Njerëz që kanë arritur suksese në jetë, zakonisht nuk nxitojnë të flasin për sekretet e veta. Kjo për arsyen e thjeshtë se në këtë mes nuk ka kurrfarë sekretesh. Po t’i kundrojmë me kujdes njerëzit e suksesshëm, fytyrat buzagaze të të cilëve na këqyrin nga kapakët shkëlqimtarë të revistave, bëhet e qartë vetvetiu se këtu kemi të bëjmë me njerëz nga më të ndryshëm që dallojnë së tepërmi nga njëri-tjetri. Nuk ekzistojnë ndofarë tiparesh, të cilat do të ishin karakteristike për të gjithë arritësit e suksesit dhe për masën tjetër të njerëzve, tipare këto, të cilat, sipas gjasave, këta të fundit do të duhej t’i zhvillonin në qenien e vet për të ndjekur shembullin e tyre. Në shumicën e tyre, suksesarritësit janë njerëz të zakonshëm, të cilët, për njërën ose tjetrën arsye, kanë mundur të bëjnë diçka që njerëzit e tjerë nuk kanë mundur ta realizojnë dot: të marrin nga jeta atë që dëshirojnë.
Po atëherë cila qenka arsyeja që njerëzit e suksesit paskan merituar dashamirësinë e Fortunës, perëndeshës së fatit, sipas mitologjisë së lashtë romake?
Dallimi kryesor i një njeriu të suksesshëm nga dikush tjetër që nuk e gëzuaka dashamirësinë e Fortunës, qëndron në aftësinë e tij për t’i pasur nën kontroll çdolloj rrethanash jetësore dhe për t’ia vënë në shërbim vetvetes, për t’i kthyer të gjitha kushtet e krijuara në instrumente të arritjes së qëllimeve të veta.
Bota që na rrethon na dhuron vazhdimisht raste të çmuara që na orientojnë për zgjidhjen e problemeve tona. Ai që është i aftë për t’i kapur dhe për t’i shfrytëzuar këto raste, e gjen veten në rrugën e duhur për arritjen e qëllimeve të veta. Sipas një fjale të urtë që vjen nga Lindja, “drejt majës së malit të çojnë shumë shtigje”.
Para do kohësh lexova me shumë kënaqësi librin me titull “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”. Libri zë një vëllim prej 762 faqesh. Kjo është një vepër monumentale që pasuron kulturën tonë kombëtare me një informacion të jashtëzakonshëm nga thesaret e kulturës franceze, si ndër më autoritaret në botë, me dëshmi faktike për personalitete të shquara të kombit shqiptar dhe të kulturës së tij materiale dhe shpirtërore. Libri ka dalë nga shtypi që në vitin 2007, por, për arsye madhore, nuk më kishte qëlluar rasti ta siguroja më parë, meqenëse që prej kohës së botimit të tij dhe deri tani, pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar pranë fëmijëve, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Autor i librit në fjalë, është zotëria Fotaq Andrea, i cili, si mik i vjetër imi, ma dërgoi nga Strasburgu para do kohësh. Ai ka botuar më pas edhe librin“Autorët francezë për Arbëreshët e Italisë”, një libër ky me 560 faqe, i shoqëruar me 370 ilustrime, të cilin ende nuk e kam lexuar.
Në respekt të këtij miku të kahershën, e quaj me vend ta shtyjë kujtesën prapa dhe të sjell ndër mend kohën kur jam njohur me të.
Ishte fundmarsi i vitit 1979, kur fillova punë si përkthyes i gjuhës ruse në Redaksinë e përkthimeve në gjuhë të huaja të letërsisë politike në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”. Fotaqi, si përkthyes i frëngjishtes, kishte filluar punë aty që në vitin 1975.
Që në fillim të njohjes sonë, më pati lënë mbresa të thella ky përkthyes i ri. Ishte mjaft i edukuar. Kishte një takt të admirueshëm në marrëdhëniet me kolegët. Më bënte përshtypje diçka e veçantë në formimin e tij, si një intelektual i ri: edukata e tij shfaqej jo vetëm në paraqitjen e tij të jashtme. Ajo zbulonte edhe diçka më të thellë dhe më thelbësore në personalitetin e tij. Kjo “diçka” nxirrte në pah kulturën e tij të brendshme, themelin e së cilës e përbënin çiltërsia dhe respekti ndaj kolegëve të Redaksisë.
