Kirchner-i u kthye në vendlindje në verën e vitit 1919. Përveç Urdhrit të Maria-Terezës, gjatë Luftës së Parë Botërore, Kirchner u dekorua edhe me Kurorën e Hekurt të Klasit III, Kryqin e Fitores Ushtarake Klasi III, i shoqëruar me dekoratën e luftës me Shpata, Medaljen e Trimërisë (njëherë në bronc dhe dy herë në argjend) si edhe Medaljen e Plagosjes me pesë vija.
Në vitin 1920, kapiteni Kirchner figuronte ende në organikën e Regjimentit 27, por nuk u riemërua përsëri në ushtri. Deri në vitin 1928 ai punoi si biznesmen dhe përfaqësues i shumë firmave në Gracë të Austrisë.
Angazhimi në ushtrinë shqiptare: 1928-1939
Ndonëse Kirchner-i gjatë Luftës së Parë Botërore nuk luftoi në Teatrin Shqiptar të Luftës, në vitin 1928, qeveria shqiptare e ftoi atë të shërbente si oficer aktiv në ushtrinë shqiptare. Propozimin e bëri ish-koloneli i ushtrisë perandorake dhe mbretërore austro-hungareze Gustav von Myrdacz (Gustav Myrdac–shqiptarët e thërrisnin Mirdash). Në fund të karrierës së tij në ushtrinë austro-hungareze ai kishte shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë austro-hungareze. Në kohën kur shërbente në Shqipëri në vitet 1916-1917 Myrdacz-i ishte njohur me Ahmet Zogun, i cili drejtonte një trupë vullnetarësh shqiptarë që luftonin përkrah trupave austro-hungareze. Pas lufte, në vitin 1922, Ahmet Zogu, tashmë Ministër i Brendshëm, organizoi marrjen e Myrdacz-it në ushtrinë shqiptare.
Ardhja e Baron Kirchner-it – siç e thërrisnin shqiptarët – ndodhi në një kohë kur ushtria shqiptare po përfshihej në një fazë të rëndësishme organizimi. Ai ishte pjesë e thuajse 180 oficerëve të huaj, kryesisht italianë, që u punësuan nga qeveria shqiptare, me qëllim ngritjen e një ushtrie profesioniste sipas modeleve të ushtrive perëndimore.
Qeveria shqiptare planifikonte të hapte në vitin 1928 një shkollë kadetësh. Programi mësimor i shkollës do të ishte i ngjashëm me atë të Akademisë Ushtarke Tereziane në Wiener Neustadt (Theresianische Militärakademie, Wiener Neustadt). Fillimisht ishte menduar që Kirchner-i duhej të punonte në fushën e edukimit dhe arsimimit të kadetëve të rinj shqiptarë.
Gjithsesi, hapja e kësaj shkolle u shty për një kohë më të vonë dhe qeveria shqiptare e ngarkoi Kirchner-in me detyra të tjera, e kryesisht me përgatitjen e mbrojtjes kombëtare. Në shenjë vlerësimi të shërbimit dhe aftësive të tij shumë të mira, Mbreti Zog e dekoroi atë në vitin 1929 me Urdhrin e Skënderbeut të Klasit III. Po në këtë vit, Kirchner u emërua në funksionin e Oficerit të Parë të Shtabit. Në këtë detyrë Kirchner-i punoi më tepër në drejtim të organizimit të ri ushtarak të ushtrisë shqiptare dhe për sigurimin e kufijve të shtetit shqiptar. Përsa i përket këtyre çështjeve, ai do të shprehej më vonë se, në të kundërt të këshilltarëve ushtarakë italianë dhe britanikë, ai “si austriak nuk ndiqte ndonjë kurs të caktuar interesi për atdheun e tij (Austrinë)”. Këtë gjë e vërteton edhe fakti që ai shumë shpejt fitoi besimin e Ahmet Zogut. Kirchner-i mori nga Austria uniforma dhe pajime ushtarake dhe përcaktoi kështu edhe modelin e uniformës së ushtrisë shqiptare, e cila ishte pothuajse një kopje e përsosur e uniformave të vjetra të ushtrisë austro-hungareze.
