Voal.ch – # THURJE është një nismë e qytetarëve të lirë te cilet besojne se perballe nje klase politike te organizuar duhet te vendoset nje shoqeri e organizuar. Kjo nismë ka faqen e vet në rrjetin social dhe mban qendrime për çka ndodh në Shqipëri. Një nga ngjarjet më të fundit që fokusohet Nisma # Thurje është djegia e Bibliotekës Kombëtare. Drejtoresha e e këtij institucioni Persida Asllani doli menjëherë dhe deklaroi për mediat se nuk ka djegie të rëndësishme, ndërsa fotografia e zjarrëfikësit tregon vështirësitë e situatës me të cilën është përballur.
Ndërkohë një studiues arti i cituar sot nga RD thotë se “zjarri ka shkrumbuar edhe disa dokumenta të rralla që ishin depozituar në Bibliotekën Kombëtare nga Biblioteka e Korçës për shkak se kjo e fundit po restaurohet. “Janë djegur tre kodikë të shekullit XVI-XVII të Manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit Vithkuq të Kishës së Postenanit Leskovik dhe Kishës së Shën Thanasit Voskopjë. Dorëshkrimet e Profesor Spiro Konda, studime pellazgjike, pesë ungjilla me kapakë ari e argjendi të shekullit XVIII. Fondet e Liceut Francez Korçë, etj. Këto dokumenta të rralla ishin depozituar në Biblikotekën Kombëtare nga Biblioteka e Korçës, pasi është në restaurim”.
Nisma #Thurje ka botuar në rrjetin social foton e një zjarrëfikës shoqëruar me komentin e mëposhtëm: “Heronjte e heshtur te Shqiperise! Ky zjarrfikes dje luftoi me flaket e Bibliotekes Kombetare. Luftoi dhe fitoi….Pasi shpetoi librat, u ul ne nje cep i derrmuar, te pushonte. Kamerat dje na treguan drejtoreshen, personifikimin e papergjegjshmerise dhe heronjte e ngjarjes si zakonisht i lane ne heshtje. Ne heshtje dhe me paga mizerabel. Perulje dhe respekt per keta njerez, te cilet jane te shumte ne Shqiperi por nuk marrin kurre vemendjen qe meritojne!”
Fotoja e vendosur nga Nisma# Thurje së bashku me komentin është pëlqyer nga mbi 7 mijë e 300 vetë të rrjetit social dhe është bërë “share”, pra është shpërndarë mbi 500 herë.
Publiku ka shprehur solidarizimin me ndërhyrjen e zjarrëfikësave dhe komentin e Nismës#Thurje.
Deri tani nuk ka asnjë deklarim për shkaqet e zjarrit dhe vlerësimin e pasojave.
Nga ana e saj Biblioteka Kombëtare:
“Ky fakt bëhet me dije një njoftim zyrtar i Bibliotekës Kombëtare.
Në njoftim bëhet me dije se nga të dhënat paraprake rezultojnë të dëmtuara 3 rafte me libra.
Një pjesë e tyre janë botime të Fondit të përgjithshëm në gjuhën shqipe të botuara pas viteve 2000 si dhe botime të Fondit në gjuhë të Huaj. Këto janë të dhënat paraprake, por jo përfundimtare dhe të plota.
– Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është ende pritje të raportit të Ekspertizës.
– Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë thekson edhe njëherë që se nuk janë prekur mjediset ku ruhet fondi i vlerave të rralla dhe arkivi shqip, si dhe Baza e elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-së.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë thekson se duke ndjerë detyrimin për të qenë transparente në informacionet që përcjell për publikun dhe lexuesin, do të vijojë të përcjellë informacioneve të mëtejshme.”
Më poshtë Voal po sjell një kronikë më të zgjeruar përgatitur nga gazeta Shekulli:
Zjarri në Bibliotekën Kombëtare, kronikë e paralajmëruar
Nga Valeria Dedaj
Mungesa e hapësirave në Bibliotekën Kombëtare është një problem i kahershëm. Antikuarë, libra të vjetër në gjuhën shqipe, por jo vetëm prej vitesh sistemohen në bodrumet plot lagështirë. Ndërsa, qeveritë edhe pse ndërrohen vazhdojnë “të vrasin” me vetëdije kulturën e këtij kombi, duke mos trajtuar, si problematik gjendjen e Bibliotekës Kombëtare. Vet ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në dhjetor të vitit 2013, në Komisionin e Medias, shprehu shqetësimin e saj për gjendjen skandaloze të këtij institucioni, ku në mënyrë emergjente duhet të bëheshin ndërhyrje për hapësira të reja. Por, si përherë, gjërat më të rëndësishme në vendin tonë për shkak të burokracive të ndryshme lihen për në fund. Edhe pse është paralajmëruar se do të ketë një prezantim të hapësirave, që do t’i rikthehen BK-së, situata ishte aq emergjente, saqë në mes të ditës ndodhi hataja e madhe. Dje, rreth orës 10.40, ra zjarr në fondin e nëndheshëm të këtij institucioni. Ndërsa, drejtoresha e Bibliotekës, Persida Asllani, në një deklaratë për mediet shprehet se, nuk ka dëme në fondin e librave me vlerë, shkrimtarët, botuesit, studiuesit dhe njerëzit e letrave mendojnë se kjo ngjarje ka qenë e paralajmëruar.
