Faktori politik shqiptar në Ballkan gjendet para një sfide të rrezikshme, të cilin duhet ta përballojë me mençuri, urtësi dhe strategji kombëtare!
Rrjedhat në marrëdhëniet ndër shqiptare në 30 vitet e fundit, në përgjithësi, dhe ato në raportet e Tiranës me Prishtinën në veçanti, asnjëherë nuk kanë qenë më të këqija, dhe kjo si rezultat i ambicieve të sëmura të disa politikanëve të papërgjegjshëm shqiptarë, të cilët ende kanë pozita të larta shtetërore, siç është kryeministri i Shqipërisë dhe disa politikanë në Prishtinë.
Nxitimi i mbajtjes se takimit të tretë, të ashtuquajtur “Mini-shengen” në Tiranë, në kohën kur Kosova po kalon nëpër vakum institucional, ka krijue hapësirë mosbesimi, dhe jo vetëm që bartë dyshime në qëllimin dhe prapavijën e mbajtjes së këtij takimi, madje flet hapur për djallëzinë e kësaj nisme ballkanike, e cila ashtu siç filloi pa Kosovën në Novisad, nuk ka dyshim se ky është një projekt serbomadh që për qëllim ka defaktorizimin e shtetësisë së Kosovës, dhe jo vetëm!
Paraqitjet nervoze dhe irrituese të kryeministrit Edi Rama para mediave duke përsëritur që disa herë, “se iniciativa për “Mini-shengen” ballkanik e ka përkrahjen amerikane dhe të BE-së, se Kosova do humbë shumë dhe po e përjashton vetveten, etj., janë paraqitje të neveritshme, ngase është fakt i gjallë se kjo iniciativë bije në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në Ballkanin perëndimor!
Një “Mini-shengen” brenda të cilit Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshmon qartë se kryeministri i Shqipërisë, E. R. po tenton të bëhet “mbret” i shqiptarëve në Ballkan, duke tentuar që problemet e mëdha që ia ka shkaktue Shqipërisë t’i mbulojë dhe kamuflojë para opinionit të brendshëm!
Një kryeministër i përfolur tej mase në vendin e tij, nuk ka të drejt morale që të flas për politikën gjithë shqiptare, një kryeministër i cili veç batutave grindet, shanë dhe ofendon gazetarët vetëm se e pyesin për gjëra qenësore, dëshmon se E. Rama po instalon serish mendësinë moniste në Shqipëri, të cilën para 3 dekadave me shumë sakrifica shqiptarët e hoqën qafe.
Sjellja si despot e kryeministrit shqiptar po e dëmton rënd interesin tonë nacional, po e pengon integrimin ndër-shqiptar, po instalon frymën përçarëse Kosovë-Shqipëri, po e dëmton rënd rrugën integruese të shqiptarëve në BE, dhe padyshim, kryeministri i Shqipërisë mjet propagande e ka FB dhe TV-RAMA, përmes të cilave mjete i akuzon rënd gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai!
Mbase, ai është në krizë të thellë politike, atë po provon ta shtrij në nivel të politikës nacionale, për çka duhet të ndalohet si dhe t’i mbyllet dera e pasioneve të tij përçarëse brenda shqiptare nga i cili degradim më së shumti po përfiton Serbia. Dhe kjo u pa qartë dje në Tiranë, kur kryetari i Serbisë nuk kishte fare nevojë të drejtonte akuza në drejtim të Kosovës, sepse ato i bëri “perfekt” kryeministri E. Rama !
Politikanët kosovarë nuk duhet të bien pre e grindjeve dhe ambicieve të E. Ramës, ata duhet të ndërgjegjësohen dhe t’i korrigjojnë gabimet e të kaluarës, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë dhe me nismat ballkanike duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse asnjë nismë ballkanike pa pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës nuk do mund të realizohet.
Kosova duhet sa më para ta formojë qeverinë e re, ta rikthejë mirëbesimin e aleatëve tanë perëndimorë si dhe partnerëve tjerë ndërkombëtar për t’ia ndaluar hovin lojërave politike të Serbisë në dëm të shqiptarëve!
Ballkani perëndimor është i lidhur ngushtë me Evropën, pjesë natyrale e të cilës edhe është, dhe çdo orvatje tjetër për t’ia ndryshur kursin politik-strategjik pro-perëndimor përmes iniciativave të ndryshme që shkojnë në dëm të kombit shqiptar, do të dështojnë keq!
Hafiz Gagica
Stuttgart, 22.12.2019
Komentet