Përveç kësaj, ai gjeti edhe një dirigjent ushtarak nga Çekia, i cili luante me bandën e tij marshe austriake, “ç’ka më bënte mua të ndjehesha si në një garnizon austriak kur gjendesha i ulur në zyrën time, ndërkohë që në oborr shqiptarët e mbarë marshonin nën tingujt shumë të njohur për mua të marsheve ushtarakë” do të shkruante më vonë Kirchner-i.
Gjatë bisedimeve shqiptaro-jugosllave të vitit 1929 në Shkodër për përcaktimin e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, Mbreti Zog e caktoi Kirchner-in përfaqësues ushtarak të Shqipërisë. Ai së bashku me homologun e tij jugosllav, i cili po ashtu ishte një ish-oficer shtabi i ushtrisë austro-hungareze, kuptoheshin dhe binin dakord me propozimet e njëri-tjetrit më shpejt se diplomatët.
Në vitin 1931 ushtria shqiptare kaloi në një strukturë të re. Në këtë kuadër, Kirchner-i u gradua Major dhe u emërua njëkohësisht në postin e rëndësishëm të shefit të Zyrës së Personel-Rekrutimit. Detyra e tij kryesore ishin çështjet e rekrutimit dhe mobilizimit të ushtrisë shqiptare, e cila në këtë kohë kishte një efektiv prej afro 10.000 vetash. Disa vite më vonë Kirchner-i mori edhe gradën e Nënkolonelit.
Përkrah pjesëmarrjes aktive për ngritjen e ushtrisë shqiptare, Kirchner-i po ashtu ndjehej shumë i lidhur me atdheun e tij dhe ndiqte me interes edhe zhvillimet politike në Austri. Ndërkohë Austria kishte kaluar dy luftëra civile (Në shkurt dhe korrik 1934) dhe që prej vitit 1934 nuk ishte më Republikë, por një „Ständestaat“ (shtet klasor) që udhëhiqej nga „Fronti i Atdheut“ (Vaterländischer Front) si një lloj Parti-Shtet.
Sekretariati i Përgjithshëm i Frontit të Atdheut emëroi Kirchner-in me Dekretin Nr. 5002, Pr/35d, datë 7 maj 1935 kryetar të Shoqatës “Fronti i Atdheut” në Shqipëri: “Ashtu si italianët kanë krijuar në Shqipëri klubin e tyre «Fascio» dhe gjermanët «Nacionalsocialistët», shpresoj që Ministria Juaj nuk ka ndonjë kundërshti që edhe austriakët të kenë në Tiranë klubin e tyre” shkruante Kirchner-i në lutjen e tij për hapjen e shoqatës drejtuar Ministrisë së Brendshme.
Por situata e brendshme politike shqiptare ishte tejet e çoroditur! Ndikimi politik dhe ekonomik i Italisë po merrte përmasa gjithnjë e në rritje duke u kurorëzuar me pushtimin e Shqipërisë, më 7 prill 1939. Si pasojë familja mbretërore dhe Mbreti Zog u arratis nga Shqipëria.
Kirchner-i së bashku me Myrdacz-in e shoqëruan kolonën e Mbretit Zog prej afro 600 civilësh dhe ushtarakësh, nga Tirana deri në kufirin shqiptaro-grek, në Kapshticë. Ata vendosi të mos e shoqëronin Zogun në azil, por të ktheheshin te familjet e tyre në Tiranë. Kirchner shkruan në vitin 1949 se, kolona e Mbretit Zog u largua në drejtim të kufirit grek nën një presion të madh luftarak. Gjithsesi, historiografia shqiptare nuk e përmend që Mbreti Zog gjatë arratisjes së tij për në Greqi është luftuar qoftë nga shqiptarët apo italianët.
