Mbresa leximi: ”Rrëfime Bregamatase” të Gjergj Shytit, libër me përmbajtje universale historiko-shkencore, një manual i traditave, zakoneve e dokeve tona nëpër shekuj
Gjergj Shyti: Rrëfime Bregamatase”, ”Muzgu” 2023 Tiranë.
Autori i librit “Rrëfime Bregamatase”, është personalitet i njohur para lexuesit shqiptarë kudo, i cili me shkrimet e tija , në prozë e poezi dhe gjini të tjera të letrare, po le gjurmë të thella me interes për letërsinë tonë dhe gjeneratave në ardhje.
Librin ”Rrëfime Bregamatase”, me 267 faqe, e lexova me një kënaqësi të veçantë.
Përshtypjet nga ky libër-manual janë të shumta, të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse nga historia fisnore e etnokulturore të kombit tonë nëpër shekuj.
Gjergj Shyti, një krijues me përvojë në krijimtari letrare, për lexuesit që në faqet e para të librit “Rrëfime Bregamatase”, tërheq vëmendjen përmbajtjesore ,duke tërheq vijën kufizuese të përfshirjes së Bregut të Metës, duke cekur atë në ultësirën perëndimore mes Lezhë, Tiranës e Durrësit, si një konfiguracion gjeografik, nga i cili vend e ka prejardhjen edhe vete autori i këtij libri, Gjergj Shyti.
Në brendi të librit lexohet ai thesar historik ku përshkruhet gjeneza e fisit Kelmendi, dyndjet e tij, vendbanimet nomade të fiseve nëpër kohë, kushtet dhe luftërat si shkaktare e nomaditetit te fiseve shqiptare nëpër trojet tona, Ballkan e gjetiu në Evropë e botë. Në këtë kuptim, autori përshkruan bukur mënyrën e jetës baritore të fiseve, bjeshkët dhe kullotat në disa vende të ndryshme ballkanike, vështirësitë për të mbijetuar situatave të rënda të shekujve të kaluar, si pasardhës ilir.
Po nga ky fis me nam, pra nga fisi Kelmendi, autori gjen dhe trajton gjenezën e vet familjare duke argumentuar përmes emrave të brezave të kaluar deri ne ditët e sotme. Gjithë njohuritë për të kaluarën e fisit Kelmendi, autori i shtjellon nga fakti i gojëdhënave të bartura nëpër breza, me aso përshkrimesh të gjalla e bindëse për kohën, sa të mendosh se nuk kanë kaluar aq shekuj transformime jetësore. Jo vetëm me kaq. Autori i librit gjen argumente bindëse (faktografike) bazuar edhe në revista e shkrime të ndryshme ,si bie fjala te revista “Hylli i Dritës 1934,ku trajtohen rrënjët e fisit Kelmendi. Pastaj bazohet edhe në shumë shkrime shkencore gjetur arkivave të vendit, si bf. Nopçe, M.Shuflaj, Dom Nikollë Gazuli e shumë të tjerë, të gjitha me argumentime mbi rrugëtimin e fisit Kelmendi. Në këtë vazhdë argumentesh nga z. Gjergj Shyti, gjendet e shkruar se edhe Papa Klementi, ka zanafillën nga fisi Kelmendi, i cili “për të përhapur fjalën e Krishtit, qe shpallur i shenjt”.
Pasuri e veçantë janë kumtet e hershme kanunore
Duke u thelluar faqeve të këtij libri voluminoz, lexuesi gjen dhe mëson edhe për kumtet e hershme kanunore të popullit tonë, mënyrën e jetës dhe organizimin e saj, kodet që mbarëvanin jetën e tërësishme njerëzore. Pra, vërejmë një etikë të koduar fisnike e shtetformuese që herët tek fiset tona, ndoshta para popujve tjerë ballkanas e evropian….
Mbi këto rregullat ceket mënyra e bjeshkimit, dita e “çuarjes” në bjeshkë, organizimi i karvanëve, rrugëtimet e gjata, siguria e territorit të bjeshkëve, e kodime të tjera. Njëkohësisht, të atyre rregullave të koduara janë edhe një mori rregullash të tjera ku zhvillohet jeta e përbashkët e fisit dhe fiseve të tjera përreth. Një shembull tipik ceket edhe mënyra e bluarjes në mullinj të drithërave për jetesë.
