“Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, 2021
Në krijimtarinë letrare e hulumtuese Austria dallohet që në lashtësi me shkencëtarë që dhanë vepra shkencore me vlerë në lëmin e gjuhësisë, shkencës, etnografisë, arkeologjisë shqiptare. Hulumtimet e tyre janë baza e fjalës shkencore mbi gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar si kombi më i lashtë jo vetëm në kontinentin tonë. Që herët, raportet mes dy kombeve dhe dy gjuhëve ishin të lidhura në rrethana historike të caktuara kohëve. Fan Stilian Noli, rreth kësaj, mes tjerash, thotë: “I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve… . Ajo ka ditur si të sillet me shqiptarët e si t’ua fitojnë zemrat. Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut”. Nisur nga këto raporte, që herët, shumë të rinj shqiptarë, të studiojnë në shkollat dhe universitet austriake, veçanërisht në Vjenë, por edhe në Graz, Klagenfurt, Linz, Insbruk. Në albanologji ishin hedhur hapa të rëndësishëm nga albanologu austriak me origjinë hebre, Norbet Jokl, i cili me të drejtë konsiderohet themeluesi i studimeve albanologjike. Nxënës i Nokl-it ishte Eqrem Çabej, i njohur për albanologjinë në përmasa ndërkombëtare. Gjenerata e studiuesve austriakë e shqiptarë kishte bazamentin e saj duke u shtuar numri i tyre nga të gjitha trevat shqiptare që studiuan në Austri. Shumica e tyre janë figura të njohura historike të kombit, por pak është ditur për veprat e tyre në mungesë të hulumtimeve. Njëra nga veprat, e cila na ofron me shumicën e studiuesve nga gjuhësia, arti dhe kultura, pa dyshim është vepra më e re e autorit tani të njohur, Hazir Mehmeti, me titull “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, 2021. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Artini” dhe ka 280 faqe, i ndarë në pesë kapituj, me redaktor shkrimtarin e mirënjohur Bedri Tahiri dhe ballinën e botimit të dytë të punuar nga Zeni Ballazhi. Numri i madh i studiuesve austriakë dhe studiuesve shqiptarë asnjëherë nuk ishin paraqitur së bashku në formë enciklopedie në tekst e foto dhe kjo është e veçanta dhe vlera e dëshmuar e librit.
”Vjena ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence, që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. Deri më tani pak i është kushtuar rëndësi këtyre, andaj ne dimë pak për ta dhe veprat e tyre. Në përgjithësi na mungon tradita e shkrimeve. Kjo bëri që të dihet pak mbi aktivitetet rreth mësimit dhe atyre kulturore në rrethet e gjëra të vendorëve dhe vetë shqiptarëve. Akoma kemi pak shkrime rreth mësimit të gjuhës shqipe, aktiviteteve kulturore dhe historisë shqiptare në Austri. Forma më e mirë që nesër të dihet diçka nga e sotmja është shkrimi. Edhe këtë libër e kuptoj si të tillë, një gjurmë e sotme për nesër, për gjeneratat që do vijnë”,- shprehet vetë autori. Libri fillon me kapitullin e parë nga periudha e hershme e raporteve mes dy kombeve bazuar në figurat e njohura shkencore, kryesisht autor gjermanfolës.
Po shkëpusim pjesë nga redaktori i librit, BedriTahiri: “Në fakt, ky libër, të cilin autori ia përkushton vajzës së tij, tashmë të ndjerë, shkencëtares së papërsëritshme, Vlorë Mehmetit-Tërshani, vjen si vazhdimësi e monografisë “Mësimi shqip në Austri”, në të cilën autori pati përfshirë punën sistematike njëzetepesëvjeçare (1987-2012). Libri ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”, shikuar hollë- hollë, paraqet një lloj enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme e me fotografi, që pasqyrojnë bindshëm jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara që folën shqip në Austri, siç reflekton edhe vetë titulli.