Pas pushtimit italian të Shqipërisë. Kirchner-i mendonte se, si përkrahës besnik i Mbretit Zog, do të arrestohej ose ekzekutohej. Për çudinë e tij italianët i propozuan që të bëhej pjesë e administratës së re dhe të qëndronte në radhët e ushtrisë shqiptare. Meqenëse edhe miqtë e tij shqiptarë ju lutën të mos i linte ata në baltë, Kirchner-i qëndroi në Shqipëri deri në vitin 1940. Pasi ai nuk pranoi të merrte nënshtetësinë shqiptare (pas bashkimit të Austrisë me Gjermaninë në vitin 1938 ai ishte nënshtetas gjerman), në korrik 1940 Kirchner-it ju pagua edhe një rrogë vjetore shtesë dhe u lirua nga ushtria. Pas këtij akti ai u kthye në Gracë të Austrisë. Sipas burimeve arkivore shqiptare, largimi i tij nga ushtria u bë me ndërhyrjen e instancave të pushtetshme gjermane. Ish deputeti Jashar Erebara, një mik i Kirchner-it shkruan se gjermanët e dëbuan Kirchner-in sepse u kishte thënë atyre që jam gjerman por edhe oficer i ushtrisë shqiptare.
Edhe pas kthimit në Gracë, Kirchner-i mbikëqyrej nga zyrat e shërbimit nacionalsocialist dhe, pasi u konstatua me bindje të theksuara monarkiste, u klasifikua si “politikisht i pabesueshëm”. Kështu që ai nuk mund të shërbente në ushtrinë gjermane dhe punoi në një dyqan automobilash që e kishte vëllai i tij, Friedrich.
Nga pushtimi italian në atë gjerman: Shqipëria 1943-1944
Është tashmë e njohur që në vitet 1942-1943 fati i luftës u kthye kundër Fuqive të Boshtit Qendror. Në Frontin e Lindjes dhe në Afrikën e Veriut Gjermania po i pësonte disfatat njëra pas tjetrës. Më 10 qershor 1943 trupat aleate zbarkuan në Siçili (Operacioni “Husky”). Më 25 qeshor 1943 Benito Mussolini u arrestua dhe si pasojë, më 3 shtator 1943 në Cassibile, pranë Sirakuzës në Siçili, Italia u detyrua të nënshkruajë kapitullimin. Si pasojë trupat gjermane hynë në Itali dhe po ashtu pushtuan edhe Shqipërinë dhe Greqinë, që deri në këtë kohë ishin të pushtuara nga Italia.
Më 9 shtator 1943 Shqipëria u pushtua nga forca të Korparmatës II Tankiste gjermane. Me ndihmën e gjermanëve u krijua një qeveri shqiptare pro-gjermane, e cila duhej të kujdesej për ruajtjen e rregullit dhe qetësisë ne vend. Po ashtu, ajo duhej të siguronte krahët e dy divizioneve gjermane nga sulmet partizane. Detyra kryesore e trupave gjermane në Shqipëri ishte ruajtja e vijës bregdetare shqiptare nga ndonjë zbarkim i mundshëm aleat dhe mbajtja e Shqipërisë nën pushtim me sa më pak forca të ishte e mundur. Është tashmë e qartë që kjo ishte një nevojë jetike për gjermanët, të cilëve u duheshin trupa në frontet kryesore të luftës.
Gjatë ngritjes së aparatit pushtues gjerman u krijuan edhe struktura paralele administrative. Përkrah atyre shqiptare, siç ishin Këshilli i Lartë i Regjencës, Qeveria dhe Parlamenti, bazuar në përvoja të tjera më te hershme, gjermanët ngritën edhe strukturën e “Gjeneralit të Plotfuqishëm Gjerman në Shqipëri”. Kjo ishte një strukturë e mirëfilltë ushtarake. Struktura kryesore drejtuese gjermane ishte ajo politike dhe drejtohej nga “I Dërguari i Posaçëm i Ministrisë së Jashtme për Europën Juglindore”, Hermann Neubacher.
