Kolona e trishtë e të burgosurve të burgut të Nivicës po ngjitej lart, përmes një dhiareje plot gurë që të çonte në dyert e kampit. Po mbyllej edhe një ditë tjetër me një shi të imët, monoton, i cili kishte filluar qysh nga mëngjesi dhe nuk kishte ndër mend të pushonte.
Kullonte nga të katër anët e horizontit. Mbi det vareshin shtëllungat e reve të cilat dukeshin si shtëllunga leshi të palara.
Kampi i të burgosurve politikë me katër karakollet e tij , i rrethuar nga të gjitha anët me tela të lartë, dukej si një përbindësh i zi. Të burgosurit, pasi kishin punuar gjatë gjithë ditës në plantacionet me portokaj , zvarriteshin drejt kapanoneve. Te porta i priste komandanti me dy kujdestarët.
Kaluan një nga një, pa ndonjë vullnet të dukshëm se po i shpëtonin shiut .Ishte koha kur ata do të hynin në një sallë të madhe për të zhvilluar orën politike.
U futën në sallën e edukimit komunist. Për shkak të stolave të paktë, ata u sistemuan ngjeshur pas njëri -tjetrit.
-Çfarë është për ne rreziku anglo-amerikan? Kush e do fjalën?
Zëri i instruktorit politik ishte i trashë e me një aksent jugor. Priti pak çaste, askush nuk lëvizi nga vendi.
-Dëshironi t’jua vëmë ne gishtin ?…- ngriti zërin kërcënueshëm ai. – Kush e do fjalën, pra.? Ç’ka thënë shoku Enver për rrezikun anglo-amerikan?
Të burgosurve fjalët u vinin në vesh të avullta e gati të pakuptimta. Avujt e rrobave dhe frymëmarrja nisën të krijonin një ambient topitjeje dhe përgjumjeje.
-Aa…!- ngriti zërin ai.- Nuk doni të flisni…
Ndërkohë, nga fundi i kapanonit u ndie një si rëngë e hollë, e mbytur, e zgjatur, e trembur. Gjithsesi…, të gjithë e kuptuan se ai tingull nuk mund të dilte nga kordat vokale.
Në sallë sundoi një heshtje varri. Të gjithë i pushtoi frika dhe pasiguria.
Harrova t’ju them se midis atyre qenieve të mjera, të përplasura në këtë depo njerëzish të harruar, gjallonte një specie e veçantë poetike, e plakur dhe hokatare. Ishte pikërisht Pandeli Taçi , një plakush i këndshëm i cili në atë çast nisi një kollë artificiale. I gjendur midis dy varianteve: ta kalonte atë rëngë në heshtje apo të mbante qëndrim, instruktori lab zgjodhi variantin e dytë.
Kush e bëri ?!-thirri më zë të lartë .
Askush nuk u përgjigj. Të burgosurit u ngjeshën edhe më shumë pranë njëri-tjetrit. Atëherë instruktori u fut midis rreshtave duke i hetuar të gjithë me radhë:
-Hë, mo…ti e bëre ? Apo ti? !Apo ti tjetri…?!
Në sytë e tyre pasqyrohej frika e një përgjegjësie kolektive. Të themi të drejtën, zhurma që erdhi nga fundi i barkut ishte diçka jashtë vullnetit të autorit të saj dhe shpërndau në sallë një aromë të keqe. Mund t’i ndodhte gjithkujt. Imagjinoni edhe ju, pas një lodhjeje të gjatë nën shi, gjendesh në ngrohtësinë topitëse të kapanonit…
Si ajo kafsha që, pas një përgjimi tinëzar, pikas prenë e vet, instruktori thirri:
-Pandeli Thaçi,- në këmbë!
Pandeli Thaçi e mbyti kollën brenda vetes, puthiti mirë syzet dhe u ngrit në këmbë me një përtaci dinjitoze.
-Ti e bëre mo?- nisi ta qesëndisë ai.
-Jo,- belbëzoi me ndrojtje poeti, i tradhtuar edhe nga zëri i tij.
-Do të thuash që….ti nuk pordhe ? -ngriti zërin instruktori Kështu do të thuash? Dhe kur ? Në orën e edukimit politik. Shpjegoju shokëve pse e bëre ?
-Nuk e bëra unë, shoku…
-Do të thuash që ajo nuk ishte pordhë…? Kështu do të thuash?
-Si urdhëron, shoku instruktor. Nuk ishte. Ishte vetëm zhurma e zorrëve të mia. Si do të guxoja unë…Të them të drejtën, kam disa ditë që jam ftohur. Ja. Kjo është e gjitha..
-Dëgjoni ju? Zhurmë zorrësh thotë. Ha-ha-ha !
-Ju betohem,-ngulmoi Pandi. – Ishte një rrymë ajri që më kaloi nëpër zorrë, unë s’e mbajta dot .U përpoqa, por s’munda dot..
-Dhe ja bëre “Bam” !- bëri një zhurmë ai , sikur të imitonte një plasje topi. – Po kush të beson se.
U dëgjuan të qeshura mbytëse të cilat u ndërprenë në çast.
-Mjaft ! Thaçi…Në kaush!
Kaushi ishte një bodrum prej betoni me përmasat 1.5 me 1.5 metra katrorë, pa xhama, i ndërtuar poshtë kapanoneve për të dënuarit e veçantë. Prej një katrori, që mund të quhej dhe dritare, shiu dhe era hynin lirshëm.
E ç’rëndësi do të kishte e gjitha kjo që thamë, nëse ajo masë e ftohtë ajri e cila i vërtitej nëpër zorrët e tij, nuk do të nxirrte atë psherëtimë të hollë e nuk do të shpallej si një protestë për të gjitha mundimet e tyre?
Kaushi ku e kaloi natën poeti ishte i mbushur plot me ujë, ndaj orët e natës ai i kaloi si pulat në tra, duke qëndruar në këmbë, pa vënë gjumë në sy, mbi dy dërrasa druri të cilat i kishte mbështetur kryq në katër paretet e murit.
Të nesërmen shokët e tij kërkuan me urgjencë mjekun e burgut. Mjeku e vizitoi poetin dhe e shtroi urgjentisht në spital. Shokët e tij e pritën disa ditë të kthehej. Pyesnin vazhdimisht për të, por askush nuk jepte asnjë përgjigje. Dy javë më vonë u hap lajmi se ai kishte pasur një ftohmë të rëndë dhe e kishin çuar në spitalin e Tiranës. Askush nuk mori vesh më asgjë për fatin e tij. Një muaj më vonë burgun e Nivicës e mbyllën dhe ne të burgosurit e tjerë na degdisën lart e poshtë burgjeve të Shqipërisë.
Komentet