Përgjithësisht, aftësia për të kapur veçoritë më thelbësore të karakterit të të tjerëve, për të përcaktuar kuptimin e vërtetë të qëndrimeve, të gjendjeve shpirtërore, të mospërputhjeve në përfytyrimin dhe në vlerësimin e gjërave që vihen re në gjykimet e tyre, dëshmon për zhvillimin e lartë kulturor të njeriut. Sepse njeriu i kulturuar, i edukuar, kujdeset, para së gjithash, që të mos e lëndojë kurrsesi sedrën e tjetrit.
I tillë ishte Fotaqi. Edhe formimi kulturor, edhe edukata, ishin shkrirë në një të vetme në figurën e tij. Ky unitet i formimit të tij intelektual, më sillte ndër mend një thënie të bukur të Leon Tolstoit (1828-1910):
“Edhe edukimi, edhe shkollimi janë të pandarë nga njëri-tjetri. Nuk mund të edukosh pa dhënë dije, por ama edhe çdo dije ushqen edukimin”.
Prandaj Fotaqi, i pajisur me një edukatë aq të admirueshme, kishte aftësinë që jo vetëm t’i administronte bukur mirë dëshirat, mundësitë dhe qëndrimet e veta, por edhe t’i kuptonte për mrekulli kolegët e vet, të merrte parasysh dhe të respektonte interesat, dëshirat, shijet, zakonet, uljengritjet e tyre shpirtërore dhe të reagonte me çiltërsi ndaj ndjenjave dhe përjetimeve të tyre.
Secili nga kolegët e Redaksisë e kundronte realitetin sipas mënyrës së vet. Secili kishte veçoritë e veta të kujtesës, të të menduarit, të përqendrimit të vëmendjes, kishte përfytyrimin e vet origjinal, interesat, kërkesat, simpatitë, joshat, veçoritë e humorit, shkallë të ndryshme të përjetimeve emocionale, vullnet të fortë ose “të dobët”, karakter “të lehtë” ose “të rëndë”, përvojën e vet jetësore, vëzhgimet e veta, zhgënjimet, trishtimet dhe gëzimet, huqet dhe, përgjithësisht, fatin e vet. Bota e brendshme e gjithsecilit prej kolegëve të Redaksisë,ishte një pasuri e pamatë. Megjithatë, Fotaqi, në atë kolektiv të Redaksisë prej 47 vetash, falë edukatës dhe formimit të tij intelektual, ishte mjaft dashamirës dhe i gjindshëm për këdo.
Një tjetër tipar i karakterit të Fotaqit që më pati lënë përshtypje të thellë asokohe, ishte thjeshtësia, modestia, që binte në sy menjëherë. Ky tipar shumë i admirueshëm ikarakterit, vinte e shkrihej bukur mirë në natyrën e tij të qeshur, gazmore, që të bënte për vete që kur takoheshe për herë të parë me të.
Edukata, formimi intelektual dhe modestia, tek harmonizonin aq mrekullisht në personalitetin e tij, në sytë e kolegëve të Redaksisë dëshmonin se Fotaqi ishte tip i qetë, i durueshëm, i përmbajtur, por edhe mjaft dinjitoz. Të tillë e mbaj mend Fotaqin gjatë atyre viteve të largëta. I tillë ka mbetur ai edhe tani jo vetëm në kujtesën time, por edhe të të gjithë kolegëve të Redaksisë sonë. Shëndeti i tij shpirtëror ishte me të vërtet befasues, mirësia shquhej në çdo qëndrim të tij. Tek sjell në kujtesë Fotaqin e atyre viteve, më vjen menjëherë ndër mend një aforizëm i shkëlqyer i Ralf Emersonit (Ralph Emerson – 1803-1882), eseist, poet, filozof, personalitet shoqëror, njëri nga mendimtarët dhe shkrimtarët më të shquar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Botën, – ka thënë ai, – e mbajnë më këmbë njerëz të mirë: jetën në këtë botë ata e bëjnë të përballueshme. Ai që ka pasur marrëdhënie me ta, krijon bindjen se jeta është e hareshme dhe e këndshme”.
Lexuesi i vëmendshëm mrekullohet nga puna kolosale që Fotaqi ka përballuar për përgatitjen e kësaj vepre të nivelit akademik. Prandaj, normalisht, ai është i interesuar të dijë se si ka ardhur dhe është formuar Fotaqi si intelektual dhe si një studiues e hulumtues me talent të veçantë. Më poshtë po ndalemi në rrugën e jetës që ai ka ndjekur.