Duke pasur parasysh lidhjen e ngushtë të Austrisë me vendet e Europës Juglindore në tërësi dhe me Shqipërinë në veçanti, nuk është aspak e habitshme që shumë përfaqësues të lartë të instancave gjermane ishin austriakë. Hermann Neubacher kishte qenë Kryetar i Bashkisë së Vjenës. Përfaqësuesi i tij për ekonominë Dr. Karl Gstöttenbauer ishte po ashtu austriak. Edhe përfaqësuesi i Himmler-it në Shqipëri SS-Gruppenführer-i (Gjenerallejtnant) Josef Fitzthum, një ish-Toger i Luftës së Parë Botërore, kishte qenë në vitet 1938-1940 Zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë së Vjenës. Po ashtu, edhe personazhe të tjerë të rëndësishëm në pushtimin e Shqipërisë si Komandanti i Armatës II Tankiste, gjeneralkoloneli Lothar Rendulic, gjenerali i trupave alpine Franz Böhme dhe gjenerali i artilerisë Maximilian de Angelis ishin austriakë.
Përsëri në shërbim të Shqipërisë 1943-1944
Në kuadër të riorganizimit të qeverisë shqiptare nën pushtimin gjerman, në vjeshtën e vitit 1943 filloi puna për ngritjen e një ushtrie shqiptare. Ky ishte një zhvillim që u ndoq jo pa interes nga Kirchner-i, për më tepër që pas 24 vitesh martese të lumtur, bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë dhe atij i duhej të merrej me punë për të harruar dhimbjen. Me shumë gjasa ishte ish-atasheu tregtar i konsullatës gjermane në Tiranë Franz Edler von Scheiger (po ashtu një ish-oficer i ushtrisë austro-hungareze dhe njohës shumë i mirë i gjuhës dhe kulturës shqiptare) ai që e prezantoi Kirchner-in personalisht te Hitler-i si një ekspert të shkëlqyer ushtarak dhe me një përvojë disa vjeçare pune në Shqipëri. Në vitin 1949 Kirchner-i do të deklaronte se gjatë bisedës, Hitler-i kishte shfaqur rezerva ndaj tij, sepse ai ishte legjitimist dhe ishte i klasifikuar nga zyrat përkatëse nacionalsocialiste si “jo i dobishëm”. Megjithatë, më 27 shtator 1943, Kirchner-i u thirr në degën e Kundërzbulimit XVIII në Gracë dhe u vu në dispozicion të Grupit të Forcave Tokësore Jug, por si civil dhe jo si oficer me uniformë gjermane! Ai u caktua në Komandën 111 të Kundërzbulimit gjerman si “Këshilltar Civil i Gjeneralit të Plotfuqishëm Gjerman në Tiranë”. Më tej Këshilli i Lartë i Regjencës e gradoi Kirchner-in Kolonel duke e emëruar në të njëjtën kohë Zëvendësshef i Shtabit në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare. Shef Shtabi ishte eprori dhe miku i tij i vjetër, Myrdacz, tashmë me gradën Gjeneral.
Përgjegjësit kryesorë për organizimin dhe ngritjen e ushtrisë shqiptare ishte Kryetari i Regjencës Mehdi Frashëri dhe Ministri i Brendshëm Xhaferr Deva. Deva ishte jo vetëm një person i besuar i gjermanëve, por po ashtu edhe një besnik i politikës pushtuese gjermane në Shqipëri. Në kohën që ngritja e ushtrisë shqiptare po dështonte, ose të paktën nuk po zhvillohej sipas kërkesave dhe pritshmërisë së gjermanëve, gjenerali-SS në Shqipëri Fitzthum në bashkëpunim me Xhaferr Devën filloi punën për ngritjen e një Divizioni SS në Kosovë, i cili do të quhej Divizioni 21 i Këmbësorisë Malore i Armës –SS “Skanderbeg”.
