të Naltë i a njohu gradën ushtarake si major i ushtrís shqiptare. Por…. pa zyrë as komandë e pa rrogë! Qeveria e asaj kohe, në të cilën sundonte i gjithfuqishëm Ahmet Zogu, s’i kishte në sŷ të mirë Kosovarët e sidomos ata të komitetit. Këta ishin fajtorë, sepse nuk mund të harrojshin vêndin e tyne, Kosovën! Duhej pra të vuejshin në mjerim. Mirë e kishin në kishin lânë pasunitë e tyne në duer të baba – Pashiqit! E Dervishi i shkretë dhe fëmija e tij qi ishin mësue me gjithë të mirat e ksaj jete rrojshin tash në nji shtëpí përdhese, herë me bukë e herë pa tê, me ndihmën e disa burrave shkodranë mbasi kishin shitë e hângër gjithë ça kishin mujtë me marrë me vete.
Në 1923 u bânë në Shqipní zgjedhjet e Kuvêndit Kushtetues. E prefektura e Kosovës e zgjodh Dervishin, bashkë me Avni Rustemin, Niman Ferizin, Kadri Hoxhën e Dr. Fahrín, përfaqësues t’asaj krahine. Punoi me partín opozitare, qi kishte në krye Gurakuqin dhe Fan Nolin. U vra Avniu e qe Dervishi në sheshin e revolucionarvet qi çuen në Vlonë, në Shkodër e në prefekturën e Kosovës flámurin e kryengritjes për shpagë e për drejtí.
Qeveria e Fan Nolit e emnoi kumandar të gjindarmërís së Shkodrës. Për mue pat qênë nji fat i madh me pasë nji shoq e bashkpuntuer si atê n’at prefekturë. Oficer gjindarmërije i mbaruem, tue pasë shërbye qysh në moshën mâ të ré si nëntoger, si toger e si kapidan në gjindarmërín e Turqís në Shkup, Jeni – Pazar e Mitrovicë, i mbajtun në shërbim e i çmuem fort edhe prej kontrollit ndërkombtar qi kishte vue Evropa në tre vilajetet e Rumelís : Selanik, Manastir e Shkup ; trim, por jo profkatar, por i âmbël sa me çarmatisun me dorë të vet dy burra të maleve me nam për kah gishti e zêmra : bajraktarin e Shalës e Mark Sadikun ; e me gjithë këtê jo profkatar, por i âmbël dhe i përvutë sa s’ka ; i ndershëm tejet. Me këto cilsí ai s’kishte si mos me u dashtun e nderue si prej eprorvet ashtu prej nënurdhnasvet të vet e prej gjithkuj të gjindej në përpjekje me tê.
Dervishi s’i ka kursye kurrë flît e rreziqet për idealin kombtar. Mbas shpalljes së Kushtetís turke në 1908, kur filloi lufta ndërmjet nesh e Turqvet të rij për të drejtat e gjuhës e të vêndit t’onë, ai ndonse zyrtar i qeverís turke, përkrahu me të tânë fuqín e vet organizatat nacionaliste të themelueme me emnin Bashkimi. Por ky veprim fare i haptë i Dervishit nuk mund të mos i binte në sŷ Turqvet të Rij. U muer nji herë nën veré t’eprorvet të tij në Selanik, por edhe atje kishte shumë Shqiptarë e nji klub me rândsí të Bashkimit. E Kosova ishte te dera. Prandêj qeveria turke nuk vonoi me e çue n’Anadoll. Me gjithë këtê, me ndihmën e disa miqve të fuqishëm, mujti me kthye prap në Kosovë, ku u ndodh në kryengritjen e 1912-s. Ishte kumandar i gjindarmërís në Mitrovicë. Të plasmen kryengritja në rrethet e Gjakovës ai i shkruen nënprefektit të vet : “Sod po më thërret detyra ndaj kombit t’em. Jam kryengritës kundra qeverís turke për të drejtat e popullit shqiptar. Lamtumirë!” E me gjithë kompanín e vet dhe me kryengritësit e Mitrovicës shkon e bashkohet me ata të Pejës.
