AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
(Grafikë nga F.Radovani)
NJI LULE VJESHTET
N’ atë rrahe t’ dekne mbrenda vorrit t’ errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errun,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’ eper m’ sharte vrejn t’ njerzimit!
- T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’ asht kputë, i cilli bite m’ zemer
Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largut
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!
Ehu! Po; “deka, qi baras m’ derë t’ pellazvet
- Trokllon, si m’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun
- Hithat e madergona! ‘I Kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’ a vu té kryeni,
Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’ a zbutë, posë va’jt t’ trishtueshem
Të hutit t’ natës, qi neper curra t’ malit
- Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjimue!…
Njai grumull gursh, qi m’ vorr t’ randon persypri,
Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’ hikë kah t’ bjen nget vorrit,
Edhe t’ perqethët atë botë i shkon n’per zemer.
- Po, a thue, krejt deka n’ asgjasend t’ perpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,
Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’ dritë t’ qiellvet, ku pushon dishiri
- I nierit t’ drejtë, si drita m’ sy të kthiellun.
Po, po, se pertej vorrin Shpirti i nierit
Gjallon per jetë! Njiky mendim i ambel
Deken e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshem.
Kur zemren fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi
- As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva
Se diqe: Se n’ ma t’ miren lule t’ motit
E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese
- Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija
M’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet m’ kambë, ku mbahet.
Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen
- E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:
Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket pergja.
S’ kjé toka, jo, per ty kjé qiella!
- E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’ per vrrije t’ amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’ dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,
- Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’ Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,
Kndon Zotit lavde n’ per ylbera t’ qiellit;
A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,
Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet skjyrton shestimin
- E rruzullimit, vu prej s’ epres Mende,
E cilla n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana
Prej hijevet t’ kthellueshme t’ asgjasendit,
kur bani Ajo furin me heshtë t’ thellimit,
E me ‘i fuqi t’ pamatne prapi terrin
- E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje
T’ ktij sheklli ndihet mnershem tue gjimue,
Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.
E aty, n’ atë dritë plot ambelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’ Dritvet
- Gjithkah dikohet neper verë t’ Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’ rreze tu ‘i pershi,
T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cillat Hyji
Desht t’ muzta nierit me ia lanun t’ shkrueme
Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.
- Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,
E tjeter s’ ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi permallshem gurgullon n’ per rrâjë e curra,
Un, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemvet t’ kahmotit,
Mbas t’ cillvet fjalen rrij tue lmue Shqyptare,
- Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé – kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej mneres s’ territ,
- Perbluen punë t’ mbrapshta: – E atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen
- Un t’ thrras at botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,
- Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer
E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errshem,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’ mende t’ onë gjallon. – Kur Aleksandri
- Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prisit t’ Mirmidonvet,
Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin
- N’ skaj t’ dheut, e prej selis me i zdrypun mretent;
E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi sheklli e nji dishir lirijet
T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’ and t’ pervujtun
- M’ ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.
Permbi vorr t’ and, po, xâ të fortë me e majtun
Besen e dhanun – e miqasin e zanme;
Per Fé e per Atme n’ ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin
- Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.
Mos me i shmangë syt prej cakut, n’ t’ cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndersa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.
Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun
- Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr
Ka me m’ kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e dekës në vorr mos me t’ turbullue,
- Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli
E t’ ngele moti e sheklli mbarë t’ rropposet,
E t’ vije dita e gjyqit t’ rruzullimit,
Ai ka per t’ m’ kenun Zana. E atëherë pa u tutun
Zgjetat e prehta e t’ zjarrta kam me i prehun,
- Qi kundra vesit do t’ ia lshoj njerzimit:
Atëherë un kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’ cillat botës un do t’ ia la të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’ dorë t’ Shqyptarit.
E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshem
- M’ vorr t’ and kam per t’ ndertue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ka per t’ a rrahun;
Pse, si curr, qi n’ mjes t’ detit rreh tallazi,
Edh’ ai njashtu do t’ jesë nder gjire t’ motit
Qi bumullojn mbi faqe t’ rruzullimit.
- E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;
E shtektarin mundqar, qi n’ ato hije
- Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qiellet vrâni
Deka n’ atë vorr. E atë botë i largët shtektari
Të lehtë dhén ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: E, kur m’ male t’ veta
- T’ dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue
Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso bote
Emnin t’and kanë per t’ kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.
- Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohtme veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai Emen:
E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
- E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e Emni
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.
Shenim nga F.R.: Prof. Gasper Ugashi e cilsonte këte Lirikë, ma të
bukren e At Fishtës.
Urojmë që shpejtë të hyjnë nder tekstet shkollore!
Melbourne, 31 Gusht 2024.