…Qyteti…”shumë i madh e shumë i populluar”, Dyrrahi, jetonte ditët e tij të begatshme. Nëpër rrugët e sheshet e zbukuruara njerëzit lëviznin lirisht; grumbulloheshin ose shpërndaheshin nën tingujt e glorisave, tibieseve, hydraulisteve etj… sidomos, pas betejave të ashpra e të gjata me ushtritë detare e tokësore të Romës dhe fitores ndaj tyre. Banorët taulantë dhe një pakicë helenësh e maqedonas, bashkëqytetarë tashmë të lidhur si mishi me thoin në zjarrin e luftës, kundra armikut të përbashkët, gëzonin frytet e fitores, lirisë e begatisë… Kudo hidhej “vallja e shpatave”…
Edhe fshatrat përreth këtij qyteti – kërthizë e Adriatikut, lulëzonin: bujqit punëtorë dhe peshkatarët e bregut të detit merrnin prodhime të bollshme. Midis njerëzve mbretëronte ligji i të drejtave të barabarta. Ata e donin dhe e respektonin njëri-tjetrin. I bindeshin vetëm Këshillit të Lartë të Pleqve. Të rinjtë e të rejat ndiqnin me zell zanatet dhe punët shtëpiake. Miqësia vëllazërore, nga gjaku i njëjtë, i lidhte banorët e Dyrrahut dhe Qeverinë e tij, me banorët dhe arkondët e Apolonisë – asokohe, shumë e përparuar. Bënin tregti e shkëmbime kulturore-sportive si me asnjë vend tjetër. Banorët dyrrahnianë përfitonin shumë nga arti dhe kultura apoloniane, ngaqë të rinjtë e të rejat e qytetit – shtet, sidomos bijtë e arkondëve, studionin edhe jashtë vendit, kryesisht në shkollat greke e romake. Me të drejtë, rinia dyrrahniane, miqësinë e vet me të rinjtë e Apolonisë, e quante si një “Kurorë e bukur”… Moda dhe muzika apoloniane hynte çdo ditë e më tepër në shpirtin e rinisë së Dyrrahut. Rrugët dhe sheshet e qytetit mbusheshin çdo mbrëmje me të rinj e të reja të veshur me lutiklave e pretekste të qëndisura me argjend, tamam si tebët e Apolonisë… Odeonet, vendet ku jepeshin shfaqje dhe luhej muzikë apoloniane, mbusheshin plot me njerëz të të gjitha moshave. Ata ndiqnin me kënaqësi grupe këngëtarësh e muzikantësh nga të gjitha trevat ilire, greke e maqedonase. Ndërsa agarajet, vendet ku zhvilloheshin ceremonitë e festave kombëtare dhe fetare, gjithmonë rrinin të hapura për njerëzit…Në stadiume, të rinjtë, herë pas here matnin aftësitë dhe forcën e tyre, në sporte të ndryshme…
Kudo lulëzonte jeta…. Mirëpo, një ditë prej ditësh, në qytetin e bukur të Durrahut, u rikthye nga studimet e larta biri i një familjeje të shquar. E pritën me lule e këngë në portin e madh të qytetit, ku oratorë të shquar thurën frazat të sofistikuara për birin e tyre të ditur. Ky ishte Epikadi, bir i dëshmorit të luftës… madhështor me atë veshjen ala sokratçe, por ajo që e bëri më të bujshme rikthimin e tij në tokën amtare, ishte një kafshëz e bukur, e panjohur për qytetarët e Durraut, që ai e solli me vete. Të gjithë u habitën me qenien e panjohur, që lëvizte vazhdimisht e s’rrinte në një vend. E gëzuar, e hareshme, ajo sikur njihej me banorët e qytetit dhe rendëte drejt tyre për të luajtur e përqafuar me ta. U afronte feçkën pranë fytyrës, sikur donte t’u fliste vetëm fjalë dashurie.
– Po kjo kafshëz e bukur e kaq e dashur, ç’lloje është more , Epikad ?- pyeti kryeplaku i Këshillit, filozofin e ri, ardhur me kënaqësi për të pritur birin e dashur të qytetit, njeriun e shkolluar të së ardhmes. – Si-ta-marr-ta-ha, or bacë ! – Iu përgjigj i dituri – Është e rrallë në botë. Me origjinë Perëndie! Kush e ka një të tillë në vatanin e vet, ai popull s’do të njohë Vuajtje, Mjerim dhe Luftë. E kam siguruar me sakrifica të mëdha, o plaku ynë i nderuar. Rrezikova edhe jetën, deri sa e bëra timen: ”Do t’ia çoj vendit tim , thashë, të mos njohë kurrë vuajtje e robëri.”….
– Urraaaa !
Ushtuan brohorimat e qytetarëve.
