Ngjarjet tragjike me përmasa ndërkombëtare si atentatet terroriste në Paris shkaktojnë tronditje post-traumatike në gjykimet shtetërore, politike dhe intelektuale, të cilat shpeshherë e çojnë logjikën në drejtimin e kundërt të racionales. Përpara se të analizohet se çfarë ka ndodhur dhe si të përballohet e keqja apo si të parandalohet përsëritja e së keqes terroriste, kërkohet kuptimi i asaj që ka ndodhur. Që ajo nuk është lehtësisht e deshifrueshme dhe që emocioni i racës, i fesë i gjeografisë apo i historisë nuk ndihmon në kuptimin e saj, konstatohet qartazi gjithë këto ditë meditimi të pas-Parisit. Në këto periudha turbullirash shtetërore, politike, mediatike dhe intelektuale, marrin një theks të veçantë dobie dhe qetësimi zërat dhe mesazhet e kthjellëta, që ngrihen mbi ngjarjet dhe dallohen për kuptimin e asaj që ka ndodhur dhe i ofrojnë shtetit dhe shoqërisë ku jetojnë, ndriçimin e thelbit të një tragjedie dhe të një të keqeje njerëzore, siç është terrorizmi, i cili shfaqet me mospërputhjen midis formës dhe përmbajtjes.
Në këtë cepin ballkanik të kontinentit europian, ku emocioni prin logjikën dhe ku fantazmat dhe mëritë e shenjave të kundërta kulturore dhe shpirtërore, jo vetëm gëlojnë, por edhe me etje kërkojnë rastin të shpërthejnë në periudhat e tronditjeve rajonale dhe kontinentale, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, solli një mesazh kthjellues dhe përgjithësues rajonal për kuptimin dhe zbërthimin e fenomenit terrorist që ndodhi në Paris. Mesazhi i tij, i botuar në datën 15 nëntor 2015, në kulmin e përjetimeve të tronditjeve pariziane, në gazetën e përditshme serbe “Alo”, me titull “Serbia nuk mund të bëhet viktimë e urrejtjes”, tejkalon adresimin e një kryeministri për vendin e tij dhe merr përmasat e një shqetësimi për rajonin tonë të mbushur ende me paragjykime dhe inate, me fantazmat dhe mëritë e së shkuarës dhe të fanatizmit. Ja thelbi i mesazhit të kryeministrit Aleksandër, Vuçiç: “Në Paris nuk u konfliktuan Islami dhe vlerat e qytetërimit të lindura në Revolucionin Francez, por pikërisht e kundërta, se, atë të premte të 13 nëntorit, të gjitha religjionet dhe të gjitha vlerat ishin viktima të terrorit të pamend, të zhveshur nga çdo besim fetar, dhe për më shumë vlerave të jetës, drejtësisë dhe barazisë. Mendoj se kjo është gjëja e parë të cilën, pas ngushëllimeve më të sinqerta për viktimat, mund t’i thuhet sot Francës dhe mbarë botës. Se kushdo që përpiqet që fajin për tragjedinë e Parisit ta shfrytëzojë për përhapjen e urrejtjes ndaj myslimanëve dhe Islamit, është njëlloj në atë rrugë të përgjakshme, si edhe ata që qëlluan kundër njerëzve të pafajshëm në restorantin kamboxhian të Parisit, apo spektatorët në koncertin në sallën ‘Bataklan’. Detyra e të gjithëve ne është të ndalim urrejtjen pas Parisit”.