Përkrah kësaj strukture, Komanda e Mbrojtjes Kombëtare vazhdonte përpjekjet e saj për ngritjen e një ushtrie shqiptare. Ishte detyra e Kirchner-it, i cili tashmë ishte i ambientuar me kushtet shqiptare, të merrej me ngritjen e kësaj strukture. Sipas konceptit të tij, kjo strukturë ushtarake nuk duhej të përdorej si një mashë në dorë të interesave gjermane por duhej ti shërbente në radhë të parë qeverisë shqiptare. Kirchner-i bashkëpunoi ngushtë me Mehdi Frashërin, i cili ishte në një konflikt të hapur me Xhaferr Devën. Përkrah shumë mosmarrëveshjeve midis tyre, marrëdhëniet e tyre i tensiononte edhe mosmarrëveshjet për detyrën dhe misionin që duhej të kishte ushtria shqiptare.
Puna e Kirchner-it dhe qëndrimet e tij antigjermane nuk kaluan pa rënë në sy nga instancat ushtarake gjermane në Tiranë. Më 8 janar 1944, Komandanti i Korpusit XXI Malore, gjenerali Gustav Fehn i raportonte Shefit të Shtabit të Korparamtës 2 Tankiste gjeneralit Helmuth von Grolmann si më poshtë: “Në këtë Komandë (Komanda e Mbrojtjes Kombëtare) ndodhet një Baron von Kirchner. Ai është në është në dispozicion të Gjeneralit Gjerman në Shqipëri. Ardhja e tij është kërkuar nga ky i fundit dhe është miratuar nga instancat e larta përkatëse. Ai është kolonel shqiptar dhe për mendimin tim është një tradhtar i rëndomtë. Ai nuk është oficer gjerman dhe nuk përfaqëson interesat tona. Unë e konsideroj atë Zogist. (…) E vlerësoj shumë të rëndësishme që ky njeri duhet të largohet sa më parë prej këtej. Ai është si një Jezuit, nuk thotë asgjë por i dëgjon të gjitha. Por ai asnjëherë nuk ka ardhur te mua dhe të thotë diçka për situatën”.
Interesi i madh i instancave gjermane në ndërtimin e ushtrisë shqiptare konsiston më së shumti në luftën që duhej të bënin këto formacione ndaj partizanëve dhe lehtësimin e forcave gjermane nga kjo detyrë. Situata ishte e paqartë, shqiptarët mendonin se shpejt do të pasonte një zbarkim i trupave aleate në Shqipëri. Kështu që Komanda e Mbrojtjes Kombëtare ndiqte një politikë tejet pragmatiste. Gjenerali Fehn po ashtu i raportonte eprorëve të tij që “njerëzit besojnë se do të zbarkojnë aleatët. Megjithatë kjo shpresë duhet t’ju jetë zbehur disi dhe ata mendojnë se kjo gjë nuk mund të ndodhë pa ardhur pranvera. Prandaj, ata mbajnë një qëndrim miqësor ndaj nesh, punojnë për veten e tyre dhe më vonë, xhandarmëria, në bashkëpunim me njësitë komuniste të na presin rrugën e të na godasin nga shpina”.
Kirchner-i jo vetëm që ishte kundër instrumentalizimit të trupave shqiptare nga gjermanët, por po ashtu, siç vlerësonte me të drejtë gjenerali Fehn në raportin e tij, në momentin e duhur këto formacione shqiptare duhej të ktheheshin kundër gjermanëve. Kësisoj gjermanët e panë të arsyeshme që Kirchner-i duhej të largohej urgjentisht nga Shqipëria.
Ministri Neubacher, me të marrë këtë njoftim urdhëroi që Grupimi i Forcave Tokësore F të organizonte menjëherë tërheqjen e Kirchner-it në Beograd. Arsyeja duhej të mbahej e fshehtë dhe vetëm pasi Kirchner-i të kishte mbërritur ne Beograd, ti komunikohej se nuk i lejohej të kthehej përsëri në Tiranë. “Le ti jepet atij një mundësi për të treguar vetën në fronte të tjera (…) dhe kështu Kirchner-i mund ta justifikojë me mirë largimin e tij tek shqiptarët” shkruante Neubacher-i.