Ka lindur në Delvinë më 02 janar 1953. Në vitin 1971 ka mbaruar Shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, dega frëngjisht, në Tiranë. Në vitet 1971-1974 ka studiuar në Universitetin e Kaenit dhe në Universitetin e Sorbonës së Re, në Paris. Është diplomuar si specialist i frëngjishtes. Ka dhënë provime pasuniversitare historinë bashkëkohore dhe filozofinë në Fakultetin e shkencave politike dhe juridike të Universitetit të Tiranës. Në përvojën e tij profesionale duhet përmendur puna me përgjegjësi të lartë që ka kryer si përkthyes dhe redaktor në Redaksinë botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori” në vitet 1975-1981, si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e studimeve m-l për botimet në gjuhë të huaja në vitet 1981-1990, si redaktor i Revistës “Studime politike e shoqërore” në frëngjisht, si bashkëpunëtor i ngushtë profesional rreth 20 vjet me Jusuf Vrionin, si përkthyes e redaktor pranë disa shtëpive botuese dhe pranë organit “Sindikalisti” në vitet 1991-1997. Në nëntor të vitit 1997 pati kaluar në shërbimin diplomatik dhe deri në qershor të vitit 2000 ka qenë Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, Përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës. Në periudhën maj 1998 – qershor 2000, ka qenë Raporter i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për OJQ-të ndërkombëtare dhe për shoqërinë civile. Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në një letër publike për heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri, ka vlerësuar kontributin e Ambasadorit Andrea.
Gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e përfaqësuesit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, ka qenë ideator për krijimin e grupeve të punës lidhur me hartimin e strategjisë kombëtare për fëmijën, gruan dhe kulturën në Shqipëri, mbështetur nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës; koordinator për reformat e institucioneve demokratike në Shqipëri, mbështetur nga KiE, si dhe për nënshkrimin e ratifikimin e mbi 30 Konventave e Protokolleve të Këshillit të Europës; koordinator për decentralizimin e pushtetit lokal në Shqipëri, organizator i një serie seminaresh e konferencash; koordinator për realizimin e tryezave të punës lidhur me Paktin e Stabilitetit në Evropën Jug-lindore, konkretisht në Shqipëri e Kosovë; iniciator për futjen e Shqipërisë në Fondin e Zhvillimit Social të KE-së, në GRECO e në marrëveshje të tjera të Këshillit të Evropës; organizator për grupet e punës në Komitetin e Ministrave të KiE-së lidhur me krizën e Kosovës, si dhe të konferencave rajonale në Alzasë e Lorrenë për sensibilizimin e opinionit publik francez lidhur me çështjen e Kosovës dhe dërgimin e drejtpërdrejtë të ndihmave në rajonin e Kukësit për popullsinë kosovare të shpërngulur; nismëtar i disa veprimtarive kulturore në Strasburg e KiE për propagandimin dhe vizibilitetin e vlerave shqiptare në Evropë, konkretisht ekspozitë për Nënë Terezën, për tre piktorë shqiptarë, vizitë pune e Jusuf Vrionit në KiE dhe në Komisionin e Venecias, e grupit të veteranëve frankofonë në Strasburg, e nxënësve të një shkolle tetëvjeçare fshati në KiE, e ekipit të futbollit të të rinjve “Iliria Viking”, etj. Po gjatë kësaj periudhe, pati përgatitur dosjen e plotë, drejtuar Presidentit Meidani për heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri, për realizimin e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Evropës, si edhe pati organizuar një cikël konferencash për Shqipërinë dhe Kosovën në Universitetin “Robert Schuman” të Strasburgut dhe në departamentet e Alzasës, 1998-1999.
Në periudhën nëntor 2000-2007, Fotaqi kaloi në sektorin privat, në krye të Shtëpisë botuese “Sokol”, ku u botuan 21 libra, në mbështetje të programeve mësimore të shkollave 8-vjeçare dhe të mesme. Puna e tij këtu u shoqërua me aktivitete studimore e mediatike për trashëgiminë kulturore shqiptare. Në mars të vitit 2007 ai iu drejtua me një Letër Presidentit Moisiu, me titull “Tirqet dhe fustanella shqiptare, krenari kombëtare në unitet të plotë”, duke paraqitur edhe një dosje integrale për fustanellën historike shqiptare, si simbol i bashkimit kombëtar që duhet përfaqësuar në veshjen ceremoniale të Gardës së Republikës (shoqëruar me 50 gravura të vjetra me autorë të huaj për fustanellën historike shqiptare).
