DHIMBJA
Dhimbja shtrihet kudo në ajër, në peisazh, në sytë e njerëzve. Historitë që dëgjon janë tronditëse. Mëson historinë e Hasanit, atëherë 17-vjeçar, që ka mundur të mbetet gjallë, sepse e kanë mbuluar trupat e tjerë të të rënëve. “U plagosa në këmbë dhe rashë përtokë. Mbi mua, rreth e qark ranë trupat e tjerë. Dëgjoja rënkimet e atyre që vdisnin dhe thosha: O Zot, më ke lënë të vdes me mundime? Natën. Serbët ikën dhe unë u ngrita. Një tjetër atje tej kishte mbetur gjallë. “Hajde më zgjidh”, më tha. U zvarritëm drejt njëri- tjetrit dhe zgjidhëm njëri-tjetrin. Rreth e qark kishte gjak, të vrarë”. Damiri ishte vetëm 8 vjeç kur komandanti serb i dha një karamele dhe i la në dorë diçka të rëndë që ishte një megafon dhe i tha të thërriste babain se nuk do t’i bënin gjë. Dhe ai e thërriti “Babi, dil, se nuk do të vrasin. Babi, babi”. Dhe babai që del nga pylli zemërcopëtuar nga zëri i fëmijës dhe ata e qëllojnë dhe e vrasin. Damiri bën gjumë të trazuar prej kësaj. Në jetë, plagët përpiqen të përthahen, por është e vështirë të mësohesh me mungesat e mëdha. Remos i ka ndodhur një histori në të kundërtën. Remo ka qenë babai që e detyruan të nxirrte nga pylli të birin duke e thërritur me megafon. Djali doli dhe i vranë të dy, atë e bir dhe i hodhën në një gropë aty afër. Këtu çdo njeri ka një histori për të kujtuar. Edhe unë që nuk kam qenë në Srebrenicë përjetoj historitë e tyre në mënyrën time. Asnjëherë nuk e kam ndjerë dhimbjen njerëzore në një dimension kaq të madh. Dhimbja është e pranishme edhe në hangarin e madh të uzinës së baterive, ku u futën të burgosurit dhe u torturuan në mënyrën më njerëzore. Në këtë hangar fillon edhe ceremonia zyrtare.
CEREMONIA
Në hyrje të hangarit, që u kthye në burg për burrat dhe djemtë, të presin nënat e Srebrenicës. Konsulli i Bosnjës, z. Fiqiri Kllari dhe bashkëshortja e tij Emina, nuk mjaftohen me një përshëndetje. U bëjnë një ftesë që një grup i tyre të organizohen e të vijnë në Durrës, si mysafirë të tyre edhe të shqiptarëve. Mirësia e lehtëson situatën kur priten ngushëllime. Hyjmë pastaj në hangar. Një hapësirë e madhe, me mure të pista ku janë ekspozuar në një kënd një grumbull fotografish me objekte të gjetura në varrezat masive: komça, çakmakë, çelësa shtëpie, fotografi të tretura, në njërën babai me vajzën e vogël. Rreth e qark dëgjohen krisma, klithma, zhurmat e ngjarjes së rëndë. Vijnë nga një kinema e vogël e improvizuar në një cep, ku pa ndërprerje shfaqen pamjet e masakrës. Disa foto të shpërndara sjellin edhe këndvështrime të sotme mbi masakrën, ku 8436 njerëz u vranë, u grumbulluan me ekskavatorë, u groposën, u rigroposën, disa u gjetën, të tjerë nuk u gjetën. Në qendër të hangarit janë dy tavolina me dy libra të hapur shënimesh. Në këtë ambient të trishtuar vijnë një e nga një delegacionet dhe të ftuarit. Konsulli Fiqiri Kllari është tepër i familjarizuar me ta. Mjaft prej tyre i ka takuar në Shqipëri kur kanë ardhur të interesohen për komunitetin boshnjak dhe e kanë gjetur të integruar normalisht, duke ruajtur gjuhën, vlerat kulturore, traditën. Të ftuarit dhe delegacionet kalojnë si në një pelegrinazh të trishtuar përmes zbrazëtisë së kujtimit të hidhur, shohin pamjet makabre dhe lënë shënimet e tyre në librat e përshtypjeve. Dy libra janë pak për të shprehur dhimbjen që përplaset në ajër e në mure si shpirtra që ende nuk e kanë gjetur prehjen. Vijnë nga e