Më 02 tetor 2015, Shtëpia Botuese “OMSCA-1”, nxori në qarkullim librin e prof.dr. Eshref Ymerit, me titull “Përkthimi, një histori pasioni”.
Libri “Përkthimi, një histori pasioni” i Eshref Ymerit që po vihet në dorën e lexuesve, pasuron dukshëm serinë e botimeve në shqip që u janë kushtuar problemeve të përkthimit, që nga shkrimet, artikujt, esetë, intervistat, studimet e gjer te librat.
Libri është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë, që përbëhet prej njëmbëdhjetë kapitujsh, autori ka trajtuar një gamë të gjerë problemesh që fillojnë me lindjen e termit “përkthim” që në lashtësinë e kryehershme.
Është e udhës të vihet në dukje fakti se në këtë libër, autori, para se të trajtojë llojet e përkthimit në aspektin e tekstit të përkthyer (materiale dokumentare, informative dhe shkencore, prozë publicistike, politike dhe filozofike, prozë artistike dhe poezi), është ndalur në analizën e përkthimit, si njëri nga llojet e kahershme të veprimtarisë së njeriut, që nga antikiteti e deri në ditët tona. Theksi është vënë në rolin e pazëvendësueshëm të përkthimit në pasurimin e gjuhës përkthimore, si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje. Ai, përmes fjalëve të Montenjit (Michel de Montaigne), ka nxjerrë në pah kontributin e shquar të Zhak Amios (Jacques Amyot) në pasurimin e gjuhës franceze me përkthimin e veprës së Plutarkut “Jetë paralele” dhe, përmes fjalëve të Pushkinit – kontributin e Nikollaj Gnjediçit në pasurimin e gjuhës ruse me përkthimin e “Iliadës”.
Me këtë rast, Eshref Ymeri ka nënvizuar se kultura jonë kombëtare krenohet me përkthyesin e saj të shquar, profesorin Gjon Shllaku, i cili, me përkthimin e “Iliadës”, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe.
Nënkuptohet që është e vështirë, në mos e pamundur, të zbresësh në “fushëbetejën” e përkthimit pa një përgatitje të shëndoshë shkencore, çka nënkupton përgatitjen gjuhësore, filologjike dhe kulturore të përkthyesit. Këtyre tre aspekteve të rëndësishme në veprimtarinë e përkthyesit, autori u ka kushtuar faqe të tëra, duke ndarë me lexuesit edhe përvojën e tij të pasur, jo vetëm si përkthyes, por edhe si pedagog i përkthimit me një stazh të gjatë pune në Universitetin e Tiranës.
Pikëpamjet e ndryshme që kanë pas ekzistuar për mënyrat e përkthimi, duke filluar që nga lashtësia e deri në ditët tona, përbëjnë një tjetër temë interesante që rrihet në faqet e këtij libri. Autori ka sjellë këndvështrime të ndryshme për këto mënyra përkthimi, si përkthimi i fjalëpërfjalshëm, që ka qenë karakteristik përgjithësisht për përkthimin e teksteve biblike, përkthimi logjik, i formuluar nga Ciceroni dhe Shën Jeronimi (përkthim jo nga fjala te fjala, por nga mendimi te mendimi) dhe përkthimi i lirë që ka pas qenë praktikuar në përkthimet e Plutarkut nga letërsia e lashtë greke dhe në përkthimet në frëngjisht të veprave të Shekspirit.
Për përkthimin logjik, Eshref Ymeri thekson me të drejtë se duhet respektuar gjithçka që është karakteristike për vetvetësinë (individualitetin) e autorit, për koloritin kombëtar dhe historik të tekstit. Këtu ai nxjerr në spikamë këndvështrimin e Pushkinit, sipas të cilit çdo tekst i huaj duhet t’i nënshtrohet vullnetit krijues të përkthyesit dhe, për pasojë, ligjeve të gjuhës amtare. Ndërsa mënyra e përkthimit të lirë, në këtë libër trajtohet si një kundërvënie ndaj përkthimit mekanik, fjalë për fjalë. Ajo kishte për qëllim që përkthimin ta afronte sa të ishte e mundur e më shumë me lexuesin, ta bënte këtë të fundit të harronte se kishte në duar një përkthim, të zhdukte kufijtë midis tij dhe origjinalit. Por përkthimi i lirë, siç theksohet në libër, çonte në rrumbullakosjen e vlerave artistike të origjinalit, në venitjen e koloritit kombëtar dhe në reduktimin në maksimum të veçorive sociale, historike dhe individuale të tij.