– Rroftë Epikadi!…Rroftë Si- ta- marr- ta-haja !
Nga skela deri në qendër të qytetit, populli e mbajti në krahë Epikadin dhe Sitamarrtahanë e bukur e çudibërëse. Atje, kënduan këngë dhe kërcyen valle, për filozofin dhe qenien e tij me origjinë Perëndie. Mirëpo, plasi sherri: në cilën shtëpi do të qëndronte Sitamarrtahaja, sepse të gjithë e dëshironin ta kishin në kopshtin e tyre…Madje, pati edhe zënka e përleshje me grushta…..
Kaluan ditë e javë, kaluan muaj dhe jeta në Durrahi vazhdonte e qetë, e begatë…Sitamarrtaha-ja rritej e zbukurohej përditë e më shumë…Populli i thurte vargje bukurisë dhe madhështisë së saj. Ajo ishte simbol i lirisë e i lumturisë së tyre. Betoheshin për kokën e saj…bënin kurbane…Fëmijët belbëzonin emrin e Sitamarr-taha-së, sapo merrnin gojën…Nëpër mure, në dorezat e shpatave, në mburoja e unaza, në varëse e zbukurime vajzash, shënohej emri “Si-ta-marr-ta-ha”! Gëzimet dhe ditët e mortit fillonin e mbaronin me lutje e thirrje për jetëgjatësinë e Sitamarr – taha-së…
Mirëpo, pa pritur, për çudinë e të gjithëve, disa fshatarë, pranë qytetit, filluan të ankoheshin për zhdukjen e djemve dhe vajzave të tyre, në mënyrë misterioze, për lopët, kuajt e delet, një nga një ose në tufa, që zhdukeshin ose gjendeshin me barkun e çarë dhe pa të brendshme, ndërsa, disa qytetarë lajmëruan për humbjen misterioze të fëmijëve…Aq fshehtas, sa fatkeqët rendnin te Kopshti i Bukur i qytetit, ku jetonte Sitamarrtaha-ja dhe binin në gjunjë para saj: kërkonin mëshirë… shpëtim… Luteshin e përgjëroheshin për fatkeqësinë e tyre të papritur …
Qenia-Perëndi, që ua “kuptonte aq mirë” fatkeqësinë njerëzve , u lëpihej dhe u përqallej, thua se vërtet do të bënte të pamundurën për t’i shpëtuar nga rreziqet e tjera!
Megjithatë, djem trima e të mençur, vajza të bukura e të zgjuara vazhdonin të zhdukeshin përherë e më shumë, po aq papritur e në mënyrë të fshehtë!
Kryesia e Këshillit të Pleqve ra në hall. Kudo kishin vendosur roje dhe njerëz me detyra të posaçme në të gjithë vendin, kishin bërë përforcime dhe prita të fshehta, por asgjë… Numri i grave, nënave e motrave me të zeza rritej përditë e më shumë… Po dukeshin njerëz që shisnin plaçkat e shtëpisë, për të mbajtur frymën gjallë…fshatarë që shisnin tokat dhe bagëtitë… familje të tëra fisnikësh që po rrënoheshin… Pse po ndodhte kjo fatkeqësi ? A nuk kishte forcë Perëndie, Sitamartaha-ja ?…Turma njerëzish të mjeruar rrinin para saj, luteshin, kërkonin ndihmë, duke kënduar këngët e kompozuara enkas për të, bënin kurbane. Ndërsa ajo qante… derdhte lot për fatkeqësinë e tyre…
Tregonin se, nga dëshpërimi, ajo rrinte ditë të tëra pa ngrënë e pa pirë…Kudo shiheshin rrënime, vjedhje, vrasje, plaçkitje me dhunë…njerëz që iknin nga sytë këmbët për të mbijetuar…E padëgjuara ndodhte pa pritur e pa kujtuar, si nga një forcë e mbinatyrshme, si mallkim Perëndie. Kjo i alarmonte njerëzit e pafuqishëm…Mjeranë, që s’dinin nga t’ia mbanin, grumbulloheshin përreth kafshës së mahnitshme për t’i kënduar bukurisë dhe mençurisë së saj, të bindur se perënditë do t’ia kthenin fuqinë hyjnore. Por më kot. Çdo gjë shkonte tatëpjetë, me vrull…
Ata që vinin nga vendet e tjera, sidomos nga qytetet ilire, shikonin dhe iknin të çuditur se si po shkatërrohej liria dhe begatia e qytetarëve të Durrahit ; habiteshin se si ata njerëz të virtytshëm, atdhetarë të flaktë, nga varfëria dhe frika e pasigurisë, po shndërroheshin në ca zbatharakë të këqij, që vrisnin e grabisnin njëri-tjetrin, për t’i bërë ballë mjerimit që i kllaposi aq pa pritur…Ndërkohë që këndonin, kërcenin, argëtoheshin dhe vdisnin me emrin e Sitamartahasë në gojë.