Persida Asllani: Nuk është prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla
Në njërën prej hapësirave të fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dje rreth orës 10.40, nëpërmjet sistemit elektronik të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri u sinjalizua me sirena të brendshme e të jashtme ekzistenca e një vatre zjarri. Menjëherë u ndërmor zbatimi i protokollit zyrtar për të tilla raste, në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikëseve, Policinë e shteti, emergjencave civile dhe shëndetësore. Ky protokoll, nga ana e BKSH-së, parashikon evakuimin e menjëhershëm nga mjediset e bibliotekës. Mbas këtij evakuimi, vetëm një prej punonjësve shfaqi shqetësime të lehta me frymëmarrjen dhe mori shërbimin e menjëhershëm shëndetësor dhe është jashtë rrezikut për jetën. Situata u morr menjëherë në kontroll nga Shërbimi Zjarrfikës, i cili jo vetëm u paraqit me shpejtësi në vendngjarje, por punoi me përkushtim dhe profesionalizëm për vënien nën kontroll sa më të shpejtë të situatës.
Nga të dhënat paraprake nuk na rezulton të jetë prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-s. Në kushtet aktuale është ende herët të dalim në përfundime profesionale mbi dëmet e shkaktuara dhe sapo të na krijohet mundësia ne do të komunikojmë sërish së bashku për të shkëmbyer informacione. E rëndësishme është që sistemi ka funksionuar në të gjitha hallkat e veta dhe falë koordinimit të menjëhershëm të të gjitha strukturave dhe institucioneve, si Shërbimi i Zjarrfikëseve, Policia e shtetit, emergjencat civile dhe specialistët e BKSH-së, situata u vu për pak minuta në kontroll. Bëhet fjalë për libra, që mund të jenë edhe në gjuhë të huaj edhe në gjuhën shqipe, libra që huazohen nga lexuesi, por që besoj se janë të rikuperueshëm. Unë i besoj gjuhës profesionale dhe ekipit profesional. Ne po presim ekipin, që të na jap një përgjigje përfundimtare, por relativisht mund të themi se botimet janë të pas viteve ’90.
Frano Kulli: Niveli i sigurisë në Shqipërinë tonë dihet…
Botuesi Frano Kulli shpreson që deklarata e drejtoreshës së BK-së, se vlerat e rralla nuk janë dëmtuar të jetë i vërtetë. “Uroj që të jetë i vërtetë deklarimi se nuk është dëmtuar fondi i rrallë dhe arkivi, që janë vlera të veçanta, besoj. Uroj megjithë zemër që kjo të mos ketë ndodhë. Edhe pa fatkeqësi të tilla, Biblioteka Kombëtare ka plot halle të tjera, besoj sidomos për mungesë ambientesh. Pa hyrë “thellë” zjarrit, besoj se Biblioteka Kombëtare duhet të jetë ndër objektet e sigurisë së veçantë, ku edhe mbrojtja nga zjarri kërkohet të jetë e veçantë. Po cili është niveli i sigurisë në Shqipërinë tonë, ne të gjithë dimë; në një vend ku “humbet” thesari i shtetit dhe fajtor për këtë gjykohet një gomar dhe një fshatar, ku vidhet Banka e Shtetit dhe Guvernatori shpërblehet me 56 paga, që në vlerë janë, së paku sa 1200 paga mësuesish”!
