QE TE TE KUJTOJNE
Mos harro se në jetë duhet të sillesh si
në një gosti…
EPIKTETI
KI NË MEND NË KËTË BOTË JE MYSAFIR, dhe si i tillë sillu. Kur të shtrohet buka, ulu ku të të thonë. Nëqoftëse gjella vonohet, ki durim. Çdo vonesë ka një shkak. Mund që Zonj’e shtëpisë po përpiqet ta gatuajë më të shijëshme. Dhe nëqoftëse gjella është me të vërtetë e shijëshme, merr sa të lypset, dhe thuaj :
<< Kalojani mikut që kam pranë. Le të marrë ai më shumë; ai mban më tepër.>>
Pastaj qok me përkore.
Thjesht, kërko sa meriton dhe merr sa ke takatin. Mos u dëshpëro pse s’t’i njohin përnjëherë meritat. Prit si prite gjellën: më vonë do të të çmohen më tepër.
Vepro kështu dhe ke për të parë sa keq do t’u vijë kur të nisesh, dhe me sa mall e dashuri do të kuvendojnë për ty.
* * *
TË GJITHË NË KËTË BOTË JEMI MYSAFIRË.
Nëqoftëse ti je kujdesur për lëndën, dua të thom: për të ushtruar e zbukuruar trupin, për të ngrënët e të pirët, për të kënaqur ndijimin e shqisevet, pasi të kesh marrë rrugën e nisjes ç’do të mbetet në kujtimin e atyre me të cilët ke ndarë kënaqësitë lëndore? Edhe atyre do t’u vijë dita e nisjes; edhe ata do të bëhen hije si ti. Po pastaj ? Heshtje e plotë !
Por nëqoftëse ti je përpjekur të pajtosh me harmoni nevojat e lëndës me ato të shpirtit, poende ke anuar nga shpirti, dhe ke përdorur arësyet e mendjes pa harruar ato te zemrës, poende ke anuar nga nga zemra, atëherë heshtja do të thyhet.
Kështuqë, kur të dalësh në provim, me të drejtë thuaj :
<<Pse më mbani ndryrë ? Pse s’ma hapni derën e t’urtëvet ? Nuk dëgjoni ? Atje, mbi tokë, kuvendojnë për mua. >>
KUNDER LOGJIKES
Dy jetët
Njeriu i urtë vështron pas; pa ecur, arrin.
LAO-TSE
Mistik kinez (Shek. VI përp..Kr,)
SECILI PREJ NESH RRON DY JETË : njëra është e dukëshme dhe tjetra e padukëshme.
Jeta e dukëshme është ajo që rrojmë në shoqëri. Jeta e padukëshme është ajo që rrojmë në vetmi.
Do me thënë :
Jeta në shoqëri është “e sotmja”, jeta në vetmi është “e djeshmja”.
Këtë na e thotë i urti :
I urti në vetmi kërkon të gjejë të vërtetën duke u kthyer në “ të djeshmen”. Dhe “e djeshmja” i del e shtrembët.
“Të sotmen” nuk e dimë.
“E sotmja” do të duket kur ajo të bëhet “e djeshme”.
Prandaj i urti kërkon të vërtetën sëprapthi.
Ai struket në vetmi dhe del nga “e sotmja” për t’u kredhur në “të djeshmen”.
Mësuesi i të urtit : “E djeshmja”.
* * *
I RIU SHPEJTON E THOTË :
<< Fjalë pa logjikë. Si mund të gjëndet e vërteta sëprapthi ? Si mund të gjëndet e drejta me anën e një gjëje që është e shtrembët : me anën e “së djeshmes”?>>
Ashtu arësyeton ai, i lumturi, i riu që s’ka “të djeshme”.
