Nga aktiviteti i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” Gjakovë.
Me 16.mars,2024 Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, në kuadër të aktiviteteve të saja të rëndomta, sipas projektit të Shoqatës,”25 vite nga lufta për Liri,” e në bashkëpunim me Rotary Club Gjakova, organizoi një takim përmbajtesor me shkrimtarin e mirënjohur dhe anëtarë nderi i kësaj Shoqate, z. Agim Gjakova. Tema bosht e këtij takimi mjaft interesante ishte : “Gjakova si kemi dëshirë me e pa(së)!…”
Takimi u mbajt në Qendra e Pensionerëve, ku morën pjesë anëtarë të vyeshëm të kësaj Shoqate dhe qytetarë të interesuar për mbarëvajtjen e qytetit të Gjakovës.
Takimin në fjalë e hapi kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, i cili në fjalën hyrëse, foli për rëndësinë e temës dhe perspektivat që mund t’ia sjellim Gjakovës me ide e plane konkrete zhvillimore, në të gjitha fushat e jetës, duke veçuar secilën veprimtari si më të rëndësishme se tjetrën, për Gjakovën dhe rrethinën e saj. Pos tjerash z. Sefa duke vlerësuar qytetin dhe karakteristikat historike te tij tha: “Gjakova ka histori sa Gjirokastra, ka qytetari sa Korça, gatime sa Dibra ,traditë sa Shkodra e mikpritje sa të gjitha,” dhe i ceku disa nga veçoritë jetike e kulturore te këtij qyteti.
Ndërsa, shkrimtari i nderuar e anëtar nderi i Shoqatës, më fjalë emocionuese për Gjakovën, shpalosi kohët dhe vlerat e qytetarisë së këtij qyteti, zhvillimin e tij, dikur dhe sot, duke kujtuar edhe kohën e rinisë, i cili nuk pati fat që ta shijojë në qytetin e lindjës.
Për shumë vite i përndjekur nga UDB-a Jugosllave, jetoi në Shqipëri deri ne lirimin e plotë të Kosovës. Ishte prekës dhe tejet emocionues momenti kur rrëfeu kthimin në qytetin e lindjes, menjëherë pas luftës. “Erdha në Gjakovën time dhe sapo u futa rrugëve të qytetit, pamjet e para që i takova pas dyzet vitesh,ishin kalljet, djegiet, shkrumbi e hiri, kudo… Nuk dëshiroja ato çaste të takoja asnjë njeri ,askënd të njohshëm të vendit tim. Isha i mbërthyer ne vaje malli!… Më bëri fort përshtypje Çabrati, te cilin e kisha lënë si një arë buke, veshtë me rrushe shumë cilësorë. Tani i ngjante një mali!…”
Agim Gjakova e Ruzhdi Sefa.
Në këtë këndvështrim historik e nostalgjik, shkrimtari Agim Gjakovë, apeloi të qytetarët e këtij qytetit, që Gjakovës t’ia kthejnë perspektiven me punën praktike, duke ofruar plan-programe zhvillimore nga të gjitha fushat e jetës, sipas profesionalizmit të kuadrit njerëzorë. Madje ai ceku edhe perspektivën qe do të sjellë hekurudha Gjakovë -Shkodër në zhvillimin e Gjakovës dhe rajonit në tërësi. Ai ceku edhe rëndësinë që ka për rajonin e Gjakovën rruga Gjakovë-Tropojë-Pukë-Shkodër, nëpër gryken e Drinit.
Për këto qëllime parimore të zhvillimit të komunës së Gjakovës e jo vetëm, Agim Gjakova ia dorëzoi Shoqatës “NJË DRAFT PËR HARTIMIN E NJË PLANI TË ZHVILLIMIT RAJONAL TË KOMUNËS SË GJAKOVËS”, të punuar mbi bazë të parametrave për studime që kryhen me mbështetjen e BE për zhvillimin e përgjithshëm të një zone.
Kjo temë e shtruar në diskutim të intelektualëve të Gjakovës në kuadër të SHI, ”Jakova,” zgjoi interesim dhe me diskutime e propozime të ndryshme morën fjalën, si Mr.sc. Skënder Tullumi, gjeodet ,Mr.sc.Ragim Ballata, znj. Valbona Kastrati, inxh. e dipl., Dr. Fatmir Emra, mjek specialist ,Arben Rogova, inx. i dipl. Si dhe Eco.i diplo. Berat Pazhari etj.
Nga ky takim mjaft interesant dhe me një vlerësim të lartë intelektual, u mirëpajtuan që përmes një komisioni në kuadër të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, të gjitha mendimet, diskutimet, si formë projekti, të dërgohen në institucionet përkatëse të qeverisjes lokale e jo vetëm.
Ky takim është edhe një dëshmi e radhës se Shoqata Intelektuale “Jakova” në Gjakovë, në krye me Prof.Dr. Ruzhdi Sefen, po argumenton fuqishëm kreativitetin intelektual në çdo lami të jetës.
Respekt SHI. ”Jakova” në Gjakovë, për punën e palodhshme.
Gjakovë,17.03.2024