Kryeministri i Serbisë i jep të gjithë Ballkanit një leksion shembullor. Mesazhi i tij shtetëror dhe intelektual merr vlerë të veçantë, sepse vjen nga kryeministri i një shteti me shumicë ortodokse, ku nxitja e urrejtjes fetare kundër të tjerëve ka qenë politikë shtetërore, ku fantazmat e së kaluarës dhe stimulimi i instinktit fetar dhe i revanshit fetar kanë qenë flamur i identitetit shtetëror. Ndaj ai i drejtohet në radhë të parë vendit të vet, popullit të vet, për nevojën dhe domosdoshmërinë e ndaljes së urrejtjes. Ai merr vizionin modern dhe demokratik që të ndahet nga metodat e disa paraardhësve të tij, të cilët kanë shfrytëzuar rast e pa rast mundësitë për të rritur kuotat elektorale, duke ushqyer urrejtjen ndaj feve të tjera. Thirrja ballkanike e kryeministrit serb është një thirrje tepër aktuale dhe e guximshme do të thosha, për mjedisin politik dhe historik nacionalisto-fetar të Serbisë. Kryeministri serb demonstron përgjegjshmërinë e tij për rrugën e drejtë, ku duhet të konsolidohet kohezioni i shtetit të tij dhe jo si përfaqësues i fesë së cilës i përket, përkatësi për të cilën ai, si shtetar i vërtetë, nuk është prononcuar asnjëherë që nga koha që është bërë kryeministër. Ai demonstron nuhatjen se stabiliteti dhe prosperimi i shoqërisë serbe kërkojnë klimën e distancimit nga urrejtja dhe ndasia fetare. Brenda shtetit të tij jetojnë edhe shtetasit myslimanë shqiptarë të Luginës së Preshevës, edhe shtetasit myslimanë boshnjakë e shqiptarë të rajonit të Sanxhakut dhe me largpamësi synon të parandalojë pasojat fatale, që mund të ketë për stabilitetin e shtetit të tij nxitja e urrejtjes fetare me rastin e ngjarjeve të Parisit.
Mesazhi i kryeministrit serb shkon përtej Serbisë dhe u drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë vendeve fqinje, sepse kryeministri është i qartë se siguria e vendit të tij nuk mund të fitojë asgjë, por mund të humbasë shumë, duke gjeneruar valë urrejtje fetare ndaj fqinjëve që u përkasin besimeve të tjera. Dy shtete fqinje me shumicën e popullsisë myslimanë janë Bosnja dhe Kosova, dy shtete ndaj të cilëve Serbia ka kryer krime historike të mëdha dhe rruga e pajtimit drejt tyre nuk mund të ecë në shtegun e urrejtjes fetare. Mesazhi i tij ka një qarkullim rajonal, sepse nga gjashtë shtete, që bëjnë pjesë në grupin e quajtur Ballkan Perëndimor, katër prej tyre kanë shumicën e popullsisë myslimane. Kryeministri Vuçiç e kupton mirë se çfarë pasojash negative ka për bashkëpunimin dhe stabilitetin ballkanik një frymë e urrejtjes fetare në Ballkan. Sepse ai e ka të qartë se Ballkani nuk mund të gjejë paqe dhe as të sigurojë qetësi në kufijtë e njëri-tjetrit, nëse u lihet hapësirë forcave dhe ideve zjarrvënëse të urrejtjes fetare. Nxitja e urrejtjes fetare të popujve dhe të shteteve ndaj njëri-tjetrit nuk ka asgjë të përbashkët as me integrimin europian, as me kulturën dhe me civilizimin europian. Fanatizmi fetar i çdo lloji është pengim dhe kundërvënie ndaj integrimit real europian të vendeve të Ballkanit në familjen europiane. Kryeministrit të Serbisë me mesazhin e tij, i duhet njohur merita e një distancimi të qartë nga politika e nxitjes së luftërave fetare, që ndiqte paraardhësi i tij kriminel ndërkombëtar lufte, Sllobodan Millosheviç, i cili me fushatat për të ashtuquajturin aks jeshil mysliman në Ballkan, kërkonte të përligjte luftërat e përgjakshme, që ndërmori kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi dhe sidomos ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve. Kryeministri aktual i Serbisë, me këtë mesazh dëshmon një distancim edhe nga idetë mesjetare të presidentit aktual serb, Tomislav Nikoliç, i cili jo shumë larg, por tre vjet më parë, gjatë një vizite në Shkup propozonte krijimin e aksit të zi ortodoks midis Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Duhet përshëndetur kristalizimi në drejtimin politik në Beograd i një dallimi midis atyre që shohin nga e ardhmja dhe atyre, që shohin nga e shkuara.
Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiç, shfaqet në sintoni të plotë me qëndrimet dhe vijën shtetërore, politike, morale dhe filozofike të udhëheqësve të Perëndimit, në zbërthimin e fenomenit terrorizëm dhe në interpretimin e atij fenomeni si një e keqe për të gjithë popujt, për të gjitha shtetet dhe për të gjitha fetë. Është në sintoni me deklaratën e presidentit të SHBA, Barak Obama, i cili në 16 nëntor, tri ditë pas atentateve të terrorizmit në Paris, theksoi në konferencën e shtypit të mbajtur në Antalia të Turqisë: “Shumica dërrmuese e viktimave të terrorizmit gjatë viteve të fundit dhe sigurisht, shumica dërrmuese e viktimave të ISIL, janë vetë myslimanët. ISIL nuk përfaqëson Islamin. Nuk është përfaqësues në asnjë mënyrë i shumicës dërrmuese të myslimanëve”. Presidenti i shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik të botës, që udhëheq koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër ISIS-it, kurrë nuk ka përdorur epitetin “islamik” pas fjalës terrorizëm, sepse ai, më shumë se të gjithë e ka të qartë se sa pengohet realizimi i objektivave të luftës antiterroriste nga konfuzionet për ta kanalizuar në një kuadër fetar luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Kryeministri i Serbisë është në sintoni me qëndrimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në 17 nëntor, duke folur për atentatet terroriste të Parisit, deklaroi: “Është e rëndësishme të kujtohet se kjo nuk është një luftë midis Perëndimit dhe botës islamike. Myslimanët janë në ballë, duke luftuar terrorizmin, ekstremizmin dhe ata janë gjithashtu viktimat kryesore. Terrorizmi nuk bën dallim midis kombësisë dhe fesë”.
Kryeministri i Serbisë arrin të kuptojë rëndësinë largpamëse që kanë edhe për vendin e tij dhe për të gjithë Ballkanin, qëndrimet e SHBA dhe të NATO-s, dy kështjellat kryesore të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Me të drejtë ai kërkon ta mbajë mendimin dhe shikimin e popullit dhe shtetit të vet brenda vizionit politik, filozofik dhe moral perëndimor, përsa i përket terrorizmit.
Mesazhi i kryeministrit të Serbisë merr vlera aktuale përballë një fryme histerie islamofobe, që po konstatohet në Ballkan pas atentateve terroriste të Parisit. Merr vlerë edhe për Shqipërinë e Kosovën, ku nuk dihet se për çfarë arsyesh, grupe dhe individë të politikës, të mediave dhe të të ashtuquajturës shoqëri civile, e gjykuan si rast për të nxitur mllefe dhe ethe raciste fetare, duke e rreshtuar Shqipërinë ndër vendet me kuotat më të larta të islamofobisë në rajon. A vjen kjo nga një pikëpamje infantile, e mbjellë herët në disa mendje të sëmura se duke përhapur urrejtje fetare dhe histeri islamofobe, shqiptarët do të bëhen më të pëlqyeshëm për Perëndimin, është njëra pistë. Pista tjetër është ajo e stereotipit të levantinëve ruralë shqiptarë, të cilët e kanë ndërtuar krijimtarinë, famën televizive dhe fitimin, mbi provokacionet ndaj fesë islame. Në këtë drejtim të shtyn të mendosh dalldia dhe ekzaltimi fundamentalist antislamik në Shqipëri, që prodhon tezat dhe thirrjet idiote për zbutjen e islamit, thirrje që vijnë nga përkatësi të feve të tjera, apo alarmet komike se islami rrezikon identitetin kombëtar, që vijnë nga individë, të cilët nuk kanë thënë gjysmë fjale kur identiteti shqiptar i besimit të tyre është ç’shqipëruar nga të dërguarit e shteteve me rivendikime territoriale ndaj Shqipërisë.
Vala e histerisë islamofobe, që pas Parisit karakterizoi disa grupe politike, mediatike dhe pseudointelektuale shqiptare, mund të përkufizohet si një goditje ndaj harmonisë dhe paqes fetare në Shqipëri, për të cilën jemi mburrur e mburremi pareshtur përpara të huajve. Shqytarët e islamofobisë harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë, se merita kryesore historike e kësaj harmonie fetare i takon komunitetit, që është shumicë, pra shumicës myslimane të popullsisë.
Përballë këtyre problematikave artificiale dhe të rrezikshme ballkanike, del më në pah vlera e mesazhit me jehonë rajonale dhe me frymëmarrje europiane, që solli kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me rastin e atentateve terroriste të Parisit. Nuk besoj se ka autor, në Tiranë jo e jo, por as në Prishtinë, që më tepër se sa autori i këtyre radhëve të ketë shkruar kritika ndaj kryeministrit aktual të Serbisë për qëndrime të ndryshme politike dhe diplomatike. Por më duhet të njoh meritën e një mesazhi europian të vërtetë dhe shumë të nevojshëm për një kohë të vështirë dhe për një rajon tepër të vështirë si Ballkani.
Komentet