Autori flet edhe për pikëpamjet e Humboldtit, njërit nga themeluesit e gjuhësisë, si shkencë në tërësi, dhe të gjuhësisë së krahasuar, në veçanti, i cili e pati çuar më tej doktrinën për gjuhën, si një proces të pandërprerë krijues, dhe për formën e brendshme të gjuhës, si shprehje e botëkuptimit individual të popullit. Nisur nga ky këndvështrim, Humboldti i përmbahej pikëpamjes se përkthimi është i pamundshëm. Në këtë libër sqarohet bindshëm se ky këndvështrim pesimist për përkthimin e kishte burimin në përfytyrimin mistik për gjuhën, si një pasqyrim i drejtpërdrejtë irracional i shpirtit të popullit, i cili nuk mund të ketë barasvlera në një gjuhë tjetër.
Pikëpamjet e Humboldit gjenin njëfarë mbështetjeje edhe te shkencëtarë të tjerë . Kjo për faktin sepse fjalët që merren si barasvlerës, në të vërtetë, ngjallin përfytyrime të ndryshme te mbartësit e gjuhëve të ndryshme. Pikëpamjet për pamundësinë e përkthimit mund të shpjegoheshin edhe me vështirësitë që dilnin para përkthyesve, sidomos në rastet kur gjuha burimore dhe gjuha përkthimore u përkisnin kulturave të ndryshme.
Të bën përshtypje fakti që Eshref Ymeri, në faqet e këtij libri nuk ka lënë jashtë vëmendjes përkthimin e prozës joartistike, siç janë tekste të dokumenteve të fushës tekniko-shkencore, tekste të dokumenteve të fushës së biznesit dhe të tregtisë, tekste të dokumenteve të fushës së diplomacisë, si edhe tekste të fushës së gazetarisë dhe të publicistikës. Mendoj se në këtë libër për herë të parë trajtohet te ne përkthimi i letërsisë joartistike. Autori ka nënvizuar me shumë të drejtë se përkthimi që në vitet e para të pasluftës i teksteve të dokumenteve të fushës tekniko-shkencore, pati luajtur një rol të jashtëzakonshëm për pasurimin e terminologjisë shkencore në vendin tonë, çka shërbeu paskëtaj si zanafillë për hartimin e fjalorëve terminologjikë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.
Një kapitull të posaçëm, autori ia ka kushtuar përkthimit të prozës politike dhe filozofike dhe konkretisht përkthimit të veprave të klasikëve të ideologjisë komuniste. Ai ka bërë vlerësime mjaft objektive të gjithë asaj pune kolosale që përkthyesit e Redaksisë së përkthimit të veprave në fjalë patën përballuar për sjelljen e tyre në gjuhën shqipe. Përkthimi i tyre e pasuroi ndjeshëm gjuhën shqipe me terma të shumta nga fusha e filozofisë, e politikës dhe e ekonomisë. Ata përkthyes punuan në shenjtërinë e mjeshtërisë së tyre të heshtur, ndërkohë që shteti komunist ua mohoi pronën e tyre intelektuale, duke mos lejuar vendosjen e emrave të tyre në ballinat e veprave të përkthyera, vëllimi i të cilave ka arritur deri në 44 600 faqe. Eshref Ymeri ka manifestuar respektin e vet intelektual ndaj emrave të përkthyesve të shquar të Redaksisë së klasikëve të ideologjisë komuniste pranë Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, duke dhënë vlerësime konkrete për secilin prej tyre, duke filluar me përkthyesin mitik Sami Leka, e mëpastaj Sergei Sherkon, Mina Qiricin, Mesaret Kumbaron dhe Rexhep Hidën.
Në këtë pjesë të librit, autori ka përfshirë edhe mbresat mjaft interesante që, me kërkesën e tij, ka dhënë përgjegjësja e asaj Redaksie në periudhën e ndërviteve 1980-1989, Jolanda Canko.
