Të dy burrat, nën mbulimin e kamerës televizive që transmetonte, e vendosën Flamurin Amerikan në Hënë dhe pastaj morën kampione të dheut, rërës, shkëmbinjve për eksperimente shkencore. Ata bënë më shumë punë në Hënë nga ç’ishte parashikuar. Z. Armstrong raportoi se gjithçka ishte “tejet e rehatshme.” Në një ndërkohë të transmetimeve nga Hëna Presidenti Nikson i uroi astronautët nga Shtëpia e Bardhë, për atë që ai e quajti “telefonatën më historike që është bërë ndonjëherë.” “Sepse me atë që ju keni bërë, i keni shndërruar qiejt në pjesë të Botës së njeriut. Dhe siç na thatë ju nga Deti i Qetësisë kjo na imponon neve që t’i dyfishojmë përpjekjet për të sjellë paqe dhe qetësi në botë….”
—–
Voal.ch – “Njerëzit shëtitën në Hënë”. Ky ishte titulli i reportazhit special të autorit John Noble Wilford, botuar në “Nju Jork Times” të hënën, me 21 korrik 1969, të nesërmen e zbarkimit të austronautëve amerikanë në Hënë.: “Njerëzit zbarkuan dhe shëtitën në hënë. Dy amerikanë, astronautët e APOLLO 11, ulën modulin e tyre katërkëmbësh hënor me siguri dhe lehtësi në zbarkimin e tyre historik dje në orën 4:17:40 P.M. (ora 4 e 17 minuta e 40 sekonda e pasdites).
Neil A. Armstrong, komandanti 38-vjeçar civil njoftoi me radiodhënëse tokën dhe kontrollin e misionit në zyrat e tij këtu në Hjuston: “Houston, Tranquility Base here. The Eagle has landed.” (Hjuston, Baza e Qetësisë këtu. Shqiponja ka zbarkuar). Njerëzit e parë që shkelën në hënë-z. Armstrong dhe bashkëpiloti i tij, koloneli Edwin E. Aldrin, Jr.i Forcave Ajrore- e ulën anijen e tyre kozmike në një rrafshinë shkëmbore në bregun jugperëndimor të Detit të Qetësisë.
Rreth gjashtë orë e gjysmë më vonë,z. Armstrong hapi derën e anijes kozmike, hodhi me kujdes hapin e parë në Hënë dhe la gjurmët e para të këmbëve të njeriut në dheun e Hënës:
“That’s one small step for man, one giant leap for mankind.” (Ky është një hap i vogël për një njeri, por një hop gjigant për njerëzimin). Hapi i tij i parë u hodh në orën 10:56:20 të pasdites, ndërkohë që një kamera televizive jashtë anijes transmetonte çdo lëvizje të tij dhe shtangoste një publik prej qindra milionë njerëzish anembanë Tokës. Hapat e parë të z. Armstrong ishin provat e para të fortësisë së dheut të Hënës dhe të mundësisë së njeriut për të udhëtuar i sigurtë në Hënë. “Sipërfaqja është e bukur dhe me një shtresë pluhuri,” raportoi astronauti. “Unë mund ta zhvendos atë lehtësisht me majat e këmbëve. Unë i shikoj gjurmët e këpucëve të mia nëpër sipërfaqen ranore të Hënës. Pas 19 minutash shëtitje të z. Armstrong, koloneli Aldrin iu bashkua atij duke zbritur edhe ai për të shëtitur në Hënë. Të dy burrat, nën mbulimin e kamerës televizive që transmetonte, e vendosën Flamurin Amerikan në Hënë dhe pastaj morën kampione të dheut, rërës, shkëmbinjve për eksperimente shkencore. Ata bënë më shumë punë në Hënë nga ç’ishte parashikuar. Z. Armstrong raportoi se gjithçka ishte “tejet e rehatshme.”
