Kosova sapo kaloi raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe rezultatet tashmë dihen.
Po fokusohem tek fitorja dhe fituesi i Prishtinës, sepse shoh se shtypi po kërkon ta fusë opinionin publik në qorrsokak.
Në Kosovë opinioni publik mendon me kokën e vet, pa marrë parasysh katastrofën e shtypit Kosovë-Shqipëri, ndërsa në Shqipëri mediumet e kapura nga pushteti e arrijnë funksionin trushplarës sepse një rrenë kur përsëritet duket sikur është e vërtetë.
Gara për Prishtinën nisi si një konkurencë midis pesë kandidatësh: të LVV, LDK, PDK, AAK dhe AKR.
Kandidati i LVV Arben Vitia vinte direkt nga partia e tij, sikur edhe Daut Haradinaj nga AAK apo Uran Ismaili nga PDK, ndërsa LDK-ja dhe AKR u futën në fushatë me kandidatë nga bota e biznesit në diasporë. Pra LDK zgjodhi arkitektin me veprimtari të suksesëshme në Mbretërinë e Bashkuar. Që do të thotë se nuk pati burime njerëzore të vetat, por kjo pak rëndësi ka, mjafton që të gjenden figura të meritueshme. Tani LDK e shpall fitoren si të vetën, ndërsa Përparim Rama si fitoren e tij personale, në fakt të dyja palët ishin shkak-pasojë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve fituesi ishte Arben Vitia me 42.6 % ose 35 243 vota, ndërsa humbësi Përparim Rama me 29.34 % që përkthehet ndryshe me 24.474 vota. Tre kandidatëve të tjerë u mbeti diferenca pra 28% ndarë midis Daut Haradinajt/AAK, Uran Ismailit/PDK dhe Gëzim Mehmetit/AKR.
Në raundin e parë fitorja e Arben Vitisë ishte shumë e qartë me një rezultat të thellë dhe diferencë shumë shprehëse me 13 % ose rreth 10 mijë vota më tepër se Përparim Rama!
Po çfarë ndodhi në raundin e dytë, lind pyetja. Nuk është vështirë të merret me mend.
Në raundin e dytë, pas humbjes së kandidatëve të tyre, kryesitë e PDK, AAK dhe AKR i orientuan militantët të votonin kandidatin e LDK-së, dmth Përparim Ramën.
Dhe vetëm me votat e PDK, AAK dhe AKR do të fitonte arkitekti Përparim Rama.
Rezultati do të qe ky: Përparim Rama/LDK 51.07 % ose 40659, ndërsa Arben Vitia/LVV 48.93% ose 38.958 – me një diferencë 1701 vota.
Fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë erdhi si rezultat i votave të aleancave të vjetra të LDK me PDK, AAK dhe AKR, që nuk sjellin jehona të mira, ndërsa kusht i aleancës të lëvizjes të Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës me Albin Kurtin ka qënë që LVV të mos hyjë në aleancë me PDK dhe AAK.
Përparim Rama, megjithë karierën e tij shumë brilante, përpara kamerave duhet të ishte modest dhe jo delirant sikur u shfaq tek syri.net, kur i tha Çim Pekës se ai, dmth Përparim Rama e dinte se do të fitonte, se ndryshe nuk do të futej në garë dhe se do të qëndrojë bile 8 vjet në atë post! Si nuk tha, 3 apo 4 mandate! Mund të qëndrojë, nëse do të jetë i sukseshëm por fjalë në erë pa prova nuk mund të thotë.
Nuk e paragjykoj aspak dhe uroj të ndikojë në kthimin e Prishtinës në një metropol të vërtetë pasi tani kryeqyteti i Kosovës është metropoli i rrëmujës vepër e të gjitha partive, përveç LVV, që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e pushtetit qendror.
Gjithsesi mendoj se një zyrtar i lartë, duhet të jetë gjithmonë me këmbë në tokë kur ballafaqohet me publikun. I tillë duhet të ishte edhe Përparim Rama, pa eufori për fitoren, sepse fitorja e tij ishte në fakt fitore e opozitës.
Po të kishte dalë si kandidat i pavarur do të qe tjetër gjë.
Nëse sistemi zgjedhor do të përjashtonte garimin me raunde, fitorja do të ishte e Arben Vitisë dhe Përparim Rama, bashkë me LDK që e zgjodhi, do të humbnin. Fitorja e Përparim Ramës është në fakt fitore e LDK + PDK + AAK + AKR – dmth partive që kanë patur pushtetin për 20 vjet që dhe e kanë katandisur Kosovën dhe Prishtinën me një urbanizëm tribal.
Kaq kisha. Shtypi i pavarur është kërkesë e kohës për t’i shqiptuar të vërtetat sikur janë, ndërkohë që Përparim Ramës i uroj suksese!

Komentet