Problemeve të përkthimit të prozës artistike, autori u ka kushtuar gati gjysmën e pjesës së parë të këtij libri. Në këndvështrimin e tij, proza artistike përfaqëson një dukuri estetike të papërsëritshme, prandaj edhe “ripërsëritja” apo rikrijimi i saj në përkthim mbetet një dukuri relative. Pra, përkthimi i saj përbën një dukuri unikale, në të cilën është mishëruar thelbi artistik i prototipit, pra, i tekstit burimor.
Nisur nga kjo ai nënvizon se, për të respektuar stilin e autorit, pëkthyesi, gjatë ballafaqimit të tekstit të origjinalit me tekstin e gjuhës amtare, duhet të ketë parasysh se në ç’masë është arritur individualizimi i personazheve, pra, karakterizimi i tyre ligjërimor, portretizimi i botës së tyre të brendshme, cili është vlerësimi i autorit për personazhet e veprës dhe si ai i tipizon ato tërthorazi, si është përcjellë ana figurative dhe fryma metaforike e veprës, sa kanë dalë në pah ana emocionale e saj, hollësitë artistike dhe forca shprehëse e fjalës, se si paraqitet në vepër raporti mes nuancave të ndryshme në strukturën kuptimore të fjalës.
Në prozën artistike një rol veçanërisht të rëndësishëm luajnë mjetet shprehëse emocionale, si anafolat (aluzionet), loja e fjalëve apo kalamburet, aforizmat, mënyrat e ndryshme sintaksore dhe stilistikore etj., të cilat, sipas autorit të këtij libri, përkthyesi duhet t’i përcjellë në gjuhën amtare po me atë përkushtim e përkujdesje si edhe vetë autori i origjinalit.
Eshref Ymeri nënvizon me të drejtë se letrat botërore nuk njohin prurje të mëdha në shkrimtarë të talentuar, dhe ca më pak në përkthyes të talentuar. Kjo për faktin se përkthyesi, sipas tij, përveç intuitës artistike dhe talentit letrar, duhet të jetë i pajisur edhe me dije enciklopedike, duhet të ketë aftësinë për të jetuar në dy botë paralele.
Në këtë libër, autori e ka vënë theksin në tre probleme kyç të përkthimit të prozës artistike.
Së pari, përkthimi i prozës artistike është art. Për këtë, thekson ai, duhet që përkthyesi të zotërojë me mjeshtëri artin e rimishërimit, e ritrupëzimit. Ai duhet të zhvendoset shpirtërisht dhe mendërisht brenda qenies së autorit dhe të përjetojë po ato brenga zemërtallazuese që ka përjetuar autori, i cili, po ashtu, di të ritrupëzohet aq bukur në botën e personazheve të veta. Gjykoj se Eshref Ymeri qëllon në shenjë kur artin e përkthyesit e krahason me artin e aktorit. Sepse ashtu si puna e përkthyesit, edhe aktori e ka të domosdoshme që, me tërë forcën e përceptimit të drejtpërdrejtë, ta shikojë atë realitet konkretë, atë jetë të gjallë, e cila fshihet prapa fjalëve që ka shkruar autori. Në formë ilustrimi, ai është ndalur në dy rrëfenja domethënëse nga jeta e artistëve të shquar Bekim Fehmiu dhe Kadri Roshi dhe në një fragment nga jeta e poetit të madh rus Aleksandër Pushkin, në të cilat bëhet fjalë pikërisht për rimishërimin artistik, që, ashtu si dy artistët e mëdhenj dhe poeti i shquar, duhet ta bëjë të vetin edhe përkthyesi i prozës artistike, rimishërim ky që duhet të jetë pjesë e pandarë e dimensionit të tij profesional.
Mëpastaj, Eshref Ymeri vjen në një përfundim mjaft domethënës për artin e përkthimit, kur thotë se, njëlloj siç rinjohim artistin e madh në secilin prej roleve që ai luan, ndonëse ai paraqitet i ndryshëm gjithsaherë, po ashtu edhe në çdo vepër të përkthyer, gjejmë se cili është përkthyesi i shquar, që domosdoshmërisht, duhet të jetë një mjeshtër i vërtetë i fjalës artistike, me artin që prodhon pena e vet. Kjo për faktin se në një vepër të përkthyer, individualiteti i përkthyesit shpërfaqet si objekt i asaj veprimtarie njohëse që quhet art. Sa më afër ta përcjellë ai realitetin e pasqyruar në origjinal, aq më i fuqishëm bëhet reagimi i lexuesit dhe aq më dukshëm del në pah efekti i bashkëpërjetimit të përkthyesit me autorin.