Ymer Çiraku: Ndërtesa jonë kombëtare, në një vrimë miu
Profesori Ymer Çiraku shprehet se kushtet e BK-së linin për të dëshiruar. Nuk ka asnjë vend, me të cilin mund të krahasohemi, përsa i përket gjendjes së BK-së. “Kudo bibliotekat kombëtare janë të përmasave më të mëdha sesa biblioteka jonë kombëtare. Madje, Biblioteka e Universitetit të Janinës, (universiteti më i fundit i Greqisë), është me pesë kate. Në të ngjitesh dhe zbret në të gjithë fondet me ashensor. Kapaciteti për të lexuar është 500 vende. Ne kemi një ndërtesë nacionale në një vrimë miu; sepse bizneset i kanë zënë hapësirat e saj. Biblioteka është në një furrik, prandaj duhet të ketë një ndërtesë me kushte, hapësira etj”. profesori tregon se në kohën e komunizmit ekzistonte një projekt për një bibliotekë kombëtare pranë Katedrales së Kishës Katolike, por nuk u zbatua. Pas viteve ’90 pati të tjera projekte, që sërish nuk u realizuan. “Në një farë mënyrë, kjo kronikë ka qenë e paralajmëruar, duke pasur parasysh kushtet e BK-së”.
Virgjil Kule: Ky zjarr ishte vetëm një paralajmërim
Studiuesi dhe gazetari Virgjil Kule në një status në profilin e tij në FCB kujton inaugurimin e Pallatit të Kulturës. “Isha i vogël, por më kujtohet se Biblioteka Kombëtare zinte gjithë krahun e djathtë të godinës. Mbas 1990, iu hoq një kat i tërë, kati i tretë. Pati edhe tkurrje të tjera. Ndërkohë, fondi u zgjerua dhe librat u rrasen keq e mos më keq… Nejse. Tani: Derisa Biblioteka Kombëtare të mbetet e strukur në një cep të asaj godine të madhe, tashmë prej 25 vjetësh të mbushur me biznese, që s’kanë lidhje me kulturën, rreziku për zjarr asgjësues do të jetë gjithmonë i pranishëm. Ky i sotmi ishte vetëm një paralajmërim”.
Ndoc Bushgjoka: Ja pse është lënë Biblioteka në ditë të hallit
Profesor Ndoc Bushgjoka citon shprehjen e vjetër se:“Kur vdes një njeri i moshuar dhe i ditur, digjet një bibliotekë”. Ndërsa, sipas tij, kur digjet një bibliotekë, një dituri nuk është më në mesin tonë. “Po pse është lënë Biblioteka në ditë të hallit. Mbase përgjigjen mund ta marrim kur shohim qindra mijëra euro të djegura në formën e palmave të thara. Te miliona euro të tjera të hedhura në fasada ministrish, për ndërrime kolltukësh e rropullive të tjera. Barbaria dhe dituria nuk mund të jetojnë së bashku. Barbarët dogën Bibliotekën e Aleksandrisë, e cila po të jetonte deri me sot historia e botës do të ishte ndryshe”, shkruan ai.
Natasha Bega: Mund të digjet e të zhduket e gjithë bota po kurrsesi libri dhe arti
“Mund të digjet e të zhduket e gjithë bota po kurrsesi libri dhe arti ! Aty ngujohet e gjithë energjia e civilizimeve njerëzore, që ndriçojnë qiellin dhe tokën në vazhdimësi! Le t’i ruajmë ato si gjënë më të shenjtë për breznitë!”
Biblioteka Kombëtare 51 vjet te Pallati i Kulturës
Ndonëse institucionet bibliotekare të shqiptarëve në shtetin e tyre janë relativisht të reja, tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Dëshmi të shumta vërtetojnë se gjatë Mesjetës në oborret e princërve shqiptarë, si dhe të bujarëve, kontëve, arhonëve etj., funksiononin kancelari në të tria gjuhët diturore të kontinentit: latinisht, greqisht, sllavonisht e, pranë tyre, edhe bibliotekat përkatëse. Pozicioni gjeo-historik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas u mundësonte atyre kontaktet librore si me Kostantinopojën, ashtu dhe me zhvillimet e “përtejdetit”. Cezura osmane qe një ndërprerje e dhunshme e këtyre zhvillimeve. Megjithëkëtë, edhe nga gati pesë shekuj sundimi osman, shqiptarët nuk e humbën traditën bibliotekare. Në kushtet e reja, ajo u përcoll kryesisht nëpërmjet bibliotekave të familjeve të mëdha, të pashallarëve e bejlerëve, por edhe atyre të institucioneve fetare: abacive benediktine, kuvendeve françeskane e jezuite, manastireve ortodokse, medreseve, teqeve të bektashinjve etj.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.
Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky dekret i dha mundësi BKSh të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të vendit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndrshuar e plotësuar disa herë. Botuesit detyrohen t’i dërgojnë BKSh nga 5 kopje të çdo botimi të tyre. Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.
Komentet