Numri i viktimave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad të Serbisë është rritur në njëmbëdhjetë, kanë raportuar mediat në këtë shtet.
Paraprakisht, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se tetë persona kishin vdekur dhe disa të tjerë ishin lënduar.
Dy persona ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe Daçiq tha se ekipet e shpëtimit po tentojnë që t’i nxjerrin nga aty.
Ndërkaq, tre persona janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në Qendrën Emergjente, tha Vesna Turkollov, drejtoreshë e Qendrës Klinike të Vojvodinës.
Afër 80 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.
Për shkak të ngjarjes në Novi Sad, 2 nëntori është shpallur ditë zie në Serbi, njoftoi Qeveria serbe. Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.
“Ne do të insistojmë që të gjithë përgjegjësit të gjenden dhe ata që janë përkujdesur për gjendjen e kësaj strukture dhe të kësaj ndërtese të mbahen përgjegjës”, tha kryeministri serb.
Ai tha se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.
Ky stacion hekurudhor ishte ndërtuar më 1964. Më 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish. Më 5 korrik, në hapjen e objektit të rindërtuar kishte marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Goran Vesiq, kryetarja e Qeverisë Krahinor Maja Gojkoviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sad, Millan Gjuriq.
Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë bëri të ditur se streha që u shemb “nuk ka qenë subjekt i rindërtimit në kuadër të punimeve për rinovimin e objektit të stacionit në kuadër të projektit të ndërtimit të linjës së shpejtësisë së lartë Novi Sad-Suboticë”.
Siç u tha në njoftimin e kësaj kompanie, në kuadër të rikonstruksionit është punuar në pjesën e brendshme e stacionit, çatisë dhe fasadës sipër dhe poshtë strehës.
REL