Data është 10 shkurt 2022. Saktësisht një vit më parë. Joe Biden atë ditë u intervistua nga Lester Holtper për televizionin NbcNews. Flet për mësymjen e mundëshme ruse të Ukrainës. Mesazhi i tij më i fortë është ky: “amerikanët e mbetur në atë vënd duhet t’a lenë menjëherë”. Intervistuesi e nguci: a ekziston ndonjë skenar në të cilin Biden-i do të shihet i detyruar të dërgojë ushtarë, për të siguruar zbrazjen e qytetarëve të tij? Biden-i është kategorik: “Jo. Nga ana tjetër e kufirit është një nga ushtritë më të mëdha të botës. Nëse amerikanët e rusët do të fillojnë të shtien kundër njëri tjetrit, është një luftë botërore”.
Sot këto fjalë janë harruar, ose duket se i përkasin një të shkuare të largët. Shkaktojnë pyetje të natyrave të ndryshme. Me atë qëndrim të përmbajtur, Biden-i a mund t’i ketë dërguar një shenjë të rrugës së lirë mësymjes? Putini mund t’a ketë ndërpretuar atë deklaratë të 10 shkurtit 2022 si një pranim të mbuluar se Ukraina i përkiste sferës së ndikimit rus e Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin lëvizur as edhe një gisht për t’a ndihmuar?
Duhet kujtuar edhe konteksti perëndimor: Biden kishte lajmëruar aleatët evropianë që mësyemja ishte e ngutëshme, dhe ata nuk i kishin besuar. Por pyetjet më të rëndësishme , saktësisht 12 muaj më vonë, janë të tjera. Përse asnjëri – pikërisht asnjëri – nuk përfytyroi që fuqitë e Ukrainës do t’i kishin qëndruar një vit të tërë nën bombardimet e pandërprera, shi raketash të përbindëshme, agresionit të një ushtrie, në numër shumë eprore? E së fundi: çfarë do të kishte ndodhur nëse evropianët do të kishin patur arsye… në hamendësimin e arsyetësisë së Putinit? Në çfarë bote do të jetonim sot nëse mësyemja do të kishte mbetur vetëm një kërcënim?
Përgjigja më duket e padyshimtë. Në këtë çast Putini do të kishte stërfituar, madje pa humbur as edhe një ushtar. Nëse vetëm do të shmangëte mësyemjen. Le të kthehemi me kujtesën një hop mbrapa, për të rindërtuar klimën e fillimit të shkurtit 2022. Mosbesimi evropian mbi përgatitjet e një mësyemjeje ruse. Vargu i drejtuesve në oborrin e Carit, të gatshëm për të bërë lëshime të stërmëdha. Madje edhe n’Amerikë, pesha atëherë ndikuese e rrymave të realpolitikës që donin t’i jepnin Moskës një veto mbi bashkëngjitjen e Kievit NATO-s, duke e kthyer Ukrainën në një jastëk të paanshëm dhe filorus. Ai fillim i shkurtit 2022 qe një çast “magjik”, në të cilin Rusia do të mund të ushtronte ndikimin e saj më të madh pa i hyrë ferrë në këmbë. Të përfytyrohet një histori e ndërsjelltë – një mësyemje vetëm e kërcënuar e kurrë e kryer – jep idenë e gjithshkaje ka shkatërruar Putini, përveç sa e sa jetëve të pafajshme: një rol i ndryshëm për Rusinë në botë, një Perëndim më miqësor e deri edhe i përkulshëm kundrejt tij. Hollësi përfundimtare, Cari ka bërë copë e çikë mitin e vetvetes si një strateg i madh.
Në fillim të shkurtit 2022, alarmi i lëshuar nga shërbimet e fshehta anglo-amerikane mbi përgatitjet e një agresioni të menjëhershëm, likuidohej nga qeveritë evropiane si propagandë kundër-ruse. Shumë parapëlqenin përqafimin e shpjegimit zyrtar të Moskës, simbas të cilit trupat e grumbulluar në kufi të çonin në një manovër të madhe. Dhe vetë Zelenski në fillim ishte mosbesues kundrejt lajmeve që i sillnin Washingtoni e Londra.
Për të shmangur që Putini të kalonte nga “manovrat” në akte, u mobilizua një botë e tërë. Vizita, telefonata, të gjithë kishin diçka për t’i ofruar. Nderim, respekt, dukshmëri, besim, por edhe lëshime konkrete e thelbësore në rrafshin gjeopolitik, për të qetësuar zgjerimshmërinë ruse. Ishte një garë për të marrë seriozisht teorinë simbas së cilës Putini ndjehej “i rrethuar”, pra vepronte i shtyrë nga një lloj ndiesije të natyrshme pasigurie, që duhej shëndoshur, duke i dhuruar një sferë ndikimi më të gjërë. Kançelari gjerman Olaf Scholz tha qartë e rrumbullak se Bashkimi Evropian do të zgjerohej më së shumti deri në Ballkan, pastaj mjaft. Emmanuel Macroni, që pak kohë më parë kishte deklaruar “vdekjen trunore të NATO-s”, vinte në dyshim madje edhe zgjerimin e BE në Ballkan, të populluar nga sllavët që ishte i gatshëm t’u a dhuronte Rusisë.