Gjatë viteve 2007-2011, Fotaqi ka qenë anëtar i Institutit “Alb-Shkenca”, periudhë kjo, gjatë së cilës ka bërë prezantime shkencore në Konferencat e këtij instituti në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Në nëntor të vitit 2007, ai botoi veprën e sipërpërmendur (Pena të arta franceze për shqiptarët – 1332-2007”), për të cilën ka marrë Letër vlerësimi nga Bernard Kushner (shkurt 2008) dhe Profesor Sami Repishti (korrik 2008).
Më pas veprimtaria e Fotaqit ka qenë shumë e dendur në disa aktivitete mjaft mbresëlënëse, si çelja në nëntor 2008 e Ekspozitës “Shqiptarët në shekuj” në Galerinë e Arteve në Tiranë, nën patronazhin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Znj. J. Topalli (111 gravura të lashta për shqiptarët: 1486-1937), çelja në maj 2009 e Ekspozitës “Shqiptarët në Shekuj”, në Kozenca të Kalabrisë, nën drejtimin e Prof. F. Altimarit dhe të Universitetit të Kozencës si dhe nën përkujdesjen e Sektorit të Diasporës së Ministrisë së Jashtme.
Mes aktiviteteve të tjera, mund të përmenden:
Kumtesë e mbajtur në gusht 2010 në Konferencën ndërkombëtare të Prishtinës për Eposin e kreshnikëve, paraqitja e disa të dhënave të reja në shtator 2010 për figurën e Heroit Kombëtar Skënderbeut në Konferencën e Alb-Shkencës në Tiranë dhe në Universitetin Evropian të Tiranës, pjesëmarrje në maj 2011 në Sesionin shkencor mbi figurën e Dora d’Istrias, në Shkup të Maqedonisë, me kumtesën: “Përmasa evropiane e veprës së Elena Gjikës”, pjesëmarrje në nëntor 2011 në përgatitjen e Dokumentarit “Dora d’Istria”, nën drejtimin e Engjëll Ndocajt.
Në maj të vitit 2012 ka organizuar çeljen e ekspozitës“Arbëreshët e Italisë”, në Muzeun Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Aty u bë dhe promovimi i Antologjisë “F. Andrea, Autorët francezë për Arbëreshët e Italisë”, një libër ky me 560 faqe, i shoqëruar me 370 ilustrime.
Fotaqi ka përballuar një vëllim të madh pune në veprimtarinë përkthimore. Para vitit 1990, ka përkthyer së bashku me kolegët e tij qindra-mijëra faqe nga shqipja në frëngjisht. Përveç letërsisë politike, në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja, ai ka përkthyer edhe vepra publicistike dhe juridike, si“Histori e Luftës antifashiste nacional çlirimtare të popullit shqiptar”,“Dokumente të Luftës antifashiste nacional çlirimtare të popullit shqiptar” dhe“Industrializimi në Shqipëri”. Të asaj periudhe janë edhe përkthimet që Fotaqi ka përballuar për revistat “Les lettres albanaises”,“l’Albanie Nouvelle”, “l’Albanie aujourd’hui”, si edhe për revistat e Akademisë së Shkencave “Studia Albanica” dhe “l’Ethnographie albanaise”. Përkthime shkrimesh ai pati botuar edhe në revistat “Ylli”,“Nëntori” dhe “Shqiptarja”.
Të shumta janë veprat që Fotaqi ka përkthyer në shqip dhe në frëngjisht pas vitit 1990. Ato janë mbi 40 të tilla, me autorë, si A. Degrand, Alber Kamy, Fransua Rable, Jacques Chevalier, Leon Kahun, Mossys Finlay, Pierre Chanlaine, Pierre Lacoumes, Rene Peter Viktor Hygo. Këtu duhen përmendur edhe vepra të tilla, si “Karta sociale evropiane – Manual (350 faqe) si dhe rreth 30 përkthime të Konventave dhe të dokumenteve të Këshillit të Evropës, 2000-2002, botime të KiE-së; “Dora d’Istria, princeshë e kulturës evropiane, 2 vëll., 1400 faqe libër, në pritje për botim; “Përralla të zgjedhura persiane”, Edlor, 1996;“Mrekulli njerëzore” – antologji: përralla, fabula, legjenda nga bota, Mësonjëtorja, 1997, rekomanduar nga Ministria e Arsimit për shkollat nëntëvjeçare – gjashtë botime; “Xhindët”, përralla të zgjedhura arabe, Mësonjëtorja, 1997; Katër Kronika nga Shqipëria – tregime të tija në frëngjisht të botuara në revistën franceze “Pumpernickel”, Alzasë, 1999-2000;“Dënimi me vdekje pas heqjes”, botim i KiE-së (320 faqe), Sokol, 2005; “Përralla të zgjedhura franceze”, antologji, EDFA, 2010; skenari i filmit “Lahutari i fundit”, në përgatitje të dosjes “Eposi i kreshnikëve” për ta paraqitur në UNESCO; “Antologji për Arbëreshët e Italisë”, Via Egnantia, 2012; “Legjenda të mesjetës, kalorësit e tryezës së rrumbullakët”, botuar nga EDFA, 2014; “Antologji e përrallës perse e arabe”, 2 vëllime, 800 faqe, botuar nga EDFA, 2014; “La pierre de l’âme, – Chroniques albanaises” (Guri i shpirtit – Kronika shqiptare), Jerome do Bentzinger Editeur, Strasbourg, 2015 – tregime në frëngjisht; “Gjurmime shqiptare në Letrat franceze”, artikuj, ese, përkthime, botuar nga EDFA 2016, vëll. 1; tetë tituj nga letërsi artistike për fëmijë, përshtatje e përkthime, botuar nga Mësonjtorja, etj. si dhe një përkthim nga Italo Calvino (“Vizatimet e çmendura”).
