Një nga sfidat e emigrantëve, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, është ruajtja e gjuhës së vendit të tyre tek fëmijët që rriten në Shtetet e Bashkuara.Hapja e një kursi të gjuhës, historisë dhe kulturës shqipe online, krijoi një dritare të re mundësie për fëmijët shqiptaro-amerikanë. Platforma “Mëso Shqip” ndonëse ka pak muaj që ka filluar, menjëherë ka zgjuar interesim të madh të familjeve shqiptaro-amerikane.
Pas pak javësh mësimi, shqiptaro-amerikania 8 vjeçare Jasina Marke ka filluar të lexojë dhe flasë në gjuhën shqipe.
“Mua më pëlqen gjuha shqipe sepse mundem të flas me gjyshin dhe nanën”, thotë Jasina.
Ajo është në mesin e 72 nxënësve në kursin online të gjuhës shqipe “Mëso Shqip”, një platformë që filloi punën nga korriku i këtij viti. E ëma e Jasinës, Fatmire Gjonbalaj Marke, e cila po ashtu ka lindur në ShBA, thotë se në familjen e saj gjuha shqipe gjithmonë ka pasur një vend të rëndësishëm.
“S’e di a mund ta përshkruaj. Nuk është diçka që ne e bëjmë sepse duam që të tjerët të mendojnë se jemi prindër më të mirë sepse fëmijët tanë flasin shqip. Por disi në zemër na jep krenari kur vajza jonë e di gjuhën e vendit tonë. Sepse, e flet apo jo gjuhën shqipe, jeta për të do të vazhdojë. Por kur mëson gjuhën shqipe, disi jemi krenarë që edhe gjenerata e saj do ta flasë atë”, thotë zonja Gjonbalaj Marke në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Por, ajo thotë se mësimi i gjuhës shqipe ishte i vështirë para se të mundësoheshin klasat online të platformës “Mëso Shqip”.
“Shkollën më të afërt e kam 45 minuta larg kur nuk ka trafik, e kur ka trafik më harroje s’ke si të shkosh. Por një ditë një shoqe më tha se është duke u hapur një program, ‘Mëso shqip’. Unë u gëzova shumë për atë gjë sepse të gjithë fëmijët kudo që janë do të mund të mësojnë shqip”, thotë ajo.
Për një periudhë të shkurtër, shqiptaro-amerikania thotë se vajza e saj ka filluar të flasë lirshëm gjuhën amtare.
“Edhe gjeneratës time, na vinte turp kur nuk e dinim gjuhën e pastër, prandaj nuk flisnim. Për shembull kur nëna na thoshte të flasim në telefon me tezen apo dajën na vinte turp. Tani vajza vjen me gjithë qejf dhe flet në telefon me hallën në Dibër ose me gjyshin, nuk i vjen turp si më parë”, shpjegon ajo.
Themeluesi i platformës Mëso Shqip, Faton Gjuka, i cili jeton në Atlanta të Xhorxhias, thotë se frymëzimi për këtë projekt i erdhi nga domosdoshmëria që e vërejti në vetë familjen e tij.
“Kjo është kritike. Unë sfidohem me këtë edhe në jetë, me fëmijët dhe veten time. Gjithë jeta ime profesionale ka qenë në gjuhën angleze. Kështuqë kur bisedoj ose flas diçka në gjuhën shqipe, duhet ta ngadalësoj veten dhe të kërkoj fjalët e sakta. Unë kam tre fëmijë. Fillimisht doja të hapja një shkollë në San Francisko dhe një në Atlanta që ata ta mësojnë gjuhën shqipe. Por sfidat për hapjen e një shkolle fizike janë të mëdha dhe nuk është praktike. Prandaj hapa shkollën online”, thotë për Zërin e Amerikës themeluesi i “Mëso Shqip”.
Zoti Gjuka shton se përmbajtja e kursit është hartuar në bashkëpunim me Ministritë e Arsimit në Shqipëri dhe Kosovë. Mes 20 arsimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që japin mësim nga distanca, është edhe Pasionaria Asllanaj që jeton në Shkup.
“Është një gjë shumë e bukur kur bashkohen shqiptarët e të gjitha trojeve dhe prodhimi i tyre krijon diçka në këto përmasa. Mundësia është fantastike për mësimdhënësit e këtyre krahinave. Për dikë kjo mund të jetë fillimi i një karriere shumë të mirë dhe një punë e plotë”, thotë mësuesja Asllanaj.
Përparimi i nxënësve, i bën krenarë mësuesit.
“Kur sheh suksesin tënd tek një nxënës, nuk kërkojmë asgjë më shumë. Sidomos kjo që është diçka e re edhe për ne kur shoh që fëmijët e mi, nxënësit e mi, sepse unë ju them fëmijët e mi, fillojnë të flasin lirshëm gjuhën e tyre amtare unë nuk kam ndjenjë tjetër por krenarisë tepër të madhe.”
Me një abonim prej rreth 140 dollarë në muaj, nxënësit mësojnë shqipen, por kursi shkon edhe përtej gjuhës.
“Ne nuk shkojmë shumë thellë në histori, por sipërfaqësisht kurrikula kërkon nga fëmijët që të kuptojnë prej fiseve ilire, Skënderbeun, fiset arbërore, e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008. Këto janë ngjarje të mëdha të historisë shqiptare, që duhen ditur dhe kuptuar”, thotë zoti Gjuka.
Nxënës të këtij kursi nuk janë vetëm fëmijët e vegjël. Zoti Gjuka thotë se kanë hasur në interesin e të rinjve nga të gjitha moshat, si për shembull23 vjeçarja Miranda Çelaj.
Ajo shpjegon arsyet që e shtynë të fillojë klasët e gjuhës shqipe.
“Kur isha me gjyshërit ose familjarë tjerë, edhe pse ata flasin anglisht kishte momente që përdornin fjalë shqipe. Unë qëndroja aty dhe nuk kuptoja, vazhdimisht i pyesja se çfarë po thonin. Diçka kuptoja, diçka jo. Ishte e vështirë. Më mërziste fakti që nuk isha e mirë në të folur dhe më dukej se humbisja shumë”, thotë ajo.
Por pas disa orë mësimi, Miranda e cila e ka dëgjuar shqipen gjithë jetën nga të afërmit dhe komuniteti, ka filluar të flasë shqip.
“Jam e lindur në Nju Jork, por familja ime vjen nga Malësia. Deri tani nuk e kam ditur gjuhën shqipe mirë dhe tani vendosa të mësoj. Në fillim është e vështirë por me kohë mësohet”, thotë Miranda në gjuhën shqipe.
Programi i Platformës “Mëso Shqip” përbëhet nga 10 nivele, ku secili nivel përbëhet nga 36 orë. Klasat organizohen me vetëm një nxënës në orë.
Për Zërin e amerikës, Burim Goxhuli, Uashington
Komentet