“Marrëveshja për Konfederatën Jugosllave do të jetë e mundshme vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb.”
Kjo është thënie e Stipe Mesiçit, e shqiptuar në dhjetor të vitit 1990, të cilën e kam shënuar saktësisht atëherë dhe e sjell këtu fjalë për fjalë, gërmë për gërmë, pikë për pikë e presje për presje. Para se të kem zgjeruar vetë thënien e Mesiçit, do kthyer në zhvillimet e mëvonshme të derisotme.
Stipe Mesiç në atë kohë ishte nënpresident dhe pak ditë më vonë do të fillonte detyrën e presidentit të Jugosllavisë, i fundit para shpërbërjes së federatës. Më herët ai kishte qenë gjyqtar, kryetar bashkie, nënkryetar i parlamentit krotat, kryeministër i Kroacisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kroacinë e pavarur do të ishte kryetar i parlamentit, kryetar i Partisë së Kroacisë së Pavarur, më vonë Partisë së Popullit. Pas vdekjes së Tuxhmanit do të ishte dy mandate (10 vjet) president i Kroacisë, duke qenë gjatë gjithë kohës në krye të sondazheve si politikani më popullor i Kroacisë.
Domethënia kuptimplotë e thënies së Mesiçit, saktësia e përkufizimit që Mesiçi ia bën nacionalizmit serb, mjerisht u provua dhe u vërtetua në gjithë periudhën e mëvonshme deri në çastin kur unë jam duke i hedhur këto radhë.
Mesiç i thoshte fjalët e mësipërme në përgjigje të interesimit të gazetarëve nëse ishte e mundur që Jugosllavia të mbijetonte duke u shndërruar në konfederatë, pra në një bashkim të republikave të pavarura, një projekt ky që tashmë tingëllonte vetëm si nostalgji utopistësh të sëmurë.
Qysh në vitet e fundit të jetës të Titos ishte pranuar botërisht se Jugosllavia ishte brejtur në themel nga përplasja mes nacionalizmit serb dhe nacionalizmave republikane. Në kundërpërgjigje të nacionalizmit serb pranohej se ishte ngjallur nacionalizmi sidomos në udhëheqjet e republikave, në elitat e tyre, në intelektualët dhe në masën e rinisë. Kur Mesiç e shqiptonte thënien e lartshënuar, Millosheviçi kishte rreth dy vjet në krye të Serbisë, ia kishte hequr në mars 1989 autonominë Kosovës, duke prishur përfundimisht baraspeshat e konfederatës të krijuara nga Tito. Revanshi nacionalist serb me në krye Millosheviçin ndaj pjesëtarëve të tjerë të federatës kishte nisur pikërisht në Gazimestan më 28 qershor 1989, në shënimin e 600 vjetorit të humbjes së Betejës së Kosovës përballë Osmanëve, me pjesëmarrjen e 1 milion serbëve. Aty kishte lindur edhe sllogani i hedhur nga Millosheviçi se ku ka serbë i thonë Serbi, aty kishte filluar maratona e trenave plot nacionalistë serbë nëpër gjithë territorin e federatës, kishte filluar mbushja e stadiumeve, e shesheve me tubime nga ato që mund të jenë parë vetëm tek fashistët e Musolinit dhe nazistët e Hitlerit në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930.
E pra, çdo logjikë normale, do të thoshte se orekset e nacionalizmit serb, duke pasur nën zotërimin e tyre një hapësirë sa rreth 40% e sipërfaqes së Jugosllavisë, do të ndiheshin të kënaqura.
Mbretëria Serbe, më vonë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, pastaj Mbretëria Jugosllave e, në fund, Republika Federative Jugosllave, siç provoi koha, ishte një gjeopolitikë e sajuar, ishte një krijesë artificiale e Evropës së Vjetër, në trysninë dhe për hatrin e Rusisë. Kjo miniperandori do të ushqente idenë e Serbisë së Madhe dhe nacionalizmin përkatës, me orekse të pangopshme. Kjo do të sillte dukurinë famëkeqe të “ballkanizimit”, do të sillte serbocentrizmin në trajtimin e rajonit nga ana e Evropës dhe bashkisë ndërkombëtare, pra vënien e interesave serbe në qendër të vëmendjes në dem të interesave të fqinjëve të tyre, madje duke i flijuar këto interesa.