Pas një punë të gjatë hulumtuese, Fotaqi ka arritur të zbulojë dy romane të panjohura të Faik Konicës: “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” (në pritje për botim që nga viti 2012). Shpresohet se do të botohen së shpejti, nën përkujdesin e Federatës Panshqiptare “Vatra”.
Mjaft e pasur është krijimtaria studimore-shkencore e Fotaqit, e pasqyruar në rreth 100 artikuj, resportazhe, ekspoze, kumtesa dhe intervista, të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme, duke filluar nga vitet ’90 deri tani. Vetëm seria “Fletore koniciane” dhe seria e shkrimeve “Faik Konica – histori e aktualitet”, është e pasqyruar në 32 shkrime, të botuara në gazetat “Tirana Observer” dhe “Shqiptarja.com”, etj.
Gjatë viteve, puna e Fotaqit është vlerësuar me çmime dhe nderime të ndryshme. Në vitin 1979 i është dorëzuar Diploma e Nderit nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Në vitin 1987 është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të tretë të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Në vitin 1999 ka marrë një falënderim publik nga ana e Lordit Russel Johnston (1932-2008) për kontributin e Ambasadorit shqiptar në KiE në parathënien e librit “Para gijotinës”. Në vitin 2000 është nderuar me Pllakë argjendi mirënjohjeje e Komitetit të Ministrave të KiE-së, për ndihmesën e Ambasadorit shqiptar në Sekretariatin e Këshillit të Europës dhe si raporter i tij për shoqërinë civile. Në vitin 2000 ka marrë Letër mironjohjeje e falenderimi nga eurodeputetja Katerin Trotman (Catherine Trautmann-1951), Kryetare e Bashkisë se Strasburgut për antologjinë “Libri i artë i Prozës franceze”.
Kjo është vetëm një pasqyrë e përmbledhur, jo e rrokatejshme, e punës së madhe studimore-hulumtuese që ka përballuar dhe vazhdon të përballojë Fotaqi, me një këmbëngulje dhe vullnet të jashtëzakonshëm.
Tani le t’i kthehemi veprës monumentale“Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”. Libri i kushtohet mësuesit të tij Jusuf Vrionit dhe përbëhet nga 140 autorë francezë që kanë bërë vlerësimet e tyre për personalitete të shquara shqiptare, për kulturën, doket, traditat dhe zakonet e popullit tonë. Mes autorëve francezë, janë shumë figura me emër, të cilat i njeh mirë lexuesi i kultivuar shqiptar, si Montenji (Michel de Montaigne – 1533-1592), Volteri (François Marie Arouet; Voltaire – 1694-1778), Shatobriani (François-René, vicomte de Chateaubriand – 1768-1848), Lamartini (Alphonse Marie Louis de Prat de Lamartine – 1790-1869), Balzaku (Honoré de Balzac – 1799-1850), Delakrua (Eugène Delacroix – 1798–1863), Dumasi (Alexandre Dumas – 1802-1870), Hygoi (Victor Marie Hugo – 1802-1885), Floberi (Gustave Flaubert – 1821-1880), Apolineri (Guillaume Apollinaire– 1880-1918), Robert d’Anxheli (Robert d’Angély 1893-1966)Eskarpiti (Robert Escarpit –1918-2000)
Libri është i shoqëruar me shumë mjete ilustrimi dhe është i ndarë në tri pjesë. Siç thekson autori, pjesa e parë shërben si prelud dhe titullohet “Skënderbejada”. Aty janë paraqitur mjaft autorë, të cilët kanë pasqyruar kryesisht figurën e Skënderbeut, në aspektin portretizues dhe në atë të madhështisë së saj.
