…Nëse NED , Fondacioni i administratës amerikane që financon sondazhet në botë ka si objektiv të tejçojë një mesazh, sondazhi do e përcjellë këtë mesazh. Sondazhi i sotëm i IRI thotë dy gjëra, e para se shqiptarët në një masë të madhe besojnë te SPAK dhe e dyta shqiptarët ndjejnë përmirësime të ndjeshme në qeverisje…
Zëri i Amerikës botoi dje këtë titull të madh mbi një sondazh në Shqipëri « IRI, Sondazhi: Shumica dërrmuese në Shqipëri shohin korrupsionin si problem serioz, kanë besim tek SPAK-u »
Ky titull u rimorr nga pjesa kryesore e spektrit mediatik shqiptar, me theksin tek fjalët e fundit ” Shqiptarët kanë besim në Spak” . Zëri i Amerikës i bën jehonë shifrës së mbi 60% të të anketuarve që shprehin se ata besojnë të SPAK-u. Por pyetja origjinale siç do e shohim më poshtë kishte të bënte me statusin e SPAK -i pavarur apo jo nga politika- dhe jo me performancën – i aftë apo jo të godasë korrupsionin-. Kishte një të dhënë tjetër të çuditshme në sondazh që më shtoi grishjen për të hulumtuar. Në këtë sondazh në krahasim me të njëjtin të një viti më parë është rritur dukshëm përqindja e të anketuarve me nota pozitive se vendi po qeveriset në interes të të gjithë shqiptarëve dhe jo të një grushti njerëzish. Të duket kështu se gjatë një viti disa skandale madhore si Mac Gonigal, incineratorë, sterilizatorë, prona që u jepen falas disa “investitorësh strategjike” nuk kanë ndodhur në Shqipëri por gjetiu.
Dy të dhëna esenciale duhet të figurojnë në një sondazh: data dhe porositësi. Në botimin e Zërit të Amerikës marrë nga shtypi shqiptar nuk figuronte data se kur është kryer mesazhi dhe as porositësi. Shkruhet aty se është sondazh i IRI – Instituti Ndërkombëtar Republikan (International Republican Institute). Por për llogari të kujt ? Një sondazh kushton, dhe ka gjithmonë një porositës që e financon.
Pjesa e parë e këtij shkrimi do t’i kushtohet porositësit që i ka rrënjët në periudhën e Luftës së ftohtë. Në pjesën e dytë do të analizojmë metodologjinë e kryerjes së sondazhit . Këto janë dy parametra që detyrimisht influencojnë dhe rezultatet e sondazhit.
Mbrapa sondazhit është NED, instrumenti publik amerikan i influencës në politikën e jashtme
Në faqen e sondazhit mëson se ai është kryer në Shqipëri para dy mujash në periudhën nëntor – dhjetor 2023. Ai është realizuar nga “Center for Insights in Survey Research (CISR)” i cili është instituti I sondazhit që I takon IRI-t, International Republican Institute. IRI është think tank I partisë republikane dhe është krijuar në 1983 nga Ronald Regan. Egziston po ashtu dhe think tank-u equivalent tek partia demokrate amerikane me emrin National Democratic Institute for International Affairs, ose NDI, themeluar në të njëjtin vit,1983 . Po atë vit 1983 u krijua paraprakisht NED ose National Endowment for Democracy, Fondi Kombëtar për demokraci. U krijua si një lloj agjencie shtetërore amerikane , ndonëse me statusin Fondacion, financuar me ligj te posaçëm nga buxheti federal i Shba-ve.
Është ky organizëm që do të zevendësonte politikat e jashtme të influencës së Cia-s që kishin filluar të kritikoheshin. Në vitet 70-80 një polemikë shpertheu në Shba mbi rolin e CIA-s që influenconte me financime okulte mbështetjen ose rrëzimin e qeverive të ndryshme në botë sipas interesave gjeostrategjike të SHBA-ve, pa dhënë llogari përpara të zgjedhurve amerikanë.