“Kapitulli i dytë shpërfaq qartë e natyrshëm kontributin e pazëvendësueshëm të gjermanofolësve për gjuhësinë shqiptare, duke nisur që me Arnold Fon Harffin, autorin e dokumentit të dytë të gjuhës shqipe, për të vazhduar me Johannes Thunman, Jakob Philipp, Fallmerayer, Johannes Georgvon Hahn, Gustav Meyer, Leo Freundlichm Franz Baron Nopcsa, Jan Urban Jarnik, Norbert Jokl, Maximilian Lambertz, Franc Xaver Ritter Miklosich, Theodor Ippen Herman M. Ölberg Wilfried Fiedler e Dr. Kurt Goschtentshnigg etj.
Ndërkaq në kapitullin e tretë mund të mësojmë për personalitete të njohura austriake me origjinë shqiptare, siç ishin: Gjergj Basta, Karl Gega e Aleksandër Moisiun, me të cilët krenohet edhe e gjithë bota e civilizuar.
Thelbin e librit në shqyrtim, padyshim, e përben kapitulli i katërt, ku pasqyrohet jeta dhe veprimtaria e mbi njëqind personaliteteve të mëdhenj shqiptarë në Austri, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Prishtina, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Karl Gurakuqi, Kristë Maloku, Skënder Luarasi, Pandeli Sotiri, Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba e shumë e shumë të tjerë, deri tek studiuesit e shkencëtarët e ditëve tona, ku u dallua edhe vajza e autorit e nxënësja ime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, tashmë e ndjerë.
I rëndësishëm dhe mjaft interesant na del edhe kapitulli i fundit “Shoqëritë shqiptare në Austri”, ku, në mënyrë përmbledhëse e të argumentuar, pasqyrohet jeta kulturore e veprimtaritë e begata të shoqërive, revistave, gazetave, gramatikave, klubeve, organizatave e shoqatave prodhimtare shqiptare në Austri. Në kuadër të këtij kapitulli është futur edhe një shtojcë plotësuese me emrin “Dromca nga shtypi i kohës, kushtuar figurave të prezantuara në libër”, të cilat janë shkëputur nga botimet e mëhershme nëpër revista e gazeta të ndryshme nga vetë autori i librit. Dhe, e gjithë kjo punë, do të dilte e zbehtë fare, po mos të shfrytëzoheshin edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për zemër. Nëse gjithmonë është thënë: -Një foto flet sa një mijë fjalë, atëherë del se libri “STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë ”, paskësh vlerë të madhe dhe po del se paskësha pasur të drejtë kur, që në fillim, e quajte një Enciklopedi e llojit të vet!
Rreth librit, Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, shkruan: “Përmes kësaj dritareje arritën të shohin albanologët e mëdhenj austriakë të vërtetën mbas mjegullave të historisë. Ishin Gustav Majer, Johan Georgfon Han, Miklosiç, Lybke, Jireçek, Shuflai, Karl Paç dhe Baroni Nopça fillimisht duke hulumtuar shqipen, të cilët themeluan, argumentuan dhe mbrojtën etnogjenezën ilire të shqiptarëve. Nga ana tjetër, janë me dhjetëra filologët e gjuhëtarë shqiptarë, që janë formuar në Klagenfurt, Grac e Vjenë, duke filluar nga Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi e deri tek Lasgush Poradeci e i madhi Eqrem Çabej – të gjithë shembuj frymëzimi për mijëra studentë shqiptarë, që sot shkollohen në Austrinë mike, si edhe për fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në këtë vend, mbështetja e të cilit është sprovuar gjatë historisë sonë të trazuar. Mirënjohje dhe falënderim të veçantë për autorin e këtij libri, zotin Hazir Mehmeti, i cili si mësues dhe drejtues prej disa vitesh i shoqatës së mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri, ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e disa brezave të fëmijëve të diasporës shqiptare në Austri, kontribut që vijon të pasurohet me shkrimin dhe botimin e këtij libri.”
Ne foto: Një grup studentësh nga disa qytete shqiptare. Nga e majta: Mendu Vrioni (Berat), Ahmet Duhanxhiu (Elbasan), Vasil (Elbasan). Ulur nga e majta: Sulejman Herri (Elbasan), Petër Ndria (Elbasan), Xhevat Daiu (Shkodër).
