Presidenti francez Emmanuel Macron tha se qeveria e tij po përgatitet të ndërmarrë hapa thelbësorë për të reformuar tërësisht jetën dhe strukturat e organizimit të myslimanëve në vend.
Duke folur për gazetën “Journal du Dimanche”, Macron tha se dëshiron t’i japë fund mosmarrëveshjeve në shkallë vendi, të shkaktuara nga sulmet xhihadiste gjatë disa viteve të fundit.
Sipas presidentit francez, reformat që do të ndërmerren në tremujorin e parë të vitit 2018, përfshijnë luftën kundër fondamentalizmit islamik, ristrukturimin e organizatave myslimane dhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre me pjesën tjetër të shoqërisë.
Macron i tha gazetës, se projekti i reformës së qeverisë së tij është ende duke u zhvilluar, kështu që nuk pranoi të fliste për detajet, para se të përfundonte projekti. Ai tha se intelektualët dhe akademikët e vendit vazhdojnë të shkëmbejnë ide për projektin, duke iu referuar nevojës për të reformuar ato që ai quan, “marrëdhënie problematike mes Islamit dhe Republikës Franceze”.
Franca është një shtet laik me kushtetutë. Vendi ka një ligj të veçantë që nga viti 1905, që përcakton ndarjen e kishës nga shteti, duke e ndaluar shtetin që të njohë, ose financojë fetë. Debatet e fundit përfshinin ndryshimin e ligjit aktual, por Macron është kundër kësaj ideje: “Çfarëdo që ne zgjedhim të bëjmë, qëllimi është të nxitet vetë parimi që ekziston brenda zemrës së ligjit ekzistues për laicitetin. Me fjalë të tjera, ruajtjen e të drejtës për të besuar ose për të mos besuar, vullnetin e lirë dhe harmoninë kombëtare,”– tha zoti Macron.
Qeveria franceze dëshiron të gjejë një zgjidhje mbarëkombëtare për çështjen e financimit dhe trajnimit të klerit mysliman. Parisi thotë se qeveritë e tjera ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendit, kur ato financojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë xhamitë dhe emërojnë imamë, pavarësisht ligjit ekzistues mbi laicitetin. Qeveria po kërkon mënyra për të financuar xhamitë, për të rregulluar shoqatat e bamirësisë, për të mbledhur fonde për trajnimin e imamëve dhe ndoshta taksimin e ushqimeve të lejuara nga ligji islamik, për të mbledhur fonde.
Qeveria franceze thuhet se po punon për reformat përmes Zyrës së Presidentit, Ministrisë së Brendshme dhe Këshillit Francez të Besimit Mysliman (CFCM), i cili u krijua në vitin 2003 nga ministri i atëhershëm i Brendshëm Nikolas Sarkozi. Ndërsa Pallati Elysee është në kontakt me ekspertët e Islamit, akademikët, intelektualët dhe ministrija po punojnë së bashku për këtë çështje. Raporti i Këshillit Francez të Besimit Mysliman mbi reformat e propozuara, do të jetë gati në qershor.
Ndërsa reformat e planifikuara synojnë të frenojnë ndikimin e huaj në xhamitë dhe imamët e Francës, gjithashtu ka një propozim që imamët të ndjekim studimet universitare, ku të mësojnë mbi laicizmin, liritë civile, teologjinë, historinë fetare dhe sociologjinë. Në mesin e propozimeve është edhe zgjedhja e një Kryeimami, sikurse Kryerabini ekzistues i Francës në rastin e hebrenjve, për të udhëhequr myslimanët francezë, si autoriteti i vetëm fetar dhe moral dhe një përfaqësues i fortë i komunitetit.
Kur zoti Macron takoi udhëheqësit fetarë të Francës në dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se ai donte që të ristrukturohej Islami (në Francë) dhe i kërkoi Këshillit Francez të Besimit Mysliman të krijonte një grup pune për të kontribuar në këtë projekt. Macron gjithashtu dëshiron të ndryshojë strukturën e Këshillit Francez të Besimit Mysliman, një organizatë jo-fitimprurëse, udhëheqësit e së cilës janë ende të ndikuar nga vendet kryesore myslimane.
Vetë Këshilli Francez i Besimit Mysliman, gjithashtu thuhet se mbështet reformat e propozuara. Anouar Kbibech, nënkryetari i organizatës, thotë se tashmë ka një vetëdije brenda organizatës, për të krijuar ura lidhëse me pjesën tjetër të shoqërisë franceze. Ahmet Ogras, kryetari francezo-turk i Këshillit Francez të Besimit Mysliman, thotë se edhe organizata që ai drejton ka bërë përpjekje për reforma.
Udhëheqësja e partisë nacionaliste të vendit, Marine Le Pen, e kundërshtoi projektin, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe i bëri thirrje qeverisë të ndalojë ndihmën financiare për xhamitë. Megjithatë, kryetarja e Frontit Kombëtar, tha se mbështet idenë e ndalimit të ndikimit të huaj në xhamitë franceze.
Një anketë e kohëve të fundit e zhvilluar nga Instituti Francez për Opinionin Publik, (IFOp) tregon se 56 për qind e të anketuarve pajtohen me idenë se Islami dhe shoqëria franceze mund të bashkëjetojnë. Në vitin 2016, në kulmin e sulmeve xhihadiste në Francë, kishte 43 për qind mbështetje për këtë ide.
Komentet