U vendos atëhere, që financime të tilla mos të bëheshin më drejtpërdrejt nga CIA, por nga fondacioni shtetëror i sapo krijuar për këtë qëllim NED. Në mënyrë që të pushonin polemikat dhe askush mos ta kritikonte NED, ndonëse veprimtaria e saj mund të ishte si ajo e CIA-s por nën petkun e Fondacionit, u vendos që NED të financonte në menyre të barabartë edhe partinë republikane edhe demokratët. Për të kapur këto financime secila nga dy parti krijoi « think tank-un “ e saj : IRI për republikanët (autori I sondazhit të fundit në Shqipëri) dhe NDE për demokratët, autor I një sondazhi të mëparshem në Shqipëri. Porositësi i vërtetë i sondazhit , që këkron të përcjellë një mesazh, është pra NED që zevëndesoi CIA-n në kur nevojitet të mbështetet apo të rrëzohet një qeveri locale duke financuar shoqërinë civile. Ja si shprehej ish-drejtori i CIA-s, Ëilliam Egan Colby në momentin kur u krijua NED më 1983 : “Nuk ka nevojë të përdorësh metoda klandestine . Shumë nga programet […] që u realizuan në prapaskenë nga CIA, tani mund të realizohen në mes të ditës nga NED dhe rrjedhimisht, pa polemika ». Të njëjtën gjë do të thoshte më vonë më 1991 dhe një nga themeluesit e NED , Allen Ëeinstein : « shumë nga gjërat që NED filloi te bente ishin bërë në mënyrë klandestine nga CIA 25 vjet më parë.”
Me një buxhet vetëm 13 milionë dollarë kur u themelua më 1983, ky buxhet i NED është rritur tani 20 herë dhe financon pa dallim NDI-në e demokratëve dhe IRI të republikanëve. Janë këto fonde të NED të alokuara nga administrata në pushtet që financojnë sondazhet në botë një herë nga NDI demokrate , një herë tjetër nga IRI i republikanëve. Të dy këto think tank kanë kryer pra sondazhe në Shqipëri me mesazhe të caktuara. Sot mesazhi është mbështetja e popullatës ndaj Spak. Më 2020 qe përgatitja e zgjedhjeve legjislative për t’i hapur rrugen e listave të hapura si motiv që do i sherbenin Ramës për të ndryshuar pa konsensus Kushtetutën. Më 2021, zgjedhjet legjislative mund të nxirrnin fitues koalicionin e LSI-së së Metës me PD-në e Bashës dhe Berishës. Ilir Meta president kishte hyrë në konflikt me amerikanët , duke denoncuar publikisht presione që bënte ambasadori amerikan Donald Lu mbi kryeprokurorin Llalla apo më pas presionet e ambasadores Yuri Kim. Ndonëse këto tip presionesh sekrete dipllomatike egzistojnë jo vetëm në Shqipëri, ato nuk nxirren publikisht. Ndaj një ardhje në pushtet e koalicionit Meta me PD-ne nuk kishte preferencën e amerikanëve. Vetëm thyerja e koalicionit LSI-PD mund t’ja rilinte fitoren PS-së së Kryeministrit Rama. Por thyerja e koalicionit mund të bëhej vetëm me ndryshim kushtetute. Dhe për këtë duhej një pretekst qe Rama e gjeti tek sondazhi amerikan. Para zgjedhjeve, NED i porositi think tankut demokrat NDI, nje sondazh ne Shqiperi. Dhe mesazhi kryesor që dilte nga ai sondazh dhe qe Rama do ta shfrytëzonte për të ndryshuar Kushtetuten kishte të bënte me nevojën për lista të hapura, nje term që nuk ishte evokuar kurrë në tre dekada demokraci as dhe në dy zgjedhjet e fituara nga Rama. Ja si e dha kete mesazhi instituti amerikan që bëri sondazhin para zgjedhjeve në Shqipëri: “ Në vend të sistemit aktual të listave të mbyllura, në të cilin votuesit votojnë për një listë kandidatësh listat e hapura shihen gjerësisht nga te pyeturit ne sondazh si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të llogaridhënies së qeverisë ndaj publikut.” Interesante është se kur Basha e kuptoi manovrën , fill para se Rama të mblidhte Kuvendin në korrik 2021 për të ndryshuar me një operacion “blic” Kushtetutën për të zhdukur të drejtën për të formuar koalicione në emër të listave të hapura , Basha iu turr me breshëri verbale. Sipas tij listat e hapura do të krijonin një bulevard për mafian për të blerë me para në dorë vota për kandidatët e mafias .Basha mban sot një ligjeratë tjetër, por ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi.
Arrijmë kështu në konkluzionin e parë në këtë pjesë të parë të shkrimit : nëse NED , Fondacioni i administratës amerikane që financon sondazhet në botë ka si objektiv të tejçojë një mesazh, sondazhi do e përcjellë këtë mesazh. Sondazhi i sotëm i IRI thotë dy gjëra, e para se shqiptarët në një masë të madhe besojnë te SPAK dhe e dyta shqiptarët ndjejnë përmirësime të ndjeshme në qeverisje .
