Inspektorati Policor i Kosovës tha të martën në mbrëmje se ka arrestuar katër pjesëtarë të policisë, në kuadër te hetimeve rreth një incidenti në të cilin një pjesëtar i komunitetit serb mbeti i plagosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
Mëngjesin e së martës policia kishte mohuar përfshirjen e saj në plagosjen e qytetarit serb, ndërsa pasditen e së martës tha se janë siguruar dëshmi mbi dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në të shtëna me armë zjarri dhe vendosi pezullimin e katër pjesëtarëve të saj.
“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit, i cili njoftoi se me vendim të prokurorit atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkroi se sipas hetimeve të deritashme një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të makinës me të cilën po udhëtonte i plagosuri i cili nuk është ndalur me gjithë kërkesën e policisë.
Incidenti ka ndodhur në një postbllok të policisë së Kosovës në komunën e Zveçanit në veriun e banuar me shumicë serbe. I plagosuri është duke u trajtuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe është jashtë rrezikut.
Incidenti nxiti reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier i cili shkroi në rrjetet sociale se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për incidentin në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi ai, duke bërë thirrje për llogaridhënie të atyre që janë përgjegjës për veprime kriminale.
Incidenti u dënua edhe nga misioni i Bashkimit Evropian në Prishtinë i cili bëri thirrje që institucionet e sundimit të ligjit të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.
I plagosuri është duke u trajtuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe është jashtë rrezikut.
Incidenti nxiti reagimin e zyrtarëve të Beogradit të cilët akuzuan autoritetet në Prishtinë për dhunë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serbë në zonën e trazuar.
Përfaqësuesit e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe, nuk e njohin autoritetin e Prishtinës e cila ka shpallur për 23 prill zgjedhjet për postet e kryetarëve të këtyre komunave. Postet janë bosh që nga nëntori i vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje dhe të enjten pritet që të takohet ne Rashkë të Serbisë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe qeverinë e Serbisë për të diskutuar siç është thënë, për gjendjen e sigurisë, targat e makinave, arrestimet e serbëve dhe zgjedhjet në veriun e Kosovës. Presidenti serb tha se diskutimet do të përqendrohen në hartimin një platforme të përbashkët rreth situatës në veriun e Kosovës.
Një numër organizatash joqeveritare kanë tërhequr vërejtjen se se rrethanat aktuale nuk mundësojnë mbajtën e zgjedhjeve në veri, të cilat fillimisht qenë caktuar për 18 dhjetor të vitit të kaluar për t’u shtyrë për 23 prill të këtij viti.