Henri Çili posa ka botuar në gazetën e tij një Letër të Hapur drejtuar shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, ku i kërkon që “Kadareja të bëjë publike zyrtarisht hapjen e dosjes së ndjekjes së tij nga Sigurimi i Shtetit dhe dosjen e proceseve politikë ku është dëshmuar për të, duke filluar nga procesi i Todi dhe Fatos Lubonjës.”
Kërkesa e Çilit duket e çuditëshme, sepse Ismail Kadare është nga të vetmit që kërkon, prej kur është rrëzuar sistemi, hapjen e dosjeve, duke përfshirë edhe dosjen e tij dhe të shkrimtarëve, por kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga asnjë qeveri shqiptare këta 25 vjet.
Për hapjen e Dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit Kadare ka çerek shekulli që apelon, por ndaj apelit të tij kanë bërë veshin e shurdhër sidomos mediat, përfshi edhe Mapo-n e Henri Çilit. E kanë botuar ekskluzivisht Kadarenë që t’u rrisin namin mediumeve të tyre, por apelet e tij i kanë hedhur në koshin e plehrave dhe nuk i kanë kthyer në kauza.
Sepse një kauzë me emrin Kadare do të përqafohej nga miliona shqiptarë!
Apeli i Kadaresë për hapjen e dosjeve është çerekshekullor, ai e ka shqiptuar nëpër intervista të shtypit të shkruar, nëpër intervista televizive, në mediumet shqipfolëse dhe të huaja. Unë po ju sjell pjesë nga intervista që Kadare ia ka dhënë Dhurata Shehrit për revistën kritike “Letra”. Intervista është e vitit 2012 dhe fokusohet edhe tek dosjet e shkrimtarëve.
Ja çfarë thotë shprehimisht Kadare: “Hapja e dosjeve është e domosdoshme sepse fshehtësia e tyre s’ka sjellë asgjë të mirë në këta njëzet vjet tranzicion. Përkundrazi, ka sjellë shumë të këqija. Kryesorja, i ka dhënë shtetit një pushtet të frikshëm mbi letërsinë”. Dhe më tutje po në këtë intervistë Ismail Kadare apelon: “Të hapen dosjet e fshehta për shkrimtarët sepse qeveritë i mbajnë ata nën urdhëra”.
Më thoni, kush e dëgjoi apelin e Kadaresë ? Askush! Edhe Henri Çili bëri veshin shurdhër si të tjerët, ndërsa tani po u shqetësoka për hapje dosjesh duke filluar nga procesi i Todi dhe Fatos Lubonjës.
Fokusimi i shtypit shqiptar për të konfrontuar Kadarenë me Lubonjën është i poshtër, perfid dhe i llojit stalinist.
Sepse ky shtyp e nis mbrapsht: nga viktimat, kur duhet ta nisë nga persekutorët.
Dosjet shqiptare nuk do të hapen për të ridënuar viktimat, por që të mbahet qëndrim i përgjegjshëm për persekutorët dhe krimet e diktaturës!
Unë po ndalem tek apeli i Kadaresë më 2012 tek revista letrare “Letra” ku kërkon Hapjen e Dosjeve të shkrimtarëve, çka u prit me indiferencë të plotë nga oligarkët e mediave, njëri prej të cilëve është edhe Henri Çili.
Prandaj Henri Çili është një nga kampionët e hipokrizisë.
Dhe ja përse.
Dihet se Henri Çili është pronari i UET, i gazetës MAPO dhe Fondacionit MAPO i cili prej dy vjetësh ka filluar të akordojë në letërsi Çmimin letrar Kadare.
Iniciativa në princip duket shumë e bukur, por në praktikë ka qenë e helmët. Çmimi Kadare duhet të luante një rol të rëndësishëm nëse do të ishte i vërtetë dhe jo “fake” prej gjojash. Aq më tepër, kur kemi parasysh se këtë çerek shekulli kritika postkomuniste ka ndjekur gjurmët e kritikës komuniste duke u konvertuar në kritikë hasanash për shkrimtarët e partive që riciklohen në pushtet. Pra de facto kritika letrare nuk ekziston më dhe çmimet i marrin ata që e kanë mirë me pushtetin. Kjo vërteton si aksiomë atë që Kadare e thotë për së drejti, se çmimet i marrin shërbëtorët e pushtetit.
Henri Çili nuk është mecenat në të mirë të kulturës por vetëm një servitor i politikës më të mbrapshtë, ndryshe e si mund të shpjegohet që pikërisht ky Henri Çili si anëtarë të Jurisë të Çmimit letrar Kadare, vendos emra pa integritet si Diana Çuli apo Rudolf Marku. Gjithashtu kujtoj se Çmimi letrar Kadare iu akordua së pari pikërisht Rudolf Markut, kur prej çerek shekulli tranzicion dihet se Rudolf Marku gjatë diktaturës ka marrë pjesë në një proces gjyqsor, sikur edhe Diana Çuli që njihet si autorja e akt-ekspertizës kundër poetit Genc Leka. Pra që janë emra të lidhur me fate njerëzish që diktatura i ka dënuar!
Nuk po i paragjykoj rrethanat se si i kanë shërbyer diktaturës, por duke patur parasysh pasojat, që kanë qenë tragjike për viktimat, pyes Henri Çilin se përse i përfshin jo vetëm në Jurinë e Çmimit elitar Kadare, por Rudolf Markut i jep edhe Çmimin Kadare?!
Natyrisht që Henri Çili e di se who is who edhe Rudolf Marku edhe Diana Çuli, prandaj veprimi i tij është okult dhe obskurantist. Dhe jo vetëm, por edhe i dyshimtë, duke ngritur pyetjen se përse Henri Çili këto figura me hije dhe skeletë në dollapë i nderon si koka të elitës shqiptare, duke u identifikuar si mentorë të kulturës dhe shkrimtarë të shquar që nderohen me Çmimin Kadare!
Pra Henri Çili e shpërdor emrin e Kadaresë, të cilit tani i bën letër të hapur që bëjë kërkesë për hapjen e dosjes së tij!
E ky është Henri Çili.
Nuk e komentoj letrën e tij të hapur, kjo është puna e tij, por i kërkoj që të japë llogari për veprimet e tij të ulëta e në dëm të letërsisë dhe kulturës shqiptare si dhe në favor të atyre që nuk meritojnë të paktën të lançohen as si shkrimtarë dhe as si njerëz.
Bravo Elida! Esshte fakt se keta emra te neveritur, qe e kane kthyer letersine ne nje WC te madhe, gjene strehe ne cadren e Henri Cilit.
Ju flm shume i nderuari Kol.
E nderueme Zj. Elida!
E ke xanë Mat Henri Çilin, nji sherbtor i Kastës Kuqe, nji multi-miljoner! Henri Çili me sojin e tij familjar e klanor i ka shndrrua ,,pronat,, e tija në lavatriçe parash. Ky asht Dora e zezë i Edvin ramës. Unë nuk e kuptoj se Pse Kadare nuk ja plasë turinjve ktij batakçiut që lot me emnin e tij dhe e përdor për ta njollosë me emna të dyshimt!
T’lumt!