Methodologjia e veçantë e sondazhit
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi , të akuzojë amerikanët se kanë trafikuar të dhënat e sondazhit për të dhënë mesazhin që synon financuesi. Kjo nuk egziston në Perëndim sepse kjo do të shënonte “vdekjen” morale dhe profesionale të sonduesit. Por një diçka tjetër mund të ndermerret për të influencuar rezultatin e sondazhit, pikërisht në aspektin e metodologjisë : cili pyetet në sondazh, dhe si ndërtohet pyetja.
Surpriza nuk është e vogël kur mëson te faqja e sondazhit se janë pyetur 839 votues të deklaruar të PS-se dhe 304 votues të Partisë demokratike. Të tjerët , rreth 300 ose nuk votojnë ose votojnë për parti të vogla. Në një farë mënyre është sikur të pyeten militantët e partisë ne fuqi se cfarë mendojnë për mazhorancën në pushtet..
Siç u tha në fillim të shkrimit, titulli që ka zgjedhur per sondazhin Zëri i Amerikes rimarrë nga mediat në Shqipëri, është pak a shumë “ shqiptaret kanë besim tek SPAK-u ». Veçse, të bën përshtypje se kur bëhet pyetja në sondazh se cili është problemi kryesor në jetën e përditshme, personat që pyeten, dhe që në shumicë janë socialistë, nuk e konsiderojnë korrupsionin si problem madhor ! Korrupsioni rradhitet shume më mbrapa se rritja e çmimeve dhe papunësia. Atëhere ku është interesi të trumbetohet besimi në Spak nëse korrupsioni nuk është problemi madhor për të anketuarit? Më habitshëm akoma, të anketuarit deklarojnë në shumicë se vendi po ecën në rrugën e duhur. Pyetja e parë në sondazh është kështu : A konsideroni ju se vendi po shkon në drejtim të duhur apo të gabuar ?
Pergjigje : shumica absolute, 58% ,vlerësojnë se vendi po shkon në rrugë të duhur. As në Francë apo Gjermani nuk e gjen këtë nivel të lartë mbeshtetjeje ndaj qeverisjes.
Në pyetjen tjetër , pak a shumë e njëjtë me të parën, të pyeturit tregojnë të njëjtën trajektorje në rritje të optimizmit.
Pyetje : a mendoni sot se gjenerata e re ka nje te ardhme te lumtur ne kete vend?
Përgjigja ndaj kësaj pyetje na thotë sondazhi ,ishte vetëm 28% në shkurt 2023 , ndërsa tani 43% ose gati një dyfishim i optimizmit për të ardhmen e fëmijve. Nuk kemi dyshim se të pyeturit janë përgjigjur vërtetë kështu, por habia që të krijon ky optimizëm që nuk po konstatohet nga realiteti në Shqipëri, mund të shpjegohet vetëm me përkatësinë partiake të të pyeturve. Një tjetër metodollogji, duhej ndoshta të dallonte përgjigjet e dhëna nga votuesit e PS-së dhe ato nga votuesit për opozitën.
Le të vimë tek tema qëndrore, korrupsioni, meqënëse sondazhi është komentuar si një plebishit për Spak.
Pyetje : Cfarë ju shqeteson më shumë në jetën e përditshme :
Shumica e përgjigjeve , 63% , ka si shqetësim kryesor shtrenjtësinë e jetës. Në vend të dytë, me 40% të përgjigjeve vjen papunësia . Korrpusioni që pritej të ishte në vend të parë meqënese sondazhi i ben jehonë Spak-ut, vjen në vend të tretë të prioriteteve vetëm me 16% të pergjigjeve. Por ndoshta sonduesi mund të mbrohet duke argumentuar se pyetja mbi shqetësimet e shqiptarëve bëhej në një kuader bashkiak, aty ku nuk ka perceptim të theksuar korrupsioni. E drejtë. Por të anketuarit ngritën shqetësime që janë të nivelit kombëtar dhe jo bashkiak, si çmimet apo papunësia. Pra korrupsioni është kuptuar siç duhet në nivel kombëtar dhe jo bashkiak. Të pyeturit me vetëdije janë përgjigjur se nuk kane pershtypje se ka problem ts theksuar korrupsioni ns Shqipëri, dhe llogjikisht kjo mund te shpjegohet vetëm me votën e të të pyeturve në favor te partisë socialiste. Përfitojmë këtu të nënvizojmë dhe nje paradoks tjetër. E çuditshme që treçereku i sondazhit amerikan i realizuar në nëntor- dhjetor 2023 është bërë në kushte “bashkiake” ndërkohe që zgjedhjet lokale kanë përfunduar në maj 2023. Pyetja në sondazh si ajo “ nëse zgjedhjet për bashki do të bëheshin nesër si do të votonit ju ” tingëllon si pyetje jo aktuale. Në vend të saj fare mirë mund të ishte bërë pyetja se për kë do të votoni në zgjedhjet legjislative që janë “pothuajse neser”. Të krijohet përshtypja në këtë sondazh, sikur sonduesi eviton pyetje mbi qeverinë qendrore.
