2023 Mars, 01
Ishte një përkthim i gabuar, padyshim. Thjesht, s’mund të ndodhte ndryshe. Apo, madje, keqkuptim nocioni që zhvendoste temën e zjarrtë, nga politika në shenjat dhe simbolikën e kujtesës.
Lexoja publikimin e planit europian në një media të Prishtinës dhe do ndaloja një grimë. Një fjalë nuk përkonte fare me tekstin e saj. Ishte e huaj. Krejtsisht. Hynte e fanitej si një hije të vdekuri në materien e gjallë që i thërriste jetës.
Ishte fjala statujë që ngulmonte në fillshtegun e lartë. Në fakt, e pafajshmja plot hir kishte huqur udhë. I zinte vendin shemrës së quajtur statut, një kategori fantomike në qarkullimin politik në Kosovë.
Dhe thashë, kushedi ç’honesh të errta e kurtheplot do të jetë përvijuar kjo fjalë për të arritur transformimin e saj të bukur.
Ndaj më solli, s’di pse, pak ngrohtësi e paqe fjalë-statuja e bekuar. Një rinyjëtim, ndërkaq, do të ndodhte shpejtësisht. Më parë se t’i referohej asociacionit të veriut, ajo më kujtonte shtatoren ku prehet e përshpirtet një jetë. Duke ndërkthyer tani pohimin e Kamysë (tek Miti i Sizifit), do thoshim besueshëm se nga fajësia vdekja vjen…
Dhe, pra, lidhja e vetishme përsillte një vegim të ëndërrt. E, përtej ende, një besim imagjinar. Fundja, a nuk thoshte sufisti e dijetari Gazali se zemra është një organ i përtejmë hyjnor?
Ndaj, sikur e mendoja, për një çast, statutin e asociacionit si një statujë të tij. E poshtë mbi dhé, sipas një rituali të lashtë, një pllakëz me ca radhë fenebre pas kalimit në amshim…
r.