Ndoshta arsyeja kryesore e largimit të tij kishte të bënte me faktin se, Kirchner-i së bashku me një oficer shqiptar, Sami Kokën, kishin kundërshtuar idenë e gjermanëve për të rekrutuar rreth 11.000 ushtarë shqiptarë e për ti dërguar ata më vonë në frontin rus të luftës.
Më 24 janar 1944 Kirchner-i u urdhërua që në datën 27 janar, pra tre ditë më vonë, të paraqitej në Beograd te Komandanti i Grupimit të Forcave Tokësore F, gjenerali Maximilian von Weichs. Kirchner-i u interesua të merrte vesh shkakun e këtij urdhri, por atij ju tha se “ndoshta bëhej fjalë për ndonjë çështje personale”.
E vërteta u fsheh në mënyrë që ai të mos kishte mundësi të merrte masa kundër dëbimit të tij. Largimi i tij duhej të mbahej i fshehtë edhe nga frika e protestës së instancave qeveritare shqiptare. Për të mos dështuar plani, Kirchner-i u mbikëqyr pa pushim nga shërbimi i fshehtë gjerman deri në largimin e tij. Po ashtu, përveç shoferit, u urdhërua që Kirchner-i gjatë udhëtimit të shoqërohej edhe nga dy oficerë gjermanë.
Kirchner-i u nis nga Tirana më 25 janar. Në Shkodër makina e tij u përfshi në një aksident. Sipas të dhënave të tij të mëvonshme, shoferi u fut me shpejtësi në një kthesë të ngushtë dhe makina doli nga rruga duke u rrokullisur. Të gjithë ushtarakët i mbijetuan aksidentit, por Kirchner-iu dërgua në spitalin fushor të ushtrisë gjermane në Shkodër me dëmtime të lehta në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore. Ende pa u shëruar mirë Kirchner-i, i shoqëruar nga dy roje u dërgua në Beograd dhe siç e përshkruan edhe ai vetë ky “ishte një udhëtim disa ditor dhe shumë i dhimbshëm”.
Më 13 shkurt 1944, Oficeri i Kundërzbulimit në Beograd i komunikoi atij se qëndrimi i tij në Shqipëri “nuk ishte më i nevojshëm” dhe Kirchner-i u lejua të kthehej në Gracë të Austrisë.
Me këtë veprim përfundoi edhe shërbimi 12-vjeçar i tij në Shqipëri. Në një farë mënyre, largimi i tij me forcë nga Shqipëria e shpëtoi atë. Shoku i tij i vjetër, gjenerali Myrdacz (siç edhe vetë Kirchner shkruan: “ky oficer i mirë dhe fisnik, shumë i formuar dhe me një kontribut shumë të madh në Shqipëri”), qëndroi në Shqipëri dhe në vitin 1945 u kap nga partizanët dhe pas një gjyqi të shpejtë u ekzekutua me vdekje për tradhti dhe bashkëpunim me pushtuesit, sepse ai e kishte marrë nënshtetësinë shqiptare. Është për tu nënvizuar fakti që, në gjyq ai nuk u akuzua për rolin dhe ndihmën e tij në krijimin e Divizionit SS “Skanderbeg” – siç besohet sot ende në Austri.
Pasi u kthye në Gracë, Kirchner-i, tashmë i martuar për herë të dytë, u arrestua nga Gestapo-ja pas atentatit ndaj Hitler-it më 20 korrik 1944. Pasi u mor në pyetje për pesë ditë me radhë ai u lirua, por vazhdoi të mbahej nën mbikëqyrje. Ai do të punonte në dyqanin e automobilave të vëllait të tij.
Hermann Kirchner, Ish-kapiteni i ushtrisë perandorake dhe mbretërore austro-hungareze dhe Koloneli i ushtrisë shqiptare vdiq më 8 mars 1953 në Gracë të Austrisë.
*Historian
Komentet