Së dyti, përkthimi i prozës artistike është krijim. Suksesi i përkthimit të prozës artistike varet jo vetëm nga erudicioni i përkthyesit, por edhe nga të kuptuarit e veçorive komunikuese të ligjërimit dhe të vështirësive të natyrës gjuhësore. Me punë krijuese të përkthyesit të prozës artistike, nënkuptohet një veprimtari e veçantë gjuhësore që ka për pikësynim rikrijimin e origjinalit në gjuhën përkthimore, një veprimtari kjo që kërkon një përgatitje të lartë profesionale, shprehi dhe aftësi. Për arritjen e këtij pikësynimi, sipas autorit të këtij libri, përkthyesi duhet të operojë me nocione të tilla, si “intuitë”, “mendjemprehtësi”, “nuhatje gjuhësore”, “shkathtësi në përkthim”.
Përkthimi i prozës artistike, si një veprimtari me përgjegjësi të lartë intelektuale, kërkon një orientim të caktuar krijues që lidhet me atë që quhet “teknika e përkthimit”. Sepse specifika e këtij përkthimi duhet parë në prizmin e veçorive gjuhësore dhe të sistemit figurativ të prozës artistike. Prandaj puna krijuese e përkthyesit është e pamundur pa zotërimin e teknikave të përkthimit, të cilat, mbështetur në veprën e shkencëtarëve Darbelnje (Jean Darbelnet) dhe Vinje (Jean-Paul Vinay), në këtë libër janë shtjelluar konkretisht.
Së treti, përkthimi i prozës artistike është shkencë. Në këtë libër sqarohet bindshëm se për një përkthim cilësor është i domosdoshëm zotërimi mjeshtëror i gjuhës përkthimore dhe i gjuhës burimore, çka nënkupton njohjen me themel jo vetëm të pasurisë leksikore, por edhe të strukturës gramatikore të të dyja gjuhëve, të cilat mund të mos kenë përputhje me njëra tjetrën. Trajtat e foljeve në njërën gjuhë mund të shprehen me mjete morfologjike, kurse në gjuhën tjetër ato mund të kompensohen me mjete leksikore. Vetëm përgatitja shkencore e përkthyesit në zotërimin e të dyja gjuhëve, bën të mundur që ai të mos ndodhet para të papriturave në procesin e përkthimit.Veç kësaj, saktësia e një përkthimi, pasi atij i është dhënë dora e fundit, mund të vlerësohet shkencërisht vetëm duke pasur parasysh veçoritë e të dyja gjuhëve.
Në këtë libër, autori i ka lënë një hapësirë të konsiderueshme përkthimit të poezisë, këndvështrimeve të autorëve të ndryshëm për përkthimin e saj, si Dante, Bualo, Gëte, Zhukovski, Prosper Merime, Samuil Marshak, Aleksandër Tvardovski, Oktavio Paz, Kadare, Agron Tufa, Edmond Tupja, Mira Meksi, Alket Çani etj. Eshref Ymeri e ka vënë theksin në faktin se përkthyesi i poezisë, në radhë të parë, duhet të ketë parasysh raportin mes ritmit dhe intonacionit. Sepse janë fort të mundshme rastet kur masa e vargut të origjinalit dhe të përkthimit të jetë e njëjtë dhe atëherë respektimi i njërës ose i tjetrës mënyrë formale merr rëndësi edhe si qëllim, edhe si mjet që bën të mundur arritjen e shkallës më të lartë të barasvlerësisë estetike me origjinalin. Ai ka nënvizuar se ashtu si përkthimi i prozës artistike është krijim, edhe përkthimi i poezisë është krijim, madje ca më shumë. Në këtë aspekt, në përkthimin e veprave poetike të autorëve të ndryshëm, duke filluar që nga antikiteti e deri në ditët tona, përkthyesi duhet të kërkojë dhe të gjejë diçka të ngjashme në botën e ndjenjave të veta. Prandaj, – vë në dukje ai, – përkthyesi i poezisë duhet ta ruajë dhe ta përcjellë me shumë kujdes frymën e origjinalit, natyrshmërinë e tingëllimit të vargut, masën dhe ritmin e tij, brenda caqeve të “lirisë dhe të domosdoshmërisë” përkthimore, për të respektuar idenë kryesore të autorit.
