Katër të pushkatuarit e Revoltës së Spaçit, Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashaj, mund të kenë së afërmi një varr ku familjarët të vendosin një kurorë me lule dhe të nderojnë kujtimin e tyre.
Në këtë përfundim ka ardhur grupi i punës në AIDSSH, pas hetimit 6 mujor për verifikimin mbi vendvarrimet e dyshuara dhe qartësimin e fatit të dyzet e katër të zhdukurve, të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit, i cili u ndërmor në kuadër të përkujtimit të 50-vjetorit të revoltës së të burgosurve më 21-23 maj1973.
Raporti cilëson se, vendi i identifikuar ku ata mund të jenë varrosur, ndodhet rreth 20 metër larg vendvarrimit të njohur të Shpalit. Vendi i dyshuar është i pastruar dhe lehtësisht në të mund të bëhen kërkime apo dhe gërmime për eshtrat. Lënia pa skica varri, hartë topografike, e të dhëna të tjera, (cilësime këto edhe me shkresa zyrtare nga Ministria e Brendshme) nga autoritetet e kohës ka qenë e qëllimshme.
Në kuadër të këtij hetimi, grupi i punës ka përcaktuar edhe koordinatat e sakta në lidhje me vendvarrimin e të pushkatuarit Ahmet Hoxha, dënuar me pushkatim, pas tentativës së arratisjes, në moshën 39 vjeçare, 20 vjet nga të cilat i kaloi në burg.
Trupat e të vrarëve dhe të vdekurve, të të arrestuarve dhe të dënuarve politikë në hetuesitë, kampet dhe burgjet e regjimit komunist në vitet 1945-1991, sipas rregullave çnjerëzore të përcaktuara nga regjimi, nuk u dorëzoheshin familjarëve.
Grupi punës, për daljen në këtë përfundime realizoi komunikim shkresor me institucione që kishin të dhëna rreth burgut të Spaçit; kërkim të thelluar në Arkivin e AIDSSH; bashkëpunoi me Drejtorinë e Arkivit në Ministrinë së Brendshme, për të dhëna rreth të ekzekutuarve, vrarëve, dhe të vdekurve në burgun e Spaçit, si dhe qartësimin e praktikave të ndjekura, të rregulloreve, urdhrave dhe udhëzimeve që kanë përcaktuar këto praktika.
Paralelisht grupi mblodhi dëshmi nga familjarë e të vrarëve dhe të vdekurve në Burgun e Spaçit, nga ish- punonjës të policisë, banorë të fshatit Spaç dhe ish -punonjës të lirë; mbajti takime me përfaqësues të pushtetit lokal në Mirditë dhe Fusharrëz, kreu këqyrje në vendvarrimet e njohura si pranë Kishës Katolike, Shpal, si dhe në vendet të cilat mendohen si vendvarrime të dyshuara për të vrarët dhe të vdekurit në Burgun e Spaçit.
Me vendim të Autoritetit raporti i është dërguar për veprim Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Bashkisë Mirditë, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Zyrës së ICMP-së Tiranë, për marrjen e masave në ruajtjen nga tjetërsimi i vendeve të dyshuara si dhe marrjen e hapave konkretë në përshkallëzimin e procesit të rikuperimit të eshtrave të personave të pushkatuar.
Autoriteti vlerëson bashkëpunim e deritanishëm me institucionet përgjegjëse dhe shpreh bindje se bashkërisht do të veprojnë më tej për të bërë të mundur që plaga e pambyllur e familjeve, të cilat janë në kërkim të qartësimit të fatit të familjarit, të vrarë pa gjyq apo ekzekutuar në kushte jo njerëzore, të mbyllet me gjetjen e tyre dhe nderimin që u takon, pranë familjeve.