Një opozitë për ta pirë në kupë, do të thoshte ndokush tjetër. Për ta pirë me gllënjka dhe për të mos e mbaruar kurrë.
Asnjë qeveri nuk mund ta kishte këtë komoditet që e ka qeveria e Ramës përballë një zhvillimi kaq të shumëpritur nga 91 për qind e shqiptarëve, siç është Reforma në Drejtësi.
Cilado opozitë që do të punonte për interesin e ardhjes së saj në pushtet, që do të ishte edhe interesi i shumicës së qytetarëve, do ta kishte pasur rast të papërsëritshëm një situatë si kjo e Reformës në Drejtësi. Me veprimet e saj, me taktikat e saj do ta kishte vënë me shpatulla për mur gjatë gjithë kohës koalicionin qeveritar dhe do ta kishte mbajtur të mbërthyer në Kuvend derisa ta miratonte këtë akt kaq të madh dhe kaq vendimtar për fatin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.
Opozita në Shqipëri e ka marrë mbi vete gjithë përgjegjësinë e mosmiratimit të Reformës në Drejtësi. Ajo iu ka shërbyer taktikave të blerjes së kohës për hir një koniunkture të përshtatshme kur trysnia ndërkombëtare të jetë zbutur dhe kundërshtimi i Reformës të jetë më i lehtë.
Dihet sa komode është për një qeveri kur opozita e merr mbi vete trysninë e faktorëve të interesuar për një çështje të caktuar. Qeverisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë deklaratën e radhës ku të shprehë habinë ndaj qëndrimeve të opozitës dhe gatishmërinë e saj për ta miratuar Reformën pa ia kursyer asaj asnjë nga votat që ka në dispozicion koalicioni qeveritar.
Opozita, në çdo rrethanë, për shkak të raportit të saj me pushtetin, është faktori më i patrysnueshëm dhe i më i pafajsueshëm në politikën e një vendi. Aq më tepër, një opozitë e papërgjegjshme që llogarit vetëm ruajtjen e privilegjeve të kohës kur ishte në pushtet, është një kokëçarje e vërtetë për çdo palë bashkëbiseduese nga radhët e partnerëve dhe aleatëve. Një opozite që nuk mban përgjegjësi ndaj votave që ka marrë, që nuk i përmbahet misionit të saj për të qenë shpresë e rrugëdaljes së një shoqërie, është tejet e papërshtatshme për çdo palë bashkëbiseduese, është harxhim kohe, harxhim fryme.
Një opozitë, e mbushur plotepërplot me komitetqendrorsa dhe sigurimsa, është e inkriminuar deri në majë të kokës nga tetë vitet e qeverisjes së saj. Në tri vite, socialistët, në një garë të shfrenuar, i kanë arritur dhe i kanë tejkaluar ritmet e inkriminimit. Krimi është kauza e përbashkët e qeverisë dhe e opozitës. Ato janë njësoj të rrezikuara nga një Reformë në Drejtësi ku rol vendimtar do të kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Opozita kudo është një pasuri kombëtare, është një thesar për demokracinë. Në Shqipëri, opozita është aset i qeverisë, është thesar i qeverisë.
Në fakt, siç e kam theksuar herë të tjera, është një lojë e ligë, tinëzare, e pabesë e politikës së Tiranës ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Duke i ditur zhvillimet në Bashkimin Evropian, siç ishte Brexiti dhe rrethanat që krijon ai, apo afrimi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfundimi i mandatit të administratës aktuale amerikane, politika e Tiranës ka luajtur lojën ku qeveria është fshehur pas opozitës, pas baletit që kjo ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe, sidomos muajve e javëve te fundit.
Nëse do të ishte shumica ajo që do të kërkonte një rol spektatorësh të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Reformën në Drejtësi, ky do të ishte një akt tejet flagrant, njëzëri i dënueshëm dhe i pafalshëm. Kur e kërkon këtë gjë opozita, gjithsesi politikës i sigurohet së paku një kokë struci në rërë sa të kalohet nga një koniunkturë më e pafavorshme në një koniunkturë më të favorshme të krimit.
Një rol spektorësh i partnerëve perëndimorë do të thotë që politika në Shqipëri të ndajë pa merak pushtetin e krimit, dmth priviligjet e majme mafioze, ndërsa partnerët të kufizohen me dhënie opinionesh. Kështu reforma do të ishte një antireformë e radhës, si ato të këtyre 26 viteve të tranzicionit.
Komentet