Për përkthyesin e poezisë, mjeshtëria e ritrupëzimit, e rimishërimit në qenien e autorit, të cilën Eshref Ymeri e ka përmendur edhe në përkthimin e prozës artistike, merr një rëndësi të dorës së parë. Prandaj përkthyesi duhet ta bëjë të vetën mënyrën se si autori e strukturon vargun, duke i qendruar besnik gjuhës amtare dhe individualitetit të vet poetik.
Autori është ndalur edhe në këndvështrime të ndryshme të autorëve francezë për përkthimin poetik, si Delavinji (Delevigne), Rene Gil (René Ghil) dhe Prosper Merime (Mérimée), i cili një poezi të Pushkinit e pati përkthyer në prozë.
Në këtë libër, autori u bën homazh përkthyesve të poezisë në vendin tonë, të cilët kanë dhënë modele të shkëlqyera të përballjes së gjuhës shqipe me gjuhët e huaja, duke filluar që nga veprat poetike të antikitetit. Ai përmend disa nga kryeveprat poetike të letërsisë botërore dhe emrat e përkthyesve tanë të mirënjohur, emra këta që kanë hyrë një herë e përgjithmonë në galerinë e figurave të shquara të kulturës sonë kombëtare.
Një tjetër temë shumë interesante që shtjellohet në librin e Eshref Ymerit, është tema e raportit përkthyes / përkthim artistik. Kjo për faktin, se, siç thekson ai, jo dokushdo mund të jetë përkthyes i prozës artistike. Sepse, në këndvështrimin e tij, duhen plotësuar disa kushte.
Së pari, përkthyesi duhet të ketë dhuntinë që quhet ndjenja e gjuhës, domethënë që mendimet e veta të dijë t’i hedhë bukur në letër. Me fjalë të tjera, aftësitë letrare janë më se të domosdoshme për një përkthyes, se përkthimi i tij është dhe duhet të jetë vepër artistike.
Së dyti, përkthyesi duhet ta zotërojë përsosmërisht gjuhën amtare, duhet të hyjë në hollësirat e saj, ta njohë mirë pasurinë e saj frazeologjike, drejtshkrimin, gramatikën dhe rregullat e përdorimit të pikësimit.
Së treti, përkthyesi duhet të ketë një nuhatje të hollë në zotërimin e gjuhës amtare.
Brenda temës së raportit përkthyes / përkthim artistik, autori shtjellon edhe nëntemën “ndikimi i krijimtarisë artistike në përkthim dhe ndikimi i përkthimit në krijimtarinë artistike”. Për këtë problem mjaft interesant, ai ka marrë edhe mbresat e disa autorëve që janë në zë në letërsinë shqipe, të cilët janë të mirënjohur edhe si përkthyes letrarë. Mendoj se me mbresat e tyre, autori i ka dhënë më shumë zhdërvjelltësi shkrimit të kësaj vepre, duke krijuar një atmosferë shumë interesante dhe krejt të veçantë. Lidhur me këtë, ai ka bërë hulumtime interesante dhe ka paraqitur në këtë libër edhe një listë me 28 emra shkrimtarësh dhe poetësh të dëgjuar që figurojnë në mbarë botën edhe si përkthyes të talentuar.
Në kapitullin “Përkthyesit, kuajt postarë të qytetërimit”, del në pah më së miri raporti autor / përkthyes, roli i përkthyesve shqiptarë të letërsisë artistike për pasurimin e kulturës amtare me kryevepra të letërsisë botërore, qëndrimi moskokëçarës i shtetit shqiptar (me përjashtime të rralla) ndaj kontributit të jashtëzakonshëm të përkthyesve të letërsisë artistike në pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe. Autori këtu e ka vënë theksin edhe në faktin se në ç’masë zotërimi i disa gjuhëve të huaja ndihmon në përsosjen e mjeshtërisë së përkthimit, duke u ndalur edhe në pikëpamjet e gjuhëtarit amerikan Uorf (Benjamin Lee Whorf). Këtu ai ka marrë edhe mbresat e Shpëtim Çuçkës, i njohur në kulturën shqiptare si një përkthyes i talentuar nga disa gjuhë të huaja.