Pjesë nga libri: “Qeveria e Ismail Qemalit që në hapat e parë i kushtoi rëndësi shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim. Luigj Gurakuqi kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve shqiptarë, që do studiojnë në Austri. Nga Elbasani dërgohet kontingjenti i parë i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë. Kontribut në dërgimin e studentëve në Austri dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja. Këta studentë, pas shkollimit, u kthyen në atdhe, u dalluan si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez. Me vendimin Nr. 1106 me 16 prill të vitit 2017, nga komanda austriake, themelon Biblioteka e Komisisë Letrare me kuptimin Biblioteka e Shqipërisë, e njohur si Biblioteka Popullore Shqipe të Lirë. Si bibliotekist zgjidhet Hilë Mosi. Bibilioteka e Komisisë dhe shoqërisë “Vëllaznija” ishin bërthamat e Bibliotekës Kombëtare e themeluar në vitin 1920, drejtor i së cilës emërohet Karl Gurakuqi. Qeveria Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptarë pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr. Nush Bushati, Çatin Saraçi, NduePaluca, Kolë N.Rrota dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi. Me këto bursa studiuan në Austri këto personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës, të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tye, kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip. Disa nga figurat më meritore të kohës në gjuhësi dhe tekste shkollore: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia, Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli, Kolë Rrota, Karl Gurakuqi, por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924, në Austri studionin 69 studentë shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë. Më 23 mars të vitit 1917 austriakët, duke e parë nevojën e madhe për mësues, vendosin hapjen e Shkollës Normale në Shkodër, ku për drejtor emërohet Gasper Baltoja, i cili kishte mbaruar studimet në Shkollën për Mësues në Klagenfurt të Austrisë. Austria pati një rol pozitiv në fillimet e mësimit shqip në trevat shqiptare, i mohuar shekujve nga pushtimi turk. Tradita e përkrahjes vazhdon akoma deri në ditët tona, kur dihet gjendja e rëndë e arsimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Austro-Hungaria mbështeti interesat kombëtare të shqiptarëve para së gjithash në fushën politike.”
Libri “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” është një thesar në bibliotekat e shumta në pasurimin e marrëdhënieve mes dy kombeve tona në të ardhmen. Është bazë e mirë në rrugëhapje për thellimin e hulumtimeve në të ardhmen në fushën e gjuhësisë, artit dhe kulturës. Në historinë tonë me shekuj Austria u dallua si përkrahëse e kombit shqiptar krahas fushës politike edhe në fushën e arsimit e kulturës. Nisur nga kjo mbështetje, Austria u bë vendi ku lanë gjurmë shumë figura të njohura kombëtare. Nga rrethanat në trevat shqiptare, gjer më tani, pak i është kushtuar rëndësi këtyre figurave madhore, për çka, ne akoma nuk e njohim sa duhet veprën e tyre. Andaj, këtë libër e ndiej si detyrim kushtuar atyre në shenjë respekti. Shpresoj se sjell tek lexuesit sadopak kujtimin e një kohe, e cila ishte pikënisje në aktivitete të vazhdueshme të progresit kombëtar, forcimit të miqësisë mes dy popujve dhe së fundi kultivimin e gjuhës shqipe tek mërgimtarët. Studiuesit nga hapësira gjermanofolëse vunë bazat e shkencës së albanologjisë dhe shkencave të tjera rreth shqiptarëve. Shumë nga figurat madhore kombëtare studiuan dhe vepruan në Vjenë, Graz, Insbruk, Linz, Klagenfurt, Krems e qytete tjera të Austrisë. Këta u bënë pjesë e kujtesës së lavdishme kombëtare në paharresë gjeneratave. Ky është edhe qëllimi kryesor i shkrimit, brumi i së cilës u takon veprimtarëve, njerëzve tanë që vepruan në ruajtjen dhe shkrimin e gjuhës shqipe dje dhe atyre që sot punojnë pa u lodhur në këtë drejtim.
Komentet