Kishte trashigue nji pasuni të madhe prej s’âmës, bijë Begollajsh të Pejës. Por si bulku i tij si katundari fqî e adhuronte për njerzí e ndere qi u bânte. Ideja e Atdheut të lirë e shtŷni me i përbuzë të gjitha të mirat qi gzonte në vênd e në plâng të vet. Sërbët, Pashiqi vetë, e kanë lutë me kthye e me gzue gjân e vet, tue i premtue edhe grada e zyra n’at shtet. “Kur të çilni shkollat shqipe e t’u njihni të drejtat Shqiptarvet më keni atje. Ndryshe jo!” përgjigjej Dervishi.
I shkreti Dervish ! Kurrë s’e ndieva atë burrë me u ankue për ça kish bâ flí e për mjerimet qi vuente n’Atdhén e lirë. Kishte gjithmonë uzdajë se punët e Shqipnís nuk do të shkojshin përherë rrokopujë, se fati i saj nuk do të qëndronte për jetë ndër duer të flliqta e të padenja. Rronte me shpresë e me nji durim shêmblluer. Shkodra s’kishte ndryshim nga Mitrovica për tê. Shtëpija përdhesë ku banonte i dukej baras me pallatin qi kish lânë në Mitrovicë. Mjaft qi t’ishte n’Atdhé të lirë e të kishte uzdajë për Kosovën.
Por…. ahi vaj ! Mërgimi i dytë e i fundëm ; mërgimi i vërtetë, mërgimi prej Atdheut të lirë në vênd të huej, ky e pat ligshtue fort. Përpara vuente me trup, por e kishte shpirtin të shëndoshë e të fortë. Tash vuente me shpirt. Mërgim dyfish. Miq e shokë mâ t’afër e mâ të dashtun bjerrë : Bajram Curr, Hasan Prishtinë, me të cilët kishte bashkëpunue heret e vonë për idealet e tija. Ça mâ zí për qëndrimin e tij, kishte humbun forcën mâ të madhen qi e mbante gjallë : shpresën për kthimin e Kosovës në gjî t’Atdheut. Këto dy vjetët e fundit pat ardhë gjithnji tue u tha e mbarue. Malli i Atdheut e dëshprimi i a grinë shpirtin e i a grinë mushknít. E hângrën. Vdiq më 24 fruer 1935 në Zarë, ku pat jetue me familjen e vet gjatë gjithë këtij mërgimi.
“Kurrë s’kthej i gjallë ndën kët regjim, thoshte. Kam ikë prej të huejve për me rrue i lirë e me punue për Atdhé. Si me kthye në nji vênd ku mbyten patriotët për hatrin e huej e ku punimi për Atdhé paguhet me krye ?”.
Nuk desh me u kthye i gjallë. Por kur e pa dekën tu praku fshâni të madhe, qau e tha : “Trupin t’em, eshtnat e mija due qi t’i kalbë toka shqiptare. M’i çoni e m’i vorroni atje!”
Nderimi i pashoq qi i bâni Shkodra bujare trupit të pa shpirt të këtij dëshmori t’arratisun, guximi qi ajo diftoi në kët rasë âsht nji provë e qartë se sa fort ka qênë dashtë e çmue edhe nji heret nji protestë elokuente në heshtjen e saj kundra atyne qi i shkaktuen dekën e pakohshme, vetëm në të pesëdheteshtatën vjetë të jetës së tij.
Jo veç miqt e dashamirët, por të gjithë ata qi e kanë njohë Dervish Mitrovicën për s’afri qajnë sod me zêmër për tê bashkë me grue – zezën e jetimët e tij.
*MUSTAFA KRUJA Kostancw, shtypshkronja “Albania” 1 – 5 – 1935
Komentet