Pjesa e dytë titullohet “Shqiptarët dhe trojet e tyre”. Këtu është ndjekur linja kronologjike. Ajo, sipas autorit, “përbën thelbin e krejt veprës dhe karakterizohet nga larmia tematike, ku udhëpërshkrimet mpleksen me portretet, letërsinë, artin e kulturën në përgjithësi, përqendruar pikërisht në atë çka përbën më tipiken shqiptare, më të hijshmen, më fisniken e më pozitiven, duke nxjerrë në pah vlera e virtyte historike shqiptare”.
Pjesa e tretë përbëhet nga vlerësime që janë bërë për Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe për Jusuf Vrionin. Në rreth 48 faqe, autori parashtron vlerësimet e larta që i kanë bërë veprës së Kadaresë shtatë personalitete të shquara të kulturës franceze, duke filluar nga Robert Eskarpiti deri te Moris Vincenti (Maurice Vincent – 1955), si edhe tetë të tjerë që kanë ngritur lart figurën e Jusuf Vrionit.
Në pjesën e parë lexuesit i lë mbresa të thella Volteri, i cili, në veprën me titull “Sprovë mbi doket dhe frymën e kombeve”, të botuar në vitin 1756, duke vlerësuar lart figurën e Skënderbeut, thotë:
“Po të kishin qenë Skënderbej perandorët grekë, perandoria e Orientit do të ishte ruajtur”.
Në pjesën e dytë mjaft mbresëlënëse janë fjalët e filologut dhe të albanologut të shquar Lui Benloeu (Louis Benlæ (1818-1900), profesor i Universitetit të Dizhonit. Ja çfarë shkruan ai për gjuhën shqipe:
“Në fillim të punës, mendoja të trajtoja thjesht një çështje gjuhësore dhe etnografike, dhe veç kur shoh se po prekja një çështje të gjallë, madje gjithë regëtimë, një çështje kombi. Dhe ç’komb! Më i vjetri i kontinentit tonë me atë të baskëve”.
Viktor Hygoi, në parathënien me titull “Ali Pasha, ky kolos…” për vëllimin poetik “Orientalet”, të botuar në vitin 1829, ndër të tjera, shkruan:
“Barbaria e vjetër aziatike ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të mëdhenj sa ç’pandeh qytetërimi ynë. Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin kolos që ky shekull mundi ta vërë ballë për ballë Bonapartit, mjaft që edhe Bonaparti të kish pasë silah; atë njeri gjeni,… atë Ali Pasha, që është për Napoleonin ç’ka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”.
Këto pak rreshta të Viktor Hygoit, më kujtuan Lamartinin, i cili për popullin tonë ka thënë:
“Ky popull është i pavdekshëm. Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve”.
Në pjesën e tretë, tepër prekëse janë fjalët e romancierit, poetit e novelistit Iv Mabin (Yves Mabin – 1942), mikut të Jusuf Vrionit. Më 05 qershor 2001, pesë ditë pas vdekjes së Jusufit, ai pati shkruar esenë me titull “Jusuf fisniku”, të cilën ia pati dërguar familjes së mjeshtërit të madh të përkthimit. Në atë ese ai shprehet:
“Ti e doje vendin tënd. Ti shqetësoheshe për të. Ai qe për herë në zemër të zemrës tënde. Ti e doje dhe bëje gjithçka që të tjerët ta donin. Të shumtë, mjaft të shumtë janë në Francë, në Evropë ata që e njohin dhe e duan Shqipërinë përmes teje, për shkakun tënd. Ti e doje vendin tënd, gjuhën e tij, traditat e tij, kulturën e tij dhe sepse ti urreje mbylljen, izolimin, sundimin, sepse ti doje dialogun, mirëkuptimin, zbulimin, njohjen, sepse ti i jepje përparësi arsyes, mençurisë, dijes, sepse ti ishe kundër padijes, përbuzjes, arrogancës, sepse ti ishe për butësinë, ndjeshmërinë, përzemërsinë, ti e regjistroje gjuhën tënde, kulturën tënde, vendin tënd në bashkësinë e gjuhëve, kulturave, vendeve të të gjithë bashkësisë njerëzore, e në mënyrë të veçantë evropiane”.