Vetëm nga fundi i sondazhit (faqja 46 mbi 51 e dokumentit) sonduesi vendos të pyesë specifikisht për korrupsionin dhe për Spak-un:
Pyetje : A besoni se korrupsioni në vend është një problem serioz apo jo?
Përgjigjia është me përqindje shumë të lartë : 86% e të pyeturve deklarojnë se korrupsioni është problem serioz. Paradoks, korrupsioni fenomen serioz (86% e te pyeturve), por jo aq sa për të qene në krye të prioriteve (16% e të pyeturve).
Menjeherë pas kësaj pyetje, vjen pyetja e drejtpërdrejt mbi Spak:
Pyetje : “Deri në çfarë mase i besoni apo nuk i besoni SPAK se e bën punën e tij pa ndikime politike?”
Përgjigja sërish duket sikur reflekton përkatësinë partiake të të pyeturve. 27% nuk kanë fare besim te pavaresia e SPAK ( sa ç’është dhe përqindja e jo-socialisteve në sondazh), 27% kanë besim absolut, dhe 42% kane një farë besimi, ose një total prej 67% që kanë besim te pavarësia e Spak. Duhet nenvizuar se pyetja nuk është “a keni besim se Spak do ja dali në luftën kundra korrupsionit” por “ a keni besim se Spak është i pavarur”. Spak mund të jetë fare mirë i pavarur por jo efikas..
Do të kishte qenë me interes që sonduesi ta thellonte edhe më tej këtë temë të korrupsionit në pyetjet e tija, por pyetja që bëhet mbrapa është një rikthim te perimetri bashkiak duke mos bërë kështu në sondazh asnjë pyetje për korrupsionin në nivelin qeveritar. Ja dy pyetjet e fundit në kapitullin mbi korrupsionin në Shqipëri : “Cili eshte korrupsioni me i perhapur ne bashkine tuaj ? A ju ka kane kerkuar bakshishe, dhurata per te marre nje sherbim ne bashki? Sërish nuk kuptohet interesi i këtyre pyetjeve në dhjetor 2023 , kur vendi po hyn në fushatë legjislative me probleme të korrupsionit në rang kombetar.
Mesimet qe nxjerr vete sonduesi : PD-ja e ka te ardhmen perpara
Siç u tha më sipër ky sondazh është financuar nga NED struktura që përfaqëson interesat amerikane ne politikën e jashtme të SHBA-ve. Mesazhi që doli qartë dhe nga titujt e lajmeve është se shumica e shqiptareve besojnë te Spak-u.
Pavarësisht këtij mesazhi të administratës amerikane si financues i sondazhit, edhe IRI i partise republikane qe e egzekutoi sondazhin , si think tank i djathtë duhet të jepte po ashtu mesazhin e tij. Kete mesazh ai e jep në një konkluzion që nuk është botuar në Shqipëri dhe që është në favor të PD-së. Por cila PD? Me qëllim ose pa qëllim, nuk bëhet dallimi midis PD-së së Bashës dhe Berishës në komentin për sondazhin nga Paul McCarthy, Drejtor për Europen i Institutit Republikan për studimet ndërkombëtare . Ja cfarë thotë ai në faqen zyrtare të IRI qe bëri sondazhin në Shqipëri:
“Ky sondazh tregoi gjithashtu se më shumë se çdo grup tjetër, Partia Demokratike (PD) ka më shumë për të fituar duke forcuar marrëdhëniet e saja me votuesit. Ndërsa sondazhi tregoi se socialistët do të fitonin zgjedhjet bashkiake nëse ato do të mbaheshin këtë fundjavë, 69% e mbështetësve te PS-se do të ishin të gatshem të mbështesnin një parti tjetër nëse kjo parti do të ishte e aftë të komunikonte me sukses nje program. Ndaj është në duart e opozitës të japë një mesazh që i lëviz qytetarët përtej narrativave bajate të 10 viteve të fundit,” tha McCarthy i IRI, duke shtuar se “ka hapësirëpër rritje nëse opozita punon me degët e saja ne rrethe për ta krijuar këtë alternativë.”
Konkluzioni përmbyllës që mund të bëhet është se një sondazh i porositur dhe i realizuar nga struktura politike nuk është i lehtë të analizohet për shkak të kontradiktave. Kontradikta që nuk munguan të shfaqeshin në metodologjinë, në pyetjet, në pergjigjet dhe në konkluzionet e këtij sondazhi…