E arnuar si mos më keq nga pjesë të mbetura të Perandorisë Austro-Hungareze, qytetarët e të cilës e ndienin evropianë, si dhe me pjesë të mbetura të Perandorisë Otomane, sajesa artificiale e krijuar nga dy Frankenshtajnë – Evropa e Vjetër dhe Rusia, do të ishte një koniunkturë dyshekullore në duart e serbëve, e financuar nga Lindja dhe Perëndimi. Edhe në periudhën e Titos, serbët arrinin të mbajnë në duart e tyre forcat e armatosura, pra ushtrinë, policinë, shërbimet inteligjente. Në fund të viteve 1980 ata kishin në duart e tyre makinerinë jugosllave të luftës, një nga më të shtrenjtat e kohës. Kjo makineri pothuaj gjatë gjithë viteve 1990 do të përdorej kundër kombeve fqinje – kryesisht kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Kroatët – 12 shekuj katolikë, ndër ta Mesiçi, e ndienin dhe e ndiejnë veten evropianë dhe vendin e tyre Evropë gjatë gjithë kohës, aq sa serbët – 11 shekuj ortodoksë e ndienin dhe e ndiejnë veten shumë më afër rusëve dhe Rusisë. Kjo kundërthënie kaq e pazgjidhshme do të ishte në qendër të shpërbërjes përfundimtare të federatës së mbisunduar nga serbët. Pamundësia për marrëveshje me serbët do të ishte dhe do të jetë në qendër të destabilitetit që ende vazhdon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht, nacionalizmi më i fuqishëm, i përftuar si pasojë e drejtpërdrejtë e nacionalizmit serb, do të ishte nacionalizmi kroat, i cili do ta gjente veten tek Franjo Tuxhmani, presidenti i çlirimit të Kroacisë dhe konsolidimit të saj shtetëror. Duke folur për presidentin nacionalist kroat Tuxhman, Mesiç thotë se ai ishte ‘udhëhequr nga ideja se kur Millosheviçi rrëmbente një pjesë të Bosnjës, atëherë edhe Kroacia duhej ta rrëmbente një pjesë të saj.
Kroacia do të ndeshej e para me makinerinë serbe të luftës dhe do të shndërrohej në shkollë edhe për disa nga komandantët dhe luftëtarët e shquar shqiptarë, në krye të luftës për liri disa vite më vonë në Kosovë.
Nacionalizmi shqiptar, në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të figuronte si nacionalizmi më i goditur, si gjatë gati një shekulli në Jugosllavi, ashtu edhe gjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri. Në Jugosllavi u ushtrua genocid sistematik ndaj çdo shfaqjeje të nacionalizmit shqiptar. Për këtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, u përdorën edhe partizanët e Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore.
Fat do të ishte që nacionalizmi shqiptar i ditëve tona do të formulohej nga Ibrahim Rugova, me prejardhje të mirëfilltë nacionaliste shqiptare, Rugovës i ishin vrarë nga partizanët serbo-malazezë gjyshi Rrustemi dhe babai Uka, me të cilin nuk u pa kurrë dhe nuk e njohu kurrë, sepse e la në barkun e nënës. Rugova do të zgjidhte rrugën paqësore të kundërshtimit ndaj serbomëdhenjve dhe do të përcaktohej për Kosovën e pavarur dhe sovrane, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbi bazën e këtij vizioni, oreksi i nacionalizmit shqiptar do të ndjehej i përmbushur me konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me realizimin e statusit shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët e Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës e të tjerë, të cilëve t’iu njihen të drejtat e pakicave kombëtare, sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian.
Antonomia midis kroatëve dhe serbëve, siç e pamë, do të ishte një antonimi e plotë. Ndonëse sllavë të jugut, ata përbënin dy kultura të ndryshme, e para vinte si kulturë dhe qytetërim i mirëfilltë evropian, e dyta vinte nga përvoja bizantine dhe postbizantine (otomane), pra përfaqësonte kulturën më të sofistikuar aziatike.
I njëjti këndvështrim vlen për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Serbisë dhe shqiptarëve. Kjo u provua edhe gjatë dy shekujve të fundit. U provua edhe gjatë dy-tre dekadave të fundit sidomos në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Në të njëjtin këndvështrim do parë edhe situata aktuale e përpjekjeve të Brukselit për të bindur Serbinë të nënshkruajë me Kosovën një marrëveshje të hartuar nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje i detyron të dyja palët barabar t’i përmbahen fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, duke respektuar ndërsjelltas pavarësinë dhe sovranitetin, çka është në të mirë të të dy vendeve, përkatësisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në tërësi e veçanërisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë e në Serbi.