Fjalë me të vërtetë prekëse këto që burojnë nga zemra e një miku francez dhe që lexuesin e vënë në mendime të thella: çfarë roli të jashtëzakonshëm luan formim i i një intelektuali shqiptar, të pajisur me kulturë të gjërë, në rritjen e autoritetit të vendit tonë në mjediset e inteligjencies së vendeve të tjera.
Çdo lexues me vetëdije të lartë kombëtare, kur e mbaron së lexuari librin e lartpërmendur të Fotaqit, nuk mund të mos i shtrojë vetes pyetjen:
“Si ka qenë e mundur që Fotaqi ka përballuar një volum kaq të jashtëzakonshëm pune hulumtuese për përgatitjen e këtij libri, të cilin si zor se mund të ishte në gjendje ta përballonte edhe një sektor i tërë i Akademisë së Shkencave?”.
Puna për përgatitjen e këtij libri, si edhe e librit “Autorët francezë për Arbëreshët e Italisë”, që zënë të dyja këto antologji një vëllim prej më shumë se 1300 faqesh, si edhe tërë puna studimore-hulumtuese që Fotaqi ka pëballuar me pasionin e një “arkeologu” rojtinash (arkivash) për të zbuluar të panjohurat dhe veprën tërësore të Faik Konicës, e bëjnë lexuesin të përsiatë gjatë dhe të pyes veten:
“Çfarë e ka shtyrë Fotaqin t’ia dalë mbanë gjithë kësaj pune kolosale, në një hark kohor prej rreth njëzet vjetësh, pa llogaritur këtu gjithë ngarkesën tjetër që u parashtrua më lart përmbledhtazi?” Arsimimi, dëshira, horizonti i gjerë kulturor, kultura e gjerë evropiane, mjeshtëria e lartë e tij si përkthyes, pasioni, zotërimi mjeshtëror i frëngjishtes dhe i disa gjuhëve të tjera?
Të gjitha këto, pa dyshim, kanë luajtur rolin e tyre të padiskutueshëm, por duhej edhe diçka tjetër, e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet tepër përcaktuese në sukseset që Fotaqi ka arritur deri tani, diçka kjo që ai e ka me bollëk.
Presidenti i 30 (1923-1929) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Kalvin Kulixh (John Calvin Coolidge Jr. –1872-1933)ka thënë:
“Në këtë botë, asgjë nuk mund ta zëvendësojë vullnetin e fortë, këmbënguljen. As gjeniu, gjeniu pa famë dhe i pashpërblyer s’është asgjë. As talenti, asgjë nuk haset më shpesh se sa talenti i dështuar. As arsimimi, bota është plot me njerëz të arsimuar që janë të braktisur. Vullneti i fortë në arritjen e qëllimit – ja kjo është mrekullia vetë”.
Vullneti i fortë është kështu faktori kryesor në arritjen e suksesit. Ai e shtyn njeriun të çajë përpara, të arrijë qëllimet që ka shtruar para vetes. Prandaj këshillat e shumë njerëzve të suksesshëm përmbajnë rregulla, në të cilat këmbënguljes së vendosur, vullnetit të fortë i njihet roli kryesor në realizimin e objektivave të caktuara. Kështu, fjala vjen, gazetari kanadez Malkolm Glladuell (Malcolm Gladwell– 1963), që punon në revistën “The New Yorker”, në librin e vetë me titull“Gjenitë dhe të paditurit” (në origjinal: Outliers: The Story of Success”), të botuar në vitin 2008, shpjegon dukurinë e gjenialitetit:
“Gjenitë nuk lindin, por bëhen si rezultat i vullnetit të fortë dhe i ushtrimeve këmbëngulëse në punën që kanë për zemër”.
Pra, vullneti i fortë, si tipar dallues në karakterin e Fotaqit, ka qenë tepër përcaktues në arritjen e pikësynimeve që ai i ka pasë vënë vetes me kohë. Ndryshe nuk mund të përballohej gjithë ai vëllim i madh pune në shtegtimet e tij të pafundme nëpër rojtina (arkiva) dhe biblioteka.
Lexuesi mund të interesohet për t’u njohur në faqet e internetit me analizën shkencore që bën Fotaqi në artikullin me titull“A është Napoleon Bonaparti me gjak Shqiptari?”. Për të shpërndarë mjegullnajën rreth kësaj çështjeje, Fotaqi çan drejt shtigjeve të së vërtetës me merakun e një historiani, që të kujton Johan Drojzenin (Johann Gustav Droysen 1808-1884), historian gjerman, profesor i Universitetit të Berlinit, i cili ka qenë njëri nga të parët që ka bërë klasifikimin e detajuar të burimeve historike, apo Mishel Fukonë (Michel Foucault – 1926-1984), filozof francez, teoricien i kulturës dhe historian, i cili porosiste që historia të ruhet nga ndikimet e fuqishme të kohës.