Era e appeasement – përkulja apo lëshimet – nuk frynte vetëm mbi Evropën Perëndimore. Më 13 shkurt 2022 shkruanja në Corriere për një “plan B” në diskutim në Washington, një listë lëshimesh Putinit. Bideni kishte një të vetmen përparësi, të qëndronte sa më larg konfliktit, të shmangëte çdo lloj pështjelljeje. Ish ambasadori i Barack Obamës në Moskë, Michael McFaul, kërkoi një “pakt të madh me Putinin për të shmangur luftën”. Dy nga qëndrat e studimeve strategjike më të dëgjuara nga Shtëpia e Bardhë dhe revistat gjeopolitike të klasës drejtuese amerikane, foreign affairs e Foreign Policy, mundoheshin për të gjetur kompromise për t’i ofruar Putinit. Ndërmjet këtyre një “finlandizim” të Ukrainës, një term që kujtonte paanësinë e detyruar Finlandës për të siguruar Bashkimin Sovjetik gjatë viteve të para të luftës së ftohtë. Mbinte edhe hamëndja e një bashkëbisedimi të madh me Putinin për të bashkërenduar me të garanci të ndryshme mbi sigurinë e Rusisë, mbi modelin e Marrëveshjeve të Helsinkit në gjysmën e dytë të viteve Shtatëdhjetë. Për të frymëzuar lëshimet, ishte ndërmjet të tjerash, edhe një mosbesim i thellë në aftësinë e Perëndimit për të kundërvepruar në një zë ndaj mësymjes së një Shteti sovran. Në ballin e snksioneve të ardhëshme e të mundëshme për t’u marrë, për shembull, Scholz nuk kishte pranuar të vinte në lojë gazsjellësin Nord Stream 2. Duke parë vartësinë e Evropës nga Rusia për 55% të furnizimeve me gaz, Washingtoni nuk besonte se mund t’i bindëte evropianët të shkëpusnin atë lidhje të kërthizës.
Putini ishte në një pozitë të lakmueshme: me një prestigj në shkallën më të lartë, shumë drejtues perëndimorë të përgjunjur, të gatshëm t’i lejonin një të drejtë zotërimi mbi vëndet ish satelite të BRSS, që shpejt kërcënoheshin për t’u kthyer së qëni Shtete të varura nga Rusia. Mbas Ukrainës: Gjeorgjia, Moldavia, e më pas një ditë ndoshta Balltikët, nëse do të funksiononte kërcënimi për të bërë levë mbi “mbrojtjen e pakicave rusofone”. Nëse Putini do të kishte mbetur në gjëndjen e kërcënimit, të bluff-it, të një lufte vetëm të mundëshme, sot do të ishim duke përsiatur rilindjen e një perandorie ruse, me NATO-n në pështjellim, një Perëndim të poshtëruar, një Bashkim Evropian të detyruar t’i nënështronte çdo kandidaturë të ardhëshme pëlqimit të një fqinji mujshar.
Së fundi një vërejtje mbi faktin se përse askush më 10 shkurt 2022 nuk e mori seriozisht skenarin e një lufte të zgjatur për dymbëdhjetë muaj, pa një fitimtar, me një ushtri të mrekullueshme ruse në vënd qëndrim, pavarësisht nga ndryshimi i dukshëm. (Ndërmjet kllapash: me çdo gjasë teoria e luftës-rrufe, dhe e popullsisë ukrainase që do të kishte pritur me krahë hapur trupat e “çlirimit” të dërguar nga Putini, i është dhënë nga presidenti rus Xi Jinpingut në takimin e famshëm dy palësh në Lojrat Dimërore të Pekinit). Befasia mbi qëndresën ukrainase nuk rrjedh vetëm nga cilësia e ndihmës ushtarake që Kievi ka marrë nga NATO: gjithmonë pak e gjithmonë me vonesë, sepse 12 muaj mbrapa ende nuk ka një barazi të vërtetë të fuqive, aq më pak në rrafshin ajror e raketor. Shtrëngimet e vëna nga NATO e pengojnë Ukrainën t’i përgjigjet me raketa raketave. Inferioriteti është teorizuar dhe detyruar nga Washingtoni. Por të gjithë kemi mbetur robër të një mëdyshjeje të lashtë të demokracive: që dyshojnë nëse dijnë t’a bëjnë luftën. Një stereotip i lashtë e kokëfortë i përshkruan regjimet autoritarë si më të përshtatëshëm për të duruar në kohë të gjata vuajtjet dhe flijimet e luftërave. Megjithatë luftërat më të rëndësishme të historisë sonë (lufta e parë dhe e dytë botërore) i kanë fituar gjithmonë demokracitë kundër diktaturave.
“Corriere della Sera”, 13 febbraio 2023 E përktheu Eugjen Merlika