Për të nënvizuar hijeshinë e shqipes në përkthim, autori ka paraqitur tre fragmente veprash artistike nga tre autorë të ndryshëm (njëri klasik, tjetri neoklasik, kurse i treti autor bashkëkohor), të sjella në gjuhën shqipe nga tre emra të njohur të botës së përkthimit në vendin tonë. Ai ka bërë një vlerësim kritik të përkthimit të këtyre tre fragmenteve, duke nënvizuar se ato janë një pikëtakim i frymës dhe i shkronjës së origjinalit brenda tekstit në gjuhën shqipe. Këtu, – ka vënë në dukje ai, – kemi të bëjmë me një “lidhje të goditur martesore” të së huajës me amtaren. Përkthyesit kanë pasur parasysh natyrën e gjuhës nga kanë përkthyer, nisur gjithmonë nga pikësynimi për të qëmtuar të tilla fjalë dhe shprehje të gjuhës shqipe, të cilat, në një masë të admirueshme, riprodhojnë ritmin dhe frymëmarrjen e brendshme të origjinalit. Kjo, – nënvizon ai, – është, si të thuash, një “punëdore filologjike” që ka sjellë në vijim krijimin e thurimës leksikore dhe sintaksore, duke respektuar tiparet e origjinalit.
Në të njëjtën kohë, Eshref Ymeri ka përmendur edhe raste kur shqipja ka çaluar keqas në përkthim. Ai ka nxjerrë shembuj përkthimi (fraza) nga vepra e një klasiku francez (Balzaku – “Kushërira Betë”) dhe nga vepra e një autoreje të njohur bashkëkohore irlandeze, si Sesilia Ahern (Cecelia Ahern), autore romanesh me temë dashurie.
Frazat që Eshref Ymeri ka shkëputur nga përkthimi i dy veprave të lartpërmendura, dëshmojnë se përkthyesit nuk kanë aftësi krijuese, prandaj edhe origjinalin e kanë përkthyer fjalë për fjalë. Kjo ka bërë që sintaksa e shqipes të tingëllojë e pazakontë, e stisur. Prandaj ai rekomandon që këto dy vepra duhen ripërkthyer, për të respektuar shijet e lexuesit të kulturuar.
Vitet e fundit, në vendin tonë, ka qenë e mprehtë tema e diskutimit për domosdoshmërinë e ripërkthimeve, çka vazhdon të jetë në rend të ditës edhe në vende të tjera, për çka në këtë libër flitet me fakte konkrete. Pikërisht kësaj teme, Eshref Ymeri i ka kushtuar në këtë libër një kapitull të posaçëm. Ai ka bërë një sintezë të diskutimeve të disa krijuesve, përkthyesve dhe kritikëve të mirënjohur të përkthimit në vendin tonë. Ai ka theksuar se shqetësimi i pjesëmarrësve në diskutimin rreth kësaj teme është i drejtë. Sepse gjuha shqipe, me kalimin e viteve, vjen e pasurohet gjithnjë e më shumë dhe leksiku i përkthimeve të dikurshme edhe mund të tingëllojë paksa si i pazakontë për shijet e breznive të reja. Për mundësitë e kufizuara të vendit tonë në periudhën e diktaturës komuniste, e cila i kushtonte jo pak vëmendje luftës me “mullinjtë e erës”, ishte e pamundur që të përballoheshin shpenzime për të pasur disa përkthime paralele të veprave kryesore të klasikëve të letërsisë botërore.