Zyrtarët dhe analistët evropianë dhe perëndimorë pranuan se Beogradi nuk e nënshkruan marrëveshjen për shkak të presionit të kishës ortodokse serbe dhe të nacionalistëve serbë. Kështu pranohet se nacionalizmi serb është nacionalizëm i frymëzimit fetar. Ndërkohë që dihet se nacionalizmi me frymëzim fetar është një ndër rreziqet më të mëdha të kohës sonë. Pra, këtë nacionalizëm e udhëheq dogma fetare. E udhëheq edhe dogma e përpunuar nga shkenca serbe. Dihen platformat e prodhuara nga kjo akademi, sidomos në dëm të shqiptarëve. Dihen edhe elaboratet famëkeqe të Cubrilloviqit, Andriqit e të tjerëve, analistët perëndimorë edhe sot citojnë thënien e një ish kryeministri serb, Vlladan Gjoergjeviqit se shqiptarët “kanë bisht si majmunët dhe kur i zë nata në pyll, ngjiten në pemë, e lidhin bishtin në degë dhe flenë”.
Në fakt, në fuqi në Beograd janë pikërisht dy parti nacionaliste. Partia e Sheshelit – nacionaliste e djathtë, ka presidentin e Serbisë, ndërsa partia e Millosheviçit, nacionaliste e majtë, ka kryeministrin e Serbisë, repsektivisht Nikoliqin dhe Daçiqin.
Mjerisht, asgjë nuk pritet nga këto parti të damkës së vjetër, aq sa nuk pritet nga një parti si ajo e Tadiçit, tashmë e Gjilasit. Asgjë nuk pritet as nga brezi më i ri i politikanëve të Serbisë, ndër të cilët, Vuk Jeremiq, i njohur si krahu i djathtë i Tadiçit.
Jeremiç, i datëlindjes 1975, me shkollim kryesisht perëndimor, në periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ka lobuar kundër njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë, Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut, Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi, Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri, Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo, në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane , në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë, Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit, Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega, Antonio Saka, Ãlvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo. Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër i Jashtëm i Serbisë.
Jeremiç, natyrisht, nuk ka si të krenohet me faktin se ai i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jepte mendimin ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë “një precedent”, sepse gjykata dha vendimin bumerang për Jeremiçin dhe Serbinë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i cënon ligjet ndërkombëtare.
Ishte hera e parë që një deklaratë pavarësia dërgohej në gjykatë. Dhe gjykata e shpalli opinionin e saj më 22 korrik 2010. Me një votim 10 me 4, ajo deklaroi se “deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk e shkeli ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, (1)sepse ligji ndërkombëtar nuk përmban ndalim të deklarimit të pavarësisë, (2) deklarata e pavarësisë nuk e shkeli as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa kjo nuk e përshkruan statusin përfundimtar të Kosovës, (3) as vetë Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes vendimin për statusin përfundimtar.”
Në vend që Jeremiçi dhe vetë qeveria e Tadiçit të jepnin dorëheqjen e menjëhershme për këtë humbje të rëndë, atyre iu hodh varka e shpëtimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare me Rezolutën për Kosovën të 9 shtatorit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutë që ia linte Bashkimit Evropian pajtimin e palëve, pra Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e mënyrës së zbatimit të planit Ahtisari, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe ishte bazuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Me përkrahjen e Rusisë, Kinës, shumicës së vendeve në zhvillim dhe një numri të vendeve perëndimore, i kundërshtuar nga vendet kryesore perëndimore, Jeremiç arrit të zgjidhet kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, detyrë të cilën e filloi në shtator të vitit 2012. I pyetur se a do të lejonte anëtarësimin e OKBsë në Kosovë gjatë mandatit të tij në OKB, Jeremiç deklaroi se pa kaluar mbi trupin e tij Kosova kurrë nuk do të anëtarësohet në OKB.
Serb nga babai, boshnjak nga nëna, ortodoks nga babai, mysliman nga nëna, Jeremiç duket se e vuan çmendurisht dyzimin e tij, saqë nuk njeh skrupuj në shërbimet ndaj projekteve të çmendura nacionaliste për Serbinë e Madhe.
