Në nderim të kujtimit të Profesoreshës sime të dashur Vitore Ballvora
Ishte mbrëmja e 06 marsit të këtij viti. Dy ditët në vijim në Shqipëri janë ditë feste: 07 marsi – dita e mësuesit dhe 08 marsi – festa e zonjave. Ndodhesha në Kaliforni. Ngrita receptorin dhe formova numrin ++355 04 2 34 32 17. Numrin e telefonit të shtëpisë së Profesoreshës sime aq të dashur dhe aq të respektuar, Docentes Vitore Ballvora (Angoni). Dëshiroja ta uroja me rastin e festave të lartpërmendura.
Telefonatat e mia me Profesoreshë Vitoren kishin vite të tëra që ishin shndërruar në një ritual të zakonshëm që përsëriteshin rregullisht në çdo dy muaj, kudo që të ndodhesha, në Atdhe ose jashtë Atdheut. Kurse telefonatat me rastin e festave ishin të veçanta. Dhe po të qëllonte ndonjëherë që ky ritual, për ndonjë arsye madhore, të mos respektohej nga ana ime në afatin e caktuar, Profesoreshë Vitorja, siç ma pati pohuar vetë, ndiente njëfarë shqetësimi se çfarë duhej të kishte ndodhur me mua që nuk po i telefonoja.
E njoha Profesoreshë Vitoren asokohe, kur, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik për faj të Hrushovit, u ktheva në Atdhe dhe i vazhdova studimet për gjuhë dhe për letërsi ruse në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Profesoreshë Vitorja ishte përgjegjëse e katedrës së gjuhës dhe të letërsisë ruse. Ne, studentët, atëherë pedagogët i vlerësonim si figura të shenjtëruara, jo vetëm për përgatitjen e tyre shkencore, por edhe për artin e komunikimit me ne. Në figurën e saj njoha një Profesoreshë sa serioze aq edhe buzagaze, fjalëpakë, gojëmbël, komunikuese, të dashur, që të ngjallte respekt që në takimin e parë.
Profesoreshë Vitorja na jepte leksionet dhe seminaret e letërsisë ruse të shek. XIX. Shekulli XIX ka qenë shekulli i artë i letërsisë ruse. Pikërisht në atë periudhë lindi një plejadë e tërë shkrimtarësh dhe poetësh të shquar, gjeni të artit të fjalës. Mjeshtëria e përkryer e krijimtarisë së tyre përcaktoi zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë në fjalë.
Takti pedagogjik i Profesoreshë Vitores, si lektore dhe si drejtuese seminaresh të letërsisë ruse, ishte shembullor. Kuptohej lehtë që dijet e saj ishin të kultivuara thellë në formimin e saj si intelektuale e rrallë e vendit tonë. Ajo rridhte nga një familje me tradita të kahershme në procesin e edukatës qytetare. Rezultatet e shkëlqyera, me të cilat ajo kishte përfunduar jo vetëm shkollën e mesme, por edhe Universitetin “Lomonosov”, një universitet elitar ky në Bashkimin Sovjetik, ishin dëshmia më e kulluar e punës së saj këmbëngulëse për të zënë një vend nderi në radhët e para të inteligjencies shqiptare.
Kultura estetike në formimin e Profesoreshë Vitores, si intelektuale e shquar, përfaqësonte në vetvete një unitet të ndjenjave estetike, të dijeve, të bindjeve, të shprehive dhe të normave të veprimtarisë dhe të qëndrimit të saj në procesin e komunikimit me studentët në auditor dhe jashtë auditorit. Kultura estetike e saj ishte një komponent i rëndësishëm i kulturës së saj profesionale. Kjo ishte edhe arsyeja që ne, si studentë, ushqenim një respekt të jashtëzakonshëm ndaj Profesoreshë Vitores.
Shumë vite më vonë, kur kisha nderin të isha vartës i saj, si pedagog në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë ruse, të cilën ajo e pati drejtuar me një profesionalizëm të lartë për tridhjetë vjet me radhë, unë rrija e përsiatja: ne, si studentë, të etur asokohe për dije, kishim shumë të drejtë që ushqenim një respekt aq të thellë për Profesoreshë Vitoren. Dhe vetvetiu më vinin ndër mend ca fjalë të arta të demokratit revolucionar, kritikut letrar, publicistit dhe shkrimtarit rus Nikollaj Çernishevski (1828-1889), i cili thotë:
“Ku qëndron arsyeja e respektit që ushqejmë ndaj njerëzve të ditur? Qëndron në faktin që respekti ndaj tyre është thjesht një transformim i repektit ndaj shkencës, i dashurisë për dijen, i dashurisë për të vërtetën; është thjesht një zhvendosje e këtyre ndjenjave në ndjenjat tona ndaj njerëzve të veçantë”.