Ndërkohë, diskutuesit e mësipërm, ripërkthimin e quajnë të domosdoshëm edhe për faktin se para vitit 1990, disa vepra janë përkthyer nga gjuhë të dyta, kurse disa të tjerave u është vënë edhe gërshëra. Në këto kushte, domosdoshmëria e ripërkthimeve është kërkesë e kohës. Por, në këtë mes, Eshref Ymeri ngre një problem:
“A kemi ne dhe a do të jemi në gjendje të nxjerrim nga radhët e talenteve tona përkthyes të të tillë formati, si Fan Noli, Frano Alkaj, Gjon Shllakut, Mark Dema, Mitrush Kuteli, Nikollë Dakaj, Pashko Gjeçit, etj, etj., përkthyes që të zotërojnë në nivel të lartë disa gjuhë të huaja, të jenë të pajisur me dije enciklopedike dhe të jenë mjeshtër të gjuhës shqipe, që të risjellin në kulturën amtare vepra artistike, duke filluar që prej lashtësisë grekoromake? Ne tani e kemi një brez të mesëm dhe të ri përkthyesish mjaft të talentuar. Le të shpresojmë se nga radhët e përkthyesve tanë të rinj do të dalin të tjera talente të tilla, si mjeshtrat e lartpërmendur të artit të përkthimit”.
Pjesa e parë e këtij libri mbyllet me mendimin kritik për përkthimin. Autori është ndalur te Shën Jeronimi, pikëpamjet e të cilit shënojnë zanafillën e shkencës së kritikës së përkthimit.
Më poshtë ai flet për veprimtarinë e Leonardo Brunit, shkrimtar dhe historian, njëri nga shkencëtarët më të famshëm të periudhës së Rilindjes italiane. Në vazhdim ai përmend kritikun francez të përkthimit, Joakim Dy Belenë (Joachim Du Bellay), i cili, një shekull më pas, i kritikon ashpër “përkthyesit-tradhtarë”, duke vënë në dyshim vetë mundësinë e përkthimit artistik. Më tej, në libër theksohet se pasi ka kaluar edhe një shekull tjetër, njëri nga anëtarët e Akademisë Franceze, Bashe de Meziriak (Claude Gaspard Bachet de Méziriac), poet, gjuhëtar dhe përkthyes, shkruan një traktat të hollësishëm me titull “De la traduction” (Nga përkthimi), në të cilin i bënte një analizë kritike punës së “korifeut të përkthyesve” të shek. XVI, Zhak Amios (Jacques Amyot) – përkthimit në frëngjishte të veprës së Plutarkut “Jetë paralele”. Pas trajtimit shkurtimisht të kritikës së përkthimit në përiudhën e romantizmit gjerman dhe të mendimit kritik rus për përkthimin, autori hedh dritë mbi mendimin kritik shqiptar për përkthimin, që zë fill me këndvështrimin e Kristoforidhit për përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe, vazhdon me pikëpamjet e kritikëve të ndryshëm të periudhës mes viteve 1924-1944. Autori trajton më hollësisht mendimin kritik të Aleksandër Xhuvanit dhe të Mitrush Kutelit, duke e përmbyllur këtë pjesë të librit me këndvështrimet e kritikëve të përkthimit pas vitit 1990 deri në ditët tona.
Pjesën e dytë të librit, autori e ka titulluar “Universiteti i përkthimit në gjuhë të huaja”.
Në këtë pjesë shtjellohet përkthimi i letërsisë politike dhe propagandistike në gjuhë të huaja në periudhën e regjimit komunist. Autori i ka bërë një homazh të shkëlqyer punës rraskapitëse që kanë përballuar përkthyesit e Redaksisë së botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”. Ai, si përgjegjës i Redaksisë në fjalë gjatë një periudhe 8-vjeçare (1981-1989), e ka vlerësuar atë si “një dritare të hapur drejt Perëndimit” apo si “një oaz të kulturës perëndimore” në kushtet e diktaturës komuniste. Edmond Tupja, punën në atë Redaksi, e ka cilësuar saktësisht si një “universitet të dytë”, kurse unë, si punëtore e përkthimit në sektorin e spanjishtes, në mbresat e mia për atë Redaksi, që ia kam dërguar Eshref Ymerit me kërkesën e tij, e kam quajtur “parajsa intelektuale dhe profesionale”. Autori ka bërë vlerësimet e veta për tetë sektorët e gjuhëve të huaja, për sektorin e gjuhës shqipe dhe të daktilografimit, për çdo përkthyes dhe redaktor të veçantë, si edhe për bashkëpunimin me shtypshkronjën “8 Nëntori”. Pasqyrimi i punës së Redaksisë është pasuruar edhe me mbresa, që, përkthyes të tjerë të çdo sektori të gjuhëve të huaja, ia kanë përcjellë autorit me kënaqësi posaçërisht për këtë libër. Në mbresat e veta, vlerësime mjaft dashamirëse, tepër objektive, ka bërë për Redaksinë edhe Jolanda Canko, e cila e drejtoi atë prej fundit të vitit 1989 deri në vitin 1992.
