Udhëtimi me mjete publike në Zvicër është një opsion për të gjithë. Është rutinë të udhëtosh me tren, bus apo tram. Edhe për ministrat apo deputetët.
Së pari, sepse Zvicra ka një infrastrukturë nga më të mirat në botë.
Së dyti, punktualiteti. Nuk ka vonesa trenash, busash apo tramash dhe gjithmonë arrin në destinacion në kohën e duhur.
Së treti, shmangen vonesat nga trafiku, shmanget stressi dhe udhëtimi është komod.
Këtë javë Zvicrën e ka përfshirë një valë të nxehti afrikan. Vendet më të përshtatshme për të mos e ndjere vapën janë në pishina apo pyjet dhe zonat e gjelbëruara që në Zvicër shtrihen si gjerdanë të kudogjendur. Në Bazel lumi Rin është atraksioni i qytetit. Ai është i lundrueshëm dhe ujrat e tij të çojnë deri në portin e Roterdamit. Ndërsa në ditë të tilla vape njerëzit kënaqen duke shëtitur buzë tij, duke u ndalur në baret për ndonjë birrë apo duke bërë banjo dielli e not.
Periudha e pushimeve zyrtarisht nis pas disa ditësh pa e marrë para sysh vapën që ka plasur para kohe.
Por vapa nuk ndihet as kur qarkullon me mjetet e shërbimit publik. Në ditë vape udhëton në fresk dhe ditë dimri në të ngrohtë. Kjo është Zvicra. E thjeshtë, e bukur dhe gjithmonë në shërbim konkurues ndaj publikut.
Dje morëm tramin si zakonisht. Freskia brënda ishte sfiduese ndaj çmendurisë të të nxehtit. Në tram ka nga ata që lexojnë, por shumica nuk u ndahen celularëve, ca kundrojnë pamjet nga jashtë, të tjerë nuk i mban vendi dhe memzi presin të zbresin sepse janë dikund me vonesë, ndërsa ka edhe nga ata që ia fusin gjumit dhe si me zile zgjohen pikërisht në stacionin e duhur.
Duke u këndellur prej freskisë arritëm ku duhej dhe kur mbaruam punë e rimorëm tramin për t’u kthyer.
Por posa hymë brënda u zhgënjyem nga të nxehtit e madh. Çfarë të kishte ndodhur. Njerëzit të skuqur nga temperaturat e larta nuk ankoheshin, ca bënin fresk me gazeta por besoj se seicili prej tyre pyeste me vete se çfarë të kishte bërë vaki.
Kështu zgjati edhe ca, me ankesa të brendeshme edhe për disa stacione, deri kur drejtuesja e tramit na u lut të gjithëve të zbrisnim e të merrnim tramin që na priste duke na kërkuar shumë herë ndjesë për vapën e madhe në tram që u shkaktua prej një difekti në sistemin e ajrit të kondicionuar.
Ne ndërruam tram duke thënë me njëri-tjetrin. Ja kjo është Zvicra.
Komentet