gjithë bota. Ministri Jashtëm holandez jep edhe një deklaratë për mediat, përveç shënimit në libër. Kanë qenë trupat holandeze të paqes, që u fajësuan për mosveprimin e tyre, gjë që lejoi të ndodhte tragjedia. “Ne ndërmarrim të gjitha përgjegjësitë”, thotë ai. Vjen mbretëresha e Jordanisë Noor, princesha Anne e Britanisë së Madhe, presidenti slloven, presidentja kroate, kryeministri turk. Bëjnë pelegrinazhin rreth e qark hangarit dhe takojnë njëri-tjetrin në bisedat që nxit vetë dhimbja. Për një çast dëgjohet një zhurmë dhe kameramanët që rendin drejt vendit ku shfaqen pamjet makabre të masakrës. “Do të jetë kryeministri serb, Vuçiç”, thotë kryetari i parlamentit të Bosnjës me të cilin po bisedonim atë çast. Vuçiç lë shënimin e tij në librin e dhimbjes. Gazetarët janë të vëmendshëm se si do ta përcaktojë ai ngjarjen. Dy ditë më parë ai ka dhënë një deklaratë ku e cilëson atë që ngjau “krim monstruoz”. Edhe tani e njëjta gjë. Krim pa cilësimin e kriminelëve. As që bëhet fjalë për falje dhe ndëshkime. Më pas vjen edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, në krye të një delegacioni amerikan, ku bën pjesë edhe Madlen Ollbrajt dhe të gjithë shkojmë në një hangar tjetër, ku është improvizuar një sallë konferencash ku do të mbahen edhe fjalimet. Presim me sytë nga dera për ndonjë delegacion zyrtar nga Shqipëria. Dera mbyllet dhe fillon ceremonia.
I MUNGUARI I MADH
Në fillim u tha se do të vinte një delegacion i kryesuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe një delegacion tjetër nga Republika e Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi. Moslejimi i Thaçit u mor vesh që një ditë më parë, ndërsa për Edi Ramën, nuk u tha gjë. “U kemi dërguar ftesë të gjithëve, – tha njëri nga organizatorët. – Por disa prej tyre kanë angazhime të tjera, disa të tjerë e vendosin vetë axhendën”. Në çastet e fundit u tha se do të vinte ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe ambasadori shqiptar në Kroaci që mbulon edhe Bosnjën, madje garanci për këtë ishte se ndodheshin në rajon: në një samit në Dubrovnik. Delegacion zyrtar nga Republika e Shqipërisë nuk kishte. Kjo mungesë u komentua gjatë nga të pranishmit. Pothuajse në çdo takim që bënim, pyetja e parë që na bënin ishte: po nga Shqipëria? Sigurisht ne ngrinim supet. Diplomatët i dinë vetë punët e tyre, bëjnë balanca që ne të tjerët nuk i dimë. Por në këtë rast, më shumë se sa balancat politike e diplomatike, në peshore ishte dhimbja, solidariteti me të, dënimi i genocidit. Njerëzisht, në rrethana të tilla çdo njeri gjendet në disa hapësira të tjera, jo politike, në disa hapësira ku funksionon analiza e njerzillëkut dhe e ndjesive. Ku dhe vetë politika nuk qëndron e ftohtë e akullt, por buron nga ndjesitë e mira të njerzillëkut. Si shkrimtar dhe gazetar, nuk e arsyetoj dot përse mungoi Shqipëria. Sigurisht, përkujtimore ka plot nëpër botë, por Srebrenica është një rast i veçantë. E pra, ne shqiptarët kemi përjetuar genocide, në Çamëri, në Kosovë, genocidin komunist, kemi hapur derën e shtëpisë për të përndjekurit nga genocidit, si e nënvleftësojmë një rast madhor për të shprehur ndjesitë tona kundër genocidit? Shqipëria ishte e munguar edhe në Marshimin e Paqes. Kishte aty nga Zvicra, Kroacia, Maqedonia, Turqia, Danimarka, Çekia, Hungaria, madje edhe nga Beogradi; nga Shqipëria, jo. Kaq larg nervit global qëndrojnë ndjesitë tona lokale?
GJENOCIDI
Salla e konferencave kishte një podium për folësit, në sfond të podiumit, disa vizatime fëmijësh dhe qëndisma që të gjitha përkujtonin genocidin. E përkujtonin me emra të përvetshëm të përfaqësuar nga vizatime lulesh. Konferencën e çeli kryetari i komunës së Srebrenicës. Ishte ai që zyrtarisht në këtë përvjetor e përcaktoi masakrën e Srebrenicës: genocid. Më pas pothuajse të gjithë thanë të njëjtin përcaktim: genocid. Pak ditë më parë Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk miratoi një rezolutë të propozuar nga Britania e Madhe, ku ngjarjet në Srebrenicë cilësoheshin genocid. Kjo, për shkak të vetos ruse të Vladimir Putinit. Jo rastësisht në të gjithë shtyllat e Srebrenicës, edhe pak metra pranë hyrjes së varrezave, ku patrullonin makinat e policisë së Srpska Republikës, qëndronin varur qindra postera me portretin e Vladimir Putinit, me shënimin ‘Alternativa Lindore’. Fjalimi i parë që u prit me interes ishte ai i ministrit të Jashtëm holandez, i cili pranoi përgjegjësitë e vendit të tij për mosveprimin dhe kërkoi falje në emër të popullit holandez. “Ne nuk mund t’jua rikthejmë dot të dashurit tuaj – tha ai – por jemi bashkë me ju për të ndarë dhimbjen”. Edhe Bill Klinton u duartrokit dy herë. Herën e parë kur tha se ajo që ngjau në Bosnje ishte genocid dhe kur përshëndeti kryeministrin serb, Vuçiç, që kishte marrë kurajën të ishte i pranishëm në këtë përkujtim. Në përfundim të fjalimeve vazhdonte pjesa tjetër e ceremonisë, të gjithë shkuan në varreza, ku në prani të 60 mijë të pranishmëve kishte filluar rituali i varrimit të 136 personave, eshtrat e të cilëve ishin gjetur e identifikuar 20 vjet më pas. Në këtë ambient ndodhi edhe lajmi që pushtoi mediat: goditja e Vuçiçit.
VUÇIÇ
Në hyrje të varrezave ishte një memorial, në të cilin të gjithë të ftuarit vendosën lule për të vrarët. Pastaj bëhej një ecje gjysmë rrethore ndanë disa pllakave mermeri ku qenë gdhendur njëri pas tjetrit emrat e të gjithë viktimave. Plot 8436. Mendohet se akoma ka të tjerë që nuk figurojnë në lista. Më pas përmes një rrugine që kalonte përmes varreve, të ftuarit ngjiteshin në majë të kodrinës ku ndodhen varrezat ku ishte improvizuar një podium për të ndjekur ritualin e varrimit të të porsagjeturve. Ndanë varreve prej dy ditësh gra, vajza, burra, përkëdhelnin gurët e varrit dhe të përlotur kujtonin ditët që donin të mos kishin ndodhur kurrë. Në hyrje të rruginës së varreve kryeministrin serb e gjuajtën me një sandale dhe i thane “Turp”. Dikush tha se ishte një ish-luftëtar boshnjak që e kishte goditur, të tjerë thanë se ishin disa gra që kishin ardhur nga Beogradi, ku dy ditë më parë u kishin ndaluar të mbanin një manifestim para parlamentit serb, kundër genocidit në Srebrenicë. Agjencitë e lajmeve serbe thanë se e goditi një njeri i lidhur me ISIS. Por unë kam përshtypjen se Vuçiç e provokoi vetë atë që ngjau, ndonëse ishin të turpshme pamjet e tij që vraponte me sa i hanin këmbët, herë-herë i ngritur hopa nga badigardët e tij, pak metra larg meje. Dy ditë më parë ai nuk kërkoi falje dhe dënoi krimin, që i binte të kishte ndodhur pa kriminelë. 15 vjet më parë, ai kishte thënë se për një serb duhen vrarë 100 boshnjakë, edhe këtë mëngjes nuk kërkoi falje, madje e zgjati qëndrimin tij edhe në atë pjesë të ceremonisë kur varroseshin 136 personat më të fundit të gjendur, vrarë nga serbët dhe zhdukur në varrime e zhvarrime. Përfytyroj para Vuçiçit atë djalin tetëvjeçar, tashmë 28 vjeç, që nxori babain nga pylli i mashtruar nga serbët me një karamele dhe që serbët ia vranë para syve? Çfarë pritej aty? Do t’i kthente karamelen? Vini përballë tij ato vështrime grash që nuk mund t’i përshkruaj dot që përkëdhelnin mermerin e ftohtë të varrit. Kam përshtypjen që Vuçiç e dinte çfarë e priste. Dhe e çoi deri në fund. Foli për pajtim e dorë të shtrirë. Por pajtimin duhet ta bëjë ai që e ka pësuar dhe a mund të ketë pajtim pa kërkuar ndjesë, qoftë edhe formalisht dhe mbi të gjitha, pa ndëshkime? A nuk duhet pastruar dora e përgjakur para pajtimit përmes pendimit? Kam vënë re se serbët e njohin mjaft mirë propagandën. Edhe në këtë rast. Vuçiç e rrëmbeu lajmin dhe bëri të flitej më shumë për të se për genocidin. Nga njëra kemi 8536 të vrarë nga serbët dhe nga ana tjetër një Vuçiç të goditur më shishe plastike dhe plisa prej dheut të varreve. Më shumë u fol për këtë viktimën e fundit se sa për 8436 të tjerët. E pra, gjenocidi është aty. Viktimave ende nuk u janë prehur eshtrat. Pajtimi nuk vjen si një dëshirë nga lart, as si një direktivë. Pajtimi vjen kur mendjen kanë ndryshuar, kur vështrimet mbi të shkuarën e kanë bërë gjyqin, pajtimi nuk vjen përmes harresës, pajtimi vjen përmes kujtimit.
DIÇKA PERSONALE ME BILL KLINTON
Pasi u largua Vuçiç, ceremonia vazhdoi e qetë dhe madhështore. 60 mijë njerëz u përkulën para atyre që u varrosën më të fundit nga masakra e madhe. Pak metra larg meje ndiqja si e përjetonte i përlotur ceremoninë, ish-presidenti i SHBA, Bill Klinton. Kur mbaroi e gjithë ceremonia, unë iu afrova dhe i thashë: “Zoti President, unë jam nga Shqipëria”. “E kam në zemër Shqipërinë” më tha ai dhe më përqafoi. “Edhe shqiptarët ju duan dhe ju respektojnë”, i thashë unë. Ai shtrëngoi dorën edhe me konsullin e Bosnje Hercegovinës në Shqipëri, z. Fiqiri Kllari dhe duke u larguar ngriti gishtin e madh OK dhe tha “Shqipëria”.
Shkrim i shkelqyer, deshmi prekese e analize e mprehte. Me çoi per se dyti ne Bosnje. Heren e pare kam qene menjehere pas armepushimit