Kujtoj me shumë përmallim magjinë e fjalës së Profesoreshë Vitores kur në leksionet e saj bënte vlerësime kritike për veprat e shkrimtarëve rusë të shek. XIX. Na magjepste bukuria e ligjërimit të saj kur analizonte romanin e Aleksandër Pushkinit në vargje, “Evgjeni Onjegin”, kryevepra e këtij poeti dhe shkrimtari të madh, krijimtaria e të cilit shënon hedhjen e themeleve të gjuhës së sotme letrare ruse. Ne mahniteshim kur ajo na citonte në rusisht strofa të famshme me 14 vargje nga kjo kryevepër e letërsisë ruse. Njëra nga ato strofa, të cilën lexuesve të nderuar po ua përcjell në shqip, ende nuk më është shuar nga kujtesa edhe sot e kësaj dite:
Vall’ heshti zëri i magjisë,
Semjónova, kjo muz’ çudare,
Dhe ne na la mes arratisë,
Me Febin mos u nda për fare
Dhe zulma ruse u molis?
S’besoj! Se prapë ajo do ngjitet,
Për të do ndizen zemrat horë –
Në sytë tanë nuk do venitet
Lavdi e saj me kurorë.
Për të dashnori i lavdisë,
Në shpirt ky aonidash mall,
Katenini djalosh do ngjallë
T’Eskilit famën e gjenisë
Dhe manton do t’ia kthej’ në sallë.
Të magjepsur nga bukuria mitike e këtyre vargjeve pushkiniane që Profesoreshë Vitorja na i recitonte aq bukur në auditor, ne, si të rinj entuziastë që ishim, kur u kthyem në konvikt, filluam të hynim në garë me njëri-tjetrin se kush mund të mësonte më shpejt përmendsh strofa në rusisht nga romani “Evgjeni Onjegin”. Sepse s’na linte të qetë mahnitja që përjetonim nga arti i përkryer i mësimdhënies së Profesoreshë Vitores.
Aty nga fillimi i viteve ’60 Profesoreshë Vitorja u dashurua me profesorin e historisë Shyqyri Ballvora. Bashkë krijuan familjen dhe nga martesa e tyre u lindi një djalë, Agimi, i cili erdhi e u rrit si një i ri bukurosh, flokëzi, i cili më pas do të shkëlqente me talentin e tij. Sot ai jeton familjarisht në Gjermani. Punon në Universitetin e Bonit, merret me punë kërkimore në fushën e gjenetikës dhe të bioteknologjisë. Profesoreshë Vitorja pati shkuar shpeshherë te Agimi dhe nusja e tij e dashur në Gjermani, por shpirti nuk i ndahej nga Tirana, nga apartamenti i saj aty afër Medresesë. Nuk i bëhej pa shoqërinë e mikeshës së saj të vjetër, Profesoreshës Shpresa Zenelaj (Kseno), me të cilën ishte lidhur që gjatë viteve studentore në Universitetin Lomonosov, bashkë qenë kolege për vite me radhë në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë ruse.
Për aftësitë e saj të shkëlqyera organizative në drejtimin e katedrës, Profeseshë Vitorja qe vlerësuar lart në botën akademike të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Prandaj edhe organet shtetopartiake vendosën që Profesoreshë Vitoren ta ngrenë në përgjegjësi, duke e emëruar dekane të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, detyrë të cilën ajo e kreu me shumë sukses gjatë një periudhe 12-vjeçare, derisa doli në pension.
Dhe tani, me një drithërimë në shpirt, po i rikthehem asaj telefonatës së 06 marsit 2015. Si gjithmonë, kisha shumë dëshirë ta përshëndesja për festat e 7-8 marsit. Por në telefon doli një zonjë që i shërbente në shtëpi, e cila më tha se Profesoreshë Vitorja dergjej në shtrat e sëmurë. Pas ca ditësh, i telefonova përsëri. Doli në telefon, por nga zëri e kuptova që nuk ishte mirë me shëndet.
Në fund të marsit, bashkë me time shoqe, Havanë, u zhvendosa nga Kalifornia, ku banon im bir, Plarenti, dhe shkuam te vajza, Kesiana, në qytetin Sinsinati të shtetit Ohajo (Ohio). Me Profesoreshë Vitoren shpresoja të kontaktoja në telefon në fund të muajit prill, me rastin e festës së 1 Majit. Por… më 13 prill, kur sapo hapa kompjuterin, lexova me dhimbje në zemër mesazhin e mëposhtëm që ma dërgonte Agimi nga Gjermania.