Radhazi, lexojmë e kuptojmë nga ky libër, historinë e fiseve tona, mënyrën e jetës dhe shumë rregulla tjera në shumë fusha të jetës. Kjo mënyrë jete e përsëritur brez pas brezi, por në disa raste edhe e shkruar nga kronikan të kohërave të ndryshme, kanë bërë që të “jetojmë” gjatë në kujtesë të popujve tjerë të Evropës. Pikërisht falë disa karakteristikave të rralla që kemi bartur nëpër shekuj si veçanti tona, e si të tilla vlerësohen: besa, bujaria, fisnikëria, trimëria, veshja e dalluar nga të tjerë, (koreografia), që përmbajnë etnosin tonë, virtytet dhe etnokulturën bartur deri në vitet tona.
Gjergj Shyti, autori i librit në fjalë, nëpër faqet e këtij libri, përmend babin e tij, Pal Gjergj Kola ( Shyti), lindur me 1909-v.1985 dhe nënën fisnike ,Drenën, nga të cilët ka formësuar personalitetin e tij. Shpesh reflekton ngjarje nga kujtesa e të atit vlerat familjare e fisnore dhe historikun e tyre, duke dhënë edhe përshkrime karakteristike të brezave, si figura të rralla që dalin nga eposi jonë. Si një skulptor skalitë tiparet e veshjes, shtatin e drejtë si pishë mali dhe fytyrën e pashme shqiptare, ku glorifikohet madhështia hyjnore e fisnore që nga Ilirët. Një veprim të tillë përshkrimi e lexojmë edhe nga kronikani Nopçe, i cili figurën tipike të shqiptarit e bënë të dallueshme nga gjithë popujt e tjerë, si në momentet kur ai është i gëzuar, apo i hidhëruar nga sulmet e armiqve…. Në këto” përimtësina”, autori Gjergj Shyti, ka treguar talentin e tij prej studiuesi duke skalitur tiparet e qenies fizike, të urtësisë, bujarisë e veçanërisht qëndresën e fisit Kelmendi, por edhe të kombit shqiptarë nëpër kohë.
Nga këndvështrimi i autorit në librin “Rrëfime Bregamatase”, mësojmë se fshati afër Lezhës, i quajtur Markatomaj, është rrjedhojë e banimit të hershëm të familjarëve të autorit Gjergj Shyti, prej të cilëve edhe ka marë këtë emërtim, nga Mark Toma = në Markatomaj, ku ekziston edhe sot e kësaj dite. Kjo e dhënë flet mjaft për prejardhjen e autorit të këtij libri dhe rrënjët historike të tij.
Sikur të vazhdonim me përshkrimin e përshtypjeve nga libri “Rrëfime Bregamatase”, do të shkonim në disa faqe shkrimi ,por, mjafton të vlerësojmë se ky libër përmban vlera universale të etnokulturës sonë, i cili do na shërbej kurdoherë si një thesar i krenarisë dhe historisë sonë.
Të rëndësishme e lexojmë aty rolin e femrës në shoqërinë shqiptare, të drejtën zakonore të theksuar si rrallëkund, vlerën e rritës dhe edukimit të brezave etj.
Në veprën e autorit, ”Rrëfime Bregamatase”,nga etja për shkollim, gjejmë përshkrime të avancuara të mësimdhënies e mësimnxënies mu në kohën sa autori ishte mësues në Zejmenit të trevës së Mirditës në vitet gjashtëdhjeta. Me një dashuri e respekt të veçantë vlerëson figurën e mësuesit të viteve 46-ta të shekullit të kaluar, z. Gjon Simoni, për të cilin citon: ” Ai ( Gjon Simoni),na paskësh qenë një arshivë e gjallë ku ruhej dija, kultura ,përvoja e një jete të pasur rravguese, prej nga do të rridhte furka e tij…”
Krejt në fund, dua të falënderoj mikun tim, Gjergj Shyti, për dërgesën e këtij libri, nga i cili mësova ato që më kishin munguar….