Në këtë pjesë është pasqyruar edhe puna e vëllimshme e përkthyesve që është përballuar edhe në Radion e Jashtme të Radio Tiranës dhe në Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Pjesa e tretë e këtij libri përbëhet nga një shtojcë, në të cilën përfshihen tri intervista që autorit ia kanë kërkuar dy organe të shtypit të përditshëm.
Libri mbyllet me një material me titull :“Shqipëria, një vend pa shoqatë përkthyesish”.
Autori këtu përshkruan më hollësisht veprimtarinë e Federatës Ndërkombëtare të Përkthyesve, duke filluar prej kongresit të saj të parë, themelues, që u mbajt në Paris në vitin 1953, deri në kongresin XX që i zhvilloi punimet në Berlin më 4-6 gusht 2014. Kongreset e kësaj Federate zhvillohen një herë në tre vjet.
Si përkthyes, Eshref Ymeri shpreh keqardhjen e vet që Shqipëria është i vetmi vend evropian që nuk ka një shoqatë përkthyesish të letërsisë artistike. Një shoqatë e tillë duhej te ekzistonte me domosdo, në mënyrë që të mbante lidhje të përhershme me Federatën Ndërkombëtare të Përkthyesve dhe të merrte pjesë në aktivitete të ndryshme, sidomos në Kongreset Ndërkombëtare të Përkthyesve. Këtu është pasqyruar edhe veprimtaria e një tjetër Federate Ndërkombëtare të Përkthyesve që është themeluar në Moskë, në kongresin e saj të parë që u mblodh në shtator të vitit 2010 dhe që kongreset e veta i zhvillon një herë në dy vjet. Kjo federatë përfshin në radhët e veta të gjithë përkthyesit e vendeve të tjera që veprat e shkrimtarëve rusë i përkthejnë në gjuhët e tyre, si edhe përkthyesit rusë që përkthejnë nga gjuhët e huaja. Në Kongresin e tretë që i zhvilloi punimet në Moskë më 4-7 shtator 2014, pjesëmarrësit nga 55 vende të botës, dolën me një deklaratë publike, në të cilën, me anë të parullës “Përkthimi letrar, si mjet i diplomacisë kulturore”, shprehnin protestën e tyre të vendosur kundër politikës së udhëheqjes ruse, kundër ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, kundër propagandës së urrejtjes, e cila shtrembëron realitetin dhe u bën thirrje njerëzve për dhunë. Deklarata mbyllet me emrat e 343 përkthyesve pjesëmarrës në kongres.
Gjykoj se ky libër i Eshref Ymerit përmban një informacion shkencor tejet të pasur të nivelit erudit për problemet e përkthimit dhe bart vlera të jashtëzakonshme njohëse. Ai është rezultat i përvojës së gjatë të autorit, si përkthyes i letërsisë politike në gjuhë të huaj, si përkthyes i letërsisë artistike në gjuhën shqipe dhe si mësimdhënës i lëndës së përkthimit në Universitetin e Tiranës. Kjo vepër është, përpos të tjerash, edhe një memoristikë e mrekullueshme e udhës së gjallë të shumëvështirë e të gjatë të përkthimit në Shqipëri dhe të pelegrinëve të saj. Kam bindjen që kjo vepër e përmasave enciklopedike do të jetë një traktat plot vlerë për pedagogët e përkthimit të degëve të gjuhëve të huaja të universiteteve tona dhe udhërrëfyes për studentët e këtyre degëve, të cilët mund të kenë dëshirë t’i futen një ditë me pasion artit të përkthimit. Porse sigurisht, ky libër mund t’i japë në dorë fillin e Arianës kujtdo që ka interesa intelektuale për fushën e përkthimit dhe dëshiron të mirëorientohet labirinteve të koklavitura të tij.
Paris, 03 Gusht 2015
Komentet