Pyetje – Para pak kohësh keni botuar novelën për të rriturit “Zjarr dhe zjarr”. Pse ky titull disi i veçantë?
Përgjigje – Studiuesi e poeti Zyhdi Dervishi në shënimin e librit ka shkruar: “ Ideja e zjarrit shkatërues, e zjarrit mendjendriçues dhe e zjarrit të pasionit gërshetohen në vetëdijen dhe modelet e sjelljeve të personazhit vetëmohues, Rukipeut, i cili udhëton në linjat e idealit dhe të lartësimit të dinjitetit.” Më duket se ky interpretim e shpjegon, në një masë tç konsiderueshme, domethënien e këti titulli.
Pyetje – Ju keni shkruar e botuar libra me poezi e prozë për të rritur e fëmijë dhe kritika letrare. Në prozën e shkurtër, me rrëfenja e tregime për të rritur, keni botuar librat “Pasqyra e thyer”, “Aventurat e lirisë”, “Trekëndëshi i qiellit të zi” dhe keni gati për shtyp librin me titull “Tunel pa fund”. Veç kësaj novele, a keni shkruar libër tjetër me prozë të gjatë?
Përgjigje – Në vitin 1981 nisa romanin për të rinjtë “Komitët e Malit të Bardhë”, por e lashë “të stazhionohej”. Kohë pas kohe e plotësoja dhe ripunoja pjesë veçanta të tij. E botova ato ditë tragjike të gjenocidit e të eksodit të kosovarëve, pët t’ua dhuruar lexuesve të ardhur nga Kosova. Po ngjarjet rrodhën shpejt dhe romanin e përurova dhe e shpërndava në Prishtinë në fund të qershorit 1999, ku pashë për herë të parë Kosovën, të cilën e kisha ëndërruar qysh në fëmini.
Pyetje – Cili është mesazhi bazë që keni dashur të jepni me novelën “Zjarr dhe zjarr”?
Përgjigje – Nuk mendoj se ka në të ndonjë mesazh. Ky është një rrëfim i thjeshtë, brenda të cilit janë shkrirë disa ide që motivojnë veprimet e personazheve dhe kaq. Ajo që kam dashur të theksojë është fakti se mendimi i lirë shpesh injorohet, denigrohet ose sulmohet nga një regjim tiranik, madje edhe liberal ose nga individ e shoqëri konservatore e dogmatike. Shpirti rebel në çdo kohë dhe në çdo vend ka qenë ai që e ka shtyrë njerëzimin përpara drejt lirisë e dinjitetit, që e bën njeriun Njeri. Dhe këtë kam synuar ta jetësoj nëpërmjet aventurës së një jete, se jeta e kujdo është, ku më pak e ku më shumë, një aventurë e papërsëritshme. Kur përfundova këtë novelë, ndjeva diçka si trishtim. Pa e kuptuar kisha shkruar një dramë të dhimbëshme që kishte zgjatur tërë jetën e protagonistit. Ai kishte predikuar “kënaqësinë” për vete dhe të tjerët, por vetë vdiq i pakënaqur. Kjo ironi e jetës nuk e zbeh aspak bukurinë dhe luftën e njeriut për kënaqësi dhe liri.
Pyetje – Përse ngjarjet e novelës i keni vendosur në lashtësi, rreth 2300 vjet më parë?
Përgjigje – Në periudhën e lashtësisë, në Athinë e gjetkë, gjejmë burime ose embrione të burimeve gati të të gjitha rrymave e drejtimeve filozofike, letrare, artistike, politike etj. Protagonisti është filozof dhe më është dukur e nayrshme t’i vendos në atë vend e në atë kohë.
Pyetje – Ka pasur komunikime të ndërsjella ndërmjet kulturave të Mesdheut në lashtësi?
Përgjigje – Derisa ka pasur marrëdhënie të dendura ekonomike, vendosje kolonësh, luftra pa fund e deri martesa mes krerëve të shteteve e qyteteve, kuptohet që edhe në fushat e kulturës të ketë pasur marrëdhënie e këmbime edhe pse jo simetrike.
Pyetje – Sa është pasqyruar në novelë ndikimi i ndërsjellë mes kulturës ilire e asaj greke të lashtë?
Përgjigje – Qëllimi im artistik nuk ka qenë të jap gjersisht raportet mes kulturave. Por këto raporte kanë dalë, aq sa kanë dalë, nga koha, vendet e situatat ku janë vendosur skenat në të cilat na çon subjekti i novelës.
Pyetje – Shihen paralelizma mes atyre që përshkruani në novelë dhe realitetit të sotëm. Kjo është rastësi apo ka qenë një pikësynimi juaj për t’i dhënë tekstit edhe një theksim aktual?
Përgjigje – Është edhe kështu, pavetëdijshëm, edhe ashtu, me vetëdije. Kur shkruan, qoftë edhe për të kaluarën, ti je njeri i sotëm dhe, sado që rrekesh të dalësh nga e sotmja, nuk mund të dalësh dot plotësisht. Nga ana tjetër lipset të pranojmë se njeriu dhe shoqëria përherë në thelb kanë po ato probleme ekzistenciale. Shtjellimi i mëtejshëm i ideve dialektike të antikitetit është sintetizuar edhe në këtë mendim të Karl Poperit: “Bashkë me çdo hap që hedhim përpara, bashkë me çdo problem që zgjidhim, ne jo vetëm që zbulojmë probleme të reja dhe të pazgjidhura, por edhe zbulojmë se atje ku besonim se mbështeteshim fort mbi një truall të sigurt, të gjitha gjërat janë, në të vërtetë, të pasigurta dhe në gjendje ndryshimi të vazhdueshëm.” Mëtimi im ishte të bazohesha e të mishëroja artistikisht edhe këtë koncepsion dialektik.
Pyetje – Rukipeu u largua bashkë me familjen nga Onhezmi dhe u rrit e bëri karrierë si filzof në Athinë. Akuzat, shpifjet, thashethemet për të ishin si kundër një të huaj apo për idetë e tij filozofike dhe metodat e tij të mësimdhënies?
Përgjigje – Këto ishin pretekste. Shkaqet e vërteta ishin konkurrenca, lufta për të pasur më shumë studentë në shkollën vetjake nëpërmjet rrënimit të shkollës së tjetrit që ka më shumë sukses.
Pyetje – A mund ta quajmë novelë filozofike këtë krijim?
Përgjigje – Vërtet personazhi kryesor është një filozof dhe ai në një mënyrë ose tjetër nuk mund të mos shpreh botëkuptimin dhe tezat e tij filozofike, por gjithsesi nuk mendoj se kemi të bëjme me një novelë të mirëfilltë filozofike, sepse aty nuk synohet të parashtrohen me gjuhën e artit ide të kësaj ose asaj shkolle filozofike. Mendimi filozofik i Rukipeut, protagonistit, është subjekt jo objekt i novelës, pra mjet jo qëllim.
Pyetje – A nuk ju duken të ngushtë kufijtë e perceptimit të protagonistit?
Përgjigje – Ndoshta, po për çdo krijim duhet diskutuar ose gjykuar për atë që jep dhe si e jep autori dhe jo çka mund të jepte.
Pyetje – Ç’domethënie kanë situatat e skenat dashurore në këtë novelë? Ato janë të pazakonshme për protagonistin dhe pozitën e tij shoqërore?
Përgjigje – Gjakimi i dashurisë dhe njëjtësimi i bukurisë dhe seksit, në rrethana të ndryshme dhe te çdo njeri, sidomos te të rinjtë, janë të pashmangshme. Këtu nuk dua të citoj Frojdin, por në kushtet e veçanta, ku jeton e punon Rukipeu, ndikimi i mendësisë së kohës është i kuptueshëm, ashtu siç janë të natyrshme edhe ndikimet e religjionit e të botëkuptimit të një vendi e të një kohe te shumica e njerëzve. Gjatë shtjellimit të subjektit, pavetëdijshëm arrita te mendimi i Herbert Markyzes te libri “Njeriu njëdimensional”: “Në përpikërinë e mendimit dhe në marrëzinë e dashurisë gjendet refuzimi shkatërrues i mënyrave të ekzistencës së jetës.”
Pyetje – A nuk ju duket se Rukipeu bie ndesh me idetë e tij duke vepruar ndryshe?
Përgjigje – Rukipeu i përket shkollës së hedonizmit. Ai vërtet predikon idetë e kësaj shkolle, por veprimet e tij kushtëzohen, do nuk do ai, nga morali i kohës dhe i mjedisit. Ai vetëm e predikon hedonizmin edhe pse gjenden pretekste për ta goditur.
Pyetje – Struktura kompozicionale e novelës është lineare në kohë e hapësirë. Përse e keni shestuar në këtë mënyrë?
Përgjigje – Novela ka kompozicion linear në rrafshin horizontal, dhe boshtor në rrafshin vertikal. Protagonisti, duke qenë edhe rrëfimtari i tekstit, ruan me konsekuencë unitetin strukturor, për të mos rënë në nivelin e rëndomtë të një biografie të letrarizuar. Ky unitet mishërohet në idenë e zjarrit si metaforë e njëherazi si simbol edhe pse i njohur, universial. Pikësynimi im nuk ishte të përshkruaja thjesht disa ngjarje, por të pasqyroja në pikat kulmore një jetë, të cilat të më çonin në zbërthimin artistik të ideve që synoja të mishëroja me këtë novelë.
Pyetje – Mendoni se rrëfimi në vetën e parë e ka kufizuar depërtimin dhe analizën e botës së brendshme të personazheve të tjerë të novelës?
Përgjigje – Ndoshta e ka këtë kufizim. Por personazhi rrëfimtar përcakton edhe limitet e novelës si e tillë, ose si e kam koceptuar unë si të tillë, për të fokusuar idetë e rrëfimtarit, që në një kuptim më të gjerë, janë edhe të autorit.
Pyetje – Sa mendoni se e keni arritur artistikisht këtë novelë?
Përgjigje – Ende nuk e di. Autori nuk mund të përgjigjet, se në të dy vlerësimet e mundshme do të gabojë. Po të pohojë, do të bjerë në prehrin e subjektivizmit të kuptueshëm. Po ta mohojë, nuk do të jetë i çiltër, sepse nuk do ta botonte librin po qe se nuk do të ishte i bindur për vlerat që ka në atë libër.
Pyetje – Si është pritur deri tani kjo novelë?
Përgjigje – Kanë shkruar shkrimtarë e kritikë si S.Buçpapaj, F.Terziu, K.Kodra, Ll.Qafoku, V.Muço. Kam pasur edhe vlerësime, vërejtje e kritika me gojë e shkrim nga kolegë e të njohur si I.Kadriu, A.Gjakova, V.Premçi, A.Mato, D.Koçi, K.Trboini, A.Berisha, S.Gjoni, J.Papagjoni, P.Dollani, I.Thoma, R.Kripa, T.Haxhimihali, R.Braholli, Z.Krutaj, V.Muçi, A.Canaj etj. Ky është fati i çdo krijimi artistik. Prandaj autori nuk duhet të kënaqet nga vlerësimet thjesht pozitive dhe duhet të presë me mirëkuptim vërejtjet e kritikat edhe kur nuk është në të njëjtin mendim me to. Dihet, subjektivizmi në artet është i pashmangshëm, aq më tepër te vetë autori.
Pyetje – A mund të na thoni disa nga mendimet e kolegëve?
Përgjigje – Nuk mendoj se është detyra ime të bëjë publike mendimet e thëna në intimitet. Nëse ata duan, le t’i shkruajnë vetë dhe t’i botojnë.
Intervistoi: Arlinda Canaj
Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji, dega e gjuhë-letërsisë shqipe në Tiranë. Ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” (1969-1980) e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare (1985-1992) në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981–2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe vendore.
(Botuar te “Shekulli, 18.1.2016)
Komentet