– Sa çudi !…Po mirë, xhanëm, nuk ka dalë njeri, së paku, të thotë shkakun e kësaj kërdie ?
Pyeti një nga fylarkët e Këshillit të Lartë të Apolonisë, emri i të cilit ishte shumë i nderuar midis ilirëve, më të kulturuar të asaj kohe. Por s’mori përgjigje. Kush t’i përgjigjej ? Si t’i përgjigjej ? Nëse dikush kishte hamendësim për diçka nuk ia donte zemra ta thoshte ? Kjo ia hidhëroi zemrën patriotit të kulturuar. Si mund të shkatërrohej qyteti i vëllezërve të tij ve të gjaku, të gjuhës, ku njerëzit po të vdisnin pa i afruar kush ndihmë !?
“Kurrën e kurrës, gjaku Ilirianëve nuk do të bëhet ujë!”
Ai, më i nderuari i fylarkëve, me shpenzimet e familjes së vet, përgatiti ushtarët e përzgjedhur të Apolonisë dhe, bashkë me ta, dërgoi djalin dhe vajzën e tij në Dyrrahi, të pajisur në trup me armët më të sofistikuara të kohës dhe i la të lirë të bridhnin natë e ditë nëpër qytet. Tadi dhe Masila e bukur, ndenjën disa javë në Dyrrahi…S’lanë rrugicë e qoshe të fshehur të qytetit pa kontrolluar. U endën edhe nëpër kodrat përreth qytetit, edhe gjatë bregdetit të bukur, por nuk gjetën asnjë gjurmë të atij që shkaktonte fatkeqësinë. Nuk i njihte askush dhe, cilido që i shikonte, si të dashuruar i kujtonte. Motra dhe vëllai, mes ushtarëve të Apolonisë, flinin pak e lëviznin shumë. Ditë e natë, të uritur e të rraskapitur, kërkonin shkaktarin që mjeronte vëllezërit e tyre, dyhranianë …Takonin prindër, vëllezër e motra, fëmijë e të afërm të të zhdukurve, por nga askush nuk mësonin diçka të saktë, qoftë edhe një dyshim të vogël. Ama, u vinte mirë që fatkeqët e adhuronin Sitamartahanë dhe shpresonin shumë prej saj, njëlloj siç e adhuronin edhe ata vetë, një qenie hyjnore….
Natën me shi e me frullisë të ftohtë, Tadi dhe Masila trime, mbështetur, si përherë nga luftëtarët e shtetit të tyre, vendosën të mos largoheshin nga qendra e qytetit, pikërisht aty ku tregonin se zhdukeshin njerëzit më të mirë të vendit, me parandjenjën se do t’u shfaqej gjëmëmadhi i pamëshirshëm…
Dhe ashtu ndodhi.
Duke u gdhirë ata vunë re se, drejtë tyre, me sytë që xixëllonin nga tërbimi, po afrohej një qenie e kreshpëruar nga etja për gjak, katërkëmbësh, me trup të madh e putra ujku. Një përbindësh i vërtetë.
– Kujdes, Masila, nxirr armët dhe mbrohu !- E këshilloi vëllai i tronditur nga ç’po i shikonin sytë, ndërkohë që kafsha afrohej gati për t’iu hedhur sipër – Futu mes ushtarëve ! – bërtiti ai dhe, me harkun e shigjetës shtrirë, sa hante krahu, ia mbante shenjën në lule të ballit, përbindëshit të llahtarshëm…
– Qenka Sitamartahaaa, Masila !..Kujdes, sytë e saj lëshojnë rreze që të verbojnë !
– Aha, kush na paska qenë shkaktari që vret e rrënon vëllezërve tanë !- Thirri Masila – Përpara, Tadi, pa mëshirë !…Urraaa !
Ai shkrehu harkun e fuqishëm dhe, shigjeta e helmatisur, u ngul drejt e në syrin e majtë të përbindëshit…
Motër e vëlla dhe ushtarët trima, iu hodhën sipër kafshës së pabesë, duke ia grirë mishin copa – copa…
Pas pak, edhe shiu pushoi… Qielli u hap…Miliarda yje shndritën kupën e paanë të gjithësisë, ndërsa motër e vëlla, dora-dorës, rendën të gëzuar drejtë bashkatdhetarëve të çliruar, tashmë, nga Sitamartaha-ja, e pabesë….
Ndër shekuj, tregon gojëdhëna, banorët e Durrahit nuk lejuan të hynte më në qytetin e tyre, qoftë edhe një lule, sado e thjeshtë, e bukur të ishte, pa ia mësuar origjinën me dhëmbë e dhëmballë….