Pak muaj pasi ka filluar detyrën në Pallatin e Qelqtë, Jeremiç ka futur në përmbyllje të koncertit të Vitit të Ri në Kombet e Bashkuara këngën e paraqitur si ‘Marshi i Madh i Paqes’, i kënduar nga kori serb ‘Viva Vox’, i cili ishte në fakt një himn serb, i titulluar ‘Marshi për në Lumin Drina’ i kënduar nga ultranacionalistët serbë gjatë luftërave të viteve 1990. Më 15 janar Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës Veriore postonte një letër të hapur në ueb-faqen e vet për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në të përfshiheshin nënshkrimet e liderëve të Institutit për Hulumtimin e Gjenocidit, të Këshillit Konsultativ për Bosnje dhe Hercegovinën dhe të Institutit Boshnjako-Amerikan për Gjenocid dhe Qendrës Edukative. Në letër thuhej: “Koncerti ishte një ofendim skandaloz i viktimave të gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, sepse orkestra interpretoi këngën famëkeqe dhe nacionaliste serbe “˜Marshi në lumin Drina’. Gjenocidi që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Zepa, si dhe në pjesë të tjera të Bosnje e Hercegovinës, është kryer nga agresorët serbë, të cilët këndonin këtë këngë, derisa kryenin dhunimet, vrasjet dhe bënin spastrimin etnik të popullatës joserbe.” Sapo mori vesh të vërtetën për këngën e futur kontrabandë nga Mesiçi, e cila nuk ishte as në listën e programit zyrtar, nxiti zëdhënësin e Ban Ki Munit që të shprehte keqardhjen.
Por skandali më i madh i Jeremiçit në Kombet e Bashkuara është organizimi këto ditë i debatit për rolin e Tribunalit të Hagës, ku praktikisht Jeremiçi, Nikoliqi e Mërkiqi vënë Hagën në bankën e të akuzuarit, ku madje Nikoliqi e konsideron inkuzicion Gjykatën Ndërkombëtare kundër Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Njerëzimit në ish Jugosllavi. Nuk ka pranuar të marrë pjesë presidenti i Tribunalit Theodor Meron, i cili e ka kritikuar debatin duke thënë se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”. Debati do të bojktohej nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet kryesore perëndimore.
Të nesërmen pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i ditës së djeshme për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në një polemikë “çekuilibruar” dhe “nxitëse” e përsëriste edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker: “Debati ishte një mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm punën e Tribunalit të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të Bashkuara. Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin parasysh përpjekjet për të sulmuar Tribunalin e Hagës.
Fakte të tilla nuk mund të mos përforcojnë bindjen se nacionalizmi serb është i vetmi nacionalizëm revanshist në rajon e më gjerë. Të gjithë nacionalizmat e tjerë i kanë përmbushur ose përkufizuar kënaqshëm objektivat e tyre. I vetmi nacionalizëm që nuk mund të parashikohet as në synimet, as në mjetet, as në skrupujt është nacionalizmi serb.
Rruga e integrimit të Serbisë dhe të serbëve në Evropë dhe në Perëndim është një formë e drejtë edhe për paqësimin dhe përparimin afatgjatë të rajonit e të kontinentit. Kjo nuk do të thotë që integrimi me çdo kusht i tyre t’i vonojë apo t’i mbajë peng si deri sot fqinjtë e tyre. Fakti është se Serbia, nëpërmjet Republikës Serbe, po e mban të paralizuar Bosnjën, duke ia mohur çdo perspektivë asaj. Fakti është se Serbia, nëpërmjet pranisë së saj të shtrirë në formë metastazash, po e mban gjithnjë e më të paralizuar Kosovën. Një autonomi e veriut të Kosovës do të ishte rrënim i Kosovës.
Me rastin e refuzimit nga Beogradi të nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Brukseli për fqinjësinë me Kosovën, shumë analistë dhe zyrtarë perëndimorë shfaqën mendimin se Serbia mund ta nënshkruajë marrëveshjen vetëm nën diktat dhe se këtë diktat nuk mund ta ushtrojë Bashkimi Evropian, mund ta ushtrojnë vetëm Shtetet e Bashkuara, prandaj procesin duhet të marrin në dorë Shtetet e Bashkuara.
Shumë analistë, ndërkohë, me të drejtë, shprehen se Serbia nuk është serioze në zbatimin e marrëveshjeve, edhe kur i nënshkruan ato, ashtu si ka ndodhur me marrëveshjet e pjesëshme të nënshkruara me Kosovën, ndonëse atje Kosovën e ka katandisur si mos më keq, me fusnotë.
Prandaj është e domosdoshme që Serbisë, përfundimisht, t’i vihet kusht sine qua non njohja e Kosovës së pavarur dhe sovrane, si pikënisje kryesore për hapat e mëtejshëm integrues të Serbisë në Evropë dhe në Perëndim, sepse çdo marrëveshje është e mundshme, siç thotë Mesiçi “vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb”.
*Ribotim. Është botuar për herë të parë më 14 prill 2013