Agim Ballvora <[email protected]>
To [email protected]
Apr 13 at 4:29 AM
I nderuar Zoti Eshref,
Unë jam djali i Vitore Ballvorës. Kam dëgjuar shpesh prej saj të fliste me shumë respekt dhe konsideratë për Ju, si ish-student dhe si ish-koleg dhe që vlerësonte pa masë faktin që Ju gjithmonë kujtoheshit ta kontaktonit dhe t’i jepnit përshëndetje. Do të doja t’ju jepja lajmin e hidhur se Vitorja prej tri javësh tashmë nuk jeton më.
Unë mora iniciativën t’Ju njoftoj për humbjen e Mamasë, pasi kisha dëgjuar prej saj për komunikimin dhe konsideratën reciproke që kishit.
Ju uroj shëndet dhe gjithë të mirat në jetë.
Me respekt,
Agim Ballvora
M’u mbushën sytë me lot. Profesoreshë Vitorja kishte ndërruar jetë më 20 mars. Në dëshpërim e sipër, Agimit i shpreha ngushëllimet si më poshtë:
Eshref Ymeri <[email protected]>
To Agim Ballvora
Apr 13 at 6:03 AM
I dashur zoti Agim,
Më pikëlloi në zemër lajmi që më dhatë për vdekjen e Profesoreshë Vitores së shtrenjtë. E kam dashur dhe e kam respektuar me shpirt atë zonjë të jashtëzakonshme, me një botë aq të pasur intelektuale. Unë gjithë jetën i kam qenë mirënjohës dhe i tillë do të jem deri në çastet e fundit të jetës sime. Sepse Profesoreshë Vitorja ka qenë përcaktuese në vendosjen e piketave të jetës sime. Unë vërtet kam qenë student i saj shembullor në mësime. Por puna është se në jetë ka rëndësi fakti se sa të vlerësojnë të tjerët. Dhe Profesoreshë Vitorja ishte ajo që e pati vlerësuar me objektivitet punën time dhe kërkoi që unë, pas përfundimit të fakultetit, të emërohesha pedagog në katedër. Janë të rrallë pedagogët, i dashur Agim, që kanë një formim akademik dhe një botë aq të pasur sa intelektuale, aq edhe humanitare, si Profesoreshë Vitorja. Për mua ka qenë një fat i jashtëzakonshëm që kam pasur një pedagoge, një përgjegjëse katedre dhe një kolege aq të dashur, aq zemërbardhë dhe me aq autoritet shkencor, i cili buronte jo vetëm nga përgatitja e saj intelektuale, por edhe nga arti i saj i mahnitshëm i komunikimit me njerëzit. E kërkova në telefon për ta përshëndetur me rastin e 7-8 marsit, por, në vend të saj, m’u përgjigj një zonjë që i shërbente në shtëpi se ajo ishte në shtrat e sëmurë. Pas ca ditësh, e mora përsëri në telefon. Biseduam për pak çaste, por nga zëri e kuptova që nuk ishte mirë nga shëndeti.
Ju, i dashur Agim, jeni krenar që keni pasur dy prindër të mrekullueshëm, Profesor Shyqyriun dhe Profesoreshë Vitoren, që kanë qenë dy intelektualë të shquar, me një shpirt human të jashtëzakonshëm.
Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e Nënës suaj të dashur dhe të Profesoreshës sime të shtrenjtë.
Të fala zonjës suaj të nderuar.
Me shumë respekt.
Eshref Ymeri
Sinsinati, Ohajo
13 prill 2015
Profesoresha e dashur Vitore Ballvora, lindi në Gjirokastër në vitin 1928 dhe, në moshën 87-vjeçare, shtegtoi përjetësisht drejt botës së përtejme. Mbresat më të mira për atë Profesoreshë engjëllore do të më mbeten të skalitura në kujtesën deri në frymëmarrjen time të fundit. S’do ta harroj kurrë një këshillë që na dha njëherë në auditor, pak çaste para se të mbaronte leksionin:
“Dijet duhet t’i pasuroni gjatë gjithë jetës suaj, sepse kështu do ta njihni më mirë vetveten dhe do të arrini ta vlerësoni siç duhet lirinë tuaj në ndërtimin e marrëdhënieve me të tjerët dhe me mbarë shoqërinë”.
Tek kujtoj tani, në moshë të thyer, këto fjalë aq kuptimplote të Profesoreshë Vitores, më vjen ndër mend një thënie me vlera aforistike e personalitetit shtetëror anglez, diplomatit dhe shkrimtarit Filip Çesterfild (Philip Chesterfield – 1694-1773), i cili thoshte:
“Dijet janë strehimore, të volitshme dhe të domosdoshme për ne kur jemi në moshë të thyer dhe në qoftë se ne nuk do të mbjellim një pemë sa jemi në moshë të re, atëherë, kur të plakemi, për ne s’do të ketë hije për t’u mbrojtur nga dielli”.
Tiranë, 08 tetor 2015
Komentet