Përveç vullnetit të fortë, këmbënguljes së paepur, është edhe dashuria e fortë për vendin, një dashuri e natyrës jusufiane kjo, që e nxjerrë aq bukur në spikamë intelektuali i shquar francez në esenë që i ka kushtuar Jusuf Vrionit, e cila ka shërbyer si një nxitës i fuqishëm për arritjen e kaq shumë sukseseve të Fotaqit gjatë gjithë këtyre viteve.
Siç u vu në dukje më sipër, prej nëntorit të vitit 1997 deri në qershor të vitit 2000, Fotaqi ka qenë Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, Përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër në shërbimin diplomatik, puna e tij, siç e pamë më lart, ka qenë mjaft e vlerësuar në Këshillin e Evropës. Unë nuk i di arsyet e largimit të Fotaqit nga shërbimi diplomatik, por për një gjë jam i bindur: intelektualë të formatit të Fotaqit, të pajisur me një kulturë të gjerë perëndimore dhe me një përgatitje akademike shumëdimensionale, i bëjnë nder diplomacisë shqiptare dhe ia rritin autoritetin në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare. Intelektualë të tillë jo vetëm që duhen kërkuar me qiri, por duhen mbajtur në diplomaci deri në vitet e moshës së tretë, ashtu siç veprohet edhe në vendet me tradita të kahershme në artin e shërbimit diplomatik.
Në vendin e vet, siç ndodh edhe në çdo vend tjetër të botës, njeriu vëren realitete mjaft të bukura që ia gëzojnë shpirtin. Por është e pamundur që ai të mos përplaset edhe me realitete të shëmtuara, të cilat mundohet t’i anashkalojë. Ndoshta edhe Fotaqit, sipas hamendësimeve të mia, mund t’i ketë rastisur të përplaset me një realitet të tillë, dhe ai, me elegancën intelektuale që e karakterizon, ka bërë zgjedhjen e vet, duke u larguar nga shërbimi diplomatik. Robert Musil (1880-1942), shkrimtar, dramaturg dhe eseist austriak, përsiat në një mënyrë mjaft interesante për marrëdhëniet e njeriut të mirë me pjesën e shëmtuar të realitetit. Ai thotë:
“Njeriu i mirë nuk e bën botën të mirë, ai, përgjithësisht, nuk ushtron mbi të kurrfarë ndikimi, ai vetëm i kthen krahët asaj”.
E kam takuar Fotaqin pas largimit nga shërbimi diplomatik, gjatë kohës që punonte dhe vazhdon të punojë me zell në sektorin privat. Herën e fundit ai ishte për vizitë në shtëpinë time në tetorin e vitin të kaluar, kur na kishte nderuar me ardhjen e saj për vizitë edhe shoqja e tij e dikurshme e grupit të frëngjishtes në fakultet, Teuta Turhani, një përkthyese mjaft e talentuar, veterane e përkthimit në Agjencinë Telegrafike deri në moshën e pensionit. Ishte dhe vazhdon të jetë po ai Fotaq: i qeshur, i hapur, zemërbardhë, me dashamirësinë e tij karakteristike që nuk di të ndahet kurrë prej saj. Një dashamirësi kjo që më kujton ca fjalë të arta të Karl Krausit (1874-1936), shkrimtar, poet satirik, kritik letrar, fejtonist, publicist austriak, një figurë unikale e jetës shoqërore dhe kulturore në hapësirat gjermanishtfolëse të kontinentit tonë. Dikur ai ka thënë:
“Dashamirësia është rrobalarësja e njerëzimit, e cila shpëlan me lot ndërresat e tij të pista”.
Në mbyllje të këtyre shënimeve, nuk mund të lë pa përmendur rolin vendimtar që ka luajtur në arritjen e sukseseve të Fotaqit, shoqja e tij e jetës, Merita, e bija e Lulo Musait, i cili përfaqëson njërën nga figurat më të shquara të artit të pilotimit në historinë e aviacionit ushtarak shqiptar, patrioti im, nga fshati Mesaplik i Smokthinës. Si njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe specialiste e gjuhës shqipe, Merita ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetje e fuqishme e Fotaqit në të gjitha shtigjet e jetës që e kanë çuar drejt suksesit.
Kolumbus, Ohajo
18 shtator 2016
Komentet