Në një ndërkohë të transmetimeve nga Hëna Presidenti Nikson i uroi astronautët nga Shtëpia e Bardhë, për atë që ai e quajti “telefonatën më historike që është bërë ndonjëherë.” “Sepse me atë që ju keni bërë, i keni shndërruar qiejt në pjesë të Botës së njeriut. Dhe siç na thatë ju nga Deti i Qetësisë kjo na imponon neve që t’i dyfishojmë përpjekjet për të sjellë paqe dhe qetësi në botë. Çaste si ky janë jashtëzakonisht të çmuar në gjithë historinë e njeriut në Tokë janë vërtetë të papërsëritshëm- të papërsëritshëm në krenarinë për atë që ju keni bërë dhe për lutjet tona që ju të riktheheni shëndosh e mirë në Tokë.” Z. Armstrong iu përgjigj: “Faleminderit z. President. Është një nder i madh dhe një privilegj për ne që të jemi këtu jo vetëm për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara por njerëzit e paqes të të gjitha kombeve, njerëzit me interesa dhe kureshtje dhe njerëzit me vizion për të ardhmen.” Z. Armstrong dhe koloneli Aldrin u rikthyen në anije në orën 1:12 të mëngjesit, pasi kishin shëtitur 2 orë e 21 minuta në Hënë. Kur anëtari i tretë i ekipit, nënkoloneli Michael Collins i Forcës Ajrore, në orbitë, u vu në komandën e anijes së tij, dy zbuluesit e Hënës ranë për të fjetur. Kur kishin vënë kmbën në Hënë astronautët kishin parë një botë në errësirë. Ishte pak para agimit, me një diell që po ulej në horizontin prapa tyre dhe me hijet e natës së gjatë hënore ende shtriheshin në krateret dhe kodrat e Hënës përpara tyre. Kolonel Aldrin tha se ai mund të shikonte “me mijëra e mijëra kratere të vogla” dhe një kodër të ulët pak më larg. Por më së shumti atij i kishin bërë përshtypje “shumëllojshmëria e pafundme e formave, këndëve dhe kokrrizave” të shkëmbinjve dhe të dheut të Hënës.
Zbarkimi në Hënë ishte bërë gjashtë kilometra në perëndim të vendit të parashikuar, por brenda së njëjtës zonë. Një gabim i mundshëm në ndonjë nga të dhënat e dërguara nga Toka në kompjuterin drejtues mund të ketë çuar në pasaktësinë e përmendur. Astronautët kishin qenë të shqetësuar kur kishin parë se kompjuteri që i udhëhiqte po i çonte drejt një krateri si humnerë sa gjysma e një fushe futbolli. Z. Armstrong mori në dorë kontrollin e anijes dhe e drejtoi atë me gjakftohtësi dhe siguri përtej kraterit në një zonë të butë, ndërkohë që motori i anijes ngriti në re pluhuri hënor në minutatat e para të zbarkimit. Menjëherë pas zbarkimit, duke parë se gjithçka shkonte për mrekulli, z. Armstrong dhe kolonel Aldrin vendosën të vënë këmbë në Hënë më herët nga ç’ishte parashikuar. Plani i fluturimit kishte parashikuar që shëtitja në Hënë të fillonte në 2:12 të mëngjesit. Kontrollorët e fluturimit këtu në Hujston thanë se fillimi i shëtitjes më herët nga parashikimi nuk do të thotë se anija do të largohet nga Hëna para kohe. Largimi është parashikuar të fillojë rreth orës 1:55 të ditës së sotme.
Menjëherë pas zbarkimi të anijes, Dr. Thomas O. Paine, administrator i National Aeronautics and Space Administration, i telefonoi Presidentit Nikson në Uashington për t’i raportuar:
“Z. President, është në nderin time që në emër të të gjithë ekipit të NASA t’ju raportoj juve se Shqiponja ka zbarkuar në Detin e Qetësisë dhe se astronautët tanë janë shëndosh e mirë dhe duke u bërë gati për të shkelur Hënën.”
“Udhëtimi historik i APOLLO 11 filloi të mërkurën e shkuar”, shkruante gazeta The New York Times duke përshkruar atë çka po ngjiste, ndërsa astronautët vazhdonin që të ishin në Hënë, “duke u lëshur nga Kepi Kenedi i Floridës. Edhe pse z. Armstrong është i njohur si njeri fjalëpakë e gjakftohtë, rrahjet e zemrës së tij tregojnë për shqetësimin që përjetonte në zbarkimin e parë të njeriut në Hënë. Në çastin e zbritjes së anijes rrahjet e zemrës së tij ishin 110 në minutë – 77 është normalja për të – dhe shkuan deri në 156 në çastin kur anija preku në dheun e Hënës. Kur astronautët e APOLLO 11 zbarkuan në Detin e Qetësisë, temperatura në zonën ku u vendosën ata ishte shumë e ftohtë. Gjatë një nate hënore e cila zgjat sa 14 ditë të Tokës, temepraturat zbresin deri në 280 gradë nën zero. Ndryshe nga Toka, Hëna, duke mos pasur atmosferë, që të vepronte si batanije, nuk e ruan aspak ngrohtësinë ditës gjatë natës. Gjatë së njëjtës ditë hënore, temperaturat ngjiten në plus 280 gradë. Në kohën kur Shqiponja do të bëhet gati për t’u larguar nga Hëna, temperatura do të ketë arritur në rreth 90 gradë. “/Elida BUÇPAPAJ
ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet