Është kënaqësi të shohësh interesin e një publiku të shumtë edhe në rastin e një koncerti të muzikës së dhomës, që kërkon një publik të kulturuar e elitar.
Ndryshe nga duot instrumentale, sonte baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi kishin marrë një nismë të guximshme për interpretimin e ciklit vokal “Winterreise ” ( Rrugë Dimërore) të kompozitorit Franc Schubert mbi tekstet poetike të Wilhelm Muller.
E cilësova kështu se 24 Lieder ( këngë) kërkojnë një përgatitje teknike profesionale dhe kulturë specifike në trajtimin e zhanrit, në raport me këngëtarin lirik operistik.
Përmbajtja poetike me karakter të thellë psikologjik strukturohet në forma të thjeshta dhe interpretimi duhet të ruaj një ekulibër mes saj dhe karakterit të zhanrit të këngës, delikatesën që ajo e presupozon.
Arturi dhe Etrita kishin bërë një punë serioze dhe tepër profesionale veçanërisht në bashkëveprimin mes tyre e qëndrimin e mbajtur tepër të unifikuar me detaje të shumta e kontraste të bukura artistike në shërbim të ideve të veprës.
Duhet nënvizuar se parti i pianos në të gjitha ciklet vokale, jo vetëm të Schubert-it, luan një rol të rëndësishëm estetik, gati të barabartë me këngëtarin qoftë për të krijuar atmosferën emocionale përgatitore, për hyrjen e këngëtarit, por dhe gjatë ecurisë dhe zhvillimit të këngës. Ndaj në këtë drejtim interpretët patën një ” kimi” të lavdërueshme tepër të unifikuar artistike. Ngjyra të shumta dinamike nga dy pianisimo deri në fortisimo, theksat ritmikë të nevojshëm për dhënien e karakterit të çdo kënge, frazimet e ndjera ishin disa nga cilësitë interpretative të duos, që siguruan suksesin.
Pas 12 këngëve të para Pianistja na dha kënaqësinë me interpretimin tepër artistik të pjesës për Piano Solo të kompozitorit Aleksandër Peçi – Barokjare.
Me një perceptim e ndjeshmëri plot finesë reflektuar
në qëndrimin e mbajtur veçanërisht ndaj tingullit, ajo zbuloi vlerat e reja artistike e estetike të motiveve të jareve shkodrane të shfrytëzuara nga kompozitori në mënyrë krijuese.
Koncerti vijoi përsëri me interpretimin e 12 këngëve të tjera .
Publiku e shijoi dhe e vlerësoi kënaqësinë e përftuar me duartrokitje të zgjatura.
Urime !
Në fund do desha të ndalesha me një sugjerim për baritonin
Artur Vera.
Duke qënë relativisht i ri në moshë, por me ambicje dhe pasion të dëshmuar kjo sprovë kaloi me sukses, por veçanërisht në pjesën e parë s’mundi dot të ruante ekuilibrin mes përmbajtjes poetike të këngëve dhe karakterit të zhanrit. Interpretimi i tij dhe vokali kishte më tepër karakter operistik se sa delikatesën e domosdoshme që kërkon lieder-i.
