Dhjetëra serbë lokalë me kamionin e fundit pjesë e bllokadës në pikën kufitare në Jarinjë po vazhdojnë të qëndrojnë pa u larguar nga vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth kamionit në të cilin shkruan “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, janë bashkuar dhjetëra qytetarë serbë, të cilët brohoritën “Serbia” duke bllokuar procesin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.
Si pasojë e mos-largimit të tyre bashkë me kamionin e fundit të bllokadës, as njësia speciale e Policisë së Kosovës nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, ku po qëndron nga 20 shtatori, kur u vendos masa e reciprocitetit për targat e përkohshme me Serbinë.
Nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, serbët lokalë lëshuan një korsi të rrugës në Jarinjë.
Ushtarët e KFOR-it janë të pranishëm gjatë gjithë kohës dhe janë përgjegjës për sigurimin e paqes dhe sigurisë. Sipas marrëveshjeje së arritur në Bruksel të enjten e 30 shtatorit, KFOR-i do të qëndrojë në pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak për rreth dy javë.
Afati i fundit për tërheqjen e të dyja palëve është sot jo më vonë se ora 16:00.
Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Miroslav Lajçak, ranë dakord në Bruksel më 30 shtator që të dyja vendet të fillojnë aplikimin e regjimit të letrave ngjitëse (mbulimin e simboleve shtetërore në targa) gjatë hyrjes dhe qarkullimit tek shteti tjetër nga 4 tetori, duke e larguar përdorimin e targave të përkohshme.
Komentet