KUNDER LOGJIKES
Lënda dhe Njëshi
Një njeri trokiti te dera e Mikut. <<Kush
është ?>> <<Jam unë. >> <<Këtu s’ka vend për dy, >> u përgjigj zëri. Njeriu iku dhe kaloi një motmot në vetmi gjersa nga zjarri i dëshirës u tret në shpirt. Kur u kthye : <<Kush është ?>> pyeti zëri. << Je Ti, o i Dashur. >> << Meqenëse jam Unë, le të hy Unë. Në shtëpi s’ka vend për dy “unë”.>>
XHELADIN RUMI
Poet mistik persian (1207-1273)
ATA TË LOGJIKËS kërkojnë të më bëjnë me vete, të më futin në rradhët e tyre.
Mirëpo, kur unë u thom që çdo herë që shkoj në Të, Ai mbetet Një, përnjëherë ata më kundërshtojnë :
<<Ai një dhe ti një, dhe logjika na mëson se një e një bëjnë dy dhe jo një. >>
Ata që flasin ashtu e kërkojnë me anën e mendjes. Anija e tyre është logjika dhe lundrojnë e humbasin në detin e arësyetimit shqisor.
Si mund të vihem unë në rradhët e tyre, kurse vala më e vogël i tremb dhe frika e tyre i shtyn të dyshojnë e të thonë :
<< A ekziston Ai ?>>
Dhe tani le të më dëgjojnë dhe lë të më kundërshtojnë:
<<Fryma ime është e Tij, ndjenja ime është e Tij, mendimet e mija janë të Tija. Fjalët që unë shqiptoj mos vallë janë të mija ? Si mund të jenë të mijat kurse ato janë të frymëzuara nga Ai që më ndez dëshirën të jem në Të? Kur më vjen rradha dhe Ai më kujton, a jam unë i zoti të përmbledh veten që të mos më merren mendt? Kurse Ai ka shkrirë në zjarrin e gjakimit muret e burgut të lëndët, ku të mbështetem unë që të mos bie përdhe si i vdekur? >>
Prandaj le të rishqyrtojmë vendimin, ata të logjikës, ata që dinë të shkruajnë libra, ata që japin mësim:
Ajo (gjë) pa frymë, ajo (gjë) pa ndjenjë, ajo (gjë) pa mendim, si mund të jetë një?
SHPIRTERORE
PER LINCOLN-in
Ditën e Dielë mbas atentatit dhe vdekjes së Abraham Lincoln-it, 14-15 Prill 1865, gjatë nji Meshe që çohej për Shpirtin e Tij, nji skllav i liruem, të cilit s’i asht dijtë kurr emni, sajoi këtë “Spiritual” ngashërues që kam përkthye nga anglishtja dhe që ndodhet në librin e Jim Bishop-it Go with God (Shko me Zotin), Monarch Books, Derby, Conn., 1960.
NA PO VIJMË TE TI, O ZOT, tue mbajtë shpirtnat tanë si ena të zbrazta që të na mbushen në kroin e dashunisë sate.
NUK NA KE THANË TI VETË, O ZOT, që do të na ushqesh po të jemi të unshëm?
NUK NA KE THANË TI VETË, O ZOT, se po të jemi t’etshëm do të na japësh të pijmë ujët e shpëtimit?
NUK NA KE THANË TI VETË, O ZOT, po të jemi të vobekët e të dobët: Ejani te unë gjith sa jeni të lodhun e të ngarkuem, dhe unë kam me ju dhanë prehjen t’uej?
NUK NA KE THANË TI VETË, O ZOT, se po të dimë të presim me durim do të na nxjerrësh jashtë nga të gjitha vuejtjet tona?
DHE KUR ERDHI KOH’E JONË, ashtu si naltësove Moisenë për të thye fuqinë e Faraonit dhe për të shlirue popullin, po ashtu na dërgove nji shlirimtar për të na nxjerrë jashtë skllavënisë; dhe gjatë kohës që i miri bari qëndroi mes nesh, na udhëhoqi jashtë shkretinës tue mbajtë në krah të vogjëlit e tue na çue për të kullotë në livadhet e blerta.
POR NDASHTI, O ZOT, kur vepra e tij u plotësue, dhe e more gjithnji ma nalt, e i dhe nji Fron mes Krye-Engjëjvet, dhe e mveshe me të bardha, dhe ai mpron të drejtat tona.
