Lajme të këqija vijnë për Kievin nga përfundimet e votimeve evropiane. Shumica e rrjeshtuar në dobi të Ukrainës në thelb ka qëndruar, por përparimi i të djathtave më skajore ka shkaktuar tek neve ndonjë lëkundje jo të lehtë tërmetore e në Rusi një gjëndje dalldie. I pari e ka ngritur gotën Marat Bashirov, i vetshpallur që në 2014 kryeministër i Republikës popullore të Luganskut: “Ditë e bukur” ka thënë, “Në Kremlin po hapin shishet e shampanjës”. Ata rezultate ”prishin dukshëm klimën e konferencës zvicerano – ukrainase e të takimit të nivelit të lartë të NATO-s”. Dhe përbëjnë provën se “qytetarët evropianë nuk duan të luftojnë kundër Rusisë”. Humbjet e Makronit e të Scholzit, simbas shumë të njohurit Dimitër Medvjedev, “janë një pasqyrim i pazotësisë politike të tyre në mbështetje të autoriteteve ukrainase”. Për më tepër, ka shtuar Medvjedevi duke i shkelur syrin të djathtave më skajore, “të politikave të tyre idiote ekonomike dhe të imigrimit”. Dhimitër Peshkov është treguar i bindur se partitë e së djathtës skajore “do t’i shkelin këmbët” atyre që duan të vazhdojnë të mbështesin Zelenksin. E kështu me rradhë.
Bën përshtypje që lëvdata dhe inkurajime (herë herë edhe financime) partive që hymnizojnë esesët vijnë nga një Vend që, prej dy vitesh e katër muajsh, kryen çdo ditë ploja me qëllim të “çnazifikojë” Ukrainën.
Ndërmjet mbështetësve të çështjes ruse (në emër të paqes, merret vesh) të jetë ndonjë – makar një antifashist i sinqertë – që të shkandullohet nga ky solidaritet i hapur forcave që haptas i thërrasin përvojës hitleriane. Ndonjëri – me që ra fjala – nga ata që dy vjet më parë me të drejtë u lebetitën në prani të simboleve naziste të pikturuar mbi krahët e luftëtarëve të batalionit Azov, apo të riabilitimit të Stepan Banderës, në emërimin e një sheshi apo të një rruge, asnjë prej tyre nuk i ka vënë re fjalëve të kërshërimta të Bashirovit, Medvjedevit, Peshkovit apo shumë të tjerëve “çnazifikues” besnikë të Putinit.
Gjenerali Roberto Vannacci do të jetë ai që do të mbajë lart flamurin e “paqësorizmit” italian në Parlamentin e ri evropian. Më i votuari ndërmjet mbështetësve – simbas asaj që ai vetë deklaron – i “arsyeve të papës Francesco” (e, natyrisht të Matteo Salvinit). Përballë tij, për këtë mision do të kishte më shumë tituj – për shembull ish drejtori i Avvenire-s Marco Tarquinio kandidat në listat e PD – “populli i paqës” u tregua më pak bujar duke bërë të rrezikojë gazetarin e shquar, të mbetej i përjashtuar nga lista e të zgjedhurve. Në të njëjtën mënyrë ky trup zgjedhor që në social apo në media letre shprehet me ngulm për ndërprerjen e furnizimeve me armë qëndrestarëve ukrainas, këta zgjedhës, thonim, nuk janë treguar mirënjohës kundrejt më luftarakëve për vetë çështjen e tyre: Michele Santoro, Jasmine Cristallo, Ginevra Bompiani, karikaturisti Vauro, Raniero La Valle. Si shpërblim Vannacci mund të bashkëndajë – gjithnji në Parlamentin evropian – barrikadat kundër Zelenski me Cecilia Stradën, Ilaria Salis e hamendësojmë me Pasquale Tridico që ka fituar një vend në Strasburg në sajë të L5Y.
Ky bashkim ndërmjet së majtës paqësore dhe gjeneral Vannaccit – në llogari të të cilit, të jetë e qartë, nuk rezultojnë as vlerësime publike dhe as pagesa nga ana e rusëve – është kremtuar në tv nga një përqafim (së largu) ndërmjet tij dhe Angelo D’Orsit. Profesor D’Orsi, edhe ai, duhet thënë në mënyrë po aq të qartë, pa marrë përgëzime apo financime nga Moska – lufton burrërisht e ndonjëherë me argumentë bindës në ballin paqësor.
Ajo që habit është ndieshmëria e pakët e paqësorëve tanë kundrejt përparimit të partive të djathta, edhe skajore, dhe kënaqësia e dukëshme kur shikojnë të poshtëruar udhëheqësit evropianë, të cilët pak ditë më parë kremtuan tetëdhjetëvjetorin e zbarkimit në Normandi. Një zbarkim, rëndësia e të cilit, ndërmjet të tjerash është vënë në lojë në disa botime që çojnë në rrjeshtimin e tyre.
E gjithë kjo është shoqëruar nga një urim – edhe ai i hapur – që tjetri personazh i pranishëm në Normandi, presidenti Shteteve të Bashkuar Joe Biden, të humbë zgjedhjet e nëndorit në dobi të kundërshtarit Donald Trump, që ai po, do të dinte të gjente “paqën” sa hap e mbyll sytë. Nuk guxojmë as t’a përfytyrojmë në çfarë kushtesh për Zelenskin dhe për ata që kanë luftuar deri sot për pavarësinë e integritetin territorial të Vendit të tyre.
Nga ky kuadër i vogël nxjerrim mësimin se Evropa (ajo që, mbas votimeve, mbetet në këmbë nga Evropa) ka katër muaj kohë – nga tashti e deri në nëndor – për t’u vënë në rregull me vetveten. Kështu për t’u gjendur kur të mbahen votimet presidentore në Shtetet e Bashkuar (dhe ka ende ndonjë arsye për të qënë pohenikë) e gatëshme për të bërë pjesën e vet deri në fund. E mund të dilte jashtë diçka e mirë, përtej Ukrainës, për vetë Evropën. Do të thotë për t’ardhmen tonë.
“Corriere della Sera”, 12 qershor 2024 Përktheu Eugjen Merlika