Një përbindësh i zi vërtitet mbi botë
Hije e zezë. E padukshme. Mister i zi…
Endet mbi koren e tokës.
Kërkon të ushqehet me mish njerëzor.
Askush nuk e sheh. Ai na sheh të gjithëve…
Eshte i padukshëm,
ajror.
Nga na doli tani ky përbindësh i zi,
virusor?
Papritur ndalën avionët, trenat,
ndalën tragetet e mëdha në oqeane.
Ndali njeriu në rrugët e qyteteve. Vuri veshin të dëgjojë
ulërimën e tërbuar të përbindëshit të zi…
Ishim lajmëruar qysh në Babiloninë e lashtë
kur përbindëshi i zi i veshur si kafshë, tha:
”Ra Babilonia!
-Babilonia ra!?
Tashmë ky përbindësh i zi, ogurzi,
vërtitet rrugëve të qyteteve tona.
As ulërin, as thërret,
vjen tines. Hije e fshehtë.
Ne mbyllim dyert të mos na hyjë nëpër apartamente,
mbyllim sytë që të mos e shikojmë si na qepet në trup,
mbyllim veshët që të mos dëgjojmë ulërimën e të vdekurve
që s’ka kush t’i shoqërojë për në varreza.
Përbindëshi pushton, dalëngadalë,
Azinë, Europën, Kanadanë, Amerikën….
Janë mbyllur supermarketet dhe superstradat,
Janë ndalur trenat, trolejbuzët, tragetet…
Vetëm lulet e kumbullës ne oborrin tim dhe gjithë lulet e botës,
nuk duan t’ia dinë çfarë është frika.
Po ne jemi të fortë!
Njerëzimi është i fortë.
Njerëzimi që gjatë shekujve mposhti male dhe dete,
mposhti pyje dhe oqeane, qiej, dete dhe planete…
s’ ka si të mos ta mposhtë këtë përbindësh të zi.
Dëgjoni… Në këto netë të kthjellëta marsi
dikush rri përkulur mbi libra dhe ca tubo prej xhami
Janë njerëz me bluza të bardha
që përgatisin në heshtje
helmin e bardhë,
për përbindëshin e zi.
Komentet