ATËHERË, KUR DISA PREJ NESH do të jenë të meritueshëm, do ta shofim atje ku ndodhet dhe do ta përqafojmë. Dhe Zoti do të pyesë: Kush janë këta? Dhe Abrahami do të përgjigjet: Këta janë ata që unë, me aq mundim e vuejtje, nxora jashtë shtëpisë së robnisë, dhe për të cilët më vranë.
TINGELLIMI I KEPUTUN
Levommi il mio pensèr in parte ov’era
Quella ch’io cerco e non ritrovo in terra…
Më çoi nalt mendja ime atje ku ndodhej
Ajo që unë kërkoj dhe s’e gjej në tokë…
- PETRARCA: Il Ganzoniere.
Libri i Kangjelevet.
Sonte kujtimi n’arratít e tija
tue u-vjedhun prej t’errtave llogore
ndeshi n’andërr atê qi e thirrun prore
duket veç rrallë për trishtimet e mija.
Ishte si qe te stina e parë rinore
kur ja stoliste ballinpafajnija.
Ë m’thoshte: <<Çka se vdiqa shpejt? Lumnija
nuk qe për mue! E lashë nji përmendore!
Jo krejt u-bora ku m’u-sos mënxyra.
Si frymë un endem (a s e ndien?) rreth teje.
Të prîj aty ku t’urdhëron detyra,
të mproj nga çdo rrezik përmes beteje.>>
I qeshën sŷt, i ndriti hir fëtyra…
O motër, vorri yt âsht mbrenda meje!
ARSHI PIPA.
O LEKE !
Eja, e ëmbël foshnje. Vashat e mija,
Ato që Renin e natës tërheqin,
Me këngë ngadalë do të të përkundin,
E rreth teje valle lehtë do të heqin.
- W. GOETHE: Der Erlkönig.
Mbreti Elfëvet.
O Lekë,
Ç’magji të banë
Ato re të bardha,
Qingja prandvere të dlir’,
Që na fluturove nga prehni,
O bir?
Ato re të bardha
Ç’lule e ngjyra
Të premtuen përherë
Sa të lashë çdo gja të mjerë?
Po ato Zana pyjesh,
Ato Zana stolisun yjesh,
Kush u a ngjalli atë smir,
Si t’u joshën, ç’patën, ç’patën me ne.
O bir?
Ato Zana
Ma ambël se nana
Të kënduen e të përkundën lehtë
Sa të lashë çdo gja të shkretë?
Po ai Lajmëtar i zjarrtë,
Ai Engjëll flatër artë,
Si të mbështolli me hir,
Si ta puthi atë shpirt,
O bir?
Ai Engjëll i Zotit,
Ç’bukuri të pasqyroi,
Si ta ngjalli atë kureshtje
Sa të lashë çdo gja në heshtje?
O bir!
A DONIKA
(Dono di nozze)
C’è qualcosa di nuovo oggi nel sole…
- Pascoli: L’Aquilone.
C’è qualcosa di nuovo oggi nel sole…
È l’aquilone?…
No, è una notizia meravigliosa:
Donika sposa!
Donika?!
Quella sbarazzina che a Porta Pia
Divorava paste e sfogliarella?
Ma sì, proprio quella.
È come se fosse ieri,
Vi ricordate?
E come spesso e volentieri
Si conduceva appresso anche l’amica,
Quella cara, cara Donika.
O tempo, spietato tempo,
Come corri in fretta e spensierato!
Oggi sei tu ch’hai fatto di Donika
Una pianta in pieno rigoglio,
E di me un tronco a metà divelto
Ed a metà spoglio!
* * *
C’è qualcosa di nuovo oggi nel sole…
Forse d’antico?…
No, è una novità senza passato nè memoria,
Ed eccola qua il foglio, l’annuncio rosa:
Donika sposa!
O figliuola, propio oggi
Che conciliato mi sento col fato avverso,
Che disappunto, che pensiero
Non esser, io, un sommo,
Un Ariosto, un Foscolo, Monti cavaliero,
Per l’epitalamio tuo comporre in classico verso.
Per cantar l’idillio tuo,
Chè non son io Teòcrito dalle bucoliche,
Dei pastori e degli armenti,
Per, in nobile greco,
Lanciar ai piani ed ai venti
Della siracusana contrada antica:
Udite! Oggi sposa Donika!
* * *
E se una lagrima si vede spuntar
Fra le mie ciglia,
Nessun s’allarmi nè turbi;
Sebben di rimpianto,
È come un sorriso:
Lontano, oh quanto!,
V’è, come Donika, mia figlia.
E siccome
C’è qualcosa do nuovo oggi nel sole,
Il suo raggio fa brillare
Ugualmente lagrima e sorriso.
O bel raggio divino che il mio cuor tergi,
Allieti e lo fai cantare:
Che nuova meravigliosa!,
Donika sposa!
SHENIME
Pasthënie
Sikurse shihet, ky libër është ndarë në dy pjesë.
Në Pjesën e Parë ndodhen shkrimet që i përkasin mërgimit tonë. Mërgimi, natyrisht, merr me vete kujtimet e atdheut, të familjes, të shoqërisë. Shkëputja syresh ndikon çdo shkrim. Ndër këto ndodhen dy hartime të huaja: Vatra ime dhe Të kujtoj. I kam vënë të parat sepse kanë qenë të parat hartime me argument malli për atdhenë e largët, të paraqitura me veshje letrare, që kanë filluar sërën e botimevet t’asaj natyre në Fletoren Shqiptari i Lirë, të New York-ut. Copat e përkthyera përmbajnë po ato ndjenja të mërgimit.
Në Pjesën e Dytë kam radhitur vetëm disa nga shkrimet e mija, të thom sentimentale, që herë-herë kam hartuar në çaste “evasion”- i nga jeta e përditëshme. Po i quaj lehtësim dhe kënaqësi të shpirtit. Në këtë Pjesë ndodhet edhe Tingëllimi i këputun i poetit Arshi Pipa, elegji për motrën e tij. Kjo vjershë, që mendoj të jetë nga më të bukurat dhe më prekëset e lirikës sonë, është nxjerrë nga Libri i Burgut, Romë 1959.
Për disa hartime
Baladë Ilire (Fq. 22) – Në këtë Baladë, me emrin Marathonomak (luftëtar i Marathonës) quaj ushtarin grek që çoi në n’Athinë lajmin e fitores së Grekëvet kundër Persianëvet (490 përp. Kr); Bali është emër langoi; Murri është emër demi; Bardhuka është emër lope; Ndërtuesja është hartuesja e Baladës, këngëtorja, vajtorja.
Plasmi i të Dashurit të Lirë (Fq. 24) – Është lehtë të shihet në këtë shkrim, si në stil sidhe në shprehje, një ndikim i theksuar nga tre Librat Poetik të Dhiatës së Vjetër: Job-i, Plasmet dhe Eklesiasti (Kohelet-i).
Ghazeli i Zemrës (Fq.48) – “Ghazel”-i është një lloj hartimi poetik i letërsisë persiane. Secili varg i tij (distik) shpreh një mendim të pamvarun nga ai i çdo vargu tjetër, kështuqë radha e vargjevet, deri diku, mund të ndërrohet pa shtrembëruar idenë e përgjithshme që shfaqet, disi e mjegulluar, nga grumbullimi i tyre. Në vargun e fundit, poeti përmend emrin e vet. (Besim Ferrazi është pseudonimi im) Poeti lirik më i madhi i Persisë, Shemsedin Muhammed nga Shirazi (1320?-1389), i vetëquajtur dhe i njohur me mbiemrin Hafiz, ka përdorur “ghazel”-in për të shprehur ndjenjat e tija mistike kryesisht me anë të lulesh (trëndafili), zogjësh (bilbili), pijesh (vera), etj. Në këtë vjershë origjinale time, gris perden do të thotë: s’përmbahet, s’merr parasysh turpin; me të kuqen do të thotë: me verën (që është e kuqe); muskël i zgavërt është përkufizimi i çdo fjalori i zemrës, organ i qarkullimit të gjakut.
O Lekë! (Fq. 69) – Është një elegji kushtuar birit tre vjeçar e gjysëm të Zotit Pashk Adem Margjonaj, që mjekët e New York-ut s’e shpëtuan dot nga vdekja. (Prill 1961).
A Donika (Fq. 72) – Donika Qirjaku, vajza më e vogël e të ndierit Prof. Vasil Qirjakut, me dy motra dhe vëllanë, Nos Qirjakun, ndodheshin në Itali në mbarim të Luftës së fundit, dhe nuk u kthyen në Shqipëri kur kjo ra në duart e komunistëvet. Koha kalon dhe, me hallet e mërgimit, harrojmë të numërojmë vjetët, kështuqë, kur më erdhi lajmi i martesës së Donikës, s’mund ta përfytyroja atë si grua dhe nuse. Për mua, në mendje dhe në zemër, Donika mbetet gjithmonë ajo “sbarrazzina” e vogël që kam njohur dhe dashur si një bijë, në Romë. Vjershën e hartova pikërisht atë ditë Gushti 1961 kur, këtu në New York, postjeri më pruri “l’annuncio rosa”.
Epigrafet nga Hölderlin-i, nga Nietzche-ja dhe nga Goethe-ja, të zgjedhura dhe të përkthyera nga gjermanishtja, m’i ka dhënë Z. Anesti Andrea.
Për përkthimet
FÉLICITÉ DE LAMENNAIS (1782-1854) (Fq. 28, 34) – Pjesët e këtij filozofi i kam përkthyer nga libri Paroles d’un croyant (Fjalë të një besimtari), T. Rombaldi, éditeur, Paris 1928. Këtë vepër Lamennais e shkroi pas leximit të Librit të Pelegrinëvet Polonezë të Mickjewicz-it, përkthyer në frengjishte nga Charles de Montalembert.
ADAM MICKIEWICZ (1789-1855) (Fq. 40, 41, 42) – Çmohet më i madhi poet i Polonisë. Disa nga veprat e tija ai vetë, bashkë me djemt e tij, i ka përkthyer në frengjishte: Chefs-d’œuvre d’Adam Mickiewick, traduits par lui-même et par ses fils, G. Carpentier éditeur, Paris 1882. Në këtë vëllim ndodhet edhe Le Livre des Pèlerins Polonais (Libri i Pelegrinëvet Polonezë) nga i cili kam zgjedhur dhe përkthyer tri copat e këtij poeti të lartë.
JAN KASPROWICZ (1860-1920) (Fq. 31) – Më i madhi poet lirik i Polonisë moderne. Për imitimin tim, jam referuar te një përkthim n’italishte bërë nga Cristina Agosti Garosci, botuar në Il Breviario dei Laici (Ofici i Laikëvet), Rizzoli, editore, Milano 1958, fq. 905.
FJALORTH
CIKËL-CIKLI – Rreth që përmbledh një sërë fenomenesh që zhvillohen me një rend dhe në një kohë të caktuar. (Frengj. dhe angl.: cycle.) (Fq. iii).
EPUR – Ep: përkul; epem: përkulem; (i,e) përkulët, që përkulet, që lakohet. (fq. 1,48)
FASHITIM – Fashis: shtroj, qetësoj; bie fashë deti, stuhia. (Fq. iii)
FATÍ-a – Secila nga tri gratë e përrallavet, të cilat natën e tretë të lindjes vijnë te djepi i foshnjes dhe i presin fatin; edhe mirë, vitore. (Frengj.: fée; angl.: fairy.) (Fq.14)
FATIHÁ – Hapja, Sura e Parë e Kuranit. (Fq. 48)
FLATËR-FLATRA – krah për të fluturuar. (Fq. 49)
FSHAMË – Fshâj: psherëtij. (Fq. 6)
GURRË-a – burim, origjinë. (fq. 48)
GJAKIM-I – Dëshirë e madhe. (Fq. 48)
GJENÍ-u – Zotësia krijuese më e larta. (Fq. iii)
GJINIKOJ – Pjell, krijoj. (Fq.41)
HAJTHME (e) – E hollë, e hedhur në shtat. (Fq. 14)
HELIANTH-i – Lule dielli. (Fq. 48)
HOLLÍ-u – Lëng i hidhur; e ka poeti Zef Schirò në “Mundimet e Zotit Krisht”: I dhanë uthull dhe hollí. (Fq. 22)
JOSH – Tërheq me dhelka; joshë-a: fuqi tërheqëse, dhelkë; më joshet macja. (Fq. 39, 69)
KANDËRR-KANDRRA – Insekt. (Fq. 29)
KRUSMË-a – Mundim, torturë; ia vuri krusmën: e mundoi, e torturoi. (Fq. 8)
KUNDRO – Kundroj (Fq. 24); shih sodit.
LABËRGOHEN – Labërgoj: liroj një gje (brez, nyje, etj.) që është lidhur shtrënguar; shpâj. (Fq. 49)
LESME (e) – E shpejtë, e shkathët, e lehtë; e kanë Arbreshët e Italisë. (Fq. 14)
LËBYREM – Më vishen sytë nga një dritë e fortë; lëbyr-I: cipa, perdja që të vesh sytë. (Fq. 12)
LIMFË a – Lëng që qarkullon brenda trupit të bimëvet. (Fq.14)
MAHITË (e) – Mahis: tallem, bëj shaka, luaj; mos u mahit: mos u tall. (Fq.7)
MARRTË (e) – E dobët dhe si e veshur, e zbehtë dhe jo e qartë. (Fq. iii, 13)
MERË – Erë e mirë, e këndëshme. (Fq. 22)
MERMË (i) – Që mban erë të mirë; lule e merme.(Fq.14)
MËNDESHË-a – Gruaja që i jep sisë një foshnjes së huaj; vajë, tajë, (Sllav.), nanshore; edhe mandeshë. (Fq. 19)
MËNDIN – Thithin; mënd: folje kalimtare që mund të vihet në dy diatezat veprore dhe pësore dhe që, për më tepër, me veproren mund të zgjedhohet edhe duke shkëmbyer kryefjalën me kundrinën; p.sh. nëna mënd foshnjen (i jep sisë foshnjes); foshnja mënd nënën (pi sisë); edhe bariu mënd qengjin me një dele (ve qengjin të pijë sisë te një dele tjetër kur i ka ngordhur e ëma.) (Fq. 14)
MJELLME-MJELLMJA – Shpes i madh me qafë të gjatë, me sqep e me krahë të gjerë, që banon dhe pluskon në liqene; edhe mjellémë ose mjelléme. (Frengj.: cygne; angl.: swan.) (Fq. 25)
MUJSHAR-i – Ai që përdor fuqinë me përdhunim; mujshi: dhunë; mujshoj: përdor mujshi. (Fq. 34)
NGURRIM – Ngurroj; nuk vendos, të nis një punë, të shkoj përpara; stepem. (Frengj.: hésiter; angl.: to hesitate.) (Fq. 1)
ORVATEM – Përpiqem, bëj çmos; edhe rropatem; orvajtje: përpjekje. (Fq. 35, 48)
PËRÇATEM – S’jam në vete; flas përçart: flas si në jerm, thom fjalë pa lidhje, pa kuptim. (Fq. 28)
PËRDHOSJE – Përdhos: dhunoj gjëra të shenjta: fëlliq vende të mira. (Frengj. Dhe angl.: profanation.) (Fq. 28)
Përkore-përkorja – Përmbajtje, masë në të ngrënë në të pirë; edhe përkori ose përkorësí. (Fq. 60)
PLUSKON – Pluskoj: rri mbi ujë. (Fq. iii)
POT-i – Enë balte ku argjendarët shkrijnë metalet. (Fq. iii)
PRARUAR – Praroj: vesh, laj, lyej me ar. (Fq. 9)
PRORE – Orë e ças, vazhdimisht. (Fq. 68)
PROZODÍ-a – Tërësia e rregullave të metrikës, d.m.th. të shqiptimit të fjalëvet ashtu si e do theksi dhe sasia e zanorevet. (Fq. 49)
PSALMET – Psalm-i (nga gërqishtja psalmós) është një poemë fetare që këndohet e shoqëruar me një vegël muzikore. Libri i psalmevet është një nga pesë Librat Poetikë të Dhjatës së Vjetër. (Fq. 48)
REFKËTIN – Thuhet për zemrën kur rreh; refkëtin zemra: rreh zemra. (Fq. 56)
RRËSHINË-a – Lëndë ngjitëse që kullon nga disa drunj si pisha, bredhi, vgjeri, selvia, etj.; dru i rrëshintë. (Fq. 14)
SIMAHOR-i – Ai që i lehtëson punën dhe i sheshon rrugën një njeriu që kërkon të kryejë një vepër të keqe. (Fq. 30)
SKUTË-a – Kand, qoshe, vrimë për t’u fshehur. (Fq. 29)
SODITE – Sodis: vrej, shikoj me vrejtje; kundroj; dhe nxonit (F. Noli). (Fq. 4, në epitafin)
SQIMË-a – Stoli e kotë e tepëruar. (Fq. 49)
SQYT-i – Mburojë. Armë që mbahet në kreh të majtë për të mbrojtur kryet dhe krahërorin; edhe shqyt. (Fq. 48)
STRUKET – Strukem: mbidhem në vetvete; futem, fshihem në një vend; strukë-a: vend i fshehtë; (i,e) strukët: që rri strukur. (Fq. 61)
SUVALËM (i) – Me valë të turrëshme, me dallga të mëdha. (Fq. iii)
SHEMË-a – Krina, tufa e bletëve të një zgjoi. (Fq. 49)
SHTEKTOJNË – Shtektoj: udhëtoj, bëj ushë të gjatë më këmbë; shkoj në dhé të huaj; edhe shtegtoj, shtegtar-i. (Fq. 6, 48)
SHTIRACAK-u – Ai që mësheh të vërtetën, qëllimin; hipokrit; edhe shtinjak. (Fq. 30)
TRANSLAT- i – Fjalë a lokucion i përdorur në mënyrë të fytyruar. (Fq. 48)
TROKË-u – Në poezinë greke dhe latine, këmbë vargu e përbërë nga një rrokje e gjatë e një e shkurtë. (Fq. 49)
TRUESE – Mallkuese ndaj një hyjnie; truej (Frengj.: blasphemer; angl.: to blaspheme.) (Fq. 24)
THËNË-a (e) – Fati, kismeti. (Fq. 23)
USHTË-a Armë për sulm me bisht të gjatë dhe me majë të hekurtë; shtizë edhe heshtë (Fq. 48)
VEZULLOJNË – Vezullon: shndrit me ndërprerje, xixëllon; thuhet për armë, për bukurezen (xixëllonjën), për yj etj., kur u shkon e u vjen drita (Fq. 39, 49)
ZBLEDH – Hap një pëlhurë (t’anijes, etj.); shtjelloj, shpaloj. Ant.: mbledh. (Fq. iii)
ZGÁVËRT (i,e) – Zgávër vrimë a golle përbrënda një druri a një shkëmbi. (Fq. 48)
ZYMTË (i) – I trishruar, melankolik. (Fq. iii)
ZHGUNËN – Zhgunin (zhgun-i, mashk.): xhybja e leshtë e murgjëvet. (Fq. 48)
N.B. – Me përjashtim të fjalëvet
Fatihá – Gjinikoj – Helianth – Hollí – Lezme, të gjitha fjalët e tjera të shënuara në këtë “Fjalorth” ndodhen në fjalorin e Gjuhës Shqipe, botim i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1954.
F A L E N D E R I M
Falënderoj gjithë ata miq të mij që më dhanë zemër dhe më ndihmuan me të holla për të botuar këtë libër.
Nexhat